Nga Albert Vataj
Ai, i madhi Faik Konica, datëlindi sot 141 vite më parë. Ai, pendëmprehti e gjuhëhidhuri, i shumëdituri e i shumëakuzuari, atdhetari i madh dhe fshikulli më i pamëshirshëm ndaj vulgut dhe trandjeve. Ai që guxoi si pakkush të thoshte disa të vërteta që shndrisin edhe sot në vetëdijen e çdo mendjeje të kthjellët dhe vullnese për të pranuar dhe kuptuar pa qenë i magjepsur nga pathosi dhe folklorizmat nacionaliste. Ai që edhe pse në shumë raste e tejkaloi sensin e masës dhe bëri jo pak armiq që e luftuan dhe i’u hakërryen, mbeti i pashembullt në llojin e tij, në të drejtën për të mendur dhe kumtuar mendjehapur. Ai që ndërtoi një figurë emblematike të shqiptarit në botë dhe e përfaqësoi atë me vetveten e tij dinjitoze. Ishte ai që i dha një dimesnion perëndimor botkuptimit të këtij nacionaliteti duke shembur kështu mure të larta anatemimi që një hordhi dashakëqinjsh kishin ngritur për këtë rracë vitale, për këto njerëz trima dhe finsikë.
U keqkuptua në shumicën e herëve. Fjala e tij gjeti më shumë zëra për ta mbytur se sa veshë për ta dëgjuar dhe kureshti për ta nxënë. Kishte vendosur të ishte një fenomen, të kishte të drejtë edhe kur shumëkush ishte i pakënaqur me të dhe më çfarë ai kishte thënë dhe shkruar. Por ajo që mund të thuhet sot, është ajo që lejon secilin ndër ne të ketë një bindje vetiake për Faik Konicën. Gjithqysh analiza e tij për shqiptarët është nga më të arrirat. Në fondament qëndron përkufizimi, i cili ka vërenjtur shumë fytyra, ka hidhëruar shumë gjuhë, ka kthyer shumë koka mënjanë, por ai mbetet: “Nëse ka kush që do t’i bëjë keq Shqipërisë, janë vetë shqiptarët”, kësisoj është shprehur ai në një nga rravgimet e tij cinike.
Vëllezër shqiptarë!
Mjaft vuajti e mjera Shqipëri jetën e kurmit (trupit), duhet edhe ajo të nisë tani e të rrojë jetën e mendjes (La vie intellectuelle). Jeta e mendjes është të hapim të gjithë zemrat tona, të flasim vëllazërisht njëri me tjetrin, të bisedojmë si njerëz të qytetëruar që mblidhen të luftojnë me fjalë për idetë e tyre. Mos besoni se në këtë mënyrë do të largohemi nga njëri-tjetri! Përkundrazi do të afrohemi më shumë, sepse do të njihemi më mirë, s’do të kemi mendime të fshehura dhe do ta kuptojmë që të gjithë jemi të lidhur nga dy lidhje të arta: dëshira për të vërtetën dhe dëshira për Shqipërinë. Për të qenë e mirë e përkohëshmja, duhet të jetë si Pazar, një Pazar ku gjenden njerëz të pasur, të varfër, gra, burra, djem, të krishterë, muslimanë, të pafe, të gjithë bashkë dhe duke biseduar, merren vesh për mbarësinë e punëve të tyre.
Faik Konica, Gazeta “Albania”, 1897 !
Faik Konica, lindi më 15 mars të vitit 1875 në Konicë dhe vdiq më 15 dhjetor të vitit 1942 në Uashington. Ky “njeri me kulturë të lartë” siç e ka cilësuar Fan Noli, “enciklopedi shëtitëse”, sipas G. Apolineri, eseist i shkëlqyer, stilist i përkryer, themelues teorik dhe praktik i kritikës letrare shqiptare, veprimtar politik me orientim perëndimor, siç ishte kultura e popullit që i takonte, poliglot, solli një model të ri në mendësinë shqiptare.
Mësimet e para i mori në vendlindje, në gjuhën turke, arabe dhe greke. Mësoi në Shkodër në Kolegjin Saverian. Mbas dy vjetësh ai la Shkodrën dhe shkoi për të vijuar studimet në shkollën e Gallatasarait në Stamboll, të cilën e kreu më 1890-n, kur ishte 15 vjeç. Në këtë shkollë ai u njoh me djaloshin tiranas Murat bej Toptanin, me të cilin e lidhën bindjet atdhetare. Studimet e plota i kreu në Francë (ku edhe ndërroi fé, u pagëzua i krishterë) dhe ShBA.
