Ndoshta këtij zëri të tjetërllojtë të vargëzimit do t’i shkonte çdo postulat tjetër, por unë kam zgjedhur: Fjala është mendim dhe gjithçka në të pasvjen.
Poetët, ata të mirët, secili prej tyre zgjedh një veçanti komunikimi, si timbri i zërit, si kodi e patëdytë i ADN-së, si gjithçka që kërkon një unitet të sansionojë në marrëdhënie krijuese me përtej vetes. Kësisoj çdo përpjekje për të kërkuar përngjasim në të, është ajo pamundësi sfiduese, e cila ose na distancon nga poeti, ose lejon vetën të përfshihet marrëzisht pas kësaj joshjeje, si me gufimet e Peso.
Poezia jo gjithnjë është e brishtë, delikate, çuçuritëse. Ajo duke zotëruar mbretërinë e fjalës dhe duke patur pushtet mbi dorzaninë tonë të andshme, kërkon me ngulm skajeve të gjej atë afinitet, atë të çarë depërtuese brenda shpirtrave që janë të gatshëm t’i blatohen kësaj magjie. Dhe duke shkallmuar trajta dhe sinorë, frymëmerr duke këmbyer kraharorin me qiellin, kafazin me lirinë, gugamën me cicërimën.
Pra, lyp të jetë një liri në caqet e pamatshme të lirisë që mundëson fjala. Peso priret të cek në këtë eter përnga kumtues të tjerë shprehës ligjërimi poetik, ndryshe ngase bart në vetvetë suaza e metrikës dhe trajtesës kudolëvruese në popullatën e vargëzimit.
Kur fjala tek ajo mishëron mendimin dhe vetë mendimi përpush thellë në sgrofat e një shpirti që trazueshëm, rreket të mbledh gjithnjë vjeshtave pikat e strehëve dhe melankolinë e qiellit, trishtimin dhe një gjendje të kapitur.
Dykuptimsia shprehëse te kumtimi poetik i Peso orvatet të përcjell përmes trajtimit simetrik të fjalëve, larminë dhe thellësinë e mendimit.
Para se poezia të marrë trajtë prej saj, ajo është fermentuar përmes një procesi përjetimi brendandjesor dhe meditues. Ajo merr frymë duke u derdhur në një formësi të ideuar paraprakisht. Nuk është aq rastësore sa ç’është e shpenguar nga formatet dhe ndikesat e standardit.
Më shumë se gostit poetikisht, Peso sendërgjon në aspektin koloristik, duke e çliruar emocionin dhe ligjërimin nga ngurtësimi i paletit të ngjyrës për ta lejuar të larushojë dlirësisht.
Fjala e përcjell mendimin përmes disa formave shprehëse, të cilat marrin shkas nga shkrepëtima rastësore dhe ngucje të atypëratyshme, të cilat poetja i zhvendos nga rutinorja, duke i vënë në një taban reflektues metaforik.
Në linearitetin e komunikimit dallon përkujdesja e trajtimit të fjalës në funksion të mendimit, të nëntekstit dhe asaj që përcjell në një grishje për të shkuar përtej panoramimit që merr trajt, duke u kujdesur gjithnjë të lërë një shteg nga mund të kalohet në mistikën shprehëse, në një realitet imagjinar që ajo e kyç përmes një kodi metaforash dhe gojimi çapraz.
Te shpirti i poetes shpengimi i lë vendin një vallëzimi joshës, ku spikat rreptësia e koreografisë. Asnjë lëvizje, asnjë dritëhije, pantomimë apo gjestikulacion ngucatës ndjesor nuk është rastësore.
Për lexuesin parësore është përjetimi, ndërkohë që për poeten rëndësi merr efekti dhe meditativja që provokon vargu dhe poezia në tërësinë e vet si konvencion komunikues.
Alkimia e këtij shpirti është matematikë e panoramimit të situatës ligjëruese poetike, përmes formave strikte nga njëra anë dhe gjëndjeve prej ajri nga ana tjetër.
Ndoshta te qasjet e Peso-s veçanti vjen edhe si gjallim poetik i një shprehje të shpirtit, i asaj gjendje qëmtuese situatash dhe shkëndijash, të cilat shërbejnë si katalizatorë reaksionesh vepruese, të atij procesi që vetë laboratori i saj gjegj të gatit. Liria tek ajo nuk është dhe aq shpengim shprehës se sa trajtëzim i stolisur i një përjetimi, i cili megjithëse është rastësor, shndërrohet në një çast befasues perceptimi. Vargëzimi te poezia e saj është një shkrepëtimë i fuqishëm drite. Ndoshta përvoja e një rrufeje do të ishte më e gjetura në këtë gjasmim. Ajo godet e mbush me dritë dhe verbim shqisor, duke zgjuar të tjerë sensorë perceptimi. Ndoshta një qëllimsi për të shtangur trajtimin sipërfaqësorë të gjendjes dhe për t’i dhënë kahje një tjetër pranie shqyrtuese dhe përjetuese, atë thelbësore.
Përjetimi i një poeti zakonisht janë rebesh përmbytës i çasteve të tendosura dhe kjo është ligjësia e lirisë që pushton gjithçkanë e tyre. Te Peso ky harbim është i mbërthyer në frerë që e çon te ligjërimi i përpunuar paraprakisht në një paramendim forcash dhe efektesh që poetja i menaxhon.
Ajo di kaq mirë të disiplinojë flakët e shpenguara të përjetimit, siç di zhdërvjellët të lakojë e ladrojë stilistikën.
Poezia, te Peso, para se të jetë fjalë është mendim, është filozofi, është ajo qasje moderniteti, e cila i shërben si koracë mbrojtëse nga indikatorët e jashtëm që kërkojnë ta shpërbëjnë.
Poezia mund të jetë gjithçka që uniteti krijues i autores sansksionon. Te Peso, poezia është një goditje, trandje dalldisëse e nji gjendjeje të vagullt harrimi dhe troshitjeje. Është përhubje që të hapërdan gjithsekund në trajtën e një përgjimi ojnak. Tretesh në vërshimin e saj si në një paanësi për ta rigjetur veten të ngërthyer ndër metafora e vargje që janë aq të thjeshta sa dhe të dendësuara.
Me gjas e këtillë është ajo poezi që ky zë i ndryshët mëkon si formë komunikimi.
Kjo ngasje perceptuese dhe përjetuese, e tillë që gjithnjë ka aftësinë të të shtang, të të godasë, të të shkul përdhunshëm nga rutinorja për të të hedhur në krahët e një mendimi që gjendja të rrok me afsh e të deh në meditim.
AV