Nga Albert Vataj
Bukuria që do të mbahej mend në jetë të jetëve, ishte ajo e bukuroshes së Spartës, Helenës marramendëse, e përzgjedhur si më e bukura ndër vdekatarët nga vetë hyjnesha Afroditë, pa misteret e së cilës, shpirtrave njerëzorë do t’ju mungonte personaliteti, karakteri dhe vullneti i stuhishëm, që shënjojnë tërë historinë njerëzore.
Helena, e bija e Tindarit, mbretit të Spartës, ishte vërtet aq e bukur, sa edhe vetë Odisea qe marrë mendsh pas saj, por jo si gjithë të tjerët, pasi qëllimi i tij i vërtetë ishte ta dërgonte Helenën si të besuarën e tij në Trojë.
Sipas legjendës, Menelau nuk ishte mëtonjësi i vetëm për shtratin e Helenës, pasi në pallatin e Tindarit, u mblodh e tërë paria akease. Por a thua të ishte dalldia pas kësaj femre, shkaku i luftës së Trojës?
Po sipas legjendës dëshirat e këtyre trimave do të qenë kthyer në tragjedi sikur Nestori të mos e kishte këshilluar Tindarin që zgjedhjen ta bënte vetë Helena, e cila zgjodhi për burrë më të druajturin prej tyre, Menelaun, ndërsa të tjerët i njohu si vëllamë.
Çdokush sot do ta komentonte dasmën e tyre si një rit, ku akeasit më tepër improvizuan një spektakël “mëtonjësish” për të nxitur kureshtjen dhe imagjinatën e kujtdo që e dëgjonte, çka as më pak e as më shumë ishte si një lloj “Miss Ballkani” i Shek. XII p.e.s., ku konkuronte vetëm Helena.
Po pse u mblodhën gjithë mbretërit e rinj akeas në Spartë, kur dihej se ishte fjala vetëm për një bukuri? Pse ata u ranë aq fort tamtameve kur vetëm njëri prej tyre do ta kishte fatin ta shijonte atë bukuri hyjnore? Të gjitha hamendjet të çojnë në gjasën se mbretërit dhe princat e rinj akeas kishin rënë në një mendje të kurdisnin një dredhi.
Se kush e pati fatin të binte pre e kësaj dredhie, ne sot e dimë të gjithë.
Është e thjeshtë për t’u kuptuar se akeasit në atë martesë kishin ardhur jo vetëm si dasmorët, por edhe si ahengxhinjtë e dasmës tragjike të shpirtit trojan. Prej kohësh ata e kishin vlerësuar shpirtin trojan si më të frikshmin, ndaj u mblodhën dhe vendosën të “ofronin” një dhuratë aq të rrallë, që çdo burrë do ta kishte zili, Helenën e Spartës, së cilës përveç ditirambeve, iu thur edhe një legjendë.
Sipas saj, hyjnesha e grindjes, ngaqë nuk e kishin ftuar në një martesë hyjnish, vjen në këtë dasmë dhe nga mëria hedh një mollë të artë, në të cilën qenë gdhendur fjalët “më të bukurës”. Kaq ishte dashur që të niste sherri midis Afroditës, Herës dhe Atenës.
Hyjneshat, për të zgjidhur grindjen mes tyre iu drejtuan Paridit, princit të Trojës, dhe Afrodita, për të siguruar mbështetjen e tij, i premtoi si shkëmbim se do t’i jepte gruan më të bukur në botë. Me këtë premtim Afrodita u bë shkak për fillimin e një prej ngjarjeve më epike të lashtësisë.
Troja, sipas Homerit ndoshta do të kishte pasur një fat tjetër po të mos ekzistonin hiret e hyjneshës Afroditë, prej bukurisë së të cilës, Paridi i Trojës, më i vogli djalë i Priamit, u verbua kur iu desh të zgjidhte më të bukurën ndër tre hyjneshat. Për sytë e një djaloshi, por jo vetëm të tij, në këtë botë nuk kishte gjë më të bukur se Afrodita, prandaj krejt pafajësisht, Paridi nuk do të nguronte t’ia jepte mollën asaj.
Që nga ai çast, molla e më të bukurës u kthye në “mollën e sherrit”, ngaqë ai mori prej Afroditës premtimin se do ta gëzonte me Helenën e Spartës, gruan më të bukur të gadishullit të Hemit. Para-mithija në këtë rast, nuk është thjesht një përrallë, por një motiv për ta tërhequr Paridin drejt kurthit, ku s’kishte moshatar të tij që nuk do të binte. Nuk qe e beftë ardhja e Paridit të Trojës në Spartë.
Legjenda thotë se Paridi ia kishte ndierë zërin kësaj bukurie edhe atje larg në pyjet e Dardanisë, kur ishte pjekur me tre hyjneshat: Herën, Atenën dhe Afroditën.
Menelau, mbreti i Spartës e priti Paridin sipas sërës, me të gjitha nderimet që i takonin një pinjolli mbretëror. Në gostinë e shtruar për nder të tij, Paridi u takua me zonjën e Spartës, mbretëreshën Helenë, bukuria e së cilës kishte vënë në sprovë dhe tundim edhe pleqtë më të urtë e jo më një adoleshent të pamësuar me kësi sprovash.
Gjithsesi, mbetet ende enigmë fakti, pse Menelau e la mikun në pallat me gruan, ndërsa vetë shkoi në Kretë të gjuante për t’i sjellë mbretëreshës qime të Minotaurit, që ajo të lindte djalë. Nga ky fakt marrim shkas të mendojmë se çiftit mbretëror Menela-Helenë, duhet t’i jetë kërkuar sakrifica më sublime, të cilën ata pas një dileme të dhimbshme, e kanë pranuar si detyrën e luftëtarit.
Helena duhet ta ketë pranuar këtë vetëflijim si një detyrim ndaj besëlidhjes së madhe akease, e po kështu edhe një burrë e një luftëtar i madh si Menelau, i cili për ta mposhtur dhimbjen që po ndjente nga kjo sakrificë, shkoi në Kretë të humbte mendjen duke gjuajtur Minotaurin. E parë thjesht si tradhëti, për çdokënd që nuk është në brendi të konspiracionit, kjo do të mjaftonte që legjenda e fatit të paracaktuar nga hyjnesha Afroditë, të ishte e besueshme.
Gjithmonë sipas Homerit, Paridi u dashurua marrëzisht pas mbretëreshës Helenë dhe me ndihmën e Afroditës i mbushi asaj mendjen të linte Spartën për të shkuar me të në Trojë. Në fakt, Afrodita do ta ndihmonte vërtet Paridin të sillte Helenën në Trojë, duke hapur kështu siparin e konfliktit më të madh të lashtësisë.
Homeri na jep vetëm atë çfarë duket, kur na e sjell këtë konflikt si të shkaktuar nga Paridi dhe si të drejtë për Menelaun dhe vëllamët akeas që të hakmerreshin ndaj Trojës, e cila kurrsesi nuk duhet ta kishte pranuar Paridin, që theu zakonin e mikpritjes dhe prishi bashkëshortësinë e mikpritësit.
Pra, akeasit e shfrytëzuan si pretekst ngjarjen e Spartës, ku Menelau humbi Helenën, që sipas mendësisë së kohës përkthehej cënim i të drejtës bashkëshortore, duke i hapur kështu udhën gjithë asaj përplasjeje marramendëse vrastare. Kishte kohë që familja konsiderohej si njësia themelore qytetëruese, prandaj asnjë nga trimat e lashtësisë nuk do të nguronte të merrte pjesë në ekspeditën ndëshkuese kundër Trojës.