FAQE NGA DITARI IM I PERULESISE
Megjithëse aftësia jonë për të perceptuar një nga dilemat thelbësore të asaj, se pse femrat janë për dashurinë dhe meshkujt për seksin, ka shprehur përulësinë e një ofrimi angazhues, ajo ende sorollatet si beduini nëpër shkretëtirë.
Pse, femrat janë për dashurinë dhe meshkujt për seksin?!
Pse kaq shpërfillëse dhe me interes kafshëror kjo afri te meshkujt dhe kaq e lartë, e shenjtë dhe solemne ka qenë dhe ka mbetur ajo tek femra?!
Këtu ndahet me një krisje të thellë vetë sinteza e shenjtërisë së jetës. Sa më thellë që qytetërimi ngul thonjtë mbi kurmin tonë, aq më afër shpellave i qaset vetëdija dhe ndërgjegjja në kuptimin ndjesor dhe dominues në marrëdhënie me dashurinë dhe seksin.
Moderniteti e ka zhveshur dhe zhbërë gjithçka idilike të atij angazhimi qeniesh dhe trupash, ndjesish dhe përjetimi, shpirtrash dhe synimesh. Edhe ajo që mund t’i shpëtonte këtij transformimi gradualisht po shteron, për të transformuar këtë qenie të gjallë në një mekanizëm.
Terrori i jetëve tona apatike, sipërfaqësore, shteruar prej çdo zjarri dhe yjësie, e ka të vështirë ta perceptojë, se si mund të jenë përfshirë në zjarrin e dashurisë ata që jeta u ka mundësuar fare pak gjëra, por ata kanë ditur të shpërblehen me përjetësi e atij eteri që ende vibron në shtatin e epshëm të ndërmendjes . Kujtojmë këtu dhjetëra dhe qindra histori dashurie, të cilat i hymnizoi arti dhe i ka rrokur e në një shtrëngim valë, e përgjithmonshmja.
Kujtesa ruan përmes artit histori të tillë dashurish, kopulime epik shpirtrash që lartëson në hyjninë e besimit, pasionin, atë idil, për të cilin vullnetlirë janë flijuar shpirtra, vetëm e vetë për t’u parë ndoshta një herë të vetme me atë vezullim, shkreptima e të cilës ndez çdo nerv dhe ysht çdo qelizë në pjesëmarrjen e krijimit.
Koha na ka shpërblyer me aftësinë e zhvillimit të shqisave, jo për të përjetuar qiellore, të lartën ndjenjë të dashurisë, por për të bërë ballë çdo lloj poshtërsie, sado e rafinuar dhe mjeshtërisht të orvatet ajo të gjejë tek ne viktimën. Ndalimi dhe ligjet kanë zgjuar tek ne aftësinë për të kërkuar dhe gjetur zgjidhje që tejkalon aftësinë tonë të sundimit të dijes, por këtë e ka bërë duke shkretuar dhe shkatërruar çdo magjepsje dhe mrekullie, ku feksin shkëlqimtaret dashuri të hyjnizuara, ata të qielltat, ata zjarrmëtarët energji transformuese të njeriut nga balta në dritë.
Dashurisë, asaj i blatohet çdo moment, çdo çmenduri, duke besuar se po i shërbehet një bime, e cila ka nevojë vetëm të vilet, dhe jo një luleje, të cilën e sjell në jetë për të na shpërblyer një vullnet i epërm, ajo forcë që e shndërron adhurimin tonë magjepsës në gjithçka, me të cilën kjo dehëse rritet dhe zbukuron.
Shuma marramendëse dhe përulësi jargavitëse i ofrohen asaj, jo për atë të larten shkallare që na shpie në qiejt e pazbuluar të galaktikave, se sa në atë mizoren, sadisten, narcizisten ndjenjë të zotërimit. Atë e duam si pronë dhe për ta mbajtur japim gjithçka, por pa mundur ta bëjmë asgjë, të tillë, për të cilën ka zbritur nga qielli në tokë.
A keni provuar ta kundroni gjatë, atë, tek e cila një urë pasioni ju ka çuar ku dot nuk do të mund të shpinte asnjë sipërmarrje. Ta shikoni me ngulm dhe adhurim. Të ndjeheni i magjepsur prej saj, syve dhe buzëve, lajkave dhe shkujdesjes, drojës dhe ngurrimit. Ta kundroni dhe ndërsa keni filluar ta pini dhe dehja tu ketë kapluar, të thërrsni nga më të epshmet fjalë, ato më të zjarrtat, e me ta, të ngjyeni këtë tablo, ta prekni këtë dritë, ta thithni këtë ajër, ta shenjtëroni këtë mundësi, duke e parë atë si të fundit, si të mbramen dhe të vetmen, me të cilën një solemnitet ju ka mëkuar dhe bekuar.
Ju mund ta sundoni një tërësi fizike, mund të jeni zotërues i një përkujdesi dhe manifestimi joshës i gjithë atij ansambli anatomik. Ju mund të derdhni mbi të gjithë llavën e limfës suaj, e të merrni senithin më shpues të sadizmit, përmes zërave përgjërues dhe apokaliptik që stolis ai kurm që jepet, vetë çasi do të mbajë në evidencë një nga ato përplasje që mijëfishohet çdo sekond në galaksi. Do të keni gjithçka që përmbush egon tuaj, pa bërë hesap se çfarë mora dhe çfarë mu desh të jepja, por ajo që do t’u mbetet është një vegim, i cili i ngjizur ashtu ngulmët cek në iluzion.
Ajo që do tu mbetet është asgjë.
Preja dashurore nuk do të të kujtojë për paratë që keni flijuar vetëm e vetëm që të ndërseni mbi të murosjen hormonale dhe babëzinë shtazore. Tek ajo nuk mbetet asgjë nga ai sadizëm dhe ngulm i përbindshëm që bart si detyrim burrëror për të nxjerrë nga thethësitë e saja më të errëta titanët e nënshtruar të shpellës. Gjithë ai vezullim sendesh dhe objektesh, gjithë ajo përulje dhe devocion i treguar për ta shndërruar gjithçka ëndërrtare të sajen në reale, do të treten. Ajo që do të mbetet është ajo që dikush fatlum ka mundur të fsheh në shpirtin e saj, dhe është, ai vështrim i ngulmët dhe ngjethës, ajo prekje e drojshme dhe drithëruese, ato fjalë të prushta dhe puthje ëmbëlake, ato shikime tinzare dhe ajo frymëmarrje që të hov gjoksin. Kaq pak për të mbetur në zemrën e një gruaje?!