Nga Albert Vataj
Dita jonë nis gjithher ashtu turraz për me kap fillin e gjanave t’shkituna prej zotnimit, e gjither frymëmarrja asht ma e ndërkryeme se sa paqtia, me t’cillën ti don me fillue ditën. Ndalo te dritarja, kah dielli dhe drita pahen me ty dhe tue mbyll syt mbushu me ajrin agut, dhe lëshoje frymën si tue dasht me nxjerr jasht natën, me dëbu nga brenda teje; çka t’pengon me vazhdu, t’ndalon me u shkëput shpërgejsh e mëdyshjes. Merreni natën e flakeni në çoshin e gjanave të përdoruna, anipse ka lan tek ju gjurmë pasionesh dhe përjetësie, ngulme dhe shkulme yshtjesh e pamundësish. Ditës diellplotë ndërkallju ndër andje, si fryma në trajtat e shumimit, e lejo tejpërtej t’përshkojë drita dhe dëshirimi. Ndije freskinë e fillimit n’prekjet e vesës e n’taftin e tokës, që shkulmon ku plori ka lërue plisin, e fara asht strukun n’prehnin e dheut, n’pritje t’mrekullis s’krijimit që pikon nga qielli e gufon prej toket.
Ke kand me përbashku mesvedi hovet dhe kthjelltësinë që prejsnalti të përgjon. Angështinë që kujtimet t’i kthen në dhimbje prore, i struk në boshin e hijes që të vjen përmas. Sot, e djeshmja ka lan përreth teje lëvozhgat dhe pamundësitë, e veten tande që fugon me turravrap me kap fillin e kohës. Mëdyshje nuk ka vend në fillesat vullnetmira, në prehnin e të cilit ti përkund kumtin e qëllimeve që presin të marrin emrin tënd. Lutu që era të fryjë mbi velat e anijes tënde dhe brigjet të presin me tumirë. Beso se me ty asht një Zot që ngulmon, përpiqet dhe bashkazi kaploni kreun. Kurrgja nuk asht e pamundun në vullnesën e së mirës, gjithçka i bahet energji asaj ndjesie që vepron brenda nesh si një shkulm llave, në tentativë për të shpërthyer.
Nisu me energjitë që ke në rrugën e mbetur në mes dhe do të shohësh se ajo e merr qëllimin tënd përpara si një turitje dhe i bashkon skajet e së mundshmes. Atje është gjithnjë një trofe që ti meriton, një flamur pret që ti ta valvisësh, një ëndërr sheh përtej vegimit. Dhe… kur trupi yt i drobitur nga lufta, plagët dhe përpjekja, të sos si një grumbull sendesh që stuhia ka mbledhur në majë, zeniti do të pikojë mbi ty diellin e triumfit dhe nga hiri do të dalësh si një sfinks.
Pas nuk ka mbetur asgjë. E shkuara është një jehonë që e përpin harrimi. Ti je aty flakërues, gati për fluturimin mitik, dhe qiejt frymëmarrin në krahët e shtrirë të horizontit. Nisesh rishtaz kah tjetër cak kërkon të shënjojë kufirin e ri të së mundshmes së vullnetit të mirë.