Nga Qerim Vrioni
Në galerinë e madhe të veprave të Kel Marubit hyn edhe fotografia interesante me titull “Kapiteni Mark Raka dhe Bajraktari i Shalës”, realizuar në vitin 1922. Kjo fotografi është përfshirë edhe në albumin “The Photo Book”, Londër 2000(2), të shtëpisë botuese prestigjioze “Phaidon”.Aty janë riprodhuar 500 foto të zgjedhura nga 59 vende të botës të bëra gjatë 150 vjetëve të ekzistencës së artit fotografik. Autorët e albumit shkruajnë ndërmjet të tjerash, se në foto “…nuk kuptohet qartë se çfarë ndodh” (The Photo Book- LONDON, 2000-fq 302) .Të njëjtin përfundim jep edhe albumi “Albania. Volto dei Balcani” scritti di luce dei fotografi Marubi, Torino, 1996(3), ku krahas disa mangësive të tjera, për subjektin e fotos jepen disa hamendje, të gjitha të pezullta dhe në kundërshtim me njëra-tjetrën. Ishte pra një detyrim i madh, studimi analitik i kësaj fotografie që të huajt e kanë vlerësuar dhe çmuar më shumë e më mirë se ne që e kemi tonën.Çelësi i zbërthimit të subjektit të kësaj fotografie është viti 1922, kur ajo është realizuar.Në këtë vit, në bazë të një ligji të miratuar nga Këshilli Kombëtar (Parlamenti i asaj kohe), popullsia civile detyrohej t’i dorëzonte armët shtetit, pra është bërë çarmatimi i atyre që nuk duhej t’i kishin ato.
1. PAK HISTORI
Nga zgjedhjet për Këshillin Kombëtar që përfunduan më 5 prill 1921, u mandatuan 75 deputetë.Ky Këshill vazhdoi punimet pa ndërprerje deri në 25 shkurt 1922. Në të kishte dy grupe politike kryesore: grupi “popullor” dhe ai “përparimtar”, që në fakt ishin partitë e para politike në Shqipëri. Programet e tyre nuk ndryshonin shumë nga njëri-tjetri.Gjatë vitit 1921 u ndërruan disa qeveri, derisa më 24 dhjetor u formua ajo me kryeministër Xhafer Ypin, ministër të brendshëm A.Zogun dhe ministër të jashtëm Fan Nolin. Rendi publik në vend nuk ishte në atë shkallë që t’u siguronte shtetasve një jetë normale. Në duart e popullit gjendeshin mjaft armë dhe jetën e vendit e drejtonin më shumë kryetarët e fiseve në zonat fshatare dhe paria e qyteteve, sesa përfaqësuesit e shtetit.Vendi kishte kaluar disa kriza që ishin shmangur më shumë vështirësi. Për të gjitha këto, në mbledhjen XXIII, datë 6.2.1922 të Këshillit Kombëtar u miratua ligji i paraqitur nga qeveria për dorëzimin e armëve nga popullsia civile, artikulli (neni) i parë i të cilit ishte formuar si më poshtë: “Mbajtja dhe sjellja e armëve të gjata ose e municioneve të tyre përveç atyre të gjuetisë, pa leje të autoriteteve kompetente janë krejt të ndalume. Të gjithë janë të detyrume me i dorezue në komandën e Gjindarmëris kompetente”(4).
Opinioni publik dhe përgjithësisht shtypi shqiptar i kohës kishte shpresë tek ky ligj dhe e mbështeti qoftë miratimin e tij, ashtu dhe zbatimin e tij në praktikë. Të zbatojë këtë ligj në kushtet e Shqipërisë së asaj kohe ishte një detyrë shumë e vështirë.Edhe të huajt kishin bërë çarmatime të pjesshme, por gjithsesi me masa drastike, me zjarr dhe hekur. Tani ishte tjetër gjë: shqiptari do ti merrte armën shqiptarit. Dihej se mungesa e armës e zbehte mjaft kuptimin e jetës për të. Ndërkohë, “…Qeveria i dha një rëndësi të veçantë çarmatimit të popullsisë”(5). Ajo caktoi ministrin e brendshëm A. Zogun të drejtonte operacionin e dorëzimit të armëve nga ana e popullsise civile, u dërgoi letra të veçanta personaliteteve të krahinave të ndryshme të vendit që ishin shquar në luftrat për pavarësi, si kryetar fisesh dhe çetash patriotike ku u kërkohej që me autoritetin e tyre të mbështesnin qeverinë në operacionin e dorëzimit të armëve nga popullsia civile .Dhe letrat bënë efektin e tyre: preken sedrat e atyre që u dërgoheshin, duke ndihmuar në një farë mase zbatimin e ligjit të çarmatimit.
