“Mund të isha bërë shumë gjëra, por zgjodha të jem vetvetja”, ky është postulati i saj, maksima që qartësisht tregon se ajo ka bërë një zgjedhje që është zgjidhje për çdo rebuse dhe mistere që ngërthyeshëm mbajnë peng të tashmen e çdo vullnetmiri që kërkon triumf.
Rosela Gjylbegu, nuk është një befasi e traditës sonë të pasur të këngës, por është një përzgjedhje e rafinuar e saj. Ajo i ngjiti hapat drejt ëndrrës, po kaq shpejt sa edhe drejt suksesit. Diti të mbërrinte në skenat llamburitëse të çmimeve, vëmendjes dhe lavdisë, siç diti të ishte gjithnjë e ndrojtur, e dlirë dhe e përkorë. E favorizuar nga fati dhe nga hiret, por jo më pak nga inteligjenca dhe urtësia, ajo mundi të prekte qiellin e ambicies artistike, pa lejuar të shkëpuste këmbët nga toka. Filloi, vazhdoi dhe rend, duke i ngjitur pritshmërinë profesionale ashtu heshturazi, pa bujë dhe tollovi. Askush nuk e vë re teksa ajo lëviz në një tashme të potershme, deri në momentin që zëri i saj dhe ballafaqimi artistik godasin.
Muzika i ka shndërruar këngëtarët në realitete spektakli, në sfidues përmes imazhit dhe ballafaques trendesh që behin përdhunshëm në një luftë të ashpër dhe shkatërruese të gjithçkaje të ndërtuar me mund, pasion dhe sakrifica nga pararendësit, ata që erdhën për të mbetur përgjithmonë melodi e çasteve tona shpenguese. Përgjithësisht këngëtarët modernë, të të gjitha shtresëzimeve, janë ose kanë lejuar të jenë objekt showbizi, thashethemesh dhe gojimesh, pa mundur të jenë thelbësor, të përfshirë nga fryma kritike dhe ballafaqimi artistiko-estetik të prurjes së tyre. Gjithnjë e më pak po flitet për vijën muzikore, për aranzhimin, për tekstin, për vokalin, për fabulën e klipeve, përformimin. Kjo sepse kritika është gjithnjë e keqkuptuar, në rastin më të mirë e panevojshme dhe parazitare, madje frenuese e lavdisë së turlilloj gatese në ma serviret.
Përkundër këtij realiteti të bubullimshëm qëndrojnë disa, bëjnë përjashtim ose janë refuzues disa të tjerë, një prej tyre është ajo, një emër i rëndësishëm i muzikës, i këngës i traditës, Rosela Gjylbegu, shkodranja e “Etheve” që sfidon ethshëm, jo vetëm këtë realitet që duhet bojkotuar, por edhe këtë gërmadhë të kobshme që josh kuisje dhe poterisje për të na i servirur si risi.
Repertori i saj është i begatë, jo më pak i lakmueshëm është interesimi dhe vlerësimet që ajo ka rrëmbyer në betejat e këngës.
Nëse interesimi ynë kërkon të njohë zanafillën e këtij emri të rëndësishëm të muzikës shqiptare, të brezit që ka marrë mbi supe të shpjerë në një tjetër kreshtë Gurin e Sizifit artistik, legjitime mbetet udhërrëfimi i derikëtushëm i Rosela Gjylbegut. Pas “Etheve”, ajo shfaqet në “Festivalin 42-të të Këngës në RTSH” në dhjetor të 2003-tës me këngën “Hirushja”, me tekst të Pandi Laços, orkestrim të Shpëtim Saraçit dhe kompozuar nga Endri Sina, dhe vlerësohet me çmim të tretë. Më 2004 merr pjesë në festivalin evropian të këngës “Eurovision Song Contest”, si vokaliste në prapavi (bek-vokal) bashkë me “etheistët” e tjerë, kur Shqipëria debutoi me Anjeza Shahinin.
Në dhjetor të po atij viti merr pjesë në “Festivalin 43-të të Këngës në RTSH”, duet me Arbër Arapin me këngën “Pëshpëritje zemrash”, e kompozuar nga Shpëtim Saraçi. Ndërkohë merr pjesë në koncerte e aktivitete të rëndësishme në gjithë Shqipërinë.
Në fundvitin e 2006-s merr pjesë në “Festivalin e 45-të të Këngës në RTSH” ku vlerësohet me çmimin e dytë, me këngën e Pirro Çakos “Pa ty, pa mua” me tekst të Agron Tufës dhe orkestrim të Shpëtim Saraçit. Një vit më pas, në “Festivalin e 46-të të Këngës në RTSH” me këngën “Po lind një yll”, me tekst të Jorgo Papingjit dhe kompozim të Sokol Marsit ku renditet e trembëdhjeta.
Bashkëpunimi i Roselës me Elizën vazhdon edhe me këngën “Një tjetër jetë”, muzika nga Pirro Çako, teksti nga Ardit Gjebrea dhe orkestrimi nga Adrian Hila, të cilën ato së bashku me Pirro Çakon e interpretojnë në “Festivalin e 48-të të këngës në RTSH”, në dhjetor 2009.
