Nga Peter G. Prontzos
Plaga sociale e racizmit, është zmadhuar shumë vitet e fundit. Në vende si Hungaria, Gjermania, Mianmari, India apo Brazili, racistët po bëhen më të zëshëm, dhe po zgjidhen edhe në poste publike. Pastaj kemi masakrat e ndodhura në Zelandën e Re dhe Sri Lanka.
Në Shtetet e Bashkuara, presidenti Trump i ka denoncuar meksikanët si trafikantë droge dhe përdhunues, ndërsa ka përshkruar disa vende të varfra si “shtete të qelbura”, teksa nuk arriti të refuzojë një kompliment nga një ish-udhëheqës i Ku Klux Klanit.
Ai madje shkoi aq larg, sa të etiketonte disa neonazistë si “njerëz shumë të mirë”. Duke parë këto, dikush mund të mendojë se slogani i tij në fushatë, ishte në fakt “Ta bëjmë Amerikën sërish të bardhë”. Krimet e urrejtjes në SHBA, u rritën në vitin 2017 për të tretin vit radhazi, dhe ato po rriten edhe në Kanada – deri në 47 përqind në vitin 2017, duke shënjestruar kryesisht myslimanët, por edhe hebrenjtë dhe njerëzit me ngjyrë.
Në luftën kundër kësaj rritjeje të racizmit, duhet të merren parasysh dy aspekte kryesore.
E para është që vetë ideja e “racës”, është një gënjeshtër. Sikurse e shpjegon në një artikull Shoqata Amerikane e Gjenetikës Humane, organizata më e madhe profesionale e shkencëtarëve në këtë fushë:”Shkenca e gjenetikës, tregon se njerëzit nuk mund të ndahen në nënkategori biologjikisht të dallueshme; dhe ajo sfidon konceptin tradicional të racave të ndryshme, të njerëzve si biologjikisht të ndarë dhe të dallueshëm. Kjo është vërtetuar nga shumë dekada kërkimi”.
Me fjalë të tjera, “raca është një konstrukt social, pa asnjë bazë biologjike. Në vitin 2014, më shumë se 130 gjenetistë kryesorë të popullsisë, hodhën poshtë idenë se dallimet gjenetike diktojnë diversitetin ekonomik, politik, social dhe sjelljen në mbarë botën.
Në fakt, një artikull i vitit 2018 në “Scientific American”, theksonte se ekziston një “konsensus i gjerë shkencor, se kur është fjala për gjenet, ka po aq diversitet brenda grupeve racore dhe etnike, sa ka tek të gjithë të tjerët”. Dhe Projekti i Gjenomit Njerëzor, ka konfirmuar se gjenet e gjetura anembanë globit, janë 99.9 përqind identikë tek çdo person. Prandaj, vetë ideja e “racave” të ndryshme është e pakuptimtë.
Një problem i dytë, siç e ka treguar edhe shkencëtari konjitiv Xhorxh Lakof, është se përdorimi i fjalës “racë”, madje edhe kur kritikon racizmin, forcon në fakt besimin e rremë se qeniet njerëzore, i përkasin grupeve krejtësisht të ndryshme.
Kjo për shkak se sa më shumë përdoret një fjalë, aq më shumë aktivizohen qarqet e caktuara të trurit, dhe aq më e fortë bëhet metafora. Edhe përdorimi i ngjyrave për të përshkruar grupet etnike, mbështet gjithashtu racizmin. Kjo është arsyeja pse nuk është më e pranueshme t’u referohemi aziatikëve si “të verdhë”, latino-amerikanëve si “bojëkafe” ose amerikanëve vendas si “të kuq”.
Megjithatë, shumë njerëz, përfshirë akademikët dhe gazetarët, përdorin ende termin “zezakë” për njerëzi me origjinë afrikane. Natyrisht, ekzistojnë dallime të vogla midis grupeve të ndryshme etnike:në sjellje, pamje fizike, gjuhë dhe kështu me radhë, dhe shumica e këtyre dallimeve vijnë për shkak të kulturës dhe përvojave të dikujt.
