Nga koha e kthimit në atdhe derisa u martova
Që nga kthimi im në Angli (2 tetor 1836), derisa u martova (29 janar 1839) pa ta më shumë veprimtari se në çdo periudhë tjetër të jetës time, ndonëse herë pas herë e ndjeva veten keq dhe për këtë një pjesë e kohës shkoi kot. Si udhëtova ca herë vajtje-ardhje midis Shrusberit, Merit, Kembrixhit dhe Londrës, u vendosa në 13 dhjetor, në Kembrixh[1], ku ruheshin nën kujdesin e Hensllout të gjitha koleksionet e mia. Këtu banova tre muaj dhe me ndihmën e profesor Millërit[2] bëra përcaktimin e mineraleve dhe të formacioneve malore.
Fillova të përgatis për botim “Ditarin e udhëtimit”. Kjo nuk qe punë e vështirë, sepse “ditarin” në dorëshkrim e kisha mbajtur me kujdes dhe m’u desh të mundohem vetëm që të paraqes shkurt rezultatet shkencore më me interes të studimeve të mia. Sipas kërkesës së Lajëllit dërgova në Shoqatën Gjeologjike edhe një relacion të shkurtër mbi vrojtimet e mia për zhvillimin e brigjeve në Kili.[3]
Në 7 mars 1937 u vendosa në Londër në Greit marlboro Strit dhe banova aty pothuajse dy vjet, deri në ditën e martesës sime. Gjatë këtyre dy vjetëve mbarova “Ditarin e udhëtimit”, bëra disa raporte për shoqatën Gjeologjike, fillova të përgatis për shtyp dorëshkrimet e mia “Vëzhgime gjeologjike” dhe organizova botimin e librit “Rezultatet gjeologjike të ushëtimit me “Bigëll””. Në korrik fillova fletoren e parë të shënimeve mbi faktet që i përkasin “Prejardhjes së llojeve”[4], problem mbi të cilin kisha menduar qëkur, dhe për të cilin asnjëherë gjatë njëzet vjetëve të mëpastajme nuk pushova së punuari.
Gjatë këtyre dy vjetëve dola fare pak në shoqëri dhe kreva detyrën e njërit prej sekretarëve të nderuar të Shoqatës Gjeologjike. Me Lajëllin takohesha shumë shpesh. Një nga tiparet e tij kryesore ishte qëndrimi plot dashamirësi ndaj punës së tjetrit. Njëkohësisht unë isha i çuditur dhe mahnitur me atë interes që ai tregoi ndaj pikëpamjeve të mia për shkëmbinjtë koralë, kur, pas kthimit në Angli, ia bëra të njohura. Mua më inkurajonte një qëndrim i tillë, ndërsa këshillat dhe shembulli i itj personal patën tek unë një ndikim të madh. Në këtë periudhë takohesha shpesh me Robert Braunin, me këtë “facile princeps botanicorum”. E vizitoja vazhdimisht ditëve të diela në mëngjez kur ai hante mëngjezin, dhe në bisedat me mua më shpaloste përpara gjithë thesarim e vëzhgimeve plot kureshtje dhe të komenteve mëndjemprehta. Thuajse gjithnjë ato preknin objekte të parëndësishme, asnjëherë ai nuk diskutoi me mua për probleme të mëdha të shkencës ose që kishin rëndësi të përgjithshme[5].
