Është udhëheqësja e padiskutueshme e zgjoit, Nëna e gjithë bletëve të kolonisë dhe motori (shpesh i palëvizshëm) i jetës në hoje.
Është personazhi kyç i shoqërisë më të përkryer të botës shtazore.
Është bleta mbretëreshë!
Gjithë jeta e saj përshkohet nga ndryshimi: qela e saj ka përmasat dhe formën e një gishtëze, një zgavër në krah të hojeve prej dylli që strehojnë larvat e bletëve e do të shërbejnë si qilari i mjaltit
Ndërsa hojëzat e punëtoreve janë gjashtëkëndore dhe të vendosura në të njëjtin plan, froni mbretëror i ngjan një fshikëze të zgjatur, sepse në të duhet të gjallojë një individ më i madh nga të tjerët.
Midis bletëve mjaltëse (Apis mellifera), mbretëresha – e vetmja femër pjellore e zgjoit – është 18-20 mm e gjatë, bletët punëtore 10-15mm, ndërsa brumbujt meshkuj, 15-17 mm.
Madhëria e saj, mbretëresha, rritet ca më tepër se të tjerat, sepse ushqehet me qumësht mbretëror, një sekrecion me përmbajtje të lartë proteinike, i prodhuar nga gjëndrat e punëtoreve të reja.
Veza e “parazgjedhur” e djepit mbretëror, ushqehet me qumësht mbretëror për 16 ditë rresht, ndërsa vezët e hojeve hekzagonale ushqehen vetëm tre ditë me qumësht mbretëror e mandej duhet ta sigurojnë vetë jetesën: me pjalm e nektar.
Në sajë të lëndëve ushqyese, qumështi mbretëror bën mrekulli: mbretëresha e rrit peshën trupore rreth 2000 herë krahasuar me larvën e saj.
Dhe thuaj po deshe se nuk ndikon ushqimi në gjatësinë e jetës! Mbretëresha e mirëushqyer jeton 3-4 vjet, ndërsa bletët punëtore na lënë shëndenë pas 45 ditëve pune sfilitëse.
Bleta është insekt që pëson metamorfozë: mbretëreshës i duhen 16 ditë për këtë, punëtoreve 21 ditë dhe meshkujve 24 ditë.
Gjatë dhjetë ditëve të para pas maturimit, mbretëresha çiftëzohet me një a më shumë meshkuj.
Prej çastit të çiftëzimit, detyra e vetme e mbretëreshës është të pjellë vezë në sasitë e nevojshme. Gjatë sezonit të “gjuetisë”, pra nga prilli në gusht, vdesin nga stërlodhja deri në 3 mijë punëtore në ditë. Mbretëresha i zëvendëson me brezni të reja, duke depozituar 1 500 – 3 000 vezë.
Kur mbretëresha e virgjër është gati për “dasmën”, ajo emeton një substancë joshëse nuhatëse për gjithë meshkujt e kolonive të afërta, në një hark prej një kilometri.
Në një fluturim të quajtur “dansi nusëror”, mbretëresha ngjitet në lartësinë 600-700 m për t’u fekonduar me mashkullin (meshkujt) më të zot, që ka mundur ta ndjekë deri në lartësi.
Gjatë një fluturimi të vetëm, mbretëresha mbledh në spermatekën e posaçme aq spermatozoidë sa i nevojiten për sezonet 5-mujore të tre viteve.
Fekondimi (pllenimi) ndodh në vijimësi, kur veza del nga ovidukti jashtë.
Nga vezët e pllenuara lindin bletët punëtore, nga të papllenuarat, meshkujt.
Meshkujt “aventurierë” e paguajnë shtrentë: ata që janë çiftëzuar me mbretëreshën, vdesin menjëherë. Po as të tjerët nuk kanë fat më të mirë.
Të paaftë për t’u vetëushqyer dhe pasi ka mbaruar çiftëzimi, punëtoret, nga vjeshta, i dëbojnë ata jashtë zgjoit, ku vdesin nga të ftohtët.
Gjatë dimrit, puna e vetme e bletëve punëtore është të kujdesen për mbretëreshën, prej pjellorisë së të cilës, varet vazhdimësia e jetës në zgjua.
Që mbretëresha të mbetet vitale, temperatura e mjedisit duhet të jetë të paktën 18 gradë C, kusht ky që sigurohet nga lëvizjet e trupit dhe flatrave të bletëve punëtore që i mblidhen mbretëreshës përreth.
Edhe mbretëreshat plaken. Kur kjo e jona nuk mundet t’i plotësojë kërkesat e rrepta të prodhimit të vezëve – zakonisht pas tre vitesh mbretërim -, ajo e dorëzon skeptrin: ose përmes zëvendësimit, ose përmes roitjes, pra arratisjes masive nga zgjoji.
Gjatë jetës aktive, disa substanca specifike, feromonet, i pengojnë bletët punëtore të ndërtojnë qela mbretërore, por kur ajo plaket dhe punëtoret shtohen shumë, feromonet nuk mjaftojnë tashmë. Nisin “ethet e luzmës”.
15 ditë pas depozitimit të vezës mbretërore, një grup besnik i mbretëreshës në shfronësim e sipër, do ta ndjekin atë jashtë zgjojit.
Ndërkohë, në shtëpinë e vjetër mbretëresha e re fillon vallëzimin nusëror. Historia përsëritet.
Mbretëresha e vjetër, pasi bijat e saj kanë gjetur një shtëpi të re, pasi në të po kurorëzohet mbretëresha e re dhe pasi ka siguruar vazhdimësinë e funksioneve jetësore, jeton edhe nja një vit, pas të cilit vdes.
Një mbretërim i lavdishëm, për ta pasur zili!
(Marrë nga postimi në profilin e tij në Facebook, Selim Kurti)