Nga Albert Vataj
Ti grua me zemër të thyer, ti që ke zhbërë ngjyrash gjithçka sheh dhe shterruar ndijimi gjithçka prek. Ti që vuan nga një dashurie e humbur, një mantel të errët vetmie ke hedhur supeve, si për një solemnitet pikëllimi dhe frike. Je strukur në një kthinë të botës, asaj të tashme që akuzon. Qan dhe vetëm qan. Të duket se askujt nuk i djegin lotët e tu, askush nuk rënkon nga dhimbja e dhimbjes tënde, askënd nuk kafshon trishtimi i trishtimit tënd. Për fat të keq, askujt nuk i beson, qoftë dhe të ndash me të copëzat e këtij trishtimi, përmes nevojës për të folur, për të sharë dhe mallkuar, për të akuzuar dhe për të bërë me faj veten dhe gjithkënd tjetër.
Rri ashtu strukur në heshtjen tënde, duke dëgjuar pëshpërimën e fjalëve që thua nëpër dhëmbë dhe frymëmarrjen e trazuar që të shembet brenda gjoksit.
Zërave që të afrohen, i mbyt me heshtje dhe përçmim. Vetmive që i bëjnë shoqëri vetmis tënde, nuk u bën vend. Dhe ashtu e ngrysur, me lot të shteruar e dihamë të mpakura, mblidhesh kruspull, si në një përpjekje të fundit për të shpëtuar çfarë të ka mbetur nga ky lëndim.
Nata nuk ka gjumë terratisjeve tuaja, me sy të gozhduar mbi hënën e ngrënë që pikëllueshëm noton mes reve. Ëndrrat, që prushin atë gjumë të pakët, janë të makthshme. Dita zbardh pa mundur të hedh dritë mbi kurmin tënd të drobitur, e sytë e tu fikur shkëlqimi. Puthjet që të jepen, e përqafimet që të ngucin, fjalët që të ledhin, e sytë që të andin, s’kanë zgjuar ende në ty, atë që zemërthyerja thërmoi. Dita e sotme, si e djeshmja. Asgjë nuk të shtyn të thyesh zhguallin e asaj vetmie trishtimi që të mban kyçur, dhe të dalësh jashtë, t’i hidhesh krahëve të një të sotme që është gatitur të ndajë begatinë e saj edhe me ty.
Zgjohu, ti grua zemërthyer!
Nuk gabove pse besove kaq shumë te dashuria. Nuk bëre faj se ju dhe me mish e me shpirt krahëve të kësaj ëndrre të bukur.
Ti duhet të zgjohesh. Bota ka ende dashuri që janë gati të të jepen, buzë të të ngasin në puthje, epshe të të kredhin në kopulime që teptisin e ndritin. Dashuria jote e madhe nuk ishte e tillë, ngase ti kërkove t’i bëje vend në gjithë ata vetvete, në atë brendi që e gërryen errësira dhe e përndjek amoku. Ajo ishte dëshirimi i një dëshire, dashurie që erdhi për të provuar se sa lehtë thyhen zemrat.
Ti duhet ta provosh ti bashkosh e ti ngjitësh copat e zemrës tënde, sepse dikush po pret me padurim të mbështes kokën mbi kraharor, të dëgjojë trokitjet e saj.
Ti duhet të besosh te dashuria, sepse ajo edhe pse pothuajse gjithmonë i duhet të reflektojë në copëzat e zemrave të thyera, ajo di të jetë, ajo dashuri që mbush gjoksin tënd, ajo frymëmarrje që përpush e hov kurmin tënd, atë shmbëllim të magjishëm, ku ka gjithnjë prehje për çaste mrekullish.
Ti grua zemërthyer, beso tek dashuria… edhe pse ajo gjithnjë kërkon si çmim, zemërthyerje.