Nga Albert Vataj
Artisti më i ri i Rilindjes sesa Leonardo dhe Michelangelo, Raffaello Sanzio arrin të ndërthurë rafinimin dhe paraqitjen e natyrshme, madhështisë dhe plastikës, duke i dhënë kështu jetë një stili “të përjetshëm” që do të ndikojë në art deri në shekuj.
I gjithanshëm dhe i aftë në arte të ndryshme, stili i tij shquhet për gjuhën harmonike dhe qetësuese me të cilën ai realizon idealin e tij të bukurisë të zhytur në shpirtëror të krishterë dhe që, në pikturë dhe arkitekturë, e ngre atë në simbolin e epokës së fundit dhe të jashtëzakonshme të Rilindjes. .
I jetuar në periudhën në të cilën papët porositën vepra arti, Raphael arrin të kënaqë shijet dhe preferencat e klientëve të tij. Pikërisht për këtë aftësi në përfaqësimin e idealeve humaniste dhe të krishtera ai është artisti i preferuar i papëve të periudhës.
Nëse në fund të shekullit XV Firenca dhe Milano kishin përbërë një pikë takimi të domosdoshme për prirjet e reja artistike, që nga fillimi i shekullit XVI do të ishte Roma që do të bëhet forca kryesore lëvizëse e inovacioneve sepse, falë papëve, të cilët u bënë klientët kryesorë të artistëve, ne mund të shijojmë vepra të jashtëzakonshme që kanë shënuar historinë e artit .
Vdekja e parakohëshme e Rafaelo Santit, tronditi thellë rrethet zyrtare dhe ato artistike të Romës së mesjetës. Vdekja e mjeshtrit shënon gjashtë vite pas Bramantes dhe një vit pas Leonardo da Vinçit. Ajo erdhi jo vetëm si një lamtumirë pikëlluese për një njeri të lartë në tërësinë e vet, por si perëndimi i Rilindjes së Artë, një prej etapave më të jashtëzakonshme të shpërthimit të shpirtit krijues, një prej periudhave më të rëndësishme të historisë së artit. Nga kolosët e saj, nga ata që kontribuan me vepër skalitjen në yjësi, Ticiani, që ishte ende gjallë, e kishte fare të pamundur sfidën e mbajtjes mbi supet e rënduara nga pesha e viteve, barrën e përbindshme që kërkonte ajo. Mjeshtri i madh, Mikelanxhelo Buonarroti, e kishte arritur me kohë kreshtën e synuar, dhe në vitet që vijuan, në veprën e tij nisën të shfaqen gjithnjë e më dukshëm hove ndryshesash. Ai tashmë kishte kapërcyer në një dimension të ri krijues, elementë të tjerë shprehës shquanin karakteristikën artistike.
Kishte vdekur Rafaelo Santi.
Ai nuk ishte shenjtor, por çdo gjë që përbën jetën e tij është e tillë, e përkorë, e shëlbyer, blatuese, e denj për çdo shenjtor. Nuk kishte si ai në planin njerëzor. Diçka eterne jetoi me të të, u ngjit në qiell për të shkëlqyer pambarimisht me energjinë e një dielli. Raffaello Santi u shua më 6 prill 1520 kur ishte vetëm 37 vjeç. E la trupin e tij të fikej për t’ia dhuruar së Premtes së Shenjtë, shpirtin, atë lëndë të hyjshme që ngjiti atë në Panteon. Sipas Vasari-t vdekja e arriti pas dymbëdhjetë ditëve i sëmurë, të nisura me një e ethe të “vazhdueshme dhe akute”..
Një nga dëshmitarët e dhimbjes së shkaktuar nga vdekja e artistit ishte Marcantonio Michiel. Në disa letra përshkroi hidhërimin “e të gjithëve, edhe të Papës”. Dhimbja e letrarëve për përmbushjen e munguar të “përshkrimit dhe pikturës së Romës antike, duke bërë gjëra shumë të bukura”. Për më tepër mungoi nënvizimi i shenjave të jashtëzakonshme që u vërtetuan me shuarjen e piktorit, si në vdekjen e Krishtit. Një plasaritje panikndjellëse tundi Palazzo Vaticano, ndoshta nga efekti i një tërmeti të vogël. Qiejt gjithashtu u trazuan në këtë ditë kobi të ndarjes nga jeta të një “shenjtori” të artit dhe humanitetit.
Në apogjeun e suksesit të Rafaelo Santi, e konsideronin aq “hyjnor” sa ta krahasonin me një rimishërim të Krishtit: që si ai kishte vdekur të premten e shenjtë dhe për një kohë të gjatë u shtrembërua data e lindjes së tij për ta përputhur me një tjetër të premte të shenjtë. E njëjta pamje me mjekër dhe flokët e gjatë të lëshuar të ndarë në mes, të dukshëm për shembull te “Autoritratto con un amico”, nga afër të kujtojnë pamjen e Krishtit, siç shkroi Pietro Paolo Lomazzo: Fisnikëria dhe bukuria e Rafaelos “ngjan me atë që gjithë piktorët e shkëlqyer paraqisnin si Zoti Ynë”. Korit të lëvdatave i’u bashkua dhe Vasari, që e kujtoi “me natyrë të pajisur me gjithë atë modesti dhe mirësi që zokonisht shihet në ngjyrë, që më shumë se tek të tjerët, tek Rafaelo Santi kanë një lloj humaniteti të natyrës së butë që i shtohet një zbukurim shumë i hirshëm i një dashamirësie të hijshme”.
Në dhomën ku ai vdiq ishte varur, disa ditë para vdekjes, Trasfigurazione dhe vizioni i asaj kryevepre gjeneroi akoma më shumë keqardhje për humbjen e tij. Vasari rreth kësaj shkroi: «Vepër e cila, duke parë trupin e vdekur dhe atë të gjallë, e bënte shpirtin të mbytej në dhimbje dhe çdokënd që këtu shikonte».
Të shterruarit jete të mjeshtrit të madh u përcoll nga tërë radhët e oborrit papnor. Trupi i tij u varros në Panteon, sikur ai vetë ta kishte kërkuar. Antonio Tebàldi, 1463-1537, një poet dhe mik me Rafaelon, krijoi për të këtë epitaf: “Këtu prehet ai, Raffaello, të cilin ajo nënë bujare e mjeshtërisë së krijimit, druhej se bashkë me këtë lamtumirë do të ikte dhe Ai.
Si shenj nderi për mjeshtrin e madh të Rilinjdes së Artë, Rafaelo Santi i është dedikuar asteroidi 9957 Raffaellosanti. Që nga viti 1997, Rafaelo Santi u portretizua mbi kartëmondhën prej 500.000 liretash italiane, deri sa u fut euro. Për më tepër Rafaelo Santi i është dedikuar avioni Alitalia Airbus A330-202, i regjistruar EI-EJG. Jo vetëm kaq, motive nga punët e tij janë shumëfishuar, janë bërë sinonim i bukurisë, hijeshisë, delikatesës dhe forcës shprehëse estetike. Gjithashtu, në kuadrin e përjetësimit të famës së gjeniut të penelit, më 1943 Enrico Guazzoni realizoi filmin La Fornarina ku artisti u interpretua nga piktori Walter Lazzaro. Ai ishte dhe mbeti një mjeshtër i madh. Vdekja vetëm u ndryshoi dimensionet e kohërave mjeshtrave.