Gazeta “Drita” e Veli Hashorvës, që dilte në Gjirokastër, shkruan në një editorial të shkurtit 1922(6) : “… populli duhet tia falë armën Qeverisë, dhe të kërkojë nga ajo dritë dhe punë, si çpërblim të bindjes së tij e kështu populli shqiptar që është nderuar me anë armësh, të çquaj me qytetari në mes fqinjësh. “Çarmatimi ka vazhduar në qetësi të plotë dhe pa asnjë kundërshtim nga ana e popullit, që kish zënë të kuptojë fare mirë se armët vlejnë për qeverinë. …”(7). Këtë citim megjithatë duhet ta marrim me rezerva, sepse nga “Bisedimet në Këshillin Kombëtar, 1922”, mësohet se operacioni i dorëzimit të armëve, për motive të ndryshme nuk u zhvillua njësoj në të gjithë vendin, e po ashtu se ka patur raste të zbatimit me forcë të ligjit (Ligji nuk përkëdhel). Gjithësesi çarmatimi kishte dhënë frytet e tij, ”ndonëse gjakmarrja nuk ishte zhdukur, numri i vrasjeve ishte pakësuar kryesisht sepse Zogu kishte çarmatosur një pjesë të madhe të popullsisë të vendit. Ligji dhe rendi koncepte qe kishin munguar per pese shekuj ne SHQIPERI ,po ktheheshin perseri madje edhe ne rajonet me te thella malore, aty ku edhe vet pushteti i perandorise turke ne piken e saj me kulmore nuk kish mundur te ushtronte kontroll te plote .Nje hap i vogel drejt unitetit te kombit ishte hedhur.”(8). Duke mos harruar për asnjë çast se flitet për fillimin e viteve 20, duhet thënë se me gjithë pasaktësitë dhe mangësitë që mund të ketë patur ligji si dhe zbatimi i tij, ai i duhej Shqipërisë dhe ka kontribuar në kthimin në shtet të një bashkesie krahinash dhe fisesh si ishte ajo në atë kohë. Sipas librit të Teki Selenicës, ”10 vjet Mbreteri”, Tirane, 1938(9) gjatë operacionit të dorëzimit të armëve në vitin 1922, nga popullsia civile u mblodhën rreth 34.140 armë krahu, shifër kjo që pranohet edhe nga studjuesit B.Fisher në veprën e cituar më lart (10).
Si përfundim, çarmatimi i popullsisë civile në vitin 1922 pati një ndikim të ndjeshëm në forcimin e shtetit, pakësimin e gjakmarrjeve, shmangien e trazirave, normalimin e jetës së vendit etj. “Ishte një nevojë e domosdoshme që shqiptari i vërtetë si trashgimtar i shkëlqimeve t’armës vet t’ia lërë si shenjë burrërie kujtimin e armës historisë së tij, dhe me atë zell e energji të kapë me dorë pendën, diturinë dhe shatën”(11). Thënë ndryshe e më shkoqur edhe shqiptarët duhet të kuptonin se mbase ishte në të mire të tyre “të kthenin shpatat në parmenda”. Ndërkohë, edhe detyrat që dilnin para institucioneve shtetërore (pra shtetit) ishin të reja, por nuk ishin të lehta për t’u zbatuar, si p.sh.shuarja e gjakmarrjes, dënimi i krimeve, caktimi i njerëzve të përshtatshëm në organet e drejtësisë, forca e ligjit dhe mbi nëpunësit e korruptuar, etj. Këta faktorë qytetërues e nxitën atdhetarin dhe artistin Kel Marubi të përjetësonte operacionin e dorëzimit të armëve në një fotografi artistike, që më vonë do të merrte edhe vlera historike e dokumentare. Fotografimi i malësorit e aq më tepër bajraktar, duke dorëzuar armën, nuk duhet të ketë qenë më i lehtë se dorëzimi faktik i saj.
