Mike, i kam kërkuar përulësisht mirësisë suaj të më shpërblejë me mirënjohjen më të denjë që mund t’i dhurohet një miku duke e dëgjuar.
Nëse jeni e zënë me ndonjë impenjim dhe gjithëkjo që u’a kërkova tejkalon mundësinë tuaj për të më ofruar vëmendje, përulësisë që më motivon në këtë rrëfenjë, s’ka pse t’i bësh vend me lëndim, nëse më mbetet të pres. Nëse koha dhe interesimi juaj janë ajo pritje solemne që më jepet, kam mirësinë t’i flas dëgjesës suaj, së cilës i jam shumë mirënjohës.
Frekuentimi gjithnjë e më i dendur në rrafshin kohor i rrjeteve sociale, rrezikon ta dërmojë në mënyrë të pakthyeshme aftësinë tënde për ta menaxhuar me efikasitet ditën, por jo vetëm atë, edhe ofrimin mental dhe emocional, me të cilin pjesëmerr. Mike, nëse të duket alarmues, të siguroj se është fakt kokfortë, se ngado të hedhësh vështrimin, do të shohësh njerëz që kanë përqendruar vëmendjen e tyre drejt të njëjtit objekt, telefonit, i cili gjithnjë e më shumë po shndërrohet në një zgjatim shqisash dhe zevëndësim i tyre. Ulemi në kafe me të tjerë, me të tjerë komunikojmë. Angazhohemi në veprimtarinë tonë prodhuese dhe s’ndjehemi të brejtur në ndërgjegje, nëse koha me të cilën ne shpërblejmë virtualitetin është tejet borxhli me minutat që shkëmbejmë në funksion të punës sonë.
Kthehemi në shtëpi dhe gjithnjë më pak u kushtohemi atyre të cilëve u përkasim dhe atyre që u detyrohemi. I rikthehemi bisedave bajate, komenteve idiote dhe një zakoni të shpifur, atij të shlyerjes së pëlqimeve. Ora si pa kuptuar na merr rrëshqanë duke na hedhur nga një boshllëk në një hendek gjithnjë e më të thellë. Po dëgjojmë gjithnjë e më pak pulsin e rrahjeve të zemrës dhe taftin e ngrohtë të afrisë fizike. Shohim gjithnjë e më turbullt gjërat që na qasen. Shquajmë gjithnjë e më keq gjendjet që na grishin. Jeta jonë është një jetë e huajtur dikujt tjetër, i cili ka “mirësinë” ta trajtojë atë me po kaq “përkujdesje” sa terri frikën. Dhe, kemi arsye të ankohemi se po vuajmë. Po jetojmë më intensivisht dhe po shijojmë gjithnjë e më keq. Edhe pse duam ta pasurojmë shpirtin me atë lumturi, të cilin kërkojmë ta mbushim më boshin e kësaj kohe që i blatojmë rrjeteve sociale, ne sërish jemi më të trishtuar. Na duket se gjithkush na e ka me të keq, madje edhe fati, dhe vetë atë që rënkon, që shtërzen nën këtë zgjedhë, nuk e kemi shpëtuar ende, as me pendim dhe ndjesë.
Jemi bërë skllevër të teknologjisë apo vrasës mizorë të kohës?! Këtë dilemë mike, askush nuk mund ta zbërthejë në tërësoren e saj, pa qenë i keqkuptuar dhe i paragjykues. Aftësinë tonë për të medituar e ka zëvendësuar paranoja e përgjimit. Gjithnjë e më pak dimë për veten tonë, krahasuar me çfarë mësojmë për jetën e të tjerëve. Kemi gjithnjë e më shumë miq dhe vetmia na bluan heshturazi më pamëshirshën e saj mizore. Kemi fatin të disponojmë mundësi të pafundme komunikimi dhe ende nuk kemi mësuar se si të ngremë ura, përveç atyre të përuljeve që ua ofrojmë në mirëbesim të tjerëve, që ata të mund të mbërrijnë më lehtë te poshtërsitë dhe perversitete e tyre.
Mike, fatkeqësisht na mbetet të thirremi më lehtësisht për të marrë pjesë në një debat poterisës, të gremisur në terr dhe pezëm, se sa në bashkëbisedimin e frytshëm të një pasurimi që bujarisht shkëmbejmë si qasje pozitiviteti. Jepemi më me zell sharjeve dhe përhapjes së avujve toksik të negativitetit, se sa të zgjedhim që me përulësi dhe mirëkuptim të gjejmë dakordësitë, që na thërrasin në një solidaritet civilizues. Turravrapim të ndajmë me të tjerët gjëra për të cilat do të ishim të mëdyshët t’ia tregonim edhe vetes.
