Jam i nderuar që sot jam me ju, në ditën e diplomimit tuaj në njërin prej universiteteve më mira në botë. Unë kurrë nuk kam diplomuar në universitet. T’ju them të vërtetën, asnjëherë nuk kam qenë më afër një diplomimi sesa sot. Sot dua t’i shpalos tri rrëfime nga jeta ime. Kjo është e tëra. S’është diçka e madhe. Vetëm tri rrëfime.
Rrëