Nga tregimet popullore pranë oxhakut e deri te dramat e Netflix-it, rrëfenjat janë thelbësore për çdo shoqëri. Teoricienët e evolucionit po përpiqen të kuptojnë pse, shkruan David Robson.
Një mbret i bukur është bekuar me forcë mbinjerëzore, por arroganca e tij e padurueshme do të thotë se kërcënon të bëjë kërdi në mbretërinë e tij. Futeni një udhëtar të përgjegjshëm që e sfidon atë për dyluftim. Mbreti e përfundon betejën duke u zbutur, dhe dy heronjtë shpejtë bëhen miq dhe e nisin një seri të kërkimeve të rrezikshme në tërë mbretërinë.
Është me rëndësi fakti se kjo përrallë vazhdon të lexohet sot. Është Epi i Gilgameshit, i gdhendur në pllakat e lashta babilonase, 4,000 vjet më parë, duke e bërë atë veprën më të vjetër të mbijetuar të letërsisë së madhe. Mund të supozojmë se historia ishte shumë e njohur në atë kohë, duke pasë parasysh se iterimet e mëvonshme të poemës hasen gjatë tërë mijëvjeçarit të ardhshëm. Ajo që është edhe më e habitshme është fakti se lexohet dhe shijohet edhe sot, dhe se shumë elemente të saj bazikë – përfshirë bromansën emocionale – mund të gjenden në shumë histori të njohura që nga ajo kohë.
Epi i Gilgameshit rezistoi për 4,000 vite, me elementet e rrëfenjave që na mësojnë se si të bashkëpunojmë
Karakteristika të tilla të përbashkëta janë interesi kryesor i studiuesve të specializuar në “darvinizmin letrar”, të cilët pyesin se çfarë saktësisht e bën të mirë një histori dhe cilat janë arsyet evolucionare që tregimet e caktuara – nga Odiseja e Homerit e deri te Harry Potteri – kanë tërheqje kaq popullore.
Edhe pse nuk kemi prova të forta për të rrëfyerit para ardhjes së shkrimit, mund të supozojmë se tregimet kanë qenë temë qendrore në jetën njerëzore – për mijëra vjet. Pikturat e shpellave në vendet si Chauvet dhe Lascaux në Francë, të bëra 30,000 vjet më parë, përshkruajnë skena dramatike që ndoshta shoqëroheshin me rrëfime orale.
“Nëse shikoni nëpër shpella, do të keni një varg imazhesh të ndryshme që shpesh duket se kanë një tregim që lidhet me një ekspeditë gjuetie”, thotë Daniel Kruger nga Universiteti i Michiganit, “tregime që mund të përmbajnë mësime të rëndësishme për grupin”.
Sot mund të mos mblidhemi rreth zjarrit të kampit, por mesatarja e të rriturve kalon ende gjashtë për qind të kohës së edukimit duke u përfshirë në tregime imagjinare nëpër ekranet tona të ndryshme. Nga një këndvështrim evolucionar, kjo është një kohë e gjatë dhe me shumë energji të shpenzuar në eskapizëm, por psikologët dhe teoricienët letrarë kanë identifikuar përfitime të shumta të mundshme nga kjo varësi nga fiksioni (rrëfimet e trilluara). Një ide e zakonshme është se tregimi është një formë e lojës kognitive që nxit mendjet tona, duke na lejuar të simulojmë botën rreth nesh dhe të imagjinojmë strategji të ndryshme – veçanërisht në situatat shoqërore.
“Ajo na mëson për njerëzit tjerë dhe është ushtrim për empatinë dhe teorinë e mendjes”, thotë Joseph Carroll nga Universiteti Missouri-St Louis.
Duke ofruar dëshmi për këtë teori, skanimet e trurit thonë se leximi apo dëgjimi i tregimeve aktivizon fusha të ndryshme të korteksit që njihen për përfshirje në aktivitetet sociale dhe emocionale, dhe se sa më shumë njerëz lexojnë fiksione, aq më lehtë e kanë të kenë empati për njerëzit tjerë.
Pikturat në shpella dëshmojnë të rrëfyerit 30,000 vjet të vjetër
Kryesorja, psikologët evolucionistë besojnë se preokupimet tona parahistorike ende modelojnë formën e rrëfenjave që ne shijojmë. Teksa njerëzit u zhvilluan për të jetuar në shoqëritë më të mëdha, duhej të mësonim si të bashkëpunonin, pa qenë “kalorës i lirë” i cili merr shumë dhe nuk jep asgjë, ose individ mbizotërues që abuzon me dominimin në dëm të mirëqenies së grupit. Kapaciteti ynë për rrëfim – dhe tregimet që rrëfejmë – mund të ketë evoluar si mënyrë për të komunikuar normat e duhura shoqërore.
“Mësimi është t’i rezistosh tiranisë dhe të mos bëhesh vetë tiran”, thotë Kruger.
Përgjatë këtyre linjave, studimet e ndryshme kanë identifikuar bashkëpunimin si një temë kryesore në tregimet popullore në gjithë botën. Antropologu Daniel Smith nga University College London, kohët e fundit vizitoi 18 grupe gjahtarësh-grumbulluesish në Filipine. Ai zbuloi se rreth 80 për qind e tregimeve të tyre kanë të bëjnë me marrjen e vendimeve morale dhe me dilemat shoqërore. Ç’është më me rëndësi, kjo pastaj përkthehej në sjelljen e tyre reale në jetë; grupet që investonin tek të rrëfyerit dëshmuan të jenë më bashkëpunues gjatë detyrave të ndryshme eksperimentale – pikërisht siç sugjeron teoria evolucionare.
