Nga Albert Vataj
Hipokrizia është një lëmsh që shtrëngon dhe mbyt aq makthshëm dashurinë në shoqërinë moderne saqë shumë mendimtarë iluministë guxojnë të dalin në përfundimin, se i vetmi faj, i vetmi krim që mund të bëjë kjo ndjenjë është mashtrimi. Kurajoja për besuar, se duke i’a fshehur fajin syve të botës, do të kesh mundur t’ia fshehësh edhe ndërgjegjes tënde, është poshtërimi më i ulët që i bën viktimës nevoja tradhtare, është fyerja më e pështirë që i bëhet vetëdijes, e cila del nga kjo pjesëmarrje në krim, më shumë se viktimë.
Tradhtia, një rrufe në qiellin e zbrazët nga yjet e të nënshtruar nga nata. Të gjithë jemi të rrezikuar. Të gjithë jemi pendestarë dhe të ndëshkuar, tradhtar dhe të tradhtuar. Askush nuk ka kurajë ta pranojë. Me mendime dhe me vepra, ne e urdhërojmë vetveten të hidhet në krahët e këtij shpengimi. Të bindur se po gabojmë, ne e kemi të pamundur të ndalemi, dorëzohemi kaq nënshtrues këtij zelli, sa arsyen për t’u penduar nuk presim të na e faturojë morali puritan, normat kanunike të shoqërisë, apo rreptësia e institucioneve religjioze.
Psikologu Giacomo Dacquino është i mendimit se koha e zverdh dhe e tret dashurinë, duke shkaktuar një tërheqje të ngarkesës dashurore që i është blatuar më parë partnerit.
Për mua, thotë Mantegazza, dashuria është kryekëput një gënjeshtër. Ajo është gënjeshtare kur betohet e stërbetohet. Është gënjeshtare në ligjet e jetës. Është e pabesë, hajdute dhe gënjeshtare vetëm ngaqë gënjen.
Po cilat janë dashuritë e mirëfillta, dashuritë e mëdha? Të gjithë njëzëri do të përgjigjeshin: Dashuritë e sinqerta!
Cilat janë dashuritë e lumtura? Të sinqertat! Të gjithë fajet e dashurisë janë mashtrimet.
Pothuajse tërë fatkeqësitë e dashurisë janë bija të mashtrimit, dhe… tradhtia bashkëshortore nuk është gjë tjetër veçse mashtrimi më i ulët. Cila është zgjidhja e vetme për dashuritë fatkeqe, vijon Mantegazza, shpresa e fundit për dashuritë tradhtare, kush është?
Sinqeriteti, sinqeriteti, asgjë tjetër përveç sinqeritetit. Kaq pak për të shpëtuar nga një vuajtje kaq e thellë. Kaq pak për t’ia kursyer zemrës një dhimbje kaq therëse. Kaq pak për të guxuar dhe besuar se ne i meritojmë dashuritë e mëdha.