Po fiksohej heqja e “gjymtyrës së pestë” te shqiptarit, gjë që do të shoqërohej doemos me dhimbje si çdo operacion. Për të bindur malesorin plak që të fotografohej, Marubit tashmë burrë i pjekur i ka shërbyer emri shumë i mirë si atdhetar, fotograf e njeri i ndershëm, si dhe aftësitë e tij komunikuese dhe respekti që gëzonte në Shkodër dhe në krahinat e saj.
2. MIDIS KANUNIT DHE LIGJIT
Siç është përmendur më lart, fotografia pasqyron nje çast nga dorëzimi i armëve nga ana e popullsise civile, përfaqësuesve të shtetit. Thënë ndryshe, ajo na sjell pikën kulmore të përplasjes ndërmjet kanunit dhe ligjit, traditës dhe qytetërimit, bashkësisë së fiseve dhe shtetit të organizuar. Kjo pikë në fund të fundit kishte të bënte me të drejtën e armës ose pronësinë mbi armën. Në Shqipërinë e veriut vepronte kanuni i Lek Dukagjinit, ndërsa në jug kanuni i Papa Zhulit. Arma sipas kanunit të Lek Dukagjinit, ishte mjeti i domosdoshëm që një shqiptar të ishte burrë me nder: ”Kur i merret burrit ndera ? – Me ia marrë armën e krahit a të brezit “(12). Në kanun arma nuk është istuticion me vete, por në të, ndjehet institucioni i armës.Ajo ishte si puna e femrës, komentet për të ishin rreptësisht të dënushme.
Operiacioni i dorëzimit të armëve si në të gjithë Shqipërinë u krye edhe në krahinën e Shalës së Shkodrës.Kjo krahinë është përmendur në historinë e vendit në luftrat për pavarësi kundër turqve dhe malazezëve. Për t’u përmendur nga historia e Shalës është edhe ngjarja e vitit 1816, kur veziri turk i Shkodrës thirri shtatë kryetarë fisesh nga Shala në sarajet e tij për ti vrarë. Ata e kuptuan dredhinë tij dhe me armë dhe trimëri e sfiduan vezirin.Kjo ngjarje është përjetësuar nga artisti i popullit Nderk Luca në dramën e njohur “Shtatë Shalianët”. Gjergj Fishta shkruan për krahinën e Shalës në “Lahutën e Malcisë”(13), “Mjafte me thane Shala mizore / N’za per pushke, kjo, e buke e ndore”.
Mark Milani (1833-1901), vojvoda malazeze që i ka njohur shumë mirë shqiptarët ka thënë për Shalën se “Shala nuk i dorëzon armët pa lënë kokat, dhe as kokat s’i dorëzon pa armë“(14). Studiuesja amerikane Rose Wilder Lane që udhëtoi në Shqipërinë e Veriut dhe në Mat më 1922, pasi mbeti shumë e hapitur dhe e kënaqur nga shqiptaret, sjellja shkruan per nje malesor te Shales: “ishte fytyra me e bukur qe kisha pare ndonjehere”(15), dhe me tej vazhdon po per ate krahine:”pa dyshim, ne ishim ne mesin e njerezve me te sjellshem ne bote”(16). Shaljanët kanë qënë shumë bësnikë ndaj normave të kanunit(17). Në këtë krahinë kemi një gërshetim harmonik të atdhedashurisë me kanunin. Këtej kanë dalë figura të njohura atdhetarësh si Mehmet Shpendi, Mark Lula, Kol Ndou etj,.E pra këtë krahine zgjodhi patrioti dhe fotografi Kel Marubi për të përjetësuar në fotografi operacionin e rëndësishëm të dorëzimit të armëve nga popullsia civile. Fotoja ngërthen idenë se ndeshjen ndërmjet kanunit dhe ligjit për të drejtën e armës në Shqipëri e ka fituar ky i dyti. Por kjo nuk mbaroi me kaq. Për fatkeqësi a mallkim të shqiptarëve kjo ndeshje do të kishte shumë pjesë.
3. PERSONAZHET
Dy përsonazhet kryesore të fotografisë janë kapiteni Mark Raka, oficeri në qendër të fotos, ulur që merr armën, dhe kryetari i fisit të Shalës ose bajkatari i Shalës që në vitin 1922 ishte Lush Prela plaku me veshje malësori që dorëzon armën. Bajkatari i Shales, Lush Prela është nipi i Mark Lules, përfaqësues i Shalës së Dukagjinit në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, i shquar në luftrat për pavarësinë e vendit ….”
Në prill të vitit 1913, Lush Prela ka ngritur flamurin kombëtar në Shalë(18). “Lush Prela mer pjese aktive ne pergatitjen dhe firmosjen e nje proteste qe i dregohej Konferences se Paqes ne Parise, me 1919, ku tregohej vendosmeria per te mbrojtur deri ne vdekje tokat shqiptare.”(19). U vra nga shërbimet sekrete serbe në tokat shqiptare në Malin e Zi në vjeshtën e vitit 1925, bashkë me dy djemtë e tij “(20). Një nga vajtimet në vdekjen e tyre ishte aq pikëlluese dhe aq e bukur sa më pas për shumë kohë këndohej si këngë në raste të ndryshme(21).
Kapiteni Mark Raka lindur në Shirokë të Shkodrës më 1890 ka kryer studime ushtarake në fillim të Innsbruck të Austrisë e më vonë në Bari të Italisë ku më 1913 u titullua oficer me gradën nëntoger(22). Më 28 nëntor 1915 Mark Raka bashkë me atdhetarë të tjerë ngriti në qendër të Romës flamurin kombëtar dhe për këtë u internua 3vjet në një ishull të Sicilisë(23). Më 1919 u kthye në Shqipëri dhe më 1920 ka qenë përfaqësues i Milicisë Shqiptare dhe ka shoqëruar Qeverinë e dalë nga Kongresi i Lushnjës për në Tiranë, kryeqytetetin e porsashpallur.Në vitin 1921 kapiteni Mark Raka “ka marrë pjesë në shtypjen e kryengritjes antikombëtare të Mirditës “(24).Në vitin 1922 emërohet nga Ministria e Brendshme që të drejtonte operacionin e dorëzimit të armëve për Shqipërinë e Veriut.Më 1924 Mark Raka si shumë ushtarakë të tjerë mori pjesë në Lëvizjen e qershorit që rrëzoi qeverinë e asaj kohe dhe që krijoi një qeveri të re me kryeministër Fan Nolin.Ky e caktoi në fillim Mark Rakën kryekomandant të vendit (për vendin), pastaj vetëm për Shkodrën dhe krahinat e saj. Me rrëzimin e qeverisë së Nolit, burgoset. Më 1925 lirohet nga burgu dhe shkon në Malin e Zi ku vdes në gusht të vitit 1926 në një aksident e përgatitur mirë nga qarqe shoviniste antishqiptare në afërsi të Cejtinës.
Kapitenit Mark Raka iu bë një varrim madhështor nga shqiptarë që jetonin në Malin e Zi dhe nga shumë të tjerë të vuajtur posaçërisht nga Shqipëria. Më 1993 Kuvendi Popullor e dekoroi (pas vdekjes) Mark Rakën me “Urdhërin për veprimtarinë patriotike “të klasit të parë”(25). Eshtrat e tij ndodhen ende në Cetinje të Malit të Zi, atje ku u varros rreth shtatëdhjetë e pesë vite më parë.
Përveç kapitenit Mark Raka dhe bajraktarit të Shalës Lush Prela, në foto përfshihen edhe persona të tjerë të njohur e të përmendur në krahinën e Shkodrës e më gjerë, si Gaspër Pali (i pari majtas), Serafin Mazreku (i dyti majtas), Mul Deliu (nga e djathta në këmbë), Gjysh Deda ( i dyti nga e djathta në këmbë), Gaspër Mosi (i pari djathtas ulur) dhe Kol Çamuku (i pari djathtas në këmbë).
Gasper Pali – (1899-1972), ushtarak me origjinë nga Shkodra, gradën major e ka marrë në vitin 1935. Në vitet ’40 ka arritur deri në detyrën e shefit të zyrës së përgjithshme të mobilizimit.Si shumë ushtarakë të tjerë të lartë shqiptarë ka kundërshtuar luftën italo-greke.
Serafin Mazreku – (1890-1970). Me origjinë nga Kosova.Ka kryer shkollën pedagogjike në Austri dhe ka shërbyer si arsimtar në Shkodër, Korçë (lice), Vlorë (tregtare). Në vitin 1922 ka qënë sekretar i prefekturës së Shkodrës dhe në foto paraqitet duke i dhënë letrën e qeverisë Bajraktarit të Shalës. Ka patur grua motrën e Luigj Gurakuqit dhe ka qënë babai i Anton Mazrekut.
Mul Deliu (Bajraktari) – (1896-1952). – Ka lindur në Hot. Djali i Deli Metës, bajraktarit të përmendur në luftërat kundër malazezëve.Ka studiuar shkollë ushtarake në Austri.Më 1921 ka marrë pjesë në shtypjen e lëvizjes separatiste të Mirditës e më vonë ka mbuluar detyra të ndryshme në ushtri.Në vitin 1944 internohet nga gjermanët në kampe përqendrimi, nga ku u lirua në vitin 1945.Në emigracion u bashkua me grupet antikomuniste, pa veprimtari të veçantë. Ka vdekur në Siri. Më 1994 iu sollën eshtrat në Shqipëri për tu prehur në vendlindjen e tij, Hot(26) .
Gjysh Deda (1891-1947). – Nga një familje patriotike e Shkodrës. Ka kryer studimet të larta ushtarake në Itali. Në vitet ’30 ka qënë qark-komandant i Korçës. Gradën major e ka marrë në vitin 1931. Është pushkatuar në vitin 1947 nga diktatura komuniste(27).
Gasper Mosi – Student në kolegjin Saverian. Më vonë ushtarak me gradë toger. Ka jetuar në Malin e Zi.
4. TEKNIKA E FOTOGRAFIMIT
Marubi e ka realizuar fotgrafinë në një mjedis me dritë natyrore të shpërndarë që u bie figurave nga krahu i djathtë. Ajo nuk krijon hije të forta dhe të theksuara, por është e mjaftueshme për të ndriçuar fytyrat e pothuajse të gjithë pjesmarrësve në mënyrë të atillë që të pasqyrojë qëndrimin e tyre ndjesor për atë që po ndodh. Fokusimi i pamjes, diafragma e aparatit dhe koha e ekspozimit janë ndërthurur nga mjeshtri fotograf në kufijtë e persosmërisë duke na dhënë një fotografi mjaft të pastër teknikisht. Kjo shihet edhe në një riprodhim me përmasa 2 x 4.5 metra që ndodhet në një nga hollet e Ministrisë së Kulturës. Ajo ka një qartësi të konsiderueshme, sidomos po të kemi parasysh se negativi në pllakë xhami është bërë mbi 80 vite më parë.
5. KOMPOZIMI ARTISTIK
Fotografia “Kapiteni Mark Raka dhe Bajraktari i Shalës” nuk është e aty –per-atyshme. Fotografi e ka kuadruar mire e bukur gjithçka do fiksonte në pllakë xhami. Kështu që në foton e stampuar ka fare pak sipërfaqe parazitare.
