Nga Albert Vataj
Para do kohësh, një mike me shkroi në mesangger, se donte të më takonte. Me pak probleme aritmie, por munda ta mbaja veten. Të paktën ajo nuk arriti të kuptonte gjë, dhe unë i’a dola pa pasoja.
– Dua të të takoj, vazhdoj ajo, që të dorëzoj një çmim. Është një porosi, të cilën e kam marrë përsipër që ta kryej unë.
Të them të drejtën u zura i papërgatitur. Në dijeninë time nuk kisha marrë pjesë në asnjë konkurs. Të paktën me dokordësinë time, ose me ethet për të fituar ndonjë vlerësim. Kjo për shumë arsye, por kryesorja, ajo e zemrës. Nuk është mësuar e shkreta për goditje të tillë dhe gjithnjë i’a kam kursyer. Varja, thash me vete, në gjithë ato ftesa të refuzuara, ndonjëra prej tyre do të ketë shkuar deri në fund. Me publikimet e hallakatura gjithandej, çdonjërit i lind e drejta të bëjë me ta çfarë të dojë, qoftë edhe ndonjëren prej tyre ta përfshijë në një konkurs.
Normalisht biseda jonë pati një pauzë. Ajo priste, edhe unë prisja. Thoni ju, se çfarë prisja unë, se ajo, natyrisht që priste përgjigjen time. Çfarë të bëja? Ngrysa veten në këtë dilemë. Isha i pamundur, po më shumë i padëshirueshëm t’i hyja një sipërmarrje udhëtimi për të marrë, e çfarë, një karton. S’kujtohem nëse e pyeta se shoqërohej me ndonjë vleftë monetare, apo jo. Por jam shumë i sinqertë me vete dhe me ju, unë prerje, në euro, dollar apo para, nuk mora, as atë kohë e askurrë.
Nejse!
Vijova bisedën duke e pyetur nëse kishte aty ku banonte apo aty ku ndodhej, një lum, liqen, a diçka që kishte ujë rrjedhshëm, me përjashtim çezmën, se bën vaki dhe pikërisht atëherë kur do të ndodhë diçka e madhe është orari i ndërprerjes së furnizimit me ujë. Po, mu përgjigj ashtu me naivitet. Ka edhe liqen, edhe lum. Mrekulli i thash, shiko se cilin prej tyre ke ma afër dhe hidhe atë kartonin, se ka për ta gjetur vet rrugën për të ardhur tek unë.
Shkroi një hahahahahaha, të shoqëruar më një pyetje, – seriozisht e ke?
– Do ju isha mirënjohës, i shkrova, që të më mundësoni nji privilegj të tillë. Nuk do jua harroj për gjithë jetën.
Me kaq komunikimi ynë mori fund. Nuk e di, nëse e hodhi në lum apo liqen, certifikatën e çmimit. Por një gjë e di me siguri, dhe për këtë ju betohem, dërguesit, d.m.th. mua, çmimi ende nuk më ka ardhur. Gjithsesi unë jam në pritje.