Ishte bir i derës së famshme të bejlerëve të Konicës. Nga e ëma binte gjak me Ali Pashë Tepelenën edhe pse vetë kurrë nuk e ka pohuar. Fliste një frëngjishte të kulluar. Më vonë hyri në liceun perandorak francez të Stambollit për të kryer pastaj shkollën e mesme në Francë. Ndoqi studimet për filozofi në Dizhon dhe Paris. Ku u konvertua në besimin e krishterë katolik me emrin Faik Domenik Konica. Kjo ngjarje ndodhi në verën e vitit 1895, kur ai sapo kishte mbaruar studimet e larta në Dizhon (Dijon) të Francës për Gjuhësi Romane dhe Filozofi. Pagëzimin e Faik Konicës me emrin Domenik e dëshmojnë edhe disa letra të viteve 1895-‘97 dërguar shqiptarëve të Bukureshtit, ku ai ka firmosur me emrin e ri Faik Domenik Konica. Këto letra ruhen edhe sot në dosjen e tij në Arkivin Qendror të Shtetit shqiptar. Pas vitit 1895, ai nuk e mohoi kurrë faktin se ishte konvertuar në i krishterë, edhe pse emrin Domenik nuk e përdori gjatë në shkrimet e tij. Shtysat kryesore që e nxitën këtë djalosh, pinjoll të një familjeje të shquar myslimane, të pagëzohej si i krishterë, mendojmë se duhen kërkuar në formimin e tij kulturor e shkencor në shkolla katolike, si dhe në përkushtimin atdhetar, në tolerancën fetare dhe në intuitën e tij. Si 21 vjeçar nxori numrin e parë të revistës “Albania”, ndër revistat më të mira shqiptare, që u botua deri më 1909 në Bruksel e Londër, me ndihmën e Austro-Hungarisë, e cila nxiste lëvizjen kombëtare shqiptare për të penguar shtrirjen e sllavëve në Ballkan. Duket se Faiku e shihte zgjedhën osmane si një tjetërsim të karakterit europian të popullit shqiptar, prandaj ai mendonte se për të arritur çlirimin kombëtar duhej kryer së pari afrimi shpirtëror me Europën e krishterë. Me fjalë të tjera ai sugjeronte një evoluim të mendësisë fetare, shkëputje prej mendësisë myslimane përmes konvertimit në fenë e të parëve, në fenë e krishterë, në fenë e përbashkët të shqiptarëve me kontinentin mëmë të kohës së para pushtimit osman. Pra, sipas tij, shteti i pavarur shqiptar duhej të ishte i njëjtë për nga përkatësia fetare me shtetin e Gjergj Kastriot Skënderbeut. Tërthorazi kuptohet se ai e lidhte procesin e çlirimit kombëtar nga zgjedha osmane edhe me një proces katarsi të pjesës myslimane të popullit tonë, e cila duhej të pendohej për braktisjen që i kishte bërë fesë së të parëve nën trysninë e rrethanave gjatë pushtuesit osman. Në rikrishterizimin e shqiptarëve myslimanë ky rilindës shihte një nga faktorët kryesorë për forcimin e unitetit kombëtar të kombit tonë. Ndasia fetare e popullit shqiptar në të krishterë e myslimanë, e krijuar gjatë pushtimit osman, sipas tij, nuk i shërbente unitetit, por përçarjes kombëtare, pra vonimit të proceseve çlirimtare. Këtë mendim e ka shprehur dhe atdhetari Mustafa Kruja disa dekada më vonë. Pas pagëzimit, Faiku i propozoi mikut të tij të ngushtë, Murat bej Toptanit, të pagëzohej edhe ai e të dy së bashku të nxisnin miq e shokë të tjerë për t’u pagëzuar dhe ata. Mirëpo Murati iu përgjigj se nuk mund ta bënte një hap të tillë, pasi vëllezërit Frashëri, te të cilët ai ishte dhëndër, do ta dëbonin nga shtëpia. Murati pra i dha të kuptonte Faikut se pagëzimi në të krishterë i shqiptarëve myslimanë që jetonin brenda Perandorisë Osmane, ishte një veprim që nuk mund të kryhej, prandaj ky nuk nguli më këmbë për këtë problem. Djaloshi tiranas pati të drejtë, atmosfera shoqërore dhe ajo fetare në trojet shqiptare të perandorisë nuk mund ta lejonte një kapërcim aq të madh në ndërgjegjen e shqiptarëve myslimanë, të cilët kishin disa breza ose shekuj që jetonin si myslimanë.
Më 1912 u diplomua për letërsi në universitetin e Harvardit të SHBA me medalje ari, ndërkohë që është cilësuar nga miqtë e tij si “biblioteka lëvizëse”. Fitoi disa konkurse, duke u nderuar me çmime për aftësitë e tij intelektuale jo të zakonta. Faik Konica qysh i ri e lidhi jetën me veprën e tij dhe me lëvizjen kombëtare shqiptare.