Ajo është e studiuar dhe e kompozuar si një çast nga skene teatri ku zhvillohet një dramë, e po ashtu na kujton edhe bocetet e piktorëve të filmave kinematografikë që përmbledh në një pamje të vetme dramacitetin e një akti të tërë, duke shpalosur kështu aftësitë e mjeshtrit fotograf si një regjizor dhe skenograf. Qendra e rëndesës problemore e fotos përfshin treshen që përbëhet nga civili me kostum të zi që lexon dhe dorëzon letrën e Qeverisë, bajraktarit të Shalës që merr letrën dhe dorëzon armen dhe kapiten Mark Raka i cili po merr me te dy duart pushken.
Të tre keta persona jane lidhur ndërmjet tyre nga marrëdhënie institucionale (zyrtare) dhe shoqerore (besa) që edhe pse nuk kanë dinamikë pamore, kanë një dramaticitet të veçantë. Me vështrimin e tij të përqendruar mbi letrën që merr dhe jo drejt pushkës që dorëzon, plaku të krijon përshtypjen se nuk do të ketë të bëjë më me armën, të shkuarën, por me shtetin, ligjin, të ardhmen. Plaku vërtet po dorëzon armën e krahut (sipas ligjit) gjë që pas tij do ta bëjë i gjithë fisi (autoriteti i bajraktarëve të fiseve ishte mese ligjor), por ai që po ia merr, kapiteni është i ulur, pra ndjen një epërsi çasti. Plaku vërtet po dorëzon pushkën, gjithmonë si i pari fisit, por në brez mban një nagant të stolisur, nga i cili do të ndahet vetëm kur të mbylli sytë, pra me dinjitetin e malësorit. Në qendër të fotos vërejmë dy elementë që marrin vlera simbolike. Ato janë pushka mbrapsht (sipas traditës kështu jepet pushka kur dorëzohet) dhe dora e majtë e plakut të Shalës qe jo rastësisht ndodhet në boshtin optik të fotografisë dhe që është fiksuar nga fotografi –artist, e lëshuar dhe e pafuqishme. Ndonëse përcjell dhimbje, ajo nuk pasqyron dobësi. Mbase intuita artistike e Marubit ka bërë dallim ndërmjet dorës së djathtë (përgjithësisht e mbara) që merr letrën që përfaqëson ligjin-shtetin dhe dorës së majtë që dorëzon pushkën, burim vrasjesh dhe gjëmash.
Çuditërisht, pushkën e dorëzon një dorë e mbështjellë me një mëngë të bardhë këmishe (rastësi e plotë) ne na kujton simbolin e dorëzimit në betejat luftarake. “Dora e majtë me kanu (kanun) quhet e pandershme(28). Fotografia të mban gjatë duke e shikuar. Ka një qetësi solemne, po ashtu edhe përzemërsi, që duket edhe nga afërsia fizike e personave, si dhe nga duart e hedhura mbi supet e njëri – tjetrit.
Dy figura në plan të dytë, një civil dhe një ushtarak të mbajtur nga fotografi në tone të errta, e shqetësojne pak frymën paqësore. Ushtaraku shkruan një dokument, mbase proces verbalin e dorëzimit, ndërsa civili e shikon me njëfarë mosbesimi. Kjo dyshe ndoshta pasqyron faktin se gjatë operacionit të dorëzimit të armëve jo çdo gjë ka shkuar vaje. Në kontrast me këtë figurë interesante dhe simpatike është malësori i ulur këmbëkryq (shqiptarçe) që rri mjaft rehatshëm në foto, ai ka një shikim të qetë e me plot besim se ajo që po ndodhte nuk do të sillte të këqija. Një nga motivet kryesore që e bën të realizueshëm operacionin e dorëzimit të armëve, ishte besa që u kërkoi shteti atyre që kishin armë dhe që ata gjithsesi ia dhanë. Për shqiptarët dihet se institucioni i besës (te drejtës kanunore), ishte shtylla kryesore ku mbështetej jeta dhe veprimtaria e tyre. Por tani nuk flitet për besën ndërmjet dy njerëzve apo dy fiseve. Kjo është besë e re, besa e shtetit me shtetasit e tij, që në fund të fundit i bënte shqiptarët e ç’armatosur që të “ishin në besë të shtetit” për t’i mbrojtur ata nga rreziqet e mundshme. Kjo besë ishte disi e veçante dhe e pa provuar më parë, e për ta arritur atë, duheshin motive të forta atdhetarie, karakteri, burrërie dhe institucionale (ligjore).