Gjatë këtyre dy vjetëve unë bëra ca ekskursione jo shumë të gjata që të çlodhesha nga puna dhe një ekskursion të gjatë në tarracat paralele të Glen-Roit, për të cilat kam botuar një relacion në “Philosophical Transactions”. Ky artikull që një dështim i madh për mua dhe më vjen turp prej tij. Duke u gjendur nën përshtypjen e thellë të vëzhgimeve të mia mbi zhvillimin e tokës së Amerikës së Jugut, unë i quajta këto vija paralele të shkaktuara nga veprimi i detit. Por duhej të kisha hequr dorë nga kjo pikëpamje kur Agasic nxorri teorinë e tij të liqeneve të akullnajave. Unë këmbëngula në veprimin e detit, sepse në gjendjen e atëhershme të njohurive tona qe e pamundur të supozohej ndonjë shpjegim tjetër. Por gabimi im më shërbeu si një mësim i mirë: asnjëherë të mos nisesha në shkencë nga parimi i përjashtimit.[6] Meqënëse nuk isha në gjendje të merresha gjithë ditën me punë shkencore, në këto dy vite lexova shumë libra për probleme nga më të ndryshme, midis të cilëve edhe ca libra me përmbajtje metafizike[7]. Megjithatë, kjo nuk përputhej me dëshirat e mia. Në atë kohë më jepte një kënaqësi të madhe poezia e Vordsvorthit[8] dhe e Kolrixhit dhe mund ë lëvdohem se “Ekskursionin” (Vordsvorth) e lexova dy herë nga fillimi në fund. Dikur më shumë nga të gjitha pëlqeja “Parajsën e humbur” të Miltonit, aq sa kur nisesha për ekskursione që i bëja më kohën e udhëtimit me “Bigëll” dhe kisha mundësi të merrja me vete jë më shumë se një libër, gjithnjë zgjidhja Miltonin.
[1] Në Kembrixh Darvini banoi në rrugën “Ficuiliam”.
[2] Uilliam Millër (W. H. Miller 1801-1880), mineralolog anglez, professor i universitetit të Kembrixhit.
[3] Ky punim i darvinit që është një njoftim paraprak në lidhje me kapitujt përkatës të monografisë së tij “Vëzhgime gjeologjike”, (kap IX – Mbi ngritjen e bregut perëndimor të Amerikës Jugore), u dorëzua në Shoqatën Gjeologjike në vitin 1837 dhe u botua në veprat e Shoqatës në vitin 1838.
[4] Kjo “fletore shënimesh”, fletorja e famshme e Darvinit, të cilën ai e mbajti nga korriku 1837 deri në shkut 1838, deri sot njihet vetëm në disa fragmente të pakta në numër.
[5] Robert Braun (R. Brown 1773-1858), botanist i shquar anglez, sistematik dhe morfolog i madh. Brauni, i pari, përshkroi bërthamën e qelizës bimore (1831). Atij i përket edhe zbulimi is ë ashtuquajturës lëvizje brauniane të grimcave të ngurta mikroskopike të pezulluara në një lëng apo gaz. “Facile princeps botanicorum” (lat) – kreu i padiskutueshëm i botanikës.
[6] Glen-Roi është lugina e Roit (Skoci). Punimi i Darvinit mbi tarracat paralele të Glen-Roit u botua në vitin 1839. Agasic dhe Beklend treguan se këto tarraca përfaqësojnë vijat e brigjeve që vijnë me radhë për nga lartësia. Këto vija nuk ishin të brigjeve të detit, siç mendonte Darvini, por të të ashtuquajturave liqene glaciale, d.m.th. të liqeneve të formuara gjatë periudhës së akullnajave si rezultat i mbushjes të lugunave malore me ujërat e shkrira, daljet e të cilave ishin të mbyllura me akull.
[7] “Libra me përmbajtje metafizike” mund të mendojmë se Darvini ka parasysh këtu libra filozofikë, konkluzionet e të cilëve nuk janë bazuar në të dhënat e vrojtimeve dhe të eksperimenteve.
[8] Uilliam Vordsvorth (1770-1850), poet anglez i shkollës romantike.
