Nga Albert Vataj
Sociologu polak Zygmunt Bauman sapo ka festuar 90-vjetorin dhe ka kryer dy fluturime nga shtëpia e tij në qytetin verior britanik Leeds për të marrë pjesë në një ngjarje në Burgos, në Spanjën Veriore. Ai e pranon që është i lodhur, ndërsa fillojmë intervistën, por sërish ia del t’i shprehë idetë e tij me qartësi dhe qetësi, duke marrë kohë për çdo përgjigje, sepse ai e urren të japë përgjigje të thjeshta për pyetje të ndërlikuara. Qysh kur ndërtoi teorinë e tij të modernitetit të lëngshëm (liquid) në fund të viteve ‘90 – e cila e përshkruan epokën tonë si epokë në të cilën “të gjitha marrëveshjet janë të përkohshme, fluturake, dhe të vlefshme deri në njoftimin e mëtejshëm” – ai është kthyer në figurë udhëheqëse në fushën e sociologjisë.
Ju e keni përshkruar pabarazinë si “metastazë”. Është e kërcënuar demokracia?
Ne mund të përshkruajmë atë që ndodh për momentin si krizë të demokracisë, rënia e besimit: Bindja që udhëheqësit tanë nuk janë thjesht të korruptuar, por të palogjikshëm. Veprimi kërkon pushtet, i aftë për të bërë gjëra, dhe ne kemi nevojë për politikë që ka aftësi për të vendosur se çfarë është e nevojshme të bëhet. Por kjo martesë mes pushtetit dhe politikës në duart e shtetit kombëtar ka marrë fund. Pushteti është globalizuar, kurse politika është po aq lokale sa më parë. Politikës i janë prerë duart. Njerëzit nuk besojnë më sistemin demokratik sepse ai nuk u mban premtimet. Për shembull, këtë e shikojmë me krizën e emigrantëve: Është një fenomen global, por ne ende veprojmë në mënyrë provinciale. Institucionet tona nuk janë projektuar për të trajtuar situata me varësi të shumëfishtë. Kriza e tanishme e demokracisë është krizë e institucioneve demokratike.
Në cilin drejtim anon lavjerrësi që ju përshkruani mes lirisë dhe sigurisë për momentin?
Këto janë dy vlera tmerrësisht të vështira për t’u pajtuar. Nëse doni më shumë siguri, duhet të hiqni dorë nga një masë e caktuar lirie; nëse doni më shumë liri, duhet të hiqni dorë nga siguria. Kjo dilemë do të vazhdojë përgjithmonë. Dyzet vjet më parë ne besonim se liria kishte triumfuar dhe ne filluam një orgji konsumi. Gjithçka dukej e mundshme duke huazuar para: Makina, shtëpi… dhe thjesht paguam për to më vonë. Thirrja paralajmëruese më 2008 ishte e hidhur, kur kreditë shteruan. Katastrofa, kolapsi shoqëror që pasoi, goditi rëndë veçanërisht klasën e mesme, e zvarriti atë drejt një situate të rrezikshme ku vazhdon të gjendet: Ata nuk e dinë nëse kompania e tyre do të bashkohet me një tjetër dhe ata do të pushohen nga puna, ata nuk e dinë nëse ajo që ata kanë sjellë u përkiste atyre… Konflikti nuk është më mes klasave, por mes çdo individi dhe shoqërisë. Nuk është vetëm mungesë sigurie, por dhe lirie.
Ju thoni që progresi është mit, sepse njerëzit nuk besojnë më që e ardhmja do të jetë më e mirë se e shkuara.
Ne jemi në periudhë kalimtare, mes një kohe kur kishim qartësi dhe një tjetre kur mënyrat e vjetra për të bërë gjërat nuk funksionojnë më. Nuk e dimë se çfarë do ta zëvendësojë këtë. Po eksperimentojmë me mënyra të reja për bërjen e gjërave. Spanja u përpoq ta vinte këtë në dyshim përmes lëvizjes 15 Maji (15 M), kur njerëzit zaptuan vendet publike, debatuan, u përpoqën të zëvendësonin procedurat parlamentare me një lloj demokracie të drejtpërdrejtë. Kjo nuk zgjati shumë. Politikat e shtrëngimit ekonomik do të vazhdojnë, askush nuk mund t’i ndalojë, por ato ende mund të jenë relativisht të efektshme në gjetjen e mënyrave të reja për bërjen e gjërave.
