Artur Rembo i pëlqente katedralet… Ai fliste për katedralet që ndereshin në qiell. Bodler i pëlqente gjithashtu… Monet pikturonte në dhjetëra variante e tone ngjyrash katedralet e përhumbura të Reims apo të Milanos… Është dehëse një katedrale, është magjiplotë. Hygo do të shkruante për jetën, vdekjen dhe rilindjen katedraleve; Ogyst Roden (Auguste Rodin) do të ndërtonte një tjetër lloj katedraleje, ai ndërtoi «Porta e Ferrit», një lloj katedraleje për nga madhështia e veprës, ndërtuar për një kohë të gjatë siç krijoheshin katedralet në shekujt XII-XIII, një katedrale e ndërtuar vetëm nga dy duar dhe një daltë, dhe një zemër e cfilitur, pasi ishte vuajtja e tij që e shtyu ta ndërtonte këtë «katedrale» njerëzore, këtë katedrale fatesh, tragjedish, këtë asfresk skulptural, atë që ai do ta quante «Porta e Ferrit» e që vetëm e ndërtoi në allçi, pasi ajo do të derdhej në bronx veç pas vdekjes së tij.
Po, një katedrale frymëzuar nga Dante Aligeri, një katedrale për «Komedinë Hyjnore», por veç për udhëtimin e tij në ferr, atë udhëtim drejt dritës së bardhë për të zbritur në terrin e madh njerëzor e ngjitur pastaj në kërkim të Beatriçes së tij dhe zemrës së njeriut. E vështroj sot përsëri këtë «Portë të Ferrit» dhe mahnitja për forcën e artit është po ajo. Gjithçka është aty, dhe kërleshja e trupave të Botiçelit kur ilustronte «Ferrin» e Dantes dhe që pjesën më të madhe të vizatimeve nuk arriti tu jepte ngjyrë. E pra dhe Botiçeli kishte përshkuar të njëjtën udhë të Dantes për të dhënë të vërtetën e «Ferrit». Eshtë një imazh vërtet tronditës, veçanërisht kur shiu e ka lagur dhe kur dielli bën të vezullojnë gjithë nuancat e dorës së mjeshtrit, gjithë hiret e personazheve, ato trupa në konvulsion, siç i kishte menduar Dante, pasi dhe Dantja vetë ishte një njeri i dënuar, i detyruar të largohej fshehurazi nga qyteti i tij, nga Firence e dashur, dhe të mërgonte nëpër Italinë e veriut i dënuar gjithnjë me vdekje. Portrete, krahë, gjymtyra, ngërçe të trupit njerëzor, sy që të trondisin kur i shikon, po ajo klithmë dëshpëruese në ato gojë të hapura. Po, aty është «Porta e Ferrit», aty është hija e Dantes reflektuar në atelierin e skulptorit në Meudon në periferi Parisit, aty ku krijoheshin figurat, të cilat, shumë prej tyre do të qëndronin më pas më vete si «Mendimtari» («Le Penseur») apo «Puthja», («Le Baiser») etj. E përsëri ata do të jenë aty, në atë portë të madhe, me atë turmë mëkatarësh që shpreh vetë gjendjen njerëzore. Një fëmijë ka mbetur në një cep muri, ashtu vetmitar, mëshironjës, i pafajshëm me atë pikëpytje naive se përse ndodhej aty, se vallë ndodheshin prindërit e tij. Ja, më tej koka që zgjaten dhe që herë-herë ata u ngjasojnë gargujve. Jo, ato nuk janë shimera, janë fytyra njerëzore që dalta e Roden i krijonte në mesnatë, në ethe, në netë të pagjumta, i kapur e i pushtuar nga ajo ethe e Ferrit dhe e fytyrës së mëkatit; gra që u duken vithet lakuriqe, erotizmi dhe tragjedia, njerëz që kërkojnë rrugën e shpëtimit për ti shpëtuar ndëshkimit. Edhe Roden ishte një mëkatar A nuk ishte një ferr ajo çka fshihte dhe ai në vetvete, ajo dhimbje për të dashurën e ëmbël Kamij Klodel që u çmend dhe jetoi për më shumë se 40 vjet në një çmendinë e dënuar nga shoqëria, jo nga trupi dhe arti i saj. Dhe Roden e përjetoi gjithnjë këtë mëkat ndaj asaj vajze të dashuruar me të që i shkruante se «natën flë e xhveshur që të mund të flë në ëndërr me ty…» Dhe ai, padashur, i detyruar të qëndronte me gruan e tij, me një premtim të vjetër, papritmas u shndëruar në një inkuizitor të saj. Dhe kjo artistin e trishtoi shumë, ai e vuajti mëkatin, e mbajti brenda vetes, e fshehu thellë dhe shpejt e vendosi veten në rradhën e atyre mëkatarëve që ishin mbledhur në «Portën e Ferrit»…
