Nga Albert Vataj
Më 3 maj 1814, 6 vite nga ngjarja e kobshme, erdhi në jetë tabloja e quajtur “Tre maj 1808 në Madrid”. Kjo pikturë ishte dhe mbeti një prej kryeveprave të Francisco de Goya. Një jetësim ngjethës, me të cilin piktori i famshëm qaset të përkujtojë rezistencën spanjolle ndaj Napolionit I, gjatë Luftës Gadishullore. Bëhet fjalë për ekzekutimin në kodrën Principe Pio, e cila ndidhet në pjesën perëndimore të Madridit. Atje, në një sfond makthi, terri të ngrysët, agimi angështues, fenerësh që shihen me vdekjen dhe viktimash që i bëhen theror një kauze të madhe, atje ku fati i njerëzve të rezistencës dhe pushtuesve francezë është i pavdekësuar në art. Gjithëkjo skenë është skalitur mjeshtërisht nga penelata e një prej piktorëve më të zëshëm dhe më përfaqësues spanjoll, Francisco Goya. Ajo ka udhëtuar dhe vazhdon atëditë e sot në kërshërinë historike dhe artistike të Spanjës dhe jo vetëm.
Përmbajtja pikturës, forca emocionale që përçon, asokohe edhe tash mbas 210 vitesh është një orvatje novatore, një kumtim depërtues, një gjendje e tensionuar, përjetim ngjethës dhe përplot ndijim. Është aq e gjallë dhe dinamike, ka atë tension dhe zien në aq tmerr, sa të përpin edhe sot, të shtang, të ngjeth, të zgjon nga thellësia e viteve atë urrejtje të fjetur, për të ta shndërruar në shtysë të një përjetim, të në asaj kujtese që të gllabëron.
Sfondi i ngjarjes “Tre maj 1808 në Madrid” është i vendosur në agun e mëngjesit të paskryengritjes së 3 majit të vitit 1808. Masa e njerëzve në pikturën e Goyas është e ndarë më dysh, njëra që është vënë përballë skuadrës së pushkatimit dhe tjetra që ndjek me tmerr momentet që përpëliten në peshën e vdekjes. Piktori me një mjeshtëri gjeniale ka arritur të realizojë një kontrast të tillë drite që shpërfaq heroikën e ballafaqimit me vdekjen, tytave, bajonetave dhe mizorinë e skuadrës vdekatare. Një fener katror i vendosur në tokë mes dy grupeve hedh një dritë dramatike në skenën e terrorit. Ndriçimi më i ndritshëm bie mbi viktimat e plandosura që kridhen njëra mbi tjetrën të larë në gjak, në të majtë të tablosë.
Pranë një murgu që lutet, e të tjerë që presin takimin me vdekjen nën një gjëndje paniku, qëndron njeriu i ndezur nga drita, i cili ashtu i gjunjëzuar ka shpërfaqur gjoksin, ka ngritur sfidues duart lart. Burri sfidues është qëndrorja e kësaj pikture dhe domethënia e peshës që bart ky moment, të cilin Goya e ka përcjellë me mjeshtërinë e tij pashoqe, si shprehje e dramacitetit dhe barrës historike të këtij kapërcyelli. Ky agim tmerri më Madridin që noton në gjak e pluskon mbi viktima, vjen përmes kësaj tabloje të Francisco de Goya, po kaq e vërtetë, po kaq dëshmuese sa ç’ishte vetë histori e 2 dhe 3 majit të vitit 1808, kur ushtria perandorake francezë nënshkroi një nga faqet më të tmerrshme të Luftën Gadishullore.
Revolucionarët spanjollë përballë tytave të ushtarëve perandorakë të Napolionit vijnë nëpërmjet kësaj pune si një monument, një memuar i qëndresës dhe ngadhënjimit të lirisë. Ajo përnjëherë e përgjithmonë rroku një interesim popullor, duke u kthyer në një faqe ndërmendjeje dhe njëherash qëndrese e popullit spanjoll ndaj okupuesve francezë. Në rrafshin artistik, kjo pikturë tregon një shkëputje të hovshme nga tradita dhe normat, një sprovë së cilës i madhi Francisco Goya.
“Tre maj 1808 në Madrid” është e njohur si një nga pikturat e para të epokës moderne. Sipas historianit të artit Kenneth Clark , “3 maj 1808 në Madrid” është “fotografia e parë e madhe që mund të quhet revolucionare në çdo kuptim të fjalës, në stil, në subjekt, dhe në qëllim”.
Ajo ka frymëzuar një numër të madh piktorësh, duke përfshirë një seri nga Edouard Manet, dhe Pablo Picasso, “Masakra në Kore” dhe “Guernica”.