Nga Albert Vataj
Ne kemi parë dallgë që përplasen në breg. Jemi joshur prej kësaj loje, sikurse kemi dëgjuar për përleshje të horonjve të deteve si provë e sfidës së besimit dhe ngadhënjimit mbi zemëratën e detit. Mbi tehun e këtyre “përbindshave”, serfistë dhe aventurierë matin kufinjt e mundësisë në caqet e rrezikut. Dallgët janë poetika e vrashtë e idilikës së detit. Ata dalin nga asgjëja për tu përfshirë në një prej spektakleve më të bukura dhe njëherash më të frikshëm të botës ujore. Në këtë akrobaci joshëse, virtuoziteti i natyrës dhuron çaste shkrepëtitëse kaq të mahnitëshme, sa vetëm fokusi i një aparati mund ti fiksojë kësisoj.
Fotografët Nick Selway dhe miku i tij CJ Kale, i kanë bërë këto shkrepje në ujërat e mrekullueshme të Havait. Pajisjet e tyre të vetme kanë qenë aparate të zakonshëm fotografikë, në kuti transparente për t’i mbrotjur nga uji.
Këto fotografi të mahnitëshme kapin çastin unikal kur dallgët përthyhen në një plazh tropikal. Imazhet e bukura që tregojnë dallgët përpara se ato të thyen në rërën e plazhit, janë punë e dy fotografëve që dëshirojnë t’u kujtojnë njerëzve se sa bujare dhe virtuoze është Nëna Natyrë.
“Ky është një ishull kaq i bukur. Të gjitha ngjyrat e ndryshme të tij pasqyrohen në ujë. Kaluam shumë kohë në ujë duke fotografuar, por këto lloje spektaklesh nuk është e lehtë të arrihen, ndaj nevojitet mjaft durim. Fatmirësisht, ia ka vlejtur barra qiranë, pasi bëmë fotografi të mahnitëshme”,- është shprehur CJ Kale, njëri nga fotografët.
Ndërsa kolegu i tij, Nick Selëay thotë se gjithnjë ka pasur si qëllim të krijojë një mundësi të tillë që të kapë bukurinë dhe dritën e Nënës Natyrë, në mënyrat më të veçanta të mundshme. Të dy miqtë fotografë gjithashtu janë të dhënë pas fotografimit të vullkaneve dhe shpesh rrezikojnë edhe jetën për të arritur fotografinë perfekte, si në këto foto.