Kryengritja hungareze e 23 Tetorit të vitit 1956 ishte frymëzim për të gjithë botën, në një kohë që e ashtuquajtura Luftë e Ftohtë e kërcënonte njerëzimin me një kasaphanë të re. A ka rrezik që kjo ngjarje e madhe të harrohet apo të mos kuptohet si duhet?
Nëqoftëse populli hungarez beson në mrekullitë, Revolucioni heroik i vitit 1956 kundër klikës staliniste në pushtet dhe trupave pushtuese sovjetike, ishte një dëshmi e tyre për kombin hungarez. Rrallë, ndoshta një herë në njëqind vjet, një populli i jepet rasti t’i japë fund mashtrimit që i është imponuar nga jashtë dhe përkrahur nga brenda.
Hungarezet përqafuan shansin e ofruar nga historia dhe u ndeshën me diktaturën më të egër dhe të stërmadhe të botës. Kështu në Tetorin e 57 viteve më parë u provua se ekzistojnë “mrekullitë”.
Pas Luftës së Dytë Botërore, ashtu si pothuaj në të gjitha vendet e Europës Qendrore e Lindore, stalinizmi u imponua në Hungari me forcën e armëve dhe kurrë nuk pati bazë të qëndrueshme në vend.
Komunizmi ishte ideja udhëheqëse për botën e re që propagandohej, por shumë shpejt u pa qartë se ai ishte vetëm një mashtrim, i cili vetëm ndihmoi në maskimin e politikës agresive dhe diktatoriale të Perandorie Ruse.
Matias Rakoshi, udhëheqësi i Hungarisë në vitet 1948-1956, përdori të gjitha pasuritë e vendit për t’u përgatitur për atë që Stalini e quante “lufta e tretë e pashmangshme botërore”. Për shembull në vitin 1952, niveli i jetesës në vend ishte shumë më poshtë se mesatarja e vitit 1939, viti i fundit i Hungarisë në paqe.
Terrorizmi shtetëror e ndalonte popullin të shprehte pakënaqësinë hapur dhe i mbante ata në një tension konstant me përgatitjet për një luftë të tretë botërore. Pra ky sistem terrori i diktaturave staliniste të Europës u shemb me 23 Tetor 1956 në Hungari.
Diktatura e Rakoshit, e mbajtur në këmbë nga policia, ushtria dhe i frikshmi Sigurimi i Shtetit (AHV) – u shkatërruan brenda një nate, duke ia lënë vendin anarkisë revolucionare.
Shkaku kryesor i shembjes duhet të kërkohet në çoroditjen e ekipit sundues të Rakoshit. Ata nuk ishin të përgatitur për një revolucion, që e pati origjinën në shtypjen e përpjekjeve reformiste të periudhës 1953 – 1956, menjëherë pas vdekjes së Stalinit.
Betejat luftarake të egra që zgjatën disa ditë, përfundimisht u mbyllën me tërheqjen e trupave sovjetike nga Budapesti. Komitetet revolucionare dhe këshillat e punëtorëve të krijuara spontanisht morën nën kontroll qytetet, qendrat e banuara dhe fshatrat e Hungarisë.
U formua një qeveri koalicioni me mbështetjen e shumicës së forcave te ndryshme politike. Qeveria shpalli neutralitetin e Hungarisë dhe doli nga Traktati i Varshavës.
Prapa negociatave për tërheqjen e trupave sovjetike, jeta filloi t’i kthehej normalitetit.
Megjithatë, udhëheqja sovjetike nën presionin e kinezëve dhe gjermanolindorëve (siç mburret dishepulli i Stalinit diktatori shqiptar Hoxha, në librin e tij “Hrushovianët” edhe të P.P.SHsë, ai bile shkon më tej duke u shprehur se e kishte paralajmëruar udhëheqjen hungareze gjatë ndalesave në Budapest, në udhëtimet zyrtare për në Moskë, për veprimtarinë kundërrevolucionare të Klubit ‘Petef’) frikësohej nga “efekti domino”, kështu që përfundimisht vendosi ta shtypë me gjak dhe me hekur këtë revolucion popullor për të mos e lejuar Hungarinë të shkëputej nga Perandoria Ruse.
Kështu me 4 Nëntor 1956 u bë ndërhyrja e dytë sovjetike me një numër të madh trupash, të cilët shtypën këtë kryengritje heroike dhe mbytën revoltën në gjak.
Pas kësaj ngjarje të paprecedent dhe të egër, baza legjitime e regjimit të ri të Janosh Kadarit ishte një mashtrim i turpshëm. Regjimi i shpalli ngjarjet e 1956 si një “kundër-revolucion” i organizuar nga jashtë që kishte për qëllim të kthente në pushtet Miklosh Hortin (Diktatori që sundoi Hungarinë në periudhën para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, aleat me nazistët).
Aq më shumë se duke përdorur termin “kundër-revolucion”, puçi komunist i vitit 1948 që solli në pushtet regjimin kukull komunist, përkufizohej si revolucion.