E malësori i ulur këmbëkryq i pasqyron këto motive dhe njëkohësisht i shikon tek ata që edhe në emër të tij po bëjnë diçka që ishte e pandodhshme dhe e pabesueshme: shqiptari po i dorëzonte armën shtetit. Marubi e kufizon fotografinë majtas dhe djathtas me dy persona që qëndrojnë në këmbë plot dinjitet, por njëkohësish kanë edhe butësi. I pari majtas, oficeri me kostum të hirtë, ka hedhur dorën mbi supin e civilit, përfaqësuesit të shtetit qe lexon letrën, ndërsa civili në cepin e djathtë të fotos me veshje qytetari, ka mbështetur dorën e djathtë në supin e oficerit me kostum të bardhë. Këta të dy (skajet e fotos ) lidhen psikologjikisht me grupin qëndror, qoftë nga gjendja e tyre (ushtarake dhe civile), qoftë edhe nga vemendja me të cilën shoqërojnë atë që po bën treshja kryesore. Kompozimi linear (horizontal) i fotografisë i shërben qetësisë, pajtimit, njëmendësisë (rënies dakord), por dramaticitetin e brendshëm pasqyron rritja graduale e kontrastit tonal kur syri vijon shikimin nga e majta në të djathtë. Shikimi gjithmonë duke lëvizur nga e majta në të djathtë të fotos, has në të gjitha tonalitetet e gamës bardhë e zi të alternuara nga artisti me një farë rregullsie thuajse sinusodiale. Ky alternim, qoftë dhe i rregullt tregon se kemi të bëjmë me diçka dramatike që me vështirësi e përmbajnë personazhet, sidomos siç është thënë më sipër, dy përmbylltësitë e fotos, ushtaraku majtas dhe civili djathtas. Konfiguracioni i pjesës së sipërme të fotos të sjell ndermend majat dhe kreshtat e maleve; ndoshta edhe kjo hyn në ato gjetjet artistike që Marubit i kristalizoheshin në çastet e frymëzimit me tepër nga intuita artistike se sa nga një mendim i ftohtë. Po ta ndajmë foton në një bosht vertical imagjinar në mes, do kemi dy pjesë, njëra me tre veta, tjetra me tetë veta, pra një asimetri numerike. E megjithatë mendoj se të dy pjesët janë në barazpeshë nga ana kuptimore, kanë të njëjtin dramacitet, pra janë në një simetri ideore. Marubi e ka shkrepur aparatin e tij bash në “sekondën e artë”, aq të kërkuar nga fotografët që në rastin tonë perputhet me pikën kulmore të subjektit. Fiksimi i pamjes qoftë edhe një sekondë më parë kur pushka ishte vetëm në dorën e plakut qoftë ndonjë sekondë më pas kur ajo do të mbahej nga kapiteni Raka do të zbehte mjaft forcën artistike të fotos dhe do të pengonte përcjelljen e të gjithë atyre vlerave dhe ngacmimeve të këndshme që realisht ka dhe jep ajo. Larmi domethënëse në fotografi kanë mbajtjet e duarve që nuk përsëriten nga njëra figurë te tjetra.
Shprehëse sidomos janë duart e malësorit këmbëkryq e djathta e kontraktuar mbështetur në gjurin e tij, ndërsa e majta ka kapur dorën e ushtarakut ulur pranë tij. Duart e tyre kapura me njëra –tjetrën thuajse në mënyrën të pavetëdijshme dhe ndonëse nuk bien në sy menjëherë, kanë një ngarkesë emocionale të veçante dhe rrisin ndjeshëm vlerat artistike të Fotografisë. Përfundimisht mendoj se nivelin artistik të subjektit që ka arritur kjo fotografi vështirë ta arrinte piktura e zakonshme. Renditja e kësaj fotografie nga komisioni artistik i shtëpise botuese”Phaidon” nder 500 më të mirat e botës në 150 vjet, pa njohur subjektin që ia rrit teper vlerat tregon siç u shtjellua më sipër se kompozimi i saj artistik është mjaft i arrirë. Marrë së bashku trajtimi historiko-shoqëror dhe ai artistik e ngrejnë fotografinë në simbol dhe e bëjne atë të qëndrojnë si e barabartë me ajkën e simotrave nga e gjithë bota.