Ashtu siç vërejti Albert Ajnshtajni, “personaliteti formohet kryesisht nga mjedisi” ku jetojnë njerëzit gjatë zhvillimit, nga struktura e shoqërisë në të cilën rriten, “sipas traditës së asaj shoqërie, si dhe nga vlerësimi i saj mbi lloje të veçanta të sjelljeve”.
Në fakt, ideja se i gjithë njerëzimi mund të ndahet në katër ose pesë grupime racore, është relativisht e re. Për shembull grekët e lashtë, nuk e cilësonin kurrë veten e tyre si “të bardhë”. Siç vërente Tim Uajtmarsh në vitin 2018, “grekët thjesht nuk e mendonin botën si të ndarë në linja racore, në të bardhë dhe të zinj. “Kjo është një shmangie e çuditshme botën moderne perëndimore, produkt i shumë forcave të ndryshme historike, por në veçanti i tregtisë transatlantike të skllevërve, dhe aspekteve më të ashpra të teorisë racore të shekullit XIX-të”- thekson ai.
E vërteta është se legjendat greke, e portretizojnë veten dhe heronjtë e tyre si shumë-etnikë në origjinë. Danau egjiptian, u bë mbret i Argosit dhe vajza e tij Hipermestra, ishte paraardhëse e heroit më të madh të grekërve, Herkulit. Perseu, që vrau Meduzën, u martua me një grua etiopiane, Andromedën, dhe fëmijët e tyre ndërtuan mbretërinë më të fuqishme të të gjitha mbretërive greke të Epokës së Bronzit, atë Mikenase.
Një shembull tjetër i kësaj perspektive jo-raciale, gjendet në “Historitë” e Herodotit, që në shekullin V Para Krishtit, shkroi se qëllimi i librit të tij ishte “të ruante famën e arritjeve të rëndësishme e të shquara, të grekëve dhe jo-grekëve”.
I ashtuquajturi “Babai i Historisë”, theksonte gjithashtu tha se etiopianët “kishin reputacionin e njërëzve më shtatlartë të lartë dhe më të bukur, të të gjithë popujve”. Por ky portret i afrikanëve nuk është unik. Historiani Peter Farb vë në dukje në librin e tij “Qënia njerëzore” në vitin 1978 se “arti, letërsia dhe mitologjia greke, portretizojnë shpesh njerëzit me ngjyrë të errët”.
Dhe pastaj ekzistojnë mbetjet e gjetura në një shpellë në Grykën e Çedarit në jugperëndim të anglisë, të njohur si “Njeriu i Çedarit”. ADN-ja nga skeleti i tij, që daatojnë rreth vitit 7.100 Para Krishtit, sugjeron se kishte sy blu, flokë kaçurrela të errët, dhe një lëkurë të errët deri në të zezë. Njeriu i Çedarit, ndan të njëjtin profil gjenetik me disa individë të tjerë që gjenden në Spanjë, Hungari dhe Luksemburg.
Etërit e tij, kanë gjasa të kenë lindur në Lindjen e Mesme. Më vonë, paraardhësit që ndërtuan Stonehenge udhëtuan në Perëndim përgjatë gjithë Mesdheut nga Azia e Vogël, duke marrë me vete traditën e bujqësisë, dhe duke mbërritur në Britani rreth vitit 4000 Para Krishtit. E vërteta është se ne jemi të gjithë një familje njerëzore, që e ka origjinën e saj në Afrikë.
Çuditërisht, hulumtimet nga statisticieni Xhozef Çang nga Universiteti i Jeilit, zbuloi se paraardhësi më i fundit i përbashkët i të gjithëve njerëzve që jetojnë sot, ka jetuar vetëm 3.600 vjet më parë. Me fjalë të tjera, nëse ju mund të gjurmoni prejardhjen tuaj më pak se 150 breza, do të gjeni të paktën një person që është babai ose nëna e të gjithëve.
Çang thekson:”Gjetjet tona, sugjerojnë se pavarësisht gjuhës që flasim ose ngjyrës së lëkurës, ne kemi të njëjtët paraardhësit që mbollën orizin në brigjet e lumit Jance, që zbutën kuajt në stepat e Ukrainës, që gjuanin kafshë në pyjet e Amerikës Veriore dhe Jugore, dhe që ndërtuan Piramidën e Madhe Kufu në Egjipt”.
Scientific American – Bota.al