Ju keni mbrojtur idenë që lëvizje si 15 M dhe Occupy dinë “të pastrojnë rrugën, por jo si të krijojnë diçka solide.”
Njerëzit lënë mënjanë dallimet e tyre për një copë herë në sheshet publike për një qëllim të përbashkët. Nëse ai qëllim është negativ, të ngarkohesh me zemërim kundër dikujt, mundësitë e suksesit janë të mëdha. Në një farë mënyre do të kishte qenë një shpërthim solidariteti, por shpërthimet janë shumë të fuqishme dhe jetëshkurtra.
Ju mendoni se për shkak të natyrës së tyre, në koalicione të ylberta nuk ka vend për udhëheqje.
Pikërisht kështu është, sepse lëvizjeve të tilla u mungojnë udhëheqësit që mund të mbijetojnë, por edhe ngaqë u mungojnë liderë që mund të konvertojnë ndjenjën e tyre të qëllimit në veprim.
Në Spanjë, lëvizja 15 M ka ndihmuar në krijimin e forcave politike të reja.
Ndryshimi i një partie për një parti tjetër nuk do të zgjidhë problemin. Problemi nuk është se partitë e kanë gabim, por ato nuk kontrollojnë gjëra. Problemet e Spanjës janë pjesë e një problemi global. Është e gabuar të mendosh se mund të zgjidhni gjërat së brendshmi.
Ju jeni skeptik për mënyrën si njerëzit protestojnë përmes medieve sociale, për të ashtuquajturin “aktivizim kolltuku”, dhe thoni që interneti po na dembelos me argëtim çmimlirë. A do të thoshit që rrjetet sociale janë opiumi i ri për popullin?
Çështja e identitetit ka ndryshuar nga diçka me të cilën ju keni lindur në një detyrë: Ju duhet të krijoni komunitetin tuaj. Por komunitetet nuk krijohen, dhe ju ose keni një komunitet ose jo. Ajo që mund të krijojnë mediet sociale është zëvendësues. Dallimi mes një komuniteti dhe një rrjeti është se ju i përkisni një komuniteti, por një rrjet ju përket juve. Ju ndiheni në kontroll. Ju mund të shtoni miq nëse doni, ose mund t’i shuani nëse doni. Ju jeni në kontroll të njerëzve të rëndësishëm me të cilët lidheni. Si pasojë, njerëzit ndihen pak më mirë, sepse vetmia, braktisja, është frika e madhe e epokës sonë individualiste. Por është shumë e lehtë të shtosh ose të shuash miq në internet që njerëzit nuk ia dalin të përvetësojnë aftësitë reale sociale, të cilat iu duhen kur dilni në rrugë, kur shkoni në vendin e punës, kur gjeni shumicë njerëzish me të cilët keni nevojë të komunikoni me delikatesë. Papa Frençesku, që është një njeri i madh, ia dha intervistën e tij të parë pasi u zgjodh Eugenio Scalfarit, një gazetari italian, i cili është ateist i vetëshpallur. Kjo ishte një shenjë: Dialogu i vërtetë nuk është të bisedosh me njerëz që besojnë të njëjtat gjëra si ju. Media sociale nuk na mëson të dialogojmë, sepse është shumë e lehtë të shmangësh kundërshtimin… Por shumë njerëz i përdorin mediet sociale jo të bashkohen, jo të zgjerojnë horizontin, përkundrazi, t’i gjejnë vetes një zonë rehatie ku të vetmet tinguj që ata dëgjojnë janë jehonat e zërit të tyre, ku të vetmet sende që shikojnë janë pasqyrime të fytyrës së tyre. Mediet sociale janë të dobishme, ato ofrojnë kënaqësi, por janë një kurth.
Nga Ricardo de Querol
El Pais