Nga Albert Vataj
Ajo ishte një histori dashuria që mbretëroi epokat dhe sundoi forcat ndaluese dhe pengimin. Abelard dhe Heloiza, ishte dhe mbeti amshueshëm një dashuri plot pasion, dhe një tragjedi që dhemb dhe kafshon. Shkreptiu qindra vite larg dhe ndrit edhe sot mbi përmendoren e asaj forcë sovrane që bashkoi dy zemra dhe himnizoi një dashuri. Kanonikja, kisha, morali ishin ndëshkuesit e pamëshirshëm të asaj ndjenje, të atij flakërimi që ka ditur gjithnjë të mrekullojë botën, të pasurojë qytetërimet dhe të mbetet e pandëshkueshme edhe përballë ligjit mizorë të vdekjes. E tillë ishte edhe dashuria Abelard -Heloiza.
Filozofi francez, pinjolli i një familjeje fisnike, Pierre Abelard, po kaq sa për idetë e tij revolucionare, ai ka hyrë në kujtesën e botës përmes dashurisë për të cilën u ndëshkua me zhburrërim dhe letërsisë epistolare ku ai u përfshi pas cakut të trishtë që preku zemra e tij e lënduar. Një dashuri si ajo mes, Abelard dhe Heloiza, një kundërvënia ndaj mendësisë dhe rreptësi puritane, po kaq furishëm sa ajo u përjetua, po kaq trishtueshëm dhe mizorisht ajo mori fund. Por nuk u fik ai prush, ajo shpuzë, ajo forcë e shndërrimit të ndjenjave në cakun e kapërcyellin e kohës dhe përplasjes shkundullitëse me kishën. Ajo dashuria, ishte dhe mbeti një emblemë e historive të dashurisë që përcëlluan me pasion çdo ndjenjë, e cila u desh të paguante me zjarrin më të epshëm të ferrit parajsën e kopulimit të zemrave dhe shpirtrave, trupave dhe epsheve.
Pas peripecish dhe kontradiktash me rivalë dhe pikëpamje të tij filozofike, Pierre Abelard mbërriti në Paris rreth moshës 30-vjeçare dhe hapi në malin Sent Zhenevievë, në zemër të lagjes së sotme “Latën”, shkollën e vet filozofike. Ishte viti 1115 kur ai u bë drejtori i shkollës së katedrales Notre-Dame, ku dha me shumë sukses mësim. Këtu të riut filozof i shkreptiu vezullimi i një lidhje dashurie me njërën nga nxënëset e tij të shkëlqyera, Heloiza, mbesën e kanonikut Fylber. Nga kjo lidhje lindi një djalë, Astrolabi, dhe dy të dashuruarit u martuan fshehurazi. Por pasi xhaxhai i saj, Fylberi, e futi Heloise në manastirin e Arzhentëilit, e hamendi si të ndarë dhe, për të vënë në vend nderin që mendonte se ishte përdhosur, në një nga netët e vitit 1118, urdhëroi që Aberaldi fatkeq të kapej dhe të tridhej. Dhe ashtu ndodhi, i riu u ndëshkua mizorisht. Filozofi, i trajtuar në këtë mënyrë, u tërhoq në manastirin e Sen-Denisit, pranë Parisit. “Historia e fatkeqësive të mia”, shkruar nga Pier Abelardi më 1135 dhe letërkëmbimi i tij me Heloiza, i bënë ata një nga çiftet më të njohura të letërsisë. Historia e tyre frymëzoi shumë vepra në shekujt që pasuan.
Abelardi dhe Heloiza rreshtohen mes dashnorëve më të famshëm të botës, falë letërkëmbimit që ka mbërritur deri tek ne. Pas ndarjes së detyrueshme me të dashurin, mbesa e hakmarrësit Flyber, Heloiza u vesh murgeshë, por mbeti e pandashme shoqëruesja shpirtërore e Abelardit. Zhan Zhak Rusoi (1712-1778) u frymëzua nga letërkëmbimi i tyre për të shkruar në vitin 1871, “Zhyli ose Heloiza e Re”, një roman epistolar nëpërmjet të cilit ai parqet parimet e thella të filozofisë së tij shoqërore dhe morale.
Abelardi u nda fizikisht me Heloiza, me dashurinë e saj që u desh ta pagunte shumë shtrenjtë, por vazhdoi veprimtaritë e tij shkencore në manastir. Në përpjekjen e tij për të pajtuar besimin dhe arsyen në teologjinë e tij, u përplas shumë herë me armiqësinë e hapur të teologëve ortodoksë të Kishës dhe kryesisht me kryemurgun me shumë ndikim (shenjtin e ardhshëm), Bernar de Klervo, që mbronte pastërtinë e doktrinës.
Më 1121, në Suason, Bernari arriti ta dënonte për herë të parë Abelardin për herezi. Më pas, si në manastir ashtu edhe në përpjekjet e shumta për t’u kthyer në Paris si mësues teologjie dhe filozofie, Abelardi u ndesh me kundërshtarë të egër. Një proces i ri fetar, mbajtur më 1140, këtë herë në Sans, përfundoi me një dënim të dytë, që e detyronte të digjte librat e veta me dorën e tij. Kur po shkonte në Romë për të mbrojtur çështjen e tij te Papa, Abelardi u sëmur dhe u prit nga Pjer lë Venerablë në manastirin e Klynit, ku vdiq më 21 prill 1142. Përveç veprës së titulluar Sic et non (Po dhe jo, midis viteve 1121 dhe 1140), që e bën një nga themeluesit dhe përfaqësuesit e metodës skolastike, janë edhe shkrimet e tij, sidomos ato për logjikën dhe etikën, që tregojnë për vendin e rëndësishëm që zë në filozofi.
Ky ishte Pierre Abelard, ai që mësoi shkencat dhe filozofinë në Paris mesjetar, dhe po kaq i famshëm ai mbeti në histori si një joshës. Dashurie e tij me 17-vjeçare Heloize lëkundi themelet e brishta të moralit puritan dhe ndëshkoi zemrat e drobitura të pasionit. Nga intensiteti fizik i marrëdhënies së tyre, bashkimi i Heloise dhe Abelard u shndërrua në në një lidhje shpirtërore, që do të rendte flakatare midis një njeriu të thyer dhe një gruaje jokonvencionale që guxoi t’i jepte shpirtit atë nektar që pllenon ende sot të tilla dashuri, të cilat dhunshëm i ndan koha dhe diferencat, kodet dhe morali, por jo zemra. Pavarësisht se janë shuar në ekzistencën e tyre fizike, të dashuruarit Abelard dhe Heloiza janë të bashkuar në përjetësi, duke u prehur pranë njëri-tjetrit banorëve mitikë të varrezës së Pere Lachaise.