6. SI MBYLLJE
Fotografia “Kapiteni Mark Raka dhe Bajraktari i Shalës“ e fotografit të madh Kel Marubi, ka vlera të theksuara historiko-shoqërore, artistike dhe edukative. Ajo pasqyron nevojën historike të kalimit nga koha e kapedanëve (bajraqeve, fiseve ) në kohën e institucioneve (ligjit, shtetit). Pra ishte hapur rruga drejt qytetërimit, kohëzgjatja e së cilës do ti shtonte vlerat Fotografisë. Për këtë ajo ka theks të mprehtë bashkëkohor dhe kumte domethënëse. Nga ato mësojmë se shqiptarët edhe gati një shekull më pare me gjithë prapambetjen e tyre materiale dhe kulturore kanë mbështetur ligjin për të mirën e tyre dhe të vendit. Fotografia mund dhe duhet të shërbejë si një fare ikone për shqiptarët, në duart e të cilëve lëvrijnë ende mjaft armë për të keqen e tyre edhe në këtë fillim mijëvjeçari. Gjithashtu mësojme se arti fotografik në Shqipëri është aq i vjeter dhe aq cilesor sa në shume vende të Evropës. Kjo sidomos edhe në sajë të dinastisë Marubi, e veçanërisht të Kel Marubit, nderimi për të cilët deri tani është mjaft i mangët.
___________________________________________
1)- Bushati H.-Shkodra dhe motet- Shkodrër,1998-vol.1-faqe 558
2)- The Photo Book – Phaidon- London, 2000-faqe 302
3)—Albania- Volto dei Balcani – Torino, 1996 –faqe 120
4)—Bisedimet e Këshillit Kombetar , viti 1922 faqe 245
5)—Historia e Shqipërisë- Tiranë, 1965- vol. 2- faqe509
6)—Gazeta “Drita”- Gjirokaster-shkurt 1922
7)—Vllamasi S.- Ballafaqime politike- Tiranë, 1995-faqe 199
8)—Fisher B.—Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri- Tiranë, 1996—faqe 73-74.
9)—Selenica T.- 10 vjetë mbretëri- Tirane, 1938
10)—Fisher B.- vepër e cituar faqe 47
11)—Gazeta “Fjal e lirë- Vlorë, 2.2.1922
12)—Kanuni i Lekë Dukagjinit- Tiranë, 2001 faqe 64- nr.601
13)—Fishta Gj.—Lahuta e Malcisë- Tiranë,1999-faqe 16
14)—Milani M.- Jeta dhe zakonet e shqiptarëve- Tiranë, 1995- faqe 41
15)—Lein R.U.- Majat e Shalës- Prishtinë, 1977- faqe 20
16)—Lein R.U.- Vepër e cituar faqe 110
17)- Cukeli N.- Mark Lula – Kryeprijsi i Dukagjinit- Shkodër 1999
18)– Shqipnia para Konferences së Paqes – Shkodër, 1920 faqe 42
19)—Cukeli N—Vepër e cituar faqe 27
20)– Cukeli N—Vepër e cituar
21)—Bota Shqiptare – Tirane, 1943 faqe 429
22)—Gazeta “RD”—17Gusht 1992
23)—Gazeta “Republika”—20 Janar 1994.
24)—Vllamasi S.—Vepër e Cituar faqe 180
25)—Gazeta “Koha e Re”—Janar 1994
26)—Gazeta Shqiptare—28 Gusht 2002
27)—Bushati H. –Vepër e Cituar—Vol. 1-faqe 153
28)—Kanuni i Lek Dukagjinit—vepër e cituar faqe 67 nr.646