Si e ftuar nderi në dhjetor të vitit 2011 merr pjesë në natën gala të edicionit të 50-të të këtij festivali me këngën “Mesnatë”, një homazh për këngëtaren madhështore Vaçe Zela.
Një tjetër etapë e shkëlqimit të këtij ylli është “Kënga Magjike”. Në edicionin e vitit 2007 të këtij festivali ajo pjesëmerr me këngën “Për ne të dy”, me tekst the orkestrim nga Sokol Marsi, dhe fiton çmimin “Magjia e Parë”. Një vit më pas vjen me “Tjetra”, teksti Pandi Laço, kompozimi Darko Dimitrov për tu vlerësuar me “Çmimin Çesk Zadeja”.
Me duetin e saj me Eliza Hoxhën me titull “Rruga e zemrës”, me tekst të Eliza Hoxhës dhe kompozim të Darko Dimitrovit, Rosela Gjylbegu fiton çmimin e parë dhe “Çmimin Çesk Zadeja” në edicionin e vitit 2009 të festivalit “Kënga Magjike”. Më 2011 ajo merr pjesë për të katërtën herë në “Kënga Magjike” me këngën “Sikur të isha ti”, muzika dhe orkestrimi nga Darko Dimitrov dhe teksti nga Big Basta, duke fituar çmimin e tekstit më të mirë (“Best Lyrics”) dhe duke u renditur e pesta në klasifikimin final. Kënga “Sikur të isha ti” renditet në vendin e parë te “Albania Top 5” në “Radio+ FM” për pesë javë radhazi.
Një faqe e rëndësishme e ditarit artistik të Rosela Gjylbegut është padyshim edhe “Këngët e Shekullit”, edicioni III, 2010 ‒ 2011. Ky spektakël që filloi më 16 tetor 2010, zgjati për dymbëdhjetë javë, përgjatë Krishtlindjeve, dhe përfundoi në natën e Vitit të Ri 2011, solli dhjetë nga këngëtarët më të mirë me njëqind nga këngët më të mira të muzikës popullore shqiptare. Si pjesëmarrësja më e re dhe një nga tre këngëtarë nga Shkodra, Rosela interpretoi përkrah veteranëve Merita Halili, Ramadan Krasniqi, Frederik Ndoci, Stefi e Endri Prifti, Eranda Libohova, Irini Qirjako, Selami Kolonja, Maya, Bujar Qamili, etj. Për shkak të angazhimeve në këtë spektakël ajo nuk mori pjesë në festivalet tjera.
Si artistja më e re e spektaklit, Roselës i jepet privilegji që recitali i saj, i quajtur edhe “Rosela dhe miqtë”, të bëhet mbrëmja hapëse e pjesës së dytë njëmbëdhjetë-javëshe të këtij edicioni, në një format të ri me fillim më 15 janar 2011. Një ballafaqim dinjitoz i saj. Vijon sfidese në edicionin IV, 2011 ‒ 2012, të programit të TV Klan-it dedikuar këngëve të huaja më të bukura të shekullit. Aty spikasin duetet e saj “I don’t ëanna talk about it” (me Redon Makashin), “Corazon Espinado” (me Altin Gocin), “I ëant to spend my lifetime loving you” (me Frederik Ndocin), “Mina Medley” (me Eliza Hoxhën) dhe “Empire state of mind” (me Big Basta). Përveç dueteve Rosela paraqitet edhe me superhitet si “Historia de un amor”, “Addicted to love”, “Ëhat a feeling”, “Ne me quitte pas”, “Gli uomini/Almeno tu nell’ universo” dhe “O Happy Day”, duke kënduar në anglisht, frëngjisht dhe italisht.
Tjetër etapë e rëndësishme e kapaciteteve të saja promovuese pjesëmarrja në muzikalin “Notre-Dame de Paris” ku bashkëpunon me emra shumë të njohur të muzikës shqiptare. Këtu ajo luan rolin e Fleur-de-Lys dhe interpreton këngën e saj “Ces diamants-là” (Këta diamantë këtu) në duet me Arbër Arapin, i cili luan rolin e Phoebus. Dhe vijon rrugëtimi i kësaj këngëtareje dhe jo vetëm, si një dëshmi e patjetërsueshme e vlerave. Përgjatë gjithë këtij udhëpërshkimi ajo ishte dhe mbeti ajo, Rosela Gjylbegu, për të cilën më mirë se e njohin kolegët dhe miqt, askush tjetër nuk mundet. Ajo, edhe pse ne nuk e shohim në përmbytjen e lajmeve të shoëbizit, ajo është aty, jo e mënjanuar, por e kujdeshme për të mos e marrë me vete përmbytja, për të mos u bërë pjesë e këtij realiteti jashtëartistik dhe demotivues. Ajo, Rosela Gjylbegu, ka dëshmuar me talentin dhe maturinë e saj se duke ditur se çfarë është, e di mjaft mirë se çfarë kërkon.
Albert Vataj