Nga Albert Vataj
Historia e tablos “Gratë Suliote”, të cilat u sakrifikuan për të mos rënë në duart e ushtaravë të Ali Pash Tepelenës, është nga më të njohurat vepra të artit, të cilat përcjellin me vërtetësi artistike dhe me tragjizëm dëshmimi estetik një moment që e vërteta e ka ruajtur në librat e historisë.
Les Femme Souliotes “Gratë Suliote” është vaj në kanavacë, realizuar në vitin 1827, ndodhet në Muzeu i Luvrit, Paris, Francë. Piktura evokon një moment sa tragjik aq dhe legjendar, tregon vetëvrasjen heroike të grave Suliote e njohur si “Vallja e Zallongut”, gjatë luftërave Suliote.
Mes mijëra veprave të rëndësishme në muzeun e Luvrit në Francë gjendet edhe piktura “Gratë suliote”. Është tablo e trimërisë së pashoqe të këtyre grave, e përshkruar nga shumë historianë të rëndësishëm të historisë së Europës.
Autori i kësaj pikture, holandezo-francezi, Ary Scheffer, u lind më 10 shkurt 1795 dhe vdiq më 15 qershor 1858. Ai ishte një piktor romantik. Tematika e pikturave që realizoi, në shumësinë e herëve i ka të bazuara në veprat e Dantes, Goethe, dhe Lord Byron. Në galerinë e tij ka dhe punë me subjekt mitologjik, religjoze, gjithashtu dhe portretet e njerëzve të famshëm dhe me ndikim në jetën e tij. Politikisht, Shefer kishte lidhje të forta me Mbretin Louis Philippe I, duke qenë i punësuar si mësues i fëmijëve të tij, gjë e cila e favorizoi atë të jetonte një jetë luksoze për shumë vite, deri në Revolucionin Francez të vitit 1848.
Siç dihet Suliotët kanë qenë një komunitet shqipfolës ortodoks nga krahina e Sulit, sot në Epir, Greqi, i cili ishte dhe mbetet shumë i njohur dhe që hyri në një konflikt me osmanet në rastin konkret me Pashallëkun e Janinës që drejtohej në atë kohë nga Ali Pasha. Pas humbjes së tyre në vitin 1803, suliotët ishin të detyruar të shpërnguleshin në drejtim të Greqisë, dhe shumë prej tyrë luajtën një rol të dorës së parë në Luftën greke të Pavarësisë, duke filluar që nga 1821, ku u dalluan me udhëheqës të shquar si Marko Boçari dhe Kiço Xhavella.
Suliotët në fillim flisnin një nëndialekt të dialektit çam dhe me kohë u bënë përdorues të dy gjuhëve greke dhe shqipe. Pas asimilimit të tyre, një ndryshim i gjuhës në drejtim të greqishtes ndodhi, ndërsa dialekti çam i Sulit u zhduk.
Gazeta franceze, « Le Petit Parisien », ka botuar, me 6 tetor 1885, në faqen n°2, një shkrim që trajton rolin e grave në luftë dhe mban titullin « Les femmes soldats – Gratë ushtare ». Francezja rrëfen se gratë suliote kanë frymëzuar edhe ato të Rumelisë për të luftuar kundër turqve. Ajo vë në dukje trimërinë e sulioteve dhe nuk harron të theksojë origjinën e tyre shqiptare.
Në vijim, rrëfimi i plotë i gazetës, sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu « Dars (Klos), Mat – Albania » :
« …Me padyshim se gratë e Rumelisë janë kujtuar për rolin e lavdishëm që kanë lujatur gratë e vendeve fqinje më pak se para njëqind viteve. Këto gra ishin Suliotet. Suliotët ishin shqiptarë që u tërhoqën në male bashkë me bagëtitë e tyre dhe formuan një Republikë të vogël. Numri i tyre ishte rreth shtatë mijë. Në 1789 dhe 1790, ata u ngritën kundër turqve, të cilët dëshironin t’i nënshtronin sërish. Gratë Suliote ndoqën burrat në luftë ; ato u sillnin atyre ushqim, municione, dhe, nëse ishte e nevojshme, luftonin me ta. Njëra nga ato, Moscho Tsavellas (Mosko Xhavella), gruaja e njërit prej udhëheqësve kryesorë (e ka fjalën për Lambros Tsavellas – Llambro Xhavellën), çau me sopatë tri arka plot me fishekë, mbushi përparësen e saj, mori pushkën dhe u vërsul përballë turqve*, e mbështetur nga një batalion i shoqeve të saj. Të inkurajuar nga vrulli i tyre, katërqind Suliotë nxituan bashkë me to mbi armikun, i cili u tërhoq, duke lënë më shumë se tre mijë të vdekur në fushë.
Në 1800, Turqit dëshiruan të merrnin hak. Për fat të keq, kësaj here pati tradhtarë midis suliotëve, dy tipa të mjerueshëm shitën vendin e tyre, dhe, nëpërmjet tyre, turqit kapërcyen pengesat. Lufta zgjati me ditë të tëra.
Gratë, të cilat rezistonin, u masakruan masivisht, dhe ato që mundën të largoheshin, njëqind e gjashtëdhjetë, u ngjitën në majat e shkëmbinjëve, prej të cilëve u hodhën në humnerë me fëmijët e tyre.»