Nga Albert Vataj
E trishtë është zemra e një poeti, e atij vullneti të lartësuar në krijim, që druhet të ngjyejë penën dhe të gufojë zjarmet e kraharorit, në përroin vërshues të epshit dashurore, e së andejmi të na sjellë atë përmbytje ngulmesh të ethshme pasioni.
Të na shpërfaq atë kurajë miklimesh delikate që zvarget përmes hukamash e buzësh që djegin, përpëliten përgjatë një kurmi që gufon prej poreve një aromë, një aromë që do të dehte çdo tërbim e do të yshtte çdo engjëll në gostinë e zjarrit.
Ndoshta diku thellë teje, në mes territ që dridhet prej hutimit e ngurimit, një shkëndi ka mundur të bulojë sythin e një ofshame, e vetëm një zemërgur nuk do ta nxirrte faqe drite këtë vullnesë mugëtimi pranvere, e të sodiste me ëndjen teksa ajo bukuri do të shumohej në çdo petale luleje, do të lodronte me çdo farfuri fluturash, në çdo buzë do të ndez një puthje, e në çdo prekje do të çel një epsh.
Një penë që është ngjyer gjithnjë në gjak, do të cytej të lëshonte vërshimin e vet në andjen për me dëshmu kufijtë. A ndoshta një fluturim për të kthjelluar prej mërryljes së dyshimit e territ çdo hov që turret zjarmues në kopulimin e gjithë ngjyrave që jetësojnë më të dëshirueshmet përfytyrime.
Penë e poeti thuaje se ngulmet e mendjes dhe harlisjes shkallmojnë çdo rrekje për ta mbajtur këtë vërshim të kyçur brenda gardheve të perceptueshmes. Pa droje dëshmo, më më të bukurat fjalë se epshet e zgjerojnë përherë e më shumë pafundësinë, universin të cilit i përket, si shpërthimet galaktike, duke e mbajtur gjithnjë të mbushur me shkreptima yjesh qiellin ku kullotim sytë, sytë e ujitur prej lotëve të zjarmimit, çasteve të flatrimit në eter të shpirtrave. Qëndise me fjalë të ngjyera në epshin e dashurisë, poet, rrugën nga gishtat e ngërthyer, pulitja e buzëve në puthje, deri te përplasja e trupave, e do të shohësh se si gjaku s’do të të mjaftojë të shkruar himnin e këtij shugurimi shpirtrash. Ngjitu në krahët e këtij flatrimi, lart, shumë lart, ku kurrë më parë s’ke qenë. Me një Eol do të kuvendosh për erërat që lodrojnë nëpër flokët e shpupurishur, me një Afërditë do të shihesh si me të hyjshmen ëndërr që ta qëndisi dalldinë me më të hirshmet pekule, në prehrin e Helenës së Trojës tragjike do të dëgjosh ninullën e pafajësisë që paqton çdo trazim që ndërzen bukuria. Një Odise do të gjesh në çdo Itakë të harbimit të mishit dhe një Penelopë do njohësh, një Penelop që end e ç’end pëlhurën ky pena jote… ditirambe do të qëndis… dhe elegji.