Epi i Gilgameshit ofron një shembull nga literatura e lashtë. Në fillim të përrallës, mbreti Gilgamesh mund të duket si një hero i përsosur në aspektin e forcës dhe guximit të tij fizik, por ai është gjithashtu një tiran arrogant që abuzon me fuqinë e tij, duke përdorur “të drejtën” për të fjetur me çdo grua që e tërheq, ndërsa tek pasi sfidohet nga i panjohuri Enkidu mëson vlerën e bashkëpunimit dhe të miqësisë. Mesazhi për publikun duhet të kishte qenë i zëshëm dhe i qartë: nëse mbreti heroik duhet të respektojë të tjerët, ashtu duhet të bëni edhe ju!
Në librin e tij “Mbi origjinën e tregimeve”, Brian Boyd i Universitetit të Aucklandit përshkruan se si këto tema janë gjithashtu të dukshme te “Odiseja” e Homerit. Teksa Penelopa pret për kthimin e Odisesë, vardisësit kalojnë gjithë ditën duke ngrënë e duke pirë në shtëpinë e saj. Kur më në fund ai arrin me maskën e një lypësi të varfër, ata nuk duan t’i ofrojnë strehë (në shtëpinë e tij!). Në fund marrin ndëshkimin kur Odiseja heq maskën dhe hidhet në hakmarrjen e përgjakshme.
Mund të supozoni se interesi ynë për bashkëpunim mund të jetë zvogëluar me individualizmin në rritje përgjatë Revolucionit Industrial, por Kruger dhe Carroll kanë gjetur se këto tema ishin të përhapura në disa nga romanet më të dashura të Britanisë nga shekulli XIX dhe fillimit të shekullit XX.
Duke pyetur një panel lexuesish që të vlerësojnë personazhet kryesore në më shumë se 200 novela (duke filluar me Jane Austen e duke përfunduar me EM Forster), hulumtuesit gjetën se e meta kryesore e antagonistëve ishte kërkimi për mbizotërim social në kurriz të të tjerëve ose shpërdorimi i fuqisë së tyre ekzistuese, ndërsa protagonistët duket të jenë më pak individualistë dhe ambiciozë.
Teoria evolucionare po ashtu hedh dritë mbi figurat e romanit romantik, përfshirë preferencat e heroinave për figurat e qëndrueshme të “babait” ose të “kopukut”. “Babai” shihet si zgjidhje më e mirë për sigurinë afatgjate dhe për mbrojtjen e fëmijëve tuaj, por sipas një teorie evolucionare të njohur si “hipoteza e të birit seksi”, rënia te një “kopuk” jobesnik mund të ketë avantazhet e veta, pasi kalojnë te dukja më e mirë, tërheqja dhe sharmi te fëmijët të cilët mund të gëzojnë gjithashtu sukses më të madh seksual. Rezultati është një shans më i madh që gjenet tuaja të barten tek një numër më i madh i nipërve e mbesa – edhe nëse dashuriçkat e partnerit ua thyejnë zemrën. Pikërisht për këtë arsye djemtë e këqij të letërsisë mund të tërheqin vëmendjen tonë edhe nëse njohim mënyrat e tyre të liga.
Ka shumë mësime për të nxjerrë nga këto lexime, përfshirë, për shembull, një analizë të kohëve të fundit të figurave vërtetë të këqija në tregimet e fantazisë dhe horrorit – të tilla si Lordi Voldemort te “Harry Potteri” dhe Leatherface te “Masakra e sharrës në Teksas”. Karakteristikat e përbashkëta përfshijnë paraqitjen groteske, që duket të jetë e krijuar ashtu për të nxitur frikën tonë të evoluar nga sëmundjet, dhe duke pasë parasysh tribalizmin tonë të lindur, keqbërësit shpesh kanë shenja se janë anëtarë të një “grupi të jashtëm”, prandaj kjo është arsyeja se pse karakteret hollivudiane kanë theks të huaj. Edhe një herë: ideja është që ballafaqimi me këto qenie të këqija përforcon ndjenjën tonë të altruizmit dhe të besnikërisë ndaj grupit.
Shkrimtari Ian McEwan është një nga zërat më të famshëm letrarë që i ka përqafuar këto lexime evolucionare të letërsisë, duke pohuar se shumë elemente të përbashkët të fabulës mund të gjenden edhe te makinacionet e kushërinjve tanë primatë.
“Nëse dikush merr parasysh vëzhgimeve sistematike të grupeve të majmunëve bonobo”, shkroi ai në një libër esesh mbi këtë temë, “Kafshët letrare”, “dikush sheh tek përsëriten temat kryesore të letërsisë angleze të shekullit XIX: aleancat e krijuara dhe të thyera, individë në ngritje teksa tjerët bien, komplote, hakmarrje, mirënjohje, krenari e lënduar, rrahje të suksesshme dhe të pasuksesshme, vajtim dhe zi”.
McEwan pohon se ne duhet t’i çmojmë këto prirje të evoluara, si burim i fuqisë së fiksionit për të tejkaluar kontinentet dhe shekujt.
“Nuk do të ishte e mundur të kënaqeshim me literaturën nga një kohë e largët te kjo e jona, ose nga një kulturë që është thellësisht ndryshe nga ajo që kemi, përveç nëse nuk e kemi ndarë një terren të përbashkët emocional, një rezervuar të thellë të supozimeve, bashkë me shkrimtarin”, shton ai .
Duke u mbështetur në atë rezervuar të thellë, një histori si Epi i Gilgameshit është ende i freskët sikur të ishte shkruar dje, dhe mesazhet e saj të përjetshme të miqësisë besnike mbeten mësim për të gjithë ne, 4,000 vjet pasi autori i saj për herë të parë e vuri stili (shkopi për të shkruar) në pllakë. /Telegrafi/