Është bekim, të besosh në Zot dhe të pranosh vullnetin e qiellit si më i epërmi virtuozitet krijimi dhe forcë përjetimi, dhe… shndërrimit të ëndrrave në çaste adhurimi. Gjithëkjo është të jesh mirënjohës dashurisë dhe epjes së një gruaje… dhe vlerësues i çdo momenti që beh tek ti, si tek e përkryera vepër besimi në adhurim.
Kjo është mënyra se si ne presim të shpërblehemi, se si në ne shpërthen vetë krijimi për të pleksur rrënjët e dritës në çdo trajtë pafundësie dhe gjendje përjetësie që pulson në gjakun dhe frymën tonë, e gjëmueshëm gufon gjokseve që derdhet e florinjta dritë e hënës dhe daklldisësi zjarr përjetimi.
Grua, ti që shëmbëllen çdo bukuri dhe vetë hiret e jetës i mëkon me gjirin dhe mishin tënd… ti ëndje e çdo dëshire dhe epje e çdo dashurie, ti e përulura e çdo adhurimi dhe kreshta e çdo kapërthimi besimi, ti… jep çfarë i merr mrekullimi krijimit, jep jetën tënde në çdo thërmijë që vetë Zoti gjen një shkas krijimi si mundësi e shytjes tej caqet e pafundësisë.
Ti grua, shpengimi i çdo frymëzimi dhe epshi i çdo afshi që prek me hukam drite e duhmë shpërthimi çdo çast që kërkon prehjen dhe prekjen tende.
Ti, e hirshmja dhe hyjshmja grua, ti që shemb muret e territ dhe ngre altare në çdo frymëmarrje e prekje buze që platit në çdo plagë, je e bukur, je vetë shëmbëllimi i atij përkushtimi shpërblyes që meriton përkushtim dhe mirënjohje.
Nuk ka tjetër bukuri, veç teje, bukuri e cila shkëlqe prej fjalëve ledhatuese, rritet në sytë adhurues dhe ëndjen tonë të harlisura ndër përfytyrime e magjepsje. Qëndisur përplot pasion me vargje, melodi, ngjyra dhe legjenda, për të mbetur rrezatuese dhe më i mahnitmi krijim që ka endur dëshira e një zjarri dritues. Për të mbetur përgjithmonë një miklim i natyrës, një përkujdesje delikate që i jepet solemnisht dëshirave dhe pasioneve.
Çdo bukurie përthyhet në kristalin e hireve të tua.
Çdo ëndje, qëndisma yjesh i blaton bukurisë tënde.
Çdo dritë derdhet mbi ty si mbi një dëshirim joshës.
Çdo ëndërr, krahë i jep fluturimit në qiellin e kësaj dalldije që merr shkas prej dehjes që mëkon ti.
Ti shpreh në gjithçka atë çfarë të mrekullon.
Ti je një bukuri, së cilës çdo gjunjëzim e lartëson, çdo zjarr e bën të shkëlejë si një diell.
Ti je, vetanake në të drejtën për të qenë një dhuratë, për të qenë gjithçka që të shenjtëron, bij, grua, nënë.
Të je më e larta dëshira dhe më e ethshmja dhimbje, së cilës i jepem, si vullnetit dhe përulësisë së besimit.
Përulem Zot para Teje dhe vullnetit Tënd krijues dhe atij përkushtimi shpërblyes që meriton veç mirënjohje!
Amen!
Albert Vataj