Çdo gjë që ndodh në jetën tonë mund të jetë shumë interesante e shtrenjta mike, por harrojmë se çdonjëra nga ne lips të jetë në qendër të vëmendjes, duke pretenduar se oferta e jonë është më e lakmuar se çdonjëra sosh. Dëshirojmë të ndajmë me të tjerat atë që na bashkon, dhe fatalisht gjithnjë e më shumë shohim teksa zhytemi në një armiqësi që na helmon. Rrëmojmë me insistim në syprinën e gjërave të zakonshme, për të nxjerrë që andej në një servirje solemne, gjendje bajate dhe të neveritshme. Marrim mrekullinë e mrekullive të jetës, foshnjat, dhe nxitojmë t’ua tregojmë të tjerëve, pa menduar se po konsumojmë një nga krimet më të pafalshme të privatsisë dhe humanitetit. Shkojmë në infinitin e cakut që na udhëprin dëshira dhe mbërrijmë rëndom atje ku na privohet gjithçka.
Në këtë mundësi komunikimi nuk mund të bësh çfarë të duash mike, sepse shpesh kjo çiltërsi do t’u ndëshkojë. Por përpiqu të bësh atë çfarë i bën ballë çfarëdolloj poshtërsie dhe zemërligësie, atë që të imunizon nga kërcënimi i kepërdorjes, sepse mes kësaj shumësie miqsh, armiku më i rrezikshëm, me të cilën të bie të përballesh është smira, xhelozia, zemërplasja, që i tërheqë këta fatkeq në lojën e pamëshirshme të abuzimit, sepse ata nxiten të kenë këtë marrëdhënie për fajin e tyre pa faj, ngase e kanë të pamundur ta mbajnë të nënshtruar në thellësinë e vetes sunduesin e së keqes.
Gjithqysh mike, ka një metodologji se si mund të jesh ajo që duhet, jo tërësisht e gjithëpranuar, dhe… është trajtimi i rrjeteve sociale vetëm si një mundësi komunikimi ku lipset të jesh jo domosdoshmërish e përsosur, se sa vetvetja, ajo vetvete që priret të gjejë në këtë mundësi të bujarshme që ofron teknologjia, atë mik apo mike, me të cilen bashkohesh në më shumë gjëra se sa ndahesh. Nëse ke vendosur të gjesh mikun më të mirë se veten, përpiqu të jesh mirëkuptuese, e sjellshme dhe tolerante, të ruash gjithnjë distancën e përcaktuar rreptësisht përmes vijave të kuqe. Duhet të mësohesh të pranosh se ka nga ata, të cilët kanë diçka për të thënë dhe nga ata që dëgjesa i trajton si të shpërblyer. Dituria e asnjërit nuk ka prekur apogjeun, sikurse fudulleku, i cili veçse na zhyt gjithnjë e më thellë në terrin e pamundësisë sonë për të merituar dritimin e gjërave që na përkasin.
Ne, të gjithëve, rrjetet sociale na kanë lidhur në një miqësi që e lartëson aftësia jonë për ta parë këtë të mundshme në një privilegj, me të cilën na shpërblen teknologjia, por sapo ky kufi shkelet, kjo magji prishet, dhe neve na mbetet të zvarritemi në baltën e shtirje dhe meskinitetit, megallomanisë dhe banalitetit. Aftësia jonë për të qenë çfarë duhet, dorëzohet pa kushte para nevojës për të treguar se cilët jemi.
Vërtetë ne nuk jemi të përsosur mike, por kjo mundësi komunikimi, njohjeje dhe iluminimi është një shans që na ofrohet për të pasuruar mendjen dhe shpirtin, sa kohë që me përulësi pranojmë se gjithnjë do të kemi diçka për të mësuar, shumëçka për të bashkëndarë.
Gjithsesi mbetem i mendimit se para se të akuzoj Facebook apo Instagram, më mbetet të merrem me veten, me gjithçka që e bën atë fajtor për këtë “masakër” ku ne bëjmë theror jetën tonë.
Mike, kurrsesi nuk duhet të pranojmë të jemi viktima të një sistemi shfrytëzues dhe manipulues, vetëm e vetëm se kjo e mundshme na ka bërë bashkë, na ka ftuar në këtë aventurë dhe shpengim lirish, në një botë që na mban të kyçur pas dyerve të urrejtjes, duke mos harruar të na kujtojë se sa pak i përkasim njëri-tjetrit.
Një vetëdije e kthjellët duhet të na thërrasë në takim me ndërgjegjen dhe të na bëjë me dije për çmimin, me të cilin ne blejmë këtë robëri, e cila është jo më pak kërcënuese se sa substancat narkotike, bixhozi, alkooli dhe vese të tjera.
Unë të hapa zemrën mike. Ty të mbetet t’i bësh vend brenda teje kësaj përuljeje, këtij devocioni, kësaj arsyeje që më motivon të të kem përgjithnjë ashtu siç je, e dlirë dhe shndritëse.
Yti, Alberti!