* * *
Pikëpamjet fetare
Gjatë këtyre dy vjetëve më qëlloi të meditoj shumë mbi fenë. Në kohën e lundrimit me “Bigëll” unë isha tërësisht ortodoks; më kujtohet se si ca oficerë (Ndonëse edhe ata vetë ishin ortodoksë) qeshnin me gjithë shpirt me mua kur për ndonjë çështje të moralit i referohesha biblës si një burimi të vërtetë dhe me vlerë. Mendoj se ata i bënte për të qeshur e reja në argumentimet e mia. Megjithatë gjatë kësaj periudhe, d.m.th. nga viti 1837-1839, unë gradualisht u binda se Dhiata e Vjetër me atë historinë e botës, absurditeti i së cilës duket sheshit, me kullën e Babilonisë me ylbere si shenjë… (fjalë e padeshifrueshme e Dhiatës?) dhe me atribuimin e saj zotit të ndjenjave të tiranit hakmarrës, meriton besim jo më shumë sesa librat e shenjët të hindusëve apo të fesë së ndonjë njeriu të egër. Në atë kohë në mendjen time lindte vazhdimisht një pyetje që s’më hiqej nga mendja: sikur zoti të kishte dëshirë tani t’u dërgonte një zbulim hindusëve, atëherë mos vallë ai do të lejonte që të lidhej me besimin ndaj Vishnit, Sivit etj., njëlloj si kristianizmi është i lidhur me besimin në Dhiatën e Vjetër? Kjo më dukej krejt e pabesueshme. Duke medituar akoma se do të duheshin prova nga më të qartat që ta detyrosh çdo njeri normal të besojë në mrekullitë me të cilat afirmohet kristianizmi; se sa më shumë t’i njohim ligjet e pandryshueshme të natyrës aq më të pabesueshme bëhen për ne mrekullitë; se në ato kohë (të largëta) njerëzit qenë të paditur dhe besonin lehtë deri në atë shkallë sa për ne është e pakuptueshme; se është e pamundur të provosh se gjoja ungjilli ishte bërë tamam në atë kohë kur kanë ndodhur ngjarjet që përshkruhen në to; se ata në mënyra të ndryshme i paraqesin shumë hollësira të rëndësishme, tepër të rëndësishme, siç më dukej mua që t’i quaj këto kundërshtime so një pasaktësi e zakonshme e dëshmitarëve; me këto mendime në kokë dhe me mendime të tjera si këto (të cilat po i përmend jo sepse diç kanë të çmuar dhe origjinale, por sepse ato ndikuan tek unë), gradualisht zura të mos besoj në në kristianizmin si në një zbulim të zotit. Një rëndësi të madhe pati për mua fakti se shumë fe të rreme qenë përhapur hapësirave të gjëra të tokës me shpejtësi të mbinatyrshme. Sado i mrekullueshëm të kishte qenë morlai i Dhiatës së Re, s’mund ta mohosh se përsosuria e saj varet pjesërisht nga ai arsyetim në të cilin sot ne futim metafora dhe alegori.
Por unë nuk isha aspak i prirur për t‘u larguar nga besimi im. Jam i bindur për këtë sepse mbaj mend mjaft mirë se si kthehesha herë pas here tek ëndrrat e mia fantastike për zbulimet në Pompei ose diku në ndonjë vend tjetër të korrespondencës së vjetër midis ca romakëve të shquar apo të dorëshkrimeve, të cialt në mënyrën më mahnitëse do të vërtetonin gjihçka që është thënë në ungjill. Madje, me një liri të plotë që i lija imagjinatës sime, më bëhej gjithnjë e më e vështirë të gjeja një provë që mund të më bindte. Kështu pak nga pak depërtoi fshehtazi në shpirtin tim mosbesimi dhe në fund të fundit u bëra krejt ateist. Por kjo ndodhi aq ngadalë saqë nuk ndjeva asnjë hidhërim dhe kurrë, që nga ajo kohë, madje edhe për një sekondë të vetme, nuk dyshova në drejtësinë e konkluzionit tim. Në të vërtetë nuk ma ha mendja se jam në gjendje të kuptoj se në ç’mënyrë, cilido që të ishte, do të mund të deshironte që teoria e kristianizmit të ishte e vërtetë, sepse sikur ajo të qe e tillë atëhere teksti shumë i thjeshtë i ungjillit tregon, me sa duket, se njerëzit që nuk besojnë, dhe në mes tyre duheshin përfshirë babai, vëllai, dhe të gjithë miqtë e mi më të mirë, eskatologjikisht do të ndëshkoheshin[1]. Kjo teori është e neveritshme.
