Ishte pranverë në Paris, kur Edith Wharton u takua për herë të parë me Morton Fullerton. Një vit më pas, kur e ulur në skrivaninë e saj, teksa i shkruante në letra që “t’i përgjigjej”, ajo do të donte të mos e kishte njohur. Një grua është gjithnjë e vogël për të përballuar ikjet që një burrë i jeton shumë lehtë. Kur e pa për herë të parë nën shoqërinë e mikut të tyre të përbashkët Henry James, Wharton u tërhoq menjëherë nga ironia e tij. “Ai është i zgjuar, ka një sharm të lindur dhe duket i jashtëzakonshëm”, u tregonte ditën tjetër miqve të saj.
Fullerton ishte gazetar amerikan, i cili ashtu si Edith kishte mbërritur në Paris për të shijuar kafetë e mbrëmjes të mbushura me jetë. U deshën vetëm pak çaste që mes tyre të niste një histori e gjatë pasioni dashurie, që do të linte gjurmë në jetën e Edith Wharton, një nga zërat më të rëndësishëm të letërsisë amerikane të shekullit XIX. Pas divorcit nga një martesë e bërë herët dhe depresionit të gjatë të të shoqit, Edith kishte shkuar në Paris t’i kushtohej letërsisë. Sapo kishte kaluar të tridhjetat dhe fama e saj kishte mbërritur dhe në këtë pjesë të Europës. Me një stil të veçantë, ajo mund ta sillte jetën vetëm përmes një historie të shkruar shkurt.
Proza e shkurtër, një nga gjinitë më të vështira, do të posedohej shpejt nga White, e cila kishte botuar disa libra me tregime të shkurtra që po priteshin mirë nga kritika jo vetëm në Paris. Por takimi me Morton do të ndryshonte shumë gjëra në jetën e Wharton, e cila do t’i përkushtohej kësaj lidhjeje me gjithë pasionin e librave që kishte shkruar.Tashmë ajo ishte thjesht një personazh libri dhe e kishte lënë veten të lirë të jetonte. Morton pa tek ajo diçka tjetër që nuk e kishte gjetur tek asnjë nga gratë që kishte takuar. Ndoshta se brendësia e saj për të ishte e plotë. Muajt që kaluan bashkë në Paris do të ishin frymëzimi i mëvonshëm për librat që shkroi. Kur ai u kthye në Amerikë, ata i shkruanin njëri-tjetrit letra, deri sa Morton një ditë nuk iu përgjigj më. “I dashur Henry! Të lutem më ndihmo! Çfarë ka ndodhur me Morton. Ai më ka thyer zemrën me refuzimin që u bën letrave të mia.
Çfarë mund të ketë ndodhur me të? Ndoshta është i sëmurë? Apo ka gjetur dikë tjetër? Ju ka shkruar këtë verë? Të lutem më ktheni një përgjigje …”, i shkruante Edith mikut të tyre të përbashkët, Henry James. Në një tjetër letër, ajo i shkruante: “I dashur, çfarë do të më thuash përmes heshtjes? I kam lexuar letrat e tua gjithë ditën dhe nuk e besoj se ato i ke shkruar ti. Sjell në mendje kohët që kaluam bashkë dhe ndonjëherë dyshoj, e në fund jam e lumtur që i jetova …”. Edith Wharton është femra e parë amerikane fituese e çmimit “Pulitzer”. Romanciere, tregimtare dhe art-desing ajo është nominuar për çmimin “Nobel” në letërsi në vitet 1927, 1928, 1930. Wharton kombinoi në librat që shkroi të shkuarën amerikane me humorin dhe stilin e saj plot jetë. Historinë e saj të dashurisë me Morton ajo e shndërroi në libër te “Mosha e pafajësisë”, një nga librat më të mirë të të gjitha kohërave. Një libër simbol i dashurisë së pavdekshme, i kërkimit të lumturisë me të gjitha kostot që ajo mbart. Letrat e dashurisë të Edith janë botuar në një libër që vazhdon të përkthehet në shumë gjuhë të botës.
shqip