Obeziteti është me origjinë të ndryshme por elementët që ndërhyhjnë në shfaqjen e obezitetit mund të përmendim faktorët gjenetikë; si histori familjare për obezitet, ulja e metabolizmit bazal, hiperaktivitet neurohormonal ndaj stresit. Personat e predispozuar gjenetikisht nën ndikimin e faktorëve shpërthyes si stresi, ndryshimi i mënyrës së jetesës dhe ushqyerjes, depresioni dhe disa medikamente mund t’ju bëjnë obezë.
Bilanci energjitik është elementi më i rëndësishëm në vendosjen e obezitetit ku mund të themi se marrja e shtuar e ushqimeve, ulja e shpenzimeve energjitike (mosbërja e aktivitetit fizik) ndikon në vendosjen e obezitetit.
Predispozicioni gjenetik luan një rol të madh në formimin e obezitetit. 69% e obezëve kanë njërin prind obez dhe e 18 % i kanë të dy prindërit obezë.
Si shfaqet obeziteti, cilat janë format e tij?
Obeziteti prek 25% të meshkujve dhe 18 % të femrave. Prevalenca e obezitetit ndryshon nga mosha pra rritet me rritjen e moshës, niveli social kulturor dhe etnia. Kjo do të thotë që në shoqëri të ndryshme, obeziteti shfaqet në mosha dhe kategori të ndryshme.
Format klinike të obezitetit janë këto:
– Obeziteti android, ku dhjami predominon në nivelin e pjesës së sipërme të trungut dhe në abdomen (barkun). Komplikacionet janë më tepër metabolike dhe kardiovaskulare, çka do të thotë se pacientët obezë vuajnë më shumë nga sëmundjet e zemrës.
– Obeziteti genoid: dhjami predominon në nivelin rreth vitheve. Komplikacionet janë kryesisht mekanike, pra në bllokimin e legenit dhe vështirësi në artikulimet e kockave të zonës, por edhe deformim me pasoja estetike.
– Obeziteti i përzier, ku indi dhjamor është në të gjithë trupin.
Ekzaminimet e obezitetit nisen nga disa faktorë; si koha e fillimit të shtimit të peshës, faktorët shpërthyes, sëmundjet bashkëshoqëruese, numri i shtatzënive, numri i lindjeve, pesha e lindjes së fëmijëvë, pesha e fituar gjatë barrave, pesha e mbetur pas barrave, histori familjare për obezitet. Ekzaminimet laboratorike për obezitetin janë: glicemia esëll (sheqeri në gjak), lipidograma ( yndyrnat në gjak ), azotemia dhe kreatinemia, uricemia , provat e heparit dhe transamonazat (analizat e mëlçisë ), gjaku komplet me formulë, për sëmundjet bashkëshoqëruese bëhen hormonet e tiroides TSH FT4 dhe FT3 për të parë një hypotiroidizëm (mungesa e hormoneve të tiroides), kortizolemia dhe kortizoli i lirë në urinë për të parë për sindromën Cushing (shtim i kortizolit në gjak) dhe hiperinsulinizmi organik (masë në gjendrën e pankreasit që prodhon më shumë insulinë).
Pasojat dhe mjekimi i obezitetit
Pasojat janë të shumta si insufiçienca koronare, pra bllokimi i arterieve dhe për pasojë mosfurnizimi i mjaftueshëm i zemrës me gjak, hipertensioni arterial, diabeti, çrregullime të yndyrnave, insufiçienca kardiake, arteropatitë, dëmtime të enëve të gjakut, komplikacione të frymëmarrjes, komplikacione të kockave, infeksione të shpeshta të lëkurës të rrugëve të frymëmarrrjes dhe ato urinare dhe komplikacionet psiqike.
1.Dieta
Një regjim ushqimor i shëndetshëm mund të parandalojë obezitetin:
1. Duke ulur konsumin e ydyrnave dhe i zhvendosur ato drejt yndyrnave të pangopura
2. Të rrisin konsumin e zarzavatete, frutave, drithërave dhe arrave
3. Ulni konsumin e kripës dhe sheqerit
4. Ulni sasinë e porcionit ushqimor
5. Mos eliminoni vaktin e mëngjesit dhe elimino të ushqyerit natën vonë
6. Ushqehuni 3-4 herë në ditë
2.Aktivitet fizik
Aktiviteti fizik i rregullt ndihmon në mbajtjen e trupit të shëndetshëm. Njerëzit duhet të përfshihen në një aktivitet të rregullt fizik gjatë gjithë jetës së tyre. Të paktën 30 min /ditë aktivitet i rregullt fizik me intensitet të moderuar ul riskun për sëmundje kardiovaskulare, diabet, kancerin e zorrës dhe gjirit dhe më shumë aktivitet fizik mund të kërkohet për të kontrolluar peshën trupore.
3.Mbështetja psikologjike
Mbështetja psikologjike është një pjesë thelbësore e një trajtimi të suksesshëm të obezitetit.
4.Trajtimi me medikamente
Trajtimi medikamentoz është i rekomanduar në pacientë me BMI =30 ose BMI > 27 të shoqëruar me një sëmundje tjetër të lidhur me obezitetin.
5.Trajtimi kirurgjikal
Trajtimi kirurgjikal është trajtimi më efektiv për obezitetin morbid për rënien nga pasha dhe përmirëson deri në shërim sëmundjet e tjera bashkëshoqëruese të lidhura me mbipeshën dhe cilësinë e jetesës dhe duhet të merret në konsideratë në pacientë me BMI=40.0 ose 35.5-39.9 me sëmundje të tjera.
E vetmja mënyrë efektive për të luftuar këtë epidemi të obezitetit është të bëjmë ndryshime në atë që ne ushqehemi dhe praktikojmë disa ushtrime fizike në aktivitetin e përditshëm dhe rezultati do të jetë një stil jetese i balancuar.