Megjithatë për problemin e ekzistencës së zotit si person u ndala mendoj shumë në një periudhë mjaft të vonë të jetës sime, po sjell këtu ato përfundime që papërcaktuara në të cilat unë arrita në mënyrë të pashmangshme. Prova e vjetër (e ekzistencës së Zotit) në bazë të ekzistencës në natyrë të një plani të paramenduar, siç është paraqitur nga Peili, provë e cila më dukej aq bindëse më parë, tani, pasi që zbuluar ligji i seleksionit natyror, nuk qëndronte më. Ne tashmë nuk do të vazhdojmë të pohojmë se guaska me formën e drynit, që është ndërtuar aq përsosurisht te një molusk bivoluor, duhej të qe krijuar nga njëfarë qenie e arsyeshme njëlloj si dryni i derës që është krijuar nga njeriu. Me sa shihet, në ndryshueshmërinë e qenieve të gjalla dhe në veprimin e seleksionit nayror nuk ka më shumë plan të paramenduar sesa në drejtimin sipas të cilit fryn era. Gjithçka në natyrë është rezultat i ligjeve të forta. Megjithatë unë e shqyrtova këtë çështje në fund të veprës sime mbi “Ndryshimin e kafshëve shtëpiake dhe të bimëve të kultivuara”. Dhe, me sa di unë, argumentet që janë dhënë atje nuk hasën kurrfarë kundërshtimi.
[1] Fjala “eskatologjikisht” në dorëshkrim ka qenë e padeshifrueshme, prandaj s’mund të besohet plotësisht në leximin e drejtë të saj. Megjithatë nga kuptimi i frazës mund të mendohet se fjala është pikërisht për ndëshkimin që do të pësojnë ata që s’besojnë në “ditët e fundit” të botës gjatë “gjyqit të përjetshëm për mëkatarët”.
* * *
Pikëpamjet fetare
Por edhe në qoftë se i lëmë mënjanë ato përshtatshmëri të panumërta, të përsorura, që hasim në çdo hap të gjithë, prapë mund të pyesim: Si shpjegohet në tërësi ndërtimi mirëbërës i botës? Në të vërtetë, ca shkrimtarë janë të prekur aq fort nga sasia kolosale e vuajtjeve në botë saqë, duke llogaritur të gjitha qeniet e ndjeshme, ata shprehin dyshimin nëse bota ka më shumë vuajtje apo lumturi dhe nëse bota në tërësi është më e mirë apo e keqe. Sipas mendimit tim, lumturia pa dyshim zotëron, ndonëse për ta provuar këtë do të qe një punë shumë e vështirë. Por në qoftë se ky përfundim është i drejtë, atëherë duhet pranuar se ai është në përputhje të plotë me ato rezultate, të cilat mund t’i presim nga veprimi i seleksionit natyror. Sikur të gjithë individët e ndonjë lloji vazhdimisht dhe në një shkallë të lartë do të pësonin vuajtje, atëherë ata do të kishin harruar për vazhdimësinë e llojit të vet. Ne s’kemi megjithatë kurrfarë bazë që të mendojmë se kjo dikur apo të paktën shpesh ka ndodhur. Për më tepër disa arsye të tjera të bëjnë të besosh se të gjitha qeniet që ndjejnë janë të organizuara në atë mënyrë që, si rregull, të kënaqen me lumturinë.
Secili, që njëlloj si unë është i bindur se te të gjitha qeniet, organet e jetës trupore dhe të jetës psikike (corporeal and mental organs), me përjashtim të atyre që s’janë as të dobishme dhe as të dëmshme, janë zhvilluar me anën e seleksionit natyror ose të mbijetesës së më të përshtaturit (bashkë me veprimin e të ushtruarit apo të zakonit (shprehisë)), do të duhet të pranojë se këto organe u formuan në atë mënyrë që bartësit e tyre të mund të ndeshen me sukses me qeniet e tjera dhe në sajë të kësaj të shtohen në numër. Zgjedhja e këtij apo e atij lloj veprimi që është më i dobishmi për llojin, kafshës mund t’i shkaktojë dhimbje, p.sh. uri, etje dhe frikë, ashtu dhe kënaqësi, për shembull, të ngrënët, të pirët po edhe procesi i shumimit të llojit etj., ose të dyja së bashku, siç ndodh me gjetjen e ushqimit. Por dhimbja ose ëdo vuajtje tjetër, në qoftë se vazhdon gjatë, shkakton zymti dhe ul