Ferri i Dantes është një meditim për gjendjen njerëzore. Dhe Porta e Ferrit, gjithashtu, pasi ajo është një refleks dantesk. Dhe Roden shkruante: «Dante ishte jo vetëm një vizionar dhe shkrimtar por dhe skulptor. Shprehia e tij artistike është lapidare . Kur përshkruan një personazh ai mbështeten në gjestin e tij… Një vit të tërë kam jetuar me Danten, duke jetuar veç për të, dhe me të, unë vizatoja tetë rrathët e ferrit»
Si mund të hapet kjo portë për të shkuar drejt Purgatorit, dhe së fundi drejt Parajsës? Si? Vështirë ta shtyje atë portë të rëndë që mbartëte gjithë mëkatet e botës. Por udha e purifikimit shpirtëror duhej bërë, duhej guxuar, duhej shtyrë me të gjitha forcat e trupit, edhe pse mund të vdisje nga lodhja apo dëshpërimi. E sigurisht, Roden, në moshën e tij të mbrame, mendonte për «Gjykimin e Fundit», «Le dernier Jugement»… atë që kishin riprodhuar në veprat e tyre të mëdha gjigandët e Rilindjes italiane nga Leonardo, Giotto e të tjerët me rradhë. Ashtu si Dante, dhe Roden donte ti tregonte shoqërisë gjendjen tronditëse të shoqërisë njerëzore, atë gjendje që s’kishte ndryshuar që nga koha e Dantes apo më parë, ajo gjendje e krimit njerëzor, e mashtrimit, vjedhjes, shpifjes, hakmarrjes, cinizmit, etjes për para e lavdi, ku dobësia e shpirtit të shtyn drejt krimit. Roden donte të fliste ashtu si dhe Dante, por jo përmes fjalës, por përmes daltës së tij, figurave, trupit njerëzor, kërleshjeve trupore, siç i shohim në grupin e figurave të Ugolinit (sipas Dantes), tiranit të Pizës, i cili kishte shqyer bijtë e tij dhe tashmë ishte dënuar para asaj porte.
Para se të largohesh, nuk mund të mos prekesh nga figurat e Paolos e Françeskas të trajtuara tek «Ferri» i Dantes, dy të rinjtë e dashuruar, të vrarë nga burri i tradhëtuar, ku Roden ka vendosur dy çifte të dashuruarish, njëri i quajtur «Fugit amor», ashtu, të flakur në rrethin e erërave dhe të ndarë përgjithmonë duke mishëruar kështu fatkeqësinë që sjell pasioni i ndaluar… Këtë përjetonte vetë Roden, i vetmuar, pa të dashurën e tij, Kamij, të çmendur dhe të mbajtur fshehur, s’dihej ku, vallë jetonte ende apo kishte vdekur me kohë? Shekulli kishte kapërcyer, Roden vdiq në nëntor të vitit 1917… Dhe unë më së fundi largohem me imazhin e atyre dy portreteve që puthin njëri-tjetrin, një puthje e ngrirë, e trishtë, si një lamtumirë, si një puthje e fundit, me buzë të ftohta, para se të shkosh të vdesësh. Sepse kjo portë, ashtu si vetë katedralet, i përngjan një libri të madh historik.
Sot kjo katedrale e krijuar nga ato duar arti ndodhet aty, në «Muzeun Roden» pranë Invalides, pranë figurës legjendare të «Mendimtarit», pranë erotikave maramendëse të Ogyst Roden. Po, Roden e ngriti një katedrale të tij në përkushtim të Dantes dhe dramës njerëzore njëkohësisht. Le ta shohim gjatë dhe le ta shtyjmë këtë portë të rëndë, duke lënë pas mëkatet, gjithnjë në kërkim të dritës, paqes, dashurisë…
Në vitin 1887, atëherë kur fillonte të punonte për «katedralen» e tij, fotografi William Elborne do ta fotografonte Rodenin para veprës që niste të ngjizej. Një fotografi e jashtëzakonshme, mahnitëse, sepse fotografi e ka fotografuar përmes një pasqyre, ku duket portreti i një Rodeni «illuminé», që besonte shumë në artin e tij, që siç thoshte ai, «Të bësh me këto duar atë që shikon, ky është ligji i artit». Po, në atë fotografi, dukej se Rodeni po udhëtonte tashmë në botën e ferrit, se shkonte të takonte Danten, ashtu si dikur Dante takonte gjatë udhës Virgjilin e madh. Dhe me ata sy të hapur që na vështrojnë ai na thotë se kjo është «Divina Comedia»… «Eshtë fare e thjeshtë», – duhej të kishte thënë Roden, – ne vazhdojmë të jetojnë «Komedinë Hyjnore», ne vazhdojmë të ecim në rrugët e mëkatit, në rrugët ku ka shumë baltë e gjak, shumë dhimbje, shumë këngë e jetë të thyera. Më së fundi le ta hapim atë portë që të shohim agun e një dite të re!»
Gazeta Shqip, 22 maj 2018) Luan Rama