Pasi botoi broshurën “Shqipëria dhe turqit” (1895) në Paris ai vendoset në Bruksel të (Belgjikës), ku nxjerr revistën “Albania”, kjo revistë politiko-kulturore dhe letrare u bë organi më i rëndësishëm e më me autoritet i Rilindjes sonë. E botuar në gjuhën shqipe, frënge dhe pjesërisht turke, si një enciklopedi e vërtetë, ajo propogandoi për vite me radhë 1897-1909 programin e lëvizjes kombëtare shqiptare, historinë dhe kulturën e popullit tonë. Faiku kishte marrë thu ndaj anëtarëve të Kongresit të Manastirit, sepse sipas tij me vonesë të madhe ia kishin dërguar një telegram për të marr pjesë në këtë kongres vendimtar për alfabetin e gjuhës shqipe. Ndërsa delegatët e Kongresit thonë se ia kanë dërguar dy telegrame për pjesëmarrje, pasi që Faiku në të parën nuk ju kishte përgjigjur. Në anën tjetër Faiku këmbëngulë se të parin telegram nuk e kishte pranuar, dhe mu për këtë shkak pason hidhërimi dhe revolta e tij ndaj tyre. Faiku në jetën e tij familjare ishte i pa fat apo ndoshta edhe vetë ashtu e kishte zgjedhur. Ca thonë se kishte qenë i martuar me një farë Sophie Annette Hygo me të cilin i kishte lindur një djalë me emrin Henrik. Edhe Apolineri të cilin e cekëm më lartë thotë se Faiku kishte qen i martuar, por të dhëna tjera për familjen e tij nuk ofron.
Më 1909 Konica, si u mbyll revista “Albania” në Londër, i ftuar nga atdhetarët shkon në SHBA ku drejton gazetën “Dielli” edhe më pas gazetën “Trumpeta e Krujës”. Me themelimin e Federatës “Vatra”, më 1912 ai zgjidhet sekretar i përgjithshëm i saj. Faik Konica dhe Fan Noli, duke qenë udhëheqësit kryesor të lëvizjes kombëtare shqiptare në SHBA, do të shkojnë në Londër për mbrojtjen e çështjes kombëtare në Konferencën e Ambasadorëve. Në Sent Luis (1897) nxori të përkohshmen “Trumbeta e Krujës”, ndërkaq në Boston, së bashku me Nolin, themeloi Federatën Panshqiptare “Vatra”, që mbronte pavarësinë e shtetin shqiptar, të sapoformuar. U zgjodh sekretar dhe kryeredaktor i “Diellit”, që u bë organ i saj. Në kongresin shqiptar të Triestes (1913), që u mblodh për të kundërshtuar copëtimin e Shqipërisë nga armiqtë e saj, Konica u zgjodh kryetar. Nuk e duronte dot Ismail Qemalin, kryetarin e përkohshëm të shtetit. Mbase edhe për inatin e tij, më 1913 e lë Vlorën dhe i bashkohet në Durrës forcave të Esat Toptanit, që ndonëse e urrente e ndihmoi të formonte qeverinë e ndarë shqiptare. Mbretin Zog herë e lavdëronte, herë e shante. Megjithatë, më shumë se sa ambasador i Zogut, ai ishte ambasador i vendit të tij; dhe Zogun e respektonte si kryetar shteti por personalisht nuk e vlerësonte. Polemizoi edhe me Fan Nolin, ku me raste e quajti edhe bolshevik dhe mbërriti deri aty derisa sa i kërkoi departamentit amerikan që të mos lejohej më hyrja e atij komunisti në ShBA, por nuk e humbi respektin për aftësitë e këtij të fundit. Noli do ta quante veten nxënës të tij. “Mësova se në shkrimet e Konicës ne e kishim atë që na duhej: letërsinë e mirë shqipe”, thotë Noli, i cili me këshillat e Konicës kishte përkthyer disa vepra nga Shekspiri, Ibseni, Edgar Alan Poe dhe Don Kishotin e Servantesit. Konica ishte mik me poetin e njohur francez, Gijom Apolinerin, që kritiku letrar Luan Starova, do ta quante një miqësi evropiane. Shkrimtari Zhyl lë Metrë do të thoshte për Konicën: “Ky i huaj që e shkruan kaq mirë gjuhën tonë”. Gjatë Luftës së Parë Botërore dhe më pas, ai zhvilloi veprimtari të dendur diplomatike në dobi të atdheut, në Austri, Zvicër, Itali e gjetkë. Ishte delegat i “Vatrës” në Konferencën e Ambasadorëve në Londër për krijimin e shtetit shqiptar. Në 1921 u kthye në SHBA, ku u zgjodh kryetar i Federatës “Vatra”, po ndërkaq në vitet ’20 u lidh dhe ndikoi në lëvizjen demokratike që zhvillohej në Shqipëri. Këtë do ta bënte nëpërmjet gazetës “Dielli” dhe “Shqiptari i Amerikës”. Me dështimin e Revolucionit Demokratik, me ardhjen e Ahmet Zogut në fuqi, Konica u emërua ministër fuqiplotë i Shqipërisë në SHBA. Ministër i oborrit mbretëror në SHBA (përfaqësues i Shqipërisë), Konica ishte një pianist i shkëlqyer dhe një shkrimtar gjenial. Ai mbahet si krijuesi i prozës moderne shqipe. Çdo krijues i letërsisë shqiptare që vjen pas tij mund vetëm të quhet nxënës i tij.