aftësinë për veprimtari, megjithëse ato shërbejnë shumë mirë për ta nxitur qenien e gjallë të ruhet nga ndonjë e keqe e madhe apo e papritur. Nga ana tjetër, ndjeshmëritë e këndshme mund të zgjasin shumë pa shkaktuar asnjë veprim frenues, përkundrazi ato nxisin veprimtarinë e të gjithë sistemit. Prej këtej rrjedh se shumica ose të gjitha qeniet e ndjeshme u zhvilluan me anën e seleksionit natyror në atë mënyrë që ndjeshmëritë e këndshme u shërbejnë atyre si drejtues të zakonshëm. Ne e vëmë re këtë në atë ndjenjë kënaqësie, që na jep tendosja e forcave tona mendore dhe fizike, e nganjëherë bile është më e madhe në kënaqësinë që na jep çdo ditë të ngrënët dhe veçanërisht në atë kënaqësi që vjen nga marrëdhëniet tina me njerëzit e tjerë dhe nga dashuria për pjesëtarët e familjes sonë. Shuma e kënaqësive të këtij lloji që janë bërë të zakonshme ose që përsëriten shpeshherë i jep shumicës së qenieve të ndjeshme, dhe unë thuajse nuk dyshoj për këtë, një mbizotërim të lunturisë mbi vuajtjet ndonëse të shumtët kohë pas kohe provëjnë jo pak vuajtje. Këto vuajtje pajtohen plotësisht me besimin në seleksionin natyror, veprimi i të cilit nuk është i përkryer dhe është i drejtuar vetëm për t’i siguruar çdo lloji një sukses sa më të madh në luftë për jetën me llojet e tjera, luftë që rrjedh në kushte jashtëzakonisht ë ndërlikuara dhe të ndryshueshme.
Askush nuk e kundërshton faktin se në botë ka shumë vuajtje. Në lidhje me njeriun disa (mendimtarë) janë orvatur ta shpjegojnë këtë fakt, me supozimin se vuajtjet i shërbejnë përsosjes morale të njeriut. Por numri i njerëzve në botë është i parëndësishëm në krahasim me numrin e të gjitha qenieve të tjera të ndjeshme, dhe atyre u takon të vuajnë shumë rëndë pa pasur kurrfarë lidhjeje me çështjen e përsosurisë morale. Qenia, kaq e fuqishme dhe kaq e ditur diç është zoti që ka krijuar gjithësinë, i paraqitet mendjes sonë të kufizuar si e gjithëfuqishme dhe që di gjithçka dhe supozimi se bamirësia e zotit nuk është e pakufishme, e lëkund ndërgjegjen tonë, sepse çfarë epërsie mund të përfaqësojne vuajtjet e miliona kafshëve të ulëta për një kohë pothuajse pa mbarim?[1]
Ky argument mjaft i lashtë kundër ekzistencës së një shkaku fillestar të arsyeshëm, i bazuar në ekzistencën në botë të vuajtjeve, në duket shumi i pafuqishëm, ndërkohë që kjo prani e një sasie të madhe vuajtjesh, e cila sapo u vu në dukje, përputhet bukur me pikëpamjen që të gjitha qëniet organike u zhvilluan me anën e ndryshimit dhe të seleksionit natyror. Në ditët tona argumenti më i favorshëm i ekzistencës së zotit të arsyeshëm, nxirre nga ekzistenca e një bindjeje të thellë të brendshme dhe nga ekzistenca e ndjenjave që provohen nga një shumicë njerëzish. Nuk duhet, megjithatë, të dyshohet se hindusët, myslimanët e të tjerë do të mundin me të njëjtën mënyrë e me po aq forcë të pajtohen me ekzistencën e një zoti apo të shumë zotërve ose si budistët me mungesën e çdo lloj zoti[2]. Ekzistojnë gjithashtu shumë fise primitive për të cialt nuk mund të vërtetohet me asnjë farë sigurie se ata besojnë në atë që ne e quajmë zot; dhe me të vërtetë ata besojnë në shpirtra ose në fantazma dhe, siç kanë treguar Tejlori dhe Herbert Spenseri, mund të shpjegohet se në ç’mënyrë lindën besime të tilla[3].
[1] Me “kafshë të ulëta” Darvini ka parasysh gjithë botën e kafshëve, duke përjashtuar njeriun.
[2] Darvini duke qene, siç duket qartë, pak i njohur me literature mbi budizmin, pason këtu ata dijetarë borgjezë që e paraqitnin budizmin si “fe pa zot”, si fe “ateiste” etj. Siç dihet mire kjo s’përputhet fare me realitetin.
