Zakonisht nga meshkujt dëgjojmë se femrat janë shumë dinake dhe për ta përforcuar këtë tezë të tyre ata marrin si shembull thënien e famshme “femra edhe dreqin në shishe e ka futur”.
Por, me këtë frazë femrat mburren, sepse mendojnë se kanë aftësi për ta bërë për vete çdo krijesë, qoftë kjo edhe me dinakëritë e tyre.
Disa adoleshente mendojnë se meshkujt janë shumë dinakë në dashuri, dhe këtë e lidhin me atë se meshkujt në takimin e parë më shumë flasin për të dashurat që kanë pasur sesa në atë se çka është ai, edhe pse në të shumtën e këtyre rasteve disa meshkuj as që kanë pasur femër, por mendojnë se duke gënjyer apo duke përdorur dinakëri e bëjnë për vete një femër.
Ndërkaq, meshkujt mendojnë se femrat janë shumë dinake dhe shpeshherë nuk e tregojnë të vërtetën dhe me anë të intrigave mundohen të bëjnë sa më shumë njerëz për vete. Mendimet e disa vajzave shkojnë edhe më larg, saqë disa prej tyre mendojnë se po të kishte mundësi një femër ta udhëhiqte shtetin, ai shtet do të ishte i qëndrueshëm, sepse gjithçka që do të ndodhte do ta merrte vesh populli, e assesi nuk do të vepronin si meshkujt, të cilët për ta mbrojtur karrigen e tyre nganjëherë me anë të dinakërisë së tyre ruajnë pushtetin, duke përdorur metoda të ndryshme.
Gresa Begu thotë se po ta kishte femra botën në duart e saj gjithçka do të ishte ndryshe.“Bota me femrën udhëheqëse do të ishte më ndryshe, më pak gënjeshtare, më pak tinëzare, e shumë pak dinake, sepse këto gjëra mund të arrihen vetëm atëherë kur femra të udhëheqë me meshkujt. Kryesisht dinakëritë e mashkullit vërehen te tradhtia, ku ai mundohet me çdo kusht dhe në mënyrë shumë dinake të tregojë se e do femrën që ka, dhe në asnjë mënyrë nuk e tradhton, ani pse ai mund të jetë parë nga dikush me ndonjë femër tjetër diku”, mendon ajo.
Kurse Lavdrim Januzi mendon se është shumë problem të shihet se cili është më dinak, femra apo mashkulli, sepse përfundimi është se të dy nganjëherë në situata të vështira janë dinakë për ta mbrojtur veten nga diçka e pakëndshme për ta.
“Mendoj se dinake janë të dy gjinitë, por nuk mund t’ju them se cila gjini është më dinake, sepse ka raste kur femra është shumë dinake, por ka edhe raste të tilla kur mashkulli është shumë dinak dhe vepron aty ku më së paku pritet”, mendon Lavdrimi. Sido që të jetë, dinakëria mashkull-femër do të vazhdojë edhe në të ardhmen, sepse vetë bota është krijuar e këtillë, ku ndonjëherë njeriu bën disa veprime vetëm e vetëm për ta mbrojtur veten.