Nga Albert Vataj
“Nëna dhe vajza” është një tablo shumë e njohur e piktorit italo-amerikan, Giuseppe Dangelico, i mbiquajtur Pino Daeni. Ky realizim është korrekt në aspektin e tematikës dhe trajtesës, ku spikatin ngjyrat dhe drita, karakteristike të pothuajse të gjithë punëve të Pino-s. Tabloja, vaj-kanavacë përcjell një moment shumë ngacmues dhe të tendosur emocional. Një nënë që mban në krah vajzën e saj, teksa atë e ka kllapitur një gjumë i ëmbël, një prehje dehëse që mund të jetë nga më magjepsëset e gjithë asaj epje ëmbëlake dashurie, përkujdesi dhe sakrifice që nëna blaton. Vështrimi i nënës është një ngulmim që të përpin, duke të kredhur në atë dehje dashurie që ajo ka ardhur të mëkojë si një mision adhurimi. Pino shquhet për një shpirt të pasur dhe ekuilibër të admirueshëm emocional, shprehës, të cilët bënë që tablotë e tij, pothuajse të gjitha të jenë kaq idilike si piktura. “Nëna dhe vajza”. Ai në këtë punë pasuron jo vetem tablonë me ngjyra dhe momentin e tillë të andshëm, por edhe artdashësit i përçon energji pozitive. Gratë dehen prej këtij momenti që u kujton fëmijërinë dhe lartëson në shenjtëri nënën. Ata shohin përmes syve të kësaj nëne horizontin e ëndërrt që vajza mbrun në ëndrrën e saj magjepsëse që jetëson në qielloren e gjoksit të nënës.
Pino u lind në Bari më 8 nëntor 1939 dhe vdiq më 25 maj 2010. Talenti i tij është pikasur nga mësuesi i klasës së parë, mësues i cili ka kontaktuar dhe ka këshilluar babanë Pino-s, Tommaso D’Angelico, për të inkurajuar prirjen e hershme artistike të djalit të tij. Megjithëse, Tommaso ishte skeptik për të ardhmen e djalit të tij si artist, ai nuk e frenoi që i biri të ndiqte ëndrrën, një ëndërr që do ta përjetësonte. Përfundimisht, Pino u regjistrua në Institutin e Artit të Barit, pastaj vazhdoi në Akademinë e Milanos të Breras në vitin 1960. Nga 1960 deri më 1979, veprimtaria e tij krijuese thithi shumë interesim dhe u vlerësua me disa çmime. Gjatë kësaj periudhe, ai u kontaktua nga dy prej botuesve më të mëdhenj të Italisë, Mondadori dhe Rizzoli, me të cilët ai pati një kontratë të suksesshme për ilustrimin e shumta librave. Pas një vizite në Manhattan në vitin 1971, përvojat e Pino-s në skenën e artit në atë periudhë, e detyruan atë të ndihej i kufizuar në Milano dhe në vitin 1978 u zhvendos në Nju Jork, ku besonte se liria artistike do t’i lejonte mundësi më të mëdha.
Pino Daeni ishte i njohur për stilin e tij të ngrohtë dhe ngjyrat e hareshme, për tematikat e gëzueshme dhe momentet vetëtitëse të dominuar nga fryma romantike, me të cilën ai jetësoi në art, gra dhe burra të hijshëm, momente idilike që përvijojnë gjithashtu nga ngjyra dhe drita që të mbushin. Ajo që duhet cituar është fakti se Pino konsiderohet si një prej ilustruesve më të paguar të librit, të kohës së tij, ai krijoi mbi 3.000 ilustrime librash, postera filmash dhe ilustrime revistash.
Piktura e tij u ndikua thellësisht veprat e artistëve të tillë si Sargent, Sorolla dhe Boldini.
Në pikturat e tij gratë janë shumë të bukura, gjithashtu edhe sfondi, është i përzgjedhur dhe i mëtuar artistikisht me tone romantike. Nënat në tablotë e Pino-s janë nëna të tilla të bukura, të përkushtuara dhe dashuridhënëse, sa vetëm idealja dhe peneli i tij mund t’i jetësojnë. Ai i mbush me dritë e me ngjyrë, si me dashuri dhe adhurim. Femrat vijnë përmes penelit të Pino Daeni, sa sensuale aq dhe elegante, sa të hirshme aq dhe joshëse. Ai i ka jetësuar ata përmes një bukurie ngasëse, duke vjedhur prej tyre çaste shumë intime dhe prehje të andshme, si për penelin ashtu edhe për syrin.
Sot ai është një nga piktorët më të imituar. Subjektet dhe tematikat e tij kanë gjetur treg të bollshëm për mjeshtrat imitatorë.