[3] Shih monografinë e Ç. Darvinit “Prejardhja e njeriut dhe seleksionimi seksual”, kun ë kap. III, Darvini shqyrton çështjen mbi prejardhjen e fesë dhe besimin te zoti. Atje janë edhe referimet nga punimet e Tejlorit, të Labokut dhe të Spenserit.
* * *
Pikëpamjet fetare
Në kohët e para ndjenja të tilla që sapo përmendëm (unë mendoj se ndjenja fetare nuk ka qene ndonjëherë e zhvilluar shumë tek unë) më çuan në bindjen e plotë të ekzistencës së zotit dhe të pavdekësisë së shpirtit. Në “Ditarin” tim kam shkruar se “është e pamundur të japësh në ide disi të saktë mbi ato ndjenja të larta habie, mahnitjeje dhe nderimi, të cilat mbushin dhe lartësojnë shpirtin”, kur gjendesh mu në mes të pyllit madhëshor brazilian. E mbaj mend mirë bindjen time sipas së cilës tek njeriu ka diçka më shumë se një frymëmarrje të trupit të tij. Por tashti, madje, edhe peizazhet më madhështore nuk do të më zgjonin më ndjenja dhe bindje të tilla. Me të drejtë mund të thonë se unë i ngjaj njeriut që ka humbur aftësinë të dallojë ngjyrat dhe se bindja e përgjithshme e njerëzve në ekzistencën e ngjyrës së kuqe privon paaftësinë time të tanishme ndaj perceptimit të kësaj ngjyrë, çfarëdo vlere që të ketë si provë (reale) mungesa e saj. Kjo provë do të kishte qenë vërtet e rëndësishme sikur të gjithë njerëzit e të gjitha racave të kishin të njëjtën bindje të brendshme në ekzistencën e një zoti të vetëm, mirëpo ne e dimë se në realitet puna nuk qëndron aspak kështu. Prandaj unë nuk e marr fare parasysh se ndjenja dhe bindje të brendshme të tilla kanë ndonjëfarë rëndësie si prova se zoti ekziston me të vërtetë. Ajo gjendje shpirtërore që më parë zgjohej tek unë nga peizazhet madhështore dhe e cila ishte e lidhur nga brenda me besimin te zoti, në esencë nuk dallohet nga ajo gjëndje që e quajnë shpeshherë ndjenjë fisnike. Dhe sado i vështirë të ishte shpjegmi i prejardhjes së saj, si zor t’i referoheshim kësaj ndjenje si një provë e ekzistencës së zotit, me të drejtë më të madhe sesa ndjenjat e forta, megjithëse jo të qarta, të këtij lloji që i shkakton muzika.
Për sa i takon pavdekësisë, asgjë nuk ma demonstron (me një qartësi të atillë) sa i fortë dhe thuajse instinktiv është besimi për të, sesa shqyrtimi i pikëpamjes së cilës i përmbahen në kohët tona shumica e fizikanëve dhe pikërisht se Dielli dhe të gjithë planetët me kohë dë të bëhen tepër të ftohtë për jetën[1], sikur ndonjë trup i madh të përplaset me Diellin dhe t’i japë atij në këtë mënyrë një jetë të re. Nëse besojmë, si besoj unë, se njeriu në një të ardhme të largët do të bëhet një qënie shumë më e përparuar se sot, atëherë mendimi se ai dhe të gjitha qëniet e tjera të ndjeshme janë të destinuara të zhduken plotësisht pas një progresi kaq të gjatë e të ngadalshëm, bëhet i padurueshëm. Atij që në heshtje pranon amëshimin e shpirtit njerëzor, shkatërrimi i botës sonë nuk i duket dhe aq i llahtarshëm.
[1] Darvini ka parasysh këtu ato teori të astronomëve dhe të fizikanëve të kohë së vet sipas të cilave burimi i nxehtësisë diellore është kontraksioni i Diellit. Helmholci mendonte se pas 5 milionë vjetësh Dielli do të tkurrej në gjysmën e vëllimit të vet, mbas 7 milionë vjetësh trashësia e tij do të jetë e barabartë me trashësinë e Tokës, dhe atëherë ky do të pushojë së rrezatuari dhe së ngrohuri. Zhvillimi i mëtejshëm i shkencës ka provuar se këto përfundime ishin thellësisht të gabuara. Burimi i vërtetë i nxehtësisë diellore është energjia e brendshme atomike, që çlirohet gjatë zbërthimit të atomeve të masës së Diellit.
