Nga Albert Vataj
Kremtimi i Pashkëve është një nga festat më të rëndësishme, sepse me këtë kremte besimtarët i lidh ringjallja e Jezu Krishtit, prova e Zotit dhe sakrifica e të dërguarit të Tij. Pashkët kanë lidhje të tërthortë me Biblën dhe katolicizmin, sepse ajo ka origjinë pagane dhe si e tillë në fillimet e saj, gjendet e refuzuar insistueshëm nga kisha, e cila për arsye rrethanore e përfshiu brenda vetes, sepse në themel qëndronte besimtari.
Kremtimi i Pashkëve nuk bazohet në Bibël. Megjithatë, nëse i hedh një sy historisë së Pashkëve, do të zbulosh domethënien e vërtetë të tyre është një traditë e bazuar në rite të lashta të pjellorisë. Shqyrto çfarë thuhet më poshtë. Emri: Një enciklopedi (Encyclopædia Britannica) thotë: «”Nuk dihet me siguri origjina e fjalës Pashkë [në anglisht Easter]. Prifti anglo-sakson i Përnderuari Bede i shekullit të 8-të e huazoi atë nga emri Eostre, perëndesha anglo-saksone e pranverës.”» Të tjerë e lidhin me Astartën, perëndeshën fenikase të pjellorisë, ekuivalentja babilonase e së cilës ishte Ishtari. Lepujt janë simbol i pjellorisë “që e kanë prejardhjen nga ceremonitë dhe simbolizmat e lashta të festave pagane të pranverës në Evropë dhe në Lindjen e Mesme” sipas Encyclopedia Britannica.
Vezët:
Sipas një libri (Funk & Wagnalls Standard Dictionary of Folklore, Mythology and Legend), kërkimi për vezët e Pashkëve, që supozohet t’i ketë sjellë lepuri i Pashkëve, “nuk është thjesht një lojë për fëmijë, por gjurmë e ritit të pjellorisë”». Në disa kultura njerëzit besonin se zbukurimi i vezëve të Pashkëve ” mund të sillte si me magji lumturi, begati, shëndet dhe mbrojtje”.
Traditat e festës- Veshja e re për Pashkë: «”Konsiderohej e pahijshme dhe si rrjedhojë, sillte fat të keq ta përshëndetje perëndeshën skandinave të pranverës, ose Eastrën, me rroba që s’ishin të reja.”» The Giant Book of Superstitions. Ritet për lindjen e diellit: Këto lidhen me rite të lashta të adhuruesve të diellit «”që i kryenin në ekuinoksin e pranverës, i cili mirëpret diellin dhe fuqinë e tij të madhe për t’i dhënë jetë të re çdo gjëje që rritet”».
Një librin (The American Book of Days) përshkruhet më së miri origjinën e Pashkëve: «”S’ka asnjë dyshim se Kisha e hershme i përvetësoi zakonet e lashta pagane dhe u dha atyre domethënie të krishterë.”» Bibla paralajmëron të mos e adhurojmë Perëndinë duke ndjekur tradita e zakone që nuk i pëlqejnë atij. (Marku 7:6-8) 2 Korintasve 6:17 thotë: «”Ndahuni,—thotë Perëndia, dhe mjaft e prekët gjënë e papastër.”» Pashkët janë festë me origjinë pagane dhe ata që duan ta kënaqin Perëndinë, i shmangin festa të tilla.
Legjenda
Siç e cituam më lart, në gjuhën angleze, fjala Pashkë përkthehet Easter. Kjo e fundit vjen nga fjala Eostre, që korrespondon me emrin e një perëndeshe pagane për pranverën dhe fertilitetin. Sipas legjendave, perëndesha Eostre një ditë gjeti në rrugë një zog të lënduar, i cili po ngordhte. Perëndesha e transformoi zogun në lepur që të qëndronte ngrohtë brenda gëzofit të tij. Lepuri zog si shenj mirënjohjeje, perëndeshës i prodhonte vezë shumëngjyrëshe për të treguar besnikërinë, devotshmërinë dhe dashurinë ndaj saj. Në shumë vende të botës, Pashkët nisin me gjuetinë e vezëve plot ngjyra të lëshuara nga lepuri i pashkëve. Për këtë traditë duhen përdorur vezë të ziera fort.
