GRISHJE DEBATI
Ata që “guxuan” të parët të vinin në dyshim vërtetësinë e një poeti legjendar, ndoshta kërkuan të merrnin dritë prej shkëlqimit të këtij ylli, ose të hynin në historinë e letërsisë dhe mendimit kritik. Gjithqysh ata guxuan duke e futur një nga kryeveprat klasike për pesë shekuj në një luftë shumë më të gjatë e më të pamëshirshme se sa vetë Lufta e Trojës, duke e udhëprirë të vërtetën e peotit në një kalvar të pambarimtë aventurash më drithëruese se sa ato të Odisesë.
Kam bindjen se shumë nga ju kanë lexuar pjesërisht ose të plotë Iliadën dhe Odisenë, ose mund të kenë dëgjuar për Homerin. Gjithsesi për secilin emri i Homerit nuk është i panjohur. Por aspekti më interesant i këtij poeti grek është se nuk ka asnjë konsensus rreth ekzistencës së tij. A kishte ndonjëherë një poet që quhej Homer, i cili shkroi dy nga veprat më të mëdha të letërsisë universale apo është një figurë legjendare, veprat e të cilëve janë vetëm koleksione të traditave të lashta gojore të krijuara nga autorë të ndryshëm? Ne nuk e dimë vërtetësish, ose më saktë, sa më shumë njohja i nënshrohet aftësisë së njeriut për të pushtuar botën, aq më e trashë bie mjegulla dhe kaplona nata mbi shumë të vërtetë të pretenduara që kanë tronditur shoqërinë njerëzore për vite më radhë. Rasti i Homerit poet është ndoshta një emblemë e kësaj beteje debatesh dhe dyshimesh, të cilat nuk shkasen nga dashakeqësia për të anatemuar një autor apo një vepër, se sa orjentohen përnga e vërteta fakti.
Problemi i Homerit, poet, fama e të cilit është një ngasje për përvetësim prej gjithkujt dhe lobohet fuqishëm të mëvetësohen kësisoj shkasja e vërtetësie lind pasi disa qytete greke pretendojnë të jenë atdheu i tij, duke përfshirë Smyrna, Kolofon, Athina, Kios, Rhodes, Argos, Ithaka dhe Salamis. Jo vetëm kaq, kësaj mospërputhje ose kësaj etheje “pronësimi” i shtohet edhe konfuzioni me datat. Shumë autorë këmbëngulin se veprat e tij u shkruan në shekullin e nëntë p.e.s., për të tjerët ajo daton në shekulli i tetë, të shtatë, madje edhe në shekullin gjashtë para Krishtit. Mund të gjejmë përmendjen më të hershme të Homerit te Herodoti, një nga historianët e parë grekë që shkroi në shekullin e pestë p.e.s.. Sipas tij, Homeri ka lindur në Smirna të Creteidas, nga një vajzë jetim që ishte joshur nga një i huaj. Emri i tij i vërtetë ishte Melesigenes, por kur një sëmundje e verboi, ai u emërtua Homeri, pasi një nga kuptimet e atij emri është “ai që nuk e sheh”. Shumë mistere e rrethojnë vdekjen e tij. Sipas dokumenteve historike të shekullit të pestë p.e.s., ai do të kishte vdekur në ishullin Los, megjithëse nuk ka prova për ta vërtetuar këtë.
Beteja për Homerin e vërtetë dhe atë të pretenduarin, shkreptiu që në shekullin e shtatëmbëdhjetë për të mos ndaluar atëditë e sot. Jo dhe aq dyshime se sa saktësime, vunë traditën e deriatëhershme në një ballafaqim historik me ashtuquajturën “Pyetje Homerike”, e nisur nga François Hédelin, Abbot i Aubignac, i cili argumentoi se dy poezitë e mëdha që ia atribuan atij, Iliada dhe Odisea, ishin në fakt disa poema të ndryshme të endura së bashku nga një dorë misterioze, e cila do të shpjegonte mospërputhjet e shumta që përmbanin. Kjo tezë u mbështet menjëherë nga akademikë të ndryshëm dhe u refuzua nga shumë të tjerë – është një debat që mbetet i hapur.