Nga mesi i viteve ‘60 dukej se gradualisht po arrihej një kompromis midis shoqërisë dhe pushtetit. Pika kryesore e këtij kompromisi ishte se për dhënien e një hapësire më të gjerë në jetën private, autoritetet kërkonin si shpërblim mohimin ose heshtjen rreth revolucionit. “Baraka e lumtur” (një epitet sarkastik që përdorej për Hungarinë) që u ndërtua mbi këtë kontradiktë u shemb përfundimisht me 1989.
Duke filluar nga viti 1989 shtresa të ndryshme të shoqërisë filluan të diskutojnë mbi rolin e popullit dhe motivet e grupeve të ndryshme politike në revolucionin e vitit 1956.
Ne fund të Tetorit 1956 shembulli hungarez ishte një provë e qartë e dilemës bashkëkohore ne planin ndërkombëtar. Populli hungarez doli hapur në anën e demokracisë së vërtetë shoqërore vlerat e së cilës bartte SHBA. dhe Europa Perëndimore. Fatkeqësisht, lëvizja demokratike shoqërore nuk gjeti një lider që ta ngrinte kauzën në një nivel më të lartë.
Gjatë Revolucionit të vitit 1956 nuk pati një udhëheqës te shquar, siç ishte Lajosh Kosut në revolucionin e vitin 1848 në Hungari. Fitorja e revolucionit u arrit nga heronj anonimë dhe vala e tij formoi udhëheqësit, duke nxjerrë Imre Nagin si Kryeministër.
Ai nuk mundi të diktonte ngjarjet dhe ishte gjithnjë në pozicionin e lojës në pritje. Roli i tij u bë sinjifikativ kur mori përsipër përgjegjësinë për të formuar qeverinë e koalicionit, e cila deklaroi pavarësinë e Hungarisë nga Perandoria brutale Sovjetike.
Çfarëdo mangësish që mund të kishte Nagi si udhëheqës, më tepër se sa nga fakti që përmbajti revolucionin, ai respektohet si një njeri që e futi veten në një pozicion të pashmangshëm lideri, gjë të cilën e pagoi me jetën e tij.
Kjo është arsyeja që figura e tij është e lidhur fort me luftëtaret anonimë të popullit, të cilët arritën të sigurojnë fitoren e revolucionit të fundit të tipit klasik, ne Europën e shekullit të XX-të.
Ajo që është më e rëndësishme dhe që ka vlera unikale është se Revolta e vitit 1956 në Hungari përfundimisht zbuloi fytyrën e vërtetë satanike të Komunizmit.
Që nga ajo kohe kane kaluar 57 vjet. Perandoria Sovjetike u shemb. Hungaria u bë e pavarur. Fatkeqësisht, revolucioni i 1956 nuk zë vendin e duhur në Hungarinë bashkëkohore dhe vendet e Europës Qendrore e Lindore që vuajtën nën thundrën komuniste. Kjo periudhe heroike e historisë hungareze nuk festohet dhe përkujtohet me të njëjtin pompozitet si revolucioni i 1848. Arsyeja është se neutraliteti politik i popullit është kërkesë e pashkruar e sistemit të ri, të cilën po e përjetojmë përditë gjatë tranzicionit të vështirë që kalojnë këto vende. Lufta për të siguruar mjetet bazë të jetesës, rendja pas parave si motiv i jetës në ekonominë e tregut, nostalgjia e një pjese të madhe të brezit të vjetër për regjimin e kaluar komunist dhe manipulimi i historisë sipas interesave konjukturore të partive të reja politike kanë ndihmuar në përhapjen e pluhurit të harresës.
Këto dhe arsye të tjera kanë krijuar një klime neutraliteti politik te brezi i ri i Hungarisë dhe vendeve të Europës Qëndrore e Lindore. Gjithashtu shumica e hungarezëve që kanë lindur pas këtij revolucioni nuk merren me efektet e tij, sepse ata janë pompuar me gënjeshtra dhe kanë qenë të censuruar ndaj bisedave mbi ngjarjet historike.
Sot liria e shprehjes në Hungari i lejon njerëzit të tregojnë episodet e tyre të v. 1956, versionet e ndryshme të historive e bëjnë shumë të vështirë të ndahet e vërteta nga spekulimet.
Kjo të kujton thënien e Çu Enlait, ministrit të jashtëm të Kinës së Mao Ce-Dunit, i cili pyetjes se si e vlerësonte Revolucionin Francez (të shek. XVII-të), iu përgjigj: “Është shumë herët të flasësh për të.”
Në mbyllje do të përmend përcaktimin e mjekut hungarez Zoltan Çillag tashmë pensionist, dëshmitar i atyre ngjarjeve, i cili kur u pyet se a ka akoma rëndësi për ju Revolucioni i vitit 1956 tha këto fjalë: “Ai ka një domethënie të madhe. Ne gjetëm forca të ngrihemi kundër Bashkimit Sovjetik. Fatkeqësisht bota na tradhëtoi, kështu që ne u detyruam të luftojmë vetëm.”
Përgatiti: Sali AGAJ