Përse veza? Një proverb latin thotë “Omne vivum ex ovo” ose “Jeta vjen nga një vezë”. E vërteta është që në të gjitha kulturat dhe traditat, veza konsiderohet si një emblemë e vetë jetës ndaj edhe përdoret në të gjitha festivalet e pranverës. Duke qenë se në periudhën e agjërimit, besimtarët nuk konsumojnë produktet e mishit dhe ato të bulmetit, çdo vezë e prodhuar në javën para pashkëve, zihet dhe ruhet për Pashkë.
Ngjyrosja e vezëve të Pashkës
Një nga traditat më interesante, të lidhura me përgatitjen e Pashkëve është veza me ngjyra. Në ngjyrosjen e tyre merr pjesë e gjithë familja. Por në të kaluarën vetëm gratë kanë pasur të drejtën t’i ngjyrosin dhe t’i vizatojnë vezët e Pashkëve. Për këtë qëllim ata vetë i kanë ngatërruar bojërat në kushte shtëpiake me bojëra natyrore duke shfrytëzuar barërat, lëvoret e qepës, lëkurat e drurit, etj. Kurse përmes teknikave të ndryshme kanë pikturuar mbi vezë diej të çuditshme, lule, kafshë dhe figura të tjera të ritit ku secila bart domethënien e vet.
Pikturimi i vezës është i përmbushur me një simbolikë të pasur. Zakonisht formojnë kryqe, shenja diellore. Marrin pjesë ornamente të ndryshme bimore. Mund të pikturohet dhe gruri ose gjethe dushku, që pasqyron forcën jetike. Shpesh kanë pikturuar gjela si simbol të fillimit të meshkujve. Në këtë mënyrë familjes pa fëmijë i është dhuruar vezë me një gjel të formuar. Një vezë me fije gruri të pikturuara mund të futet në dhe në fushë për begati.
Ngjyrosja e vezëve dhe Maria Magdalena
Gjithçka mendohet të ketë nisur kur Maria Magdalena besohet të ketë shkuar tek Perandori i Romës për ta njoftuar për ngjalljen e Krishtit. “Krishti u ngjall” besohet të ketë thënë ajo. “ Nëse Krishti është ngjallur, është njësoj sikur të thuash që kjo vezë është e kuqe” tregohet të ketë thënë perandori duke treguar një vezë në tavolinë. Thuhet që menjëherë pas kësaj fjalie, veza u bë e kuqe! Kjo ngjyrë simbolizon gjakun e Krishtit të derdhur në kryq mbi botën që përfaqësohet nga veza. Ngjyrosja e vezës është art më vete dhe mbart simbolikën e pranverës dhe dritës së diellit. Mbajtja e vezëve kryesisht atyre të kuqe në shtëpi sjell shëndet dhe mirëqenie.
Dekori festiv
Kishat dekorohen me lule për Pashkë. Tema kryesore e Pashkëve është rilindja, ringjallja, simbolika e së cilës gjendet fort tek lulet dhe kryesisht tek zambakët. Kjo lule e bukur besohet të jetë rritur në të njëjtin kopsht ku u arrestua Jezusi. Lule dhe bimë të tjera që përdoren në pashkë janë shelgjet, zymbylët dhe tulipanët e kuq, që përfaqësojnë gjakun e derdhur të profetit.
Lepuri dhe Pashkët Katolike
Në qendër të Evropës, në Munih të Gjermanisë, ndodhet një muze origjinal ku ruhen koleksione lepujsh pashke nga e gjithë bota. Atje ka më shumë se 2 mijë të tillë. Lepujt, së bashku me vezët e kuqe, duket filluar që nga shekulli i 16-17, janë simboli kryesor i Pashkëve të Mëdha për të gjithë të ashtu quajturit të Krishterë. Dokumenti i parë, ku përmendet ky simbol, është Trakti i Vezëve të Pashkës. Në këtë trakt, Gjeog Frank fon Frankenay pohon se lepujt janë bërë simbol i Festës Pranverore të Pashkës sidomos ne Elsas.
Gëzuar Pashkët!