Faiku vdiq në Uashington i vetmuar, pranë të cilit gjendej një mikesh e tij zonja G. A. Graham nga e cila na ofrohen çastet e fundit të jetës së Faik bej Konicës. Ja si i përshkruan z. Graham ato momente: “…Faik bej Konica u përmend përsëri diku nga ora nëntë e pesëdhjetë. Më kërkoi dhe foli pak. Humbi në kllapi dhe hera e fundit kur u përmend ishte më vonë. Kishte nevojë për një gotë ujë, por iu luta që të pres. Ai sikur u pajtua dhe e ktheu kokën. Kjo ishte njëherazi edhe hera e fundit që bisedova me z. Konica…”. Më 1914 ishte Konsull i përgjithshëm i Shqipërisë në Uashington.
Në vitin 1926 Ahmet Zogu e emëroi Konicën ministër fuqiplotë në SHBA, post që e ushtroi deri në vitin 1939, kur Italia e pushtoi Shqipërinë. Pas kësaj u shfuqizua nga Qeveria Amerikane ngaqë delegata e diplomacisë shqiptare ishte zhytur në borxhe. Prish raportet përfundimisht me Ahmet Zogun, që i ristabilizon më 1942 në verë për çështjen shqiptare nën okupacionin italian. Vdiq më 15 dhjetor 1942 në Uashington, nga një hemorragji cerebrale. Trupi i tij u përcoll për në banesën e fundit nën tingujt e kompozitorit të famshëm Vagnerit, që aq shumë e kish adhuruar.
“Ndërroj jetë me mejtimin se ju jeni njerëzit që më keni kuptuar më qartë në këtë dhe. Nuk do të më tretë dheu, nëse ti imzot Noli dhe ti Lamja im i vogël dhe gjithë ata që e quajnë veten shqiptarë nuk do ta çojnë kufomën time të tretet në tokën mëmë. Kam lënë menjanë edhe harxhimet e rrugës për trupin pa jetë dhe shumën për dy metra vend në Shqipëri”, thuhet në testamentin e Konicës.
Sistemi komunist për pesëdhjetë vjet e ndaloi kthimin e eshtrave të tij në tokën shqiptare. Noli dhe Lamja i vogël (Sejfulla Maleshova) nuk mund të bënin asgjë. Më 4 mars 1946 Noli i shkruante Lames që të ndikonte tek autoritetet shqiptare të plotësohej amaneti i Konicës. Pasi Malëshova nuk mundi të bënte gjë, ndërhyri vet tek autoritetet shqiptare dhe fatkeqësisht, për arsye politike, nuk gjeti mirëkuptim. Eshtrat e tij u kthyen në atdhe, në një ditë maji të vitit 1995 dhe u vendosën në Parkun e Tiranës, pranë varreve të vëllezërve Frashëri. Kështu u plotësua amaneti i Konicës, të anatemuarit, njeriut “që hodhi baltë mbi letërsinë shqiptare” , “shkrimtarit reaksionar”, sikurse u quajt paturpësisht, i cili u letua nga letrat shqipe për motive politike. Në këtë turp morën pjesë edhe shkrimtarët e kritikët letrarë, të cilët kurrë nuk do të kenë forcë, përmes kritereve estetike, ta zhvendosin nga maja e kulturës shqiptare.
Atje është i përgjithmonshëm. I veçanti, tekanjozi – Faik Konica. Faik Konica është një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare. Prozator dhe poet, publicist dhe estetist, kritik letrar dhe përkthyes, ai me veprën e tij të shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar. Njeri me dituri të madhe, dhe dhunti artistike, mjeshtër i hollë i gjuhës shqipe, Konica ka hyrë në historinë e kulturës sonë kombëtare jo vetëm si erudit e stilist i përkryer, por edhe si shkrimtar me vlera të shquara ideoartistike.