* * *
Pikëpamjet fetare
Burimi tjetër i bindjes në ekzistencën e zotit, që është i lidhur jo me ndjenjat po me arsyen, më bën një përshtypje të madhe. Ai konsiston në vështirësinë shumë të madhe dhe ndoshta dhe në pamundësinë për të përfytyruar gjithësinë e pamatë dhe të çuditshme, duke përfshirë këtu edhe njeriun me aftësitë e tij për të vëzhguar larg në të shkuarën dhe në të ardhmen si rezultat i rastësisë ose i domosdoshmërisë. Duke medituar në këtë mënyrë e ndjej veten të detyruar të drejtohem te shkaku fillestar, që ka intelekt në një shkallë analoge me intelektin e njeriut, domethënë meritoj emrin e Teistit. Me sa jam unë në gjendje të kujtoj, këtë konkluzion e përdora shumë afërsisht në atë kohë kur shkrova “Prejardhjen e llojeve”, por pikërisht që nga ajo kohë rëndësia e tij për mua filloi shumë ngadalë dhe me shumë hezitime të dobësohet gjithnjë e më shumë. Por në këtë rast lind dyshimi, nëse mund t’i besohet mendjes njerëzore, në orvajtjet e saj për të ndërtuar konkluzione të tilla të përgjithshme, mendjes njerëzore që është zhvilluar, unë jam shumë i bindur, nga ajo mendje e dobët, që kanë kafshët me organizëm shumë të ulët??? Vallë a s’kemi të bëjmë këtu me rezultatin e lidhjes shkak-pasojë, lidhje e cila na mahnit me domosdoshmërinë e vet, por që… (fjalë e palexueshme: në një masë të konsiderueshme?) varet patjetër nga përvoja e trashëguar? Nuk duhet gjithashtu, të harrojmë mundësitë e ngulitjes së vazhdueshme të besimit te zoti në mendjen e fëmijëve, të ngulitjes që shkakton një ndikim jashtëzakonisht të fuqishëm dhe mbase të trashëguar në trurin e tyre akoma jo plotësisht (fjalë e padeshifruar) të zhvilluar, në atë mënyrë që për ata do të ishte po aq e vështirë për të braktisur besimin ndaj zotit sa edhe për majmunët për të flakur frikën e vet instinktive dhe neverinë ndaj gjarprit[1]. Unë nuk mund të pretendoj se po hedh qoftë edhe një dritë të dobët në probleme kaq të vështira për t’u kuptuar… Sekreti i prejardhjes të të gjitha sendeve është i pazgjidhshëm për ne dhe, për sa më takon mua, duhet të kënaqem me atë që mbetem agnostik.
[1] Është plotësisht e qartë se midis ngjalljes së besimit ndaj zotit tek fëmijët dhe instinktit të përshkruar të majmunëve s’ka asgjë të përbashkët. Edukimi feta rte njeriu është një dukuri thjesht shoqërore. Besimi te zoti që lind nën ndikimin e edukimit në kushte të caktuara shoqërore nuk mund të kthehet në një “ndikim të trashëguar në tru”.
