Nga Albert Vataj
Aleksandri III i Maqedonisë, i njohur si Aleksandri i Madh ishte mbret i mbretërisë së lashtë greke të Maqedonisë dhe anëtar i dinastisë Argead. Ai u lind në Pella më 20 korrik 356 para Krishtit, pasoi në fron babanë e tij, Philip II kur ishte në moshën 20-vjeçare. Ai kaloi shumicën e viteve të tij në pushtet në një ambicie të paparë ushtarake duke zgjeruar sundimet në Azi deri në Afrikën verilindore. Në moshën 30-vjeçe ai kishte krijuar një nga perandoritë më të mëdha të botës së lashtë, që shtrihej nga Greqia në Indinë veriperëndimore . Ai ishte i pamposhtur në betejë dhe konsiderohet gjerësisht si një nga komandantët më të suksesshëm ushtarakë të historisë.
Aleksandri i Madh ishte një strateg ushtarak dhë burrë shteti i shquar. Konsiderohet nga brezat pasardhës si pushtuesi legjendar i Perandorisë së Vjetër Perse (që përfshinte në atë kohë edhe Egjiptin), i cili përparoi, i shtyrë nga vrulli i tij i furishëm, deri në brigjete Indisë. Ai donte të shkonte deri në kufijtë e Tokës, e cila imagjinohej e sheshtë dhe e rrethuar nga lumi Oqean.
Shumë legjenda janë thurur rreth këtij pushtuesi të ri dhe tërheqës. Thuhej se nëna e tij, Olimpia, kishte gjetur në djepin e foshnjës një gjarpër, shenjë e qartë e madhështisë së tij të ardhshme. Të dy, nënë e bir, janë përzier në vrasjen e babait të Aleksandrit, Filipit II, në prag të një martese që kërcënonte pozitën dhe pushtetin e tyre. Bysefali, kali i Aleksandrit, thotë Herodoti, iu dhurua kur ai ishte adoleshent, sepse hazdisur. Martesa e Aleksandrit me Roksanën na është paraqitur si pasion dashurie, por ka shumë të ngjarë që ajo të ishte një aleancë politike. Pretendohet se ai e kishte formuar karakterin e tij sipas modelit të Akilit.
Jo vetëm në legjendë, por edhe realisht Aleksandri mbetet një nga udhëheqësit ushtarakë më të mëdhenj të historisë. Ai mposhti armikun më të vjetër të grekëve, Perandorinë Perse, dhe mbeti i pamundur në 10 vjet luftime, edhe pse ushtria e tij ishte gjithmonë më e vogël në numër se ajo e mbretit pers, Darit III. Strategjia e guximshme që vuri në jetë Aleksandri qëndronte në mbajtjen e ushtrisë me ushqimet që ajo mund të siguronte gjatë rrugës dhe jo duke u furnizuar nga prapavija; kjo i lejoi Aleksandrit të përparonte shumë shpejt. Mbreti i Madh i persëve nuk pati asnjëherë mundësi të mblidhte të gjitha forcat që dispononte dhe humbja e tij në betejën e Isysit i dha mundësi Aleksandrit të përfshinte edhe Persinë në perandorinë e vet.
Sipas persëve, Aleksandri është fajtor për djegien e Pallatit të Persepolit. Diodori i Sicilisë lë të kuptohet se ky veprim qe rezultati i një nate dehjeje dhe se nuk bëhej fjalë për një akt të paramenduar. Ndërsa Arrieni është i mendimit se djegia e Persepolit ishte një veprim i menduar mirë, si hakmarrje për shkatërrimin e Athinës nga persët në shekullin e 5-të.
Gjetjet arkeologjike tregojnë se djegia e Persepolit ishte një akt i paramenduar, sepse të gjitha sendet e lara në ar i patën hequr nga qyteti pak kohë përpara se ti vihej flaka qytetit. Shkatërrimi i këtij qyteti, që simbolizonte unitetin e mbretërisë perse, bënte pjesë në strategjinë e pushtimit të grekëve. Përsa kohë që qyteti ekzistoi, ai shërbeu si qendër ku mblidheshin kundërshtarë të regjimit të ri.
Aristoteli, mësuesi i shquar i Aleksandrit, i kishte mësuar atij se grekët qëndrojnë më lart se të gjithë popujt e tjerë, të cilët ai i quante barbarë. Ndërsa pushtuesi i ri kërkoi të impononte vizionin e tij të një bote të bashkuar. Në vend që ti trajtonte grekët si miq dhe jo-grekët si armiq, ai i zgjidhte njerëzit sipas meritës dhe kishte arritur deri aty sa të linte në postet e tyre edhe administratorë persë të Perandorisë Perse, tashmë të pushtuar prej tij. Mund të shtrohet pyetja nëse kjo politikë është një provë që tregon humanizmin dhe kulturën e Aleksandrit apo mungesën e interesit për administrimin praktik. Në fakt, maqedonasit nuk i vlerësonin përpjekjet për të krijuar një ushtri të përbërë nga batalione kozmopolite dhe, për më tepër, kur Aleksandri u përpoq ti detyronte ushtarët e tij të martoheshin me gra të vendeve të tjera, ai ndeshi në ngurrimin e tyre.
Vizioni kozmopolit i Aleksandrit dhe adoptimi prej tij i veshjeve dhe i zakoneve orientale bënë që disa grekë ta akuzonin se ai po çmendej dhe se e konsideronte veten perëndi. Mbretërit e hyjnizuar nuk ishin të rrallë në kulturat e tjera, por kjo ide ishte mjaft lënduese dhe tronditëse për grekët. Ndonëse ishte prijës, Aleksandri hidhej i pari në betejë, duke e vënë veten në rrezik shumë të madh, por asgjë nuk na lejon të dalin në përfundimin se ai ishte i çmendur. Aleksandri përpiqej të krijonte rreth personit të tij një legjendë. Ai kishte si model heronjtë e Homerit. Kur kërkoi të dënonte guvernatorin e Gazës, e tërhoqi atë pas karrocës së tij, siç kishte bërë Akili me Hektorin, pas fitores. Ndonjëherë i ndodhte të vepronte pa u menduar, nën pushtetin e pasionit. Në një çast zemërimi të shkaktuar nga pija, ai vrau mikun e tij Kleitos, por më vonë u pendua për këtë akt me po të njëjtin zemërim ndaj vetes.
Vdekja e parakohshme e Aleksandrit e bën të vështirë vlerësimin e rolit të tij si burrë shteti. Ai ishte ende duke zgjeruar perandorinë e tij, kur vdiq nga malarja. Asgjë nuk provon se ai kishte një plan të qartë për të qeverisur territoret e gjera që kishte pushtuar. Pas vdekjes së tij, perandoria u nda në tri provinca të mëdha, që administroheshin në mënyrë të veçantë. Kjo nuk do të thotë që ndikimi i Aleksandrit qe jetëshkurtër. Nga përzierja e kulturave greke dhe orientale lindi qytetërimi helenistik. Arkitektura u bë më e përpunuar dhe arti më humanist, duke paraqitur njerëz më pak të përkryer dhe duke shprehur shpesh dhimbjen. Në disa biblioteka, si, përshembull, në atë të Aleksandrisë, u mblodh dhe u klasifikua letërsia,që më vonë do të ndikonte te romakët.