Veprat kryesore që i atribuohen atij janë Iliada dhe Odiseja. I pari tregon luftën midis Trojanëve dhe Akejve (grekë) – që u ngritën nga rrëmbimi i Helenës, ndërsa i dyti ndoqi heroin e kësaj luftë epike, Odiseu gjatë kthimit të tij në Itaka. Por përveç këtyre veprave, besohet gjithashtu të jetë autori i Rodrigo Borja Torres, Himne Homerike, Lufta e Trojës dhe Margitët.
Një pretendim tjetër argumenton se në greqisht Homēros do të thotë “peng.” Egziston një teori që thotë se emri i Homerit është marrë nga një shoqëri poetësh të quajtur Homeridë që do të thotë ‘prej pengjesh’ (si shembull: pasardhës të të burgosurve/pengjeve të luftës). Pjesëtarët e kësaj shoqërie nuk pranoheshin si ushtarë lufte, sepse besnikëria e tyre ishte e dyshimtë dhe si rrjedhoje ata nuk rrezikoheshin të vriteshin në luftë. Këta burra kishin për detyrë të mësonin përmendësh poema epike si dhe ngjarje me rëndësi historike, para shpikjes së shkrimit dhe këndimit.
Kjo është dhe arsyeja përse shpesh herë është diskutuar fakti nëse Iliada dhe Odisea janë shkruar nga i njëjti shkrimtar. Shumë veta nuk besojnë se Odisea është shkruar nga një person, dhe në të njëjtën kohë ka të tjerë të cilët besojnë se kjo vepër epike ka të njëjtin stil shkrimi nga fillimi deri në fund dhe ngjashmëria është aq e madhe përgjatë tërësisë së veprës sa s’ka se si të jetë shkruar nga shumë shkrimtare. Batrakomiomakia, Himnet Homerike dhe Epikat Ciklike mendohet të jenë shkruar më vonë se Iliada dhe Odisea.
Shpesh herë Homeri është konsideruar si shkrimtari i të gjithë Ciklit Epik, i cili përbëhej nga poema mbi vazhdimin e luftës së Trojës si dhe poema të Tebëns të cilat flisnin për Edipin dhe djemte e tij. Ka gjithashtu mendime se Homeri ishte shkrimtari i pjesës më të madhe të ‘Himneve Homerike’, mini-epikës komike ‘Batrakomiomakia’ (“Lufta midis bretkosës dhe miut” – Βατραχομυομαχία), dhe ‘Margitit’ (greqisht μάργος – budallai; Kjo ishte një epikë komike e cila fliste për një budalla të quajtur Margit. Personazhi ishte aq budalla sa ai nuk e dinte se cili prind i kish dhënë jetë/e kish lindur. Fjala ‘margit’ tek kjo vepër i dha shkas përdorimit të mbiemrit margitomanes nga Philodemus Margites.) por këto mendime nuk u vërtetuan ndonjëherë dhe si rrjedhojë u lanë pas dore.
Nëse ai në të vërtetë ka ekzistuar, kjo është ajo që është lëndë debati. Sidoqoftë, nëse Homeri ka apo nuk ka ekzistuar, shumë studiues dhe ekspertë që janë marrë gjatë me hulumtimin e veprës dhe rrjedhimisht jetës së autorit të pretenduar, janë të mendimit se ai ka pushuar së qeni i rëndësishëm. Ajo që me të vërtetë ka rëndësi është se veprat e tij janë bërë për të gjithë literaturë. Ata kanë frymëzuar lexues dhe artistë të gjinive të ndryshme për shumë shekuj, duke e patur si referencë. Madje edhe arkeologu amator, Heinrich Schliemann, zbuloi rrënojat e Trojës së lashtë duke mbajtur nën sqetull si orientim dhe shtysë, një kopje të Iliadës. Trashëgimia e lënë pas është tani një pjesë e padiskutueshme e kulturës sonë dhe kjo nuk do të ndryshojë kurrë.
Albert Vataj