* * *
Pikëpamjet fetare
Njeriu që nuk e ka besimin e fortë dhe të patundur në ekzistencën e zotit të vet dhe në të ardhmen, me të mirat e shpërblimet e saj, mundet, me sa jam në gjendje të gjykoj unë, të zgjedhë si rregull të jetës vetëm një: të ndjekë ato impulse apo instinkte që janë më të fuqishme, ose që i duken atij më të mira. Kështu vepron edhe qeni, por ai e bën këtë pa u menduar, ndërkohë që njeriu mund të parashikojë, të hedhë një sy prapa dhe të krahasojë ndjenjat, dëshirat dhe kujtimet e tij të ndryshme. Dhe ja, sipas… (fjalë e palexueshme: gjykimit?) të të gjithë njerëzve të mençur, ai zbulon se fiton kënqaësinë më të madhe në qoftë se ndjek impulse të caktuara dhe pikërisht instinktet sociale… të cilat…(fjalë e palexueshme: e nxisin) atë të veprojë për të mirën e njerëzve të tjerë. Ai do të marrë (në këtë rast) miratimin e të gjithë të afërmve dhe do të fitojë dashurinë e atyre me të cilët jeton. Dhe pikërisht kjo e fundit është pa dyshim kënaqësia më e madhe që mund të gëzojmë në Tokën tonë. Dalëngadalë për njeriun do të bëhet e padurueshme që t’u bindet me dëshirë pasioneve të tij… (fjalë e palexueshme: të ulta) sesa impulseve të tij të larta, të cilat, kur bëhen të zakonshme, mund të quhen pothuajse instinktive. Nganjëherë arsyeja mund t’i sugjerojë atij se duhet të veprojë në kundërshtim me mendimin e njerëzve të tjerë, miratimin e të cilëve ai nuk do ta ketë në këtë rast. Por ai prapë do të provojë një kënaqësi të plotë, i vetëdijshëm që ka respektuar bindjen apo ndërgjegjen e tij më të thellë. Për sa më takon mua, mendoj se kam vepruar drejt, duke u marrë pareshtur me shkencë dhe duke ia kushtuar asaj gjithë jetën time. Unë nuk kam kryer asnjë mëkat serioz dhe prandaj nuk kam asnjë të brejtur të ndërgjegjes, por mua shumë shpesh më vjen keq që nuk u bëra më tepër të mira të drejtpërdrejta të afërmve të mi. Një shfajësim, po jo i mjaftueshëm është për mua fakti që sëmuresha shumë, por edhe ndërtimi i trurit tim, që e bën për mua mjaft të vëshirë kalimin nga një objekt ose studim tek tjetri. Unë mund të lëvdohem se do të më sillte kënaqësi të madhe mundësia për t’ua kushtuar veprave të bamirësisë gjithë kohën time dhe jo vetëm një pjesë të saj, megjithëse edhe kjo do të kishte qenë mënyrë më e mirë e sjelljes.
Nuk ka asgjë më të mrekullueshme sesa përhapja e mosbesimit fetar apo e racionalizmit gjatë gjysmës së dytë të jetës sime. Përpara fejesës sime, im atë më këshilloi të fsheh me kujdes dyshimet e mia (për fenë), sepse, thoshte ai, i kishte rastisur të shikonte seç’fatkeqësi të jashtëzakonshme u kishte shkaktuar një sinqeritet i tillë personave që do të martoheshin. Puna shkonte bukuri derisa burri apo gruaja nuk sëmureshin, por kur hyri sëmundja disa gra provuan vuajtje të tmerrshme sepse dyshonin në mundësinë e shpëtimit shpirtëror të burrave të tyre, dhe me këtë u shkaktonin atyre vuajtje. Babai shtoi se gjatë jetës së vet të gjatë kishte njohur vetëm tri gra që nuk besonin dhe është për t’u përmendur se ai pati njohur një shumicë kolosale njerëzish, dallohej për aftësinë e jashtëzakonshme që të fitonte besimin e të tjerëve. Kur unë e pyeta se cilat ishin këto tri gra, duke më folur me nderim për njërën nga ato, kunatën e tij Kiti Vexhvudin pranoi se nuk kishte asnjë argument të padiskutueshëm, po vetëm supozime të papërcaktuara që i përmbahen bindjes se një grua e tillë, e thellë dhe e mençur nuk mund të jetë besimtare. Në kohën e sotme unë njoh (ose kam njohur më parë) në atë rreth jo të madh të të njohurve të mi, disa gra të martuara, besimi i të cilave nuk ishe më i theksuar se besimi i burrave të tyre.
Babai im kishte qejf të tregonte për një argument të padiskutueshëm me ndihmën e të cilit një damë e moshuar, njëfarë misis Barllo, duke e kujtuar babanë për ateist, i qe drejtuar me shpresë: “Doktor, unë e di se sheqeri është i ëmbël kur e kam në gojë dhe (gjithashtu) di se Shpëtimtari im ekziston”.
https://rinstinkt.wordpress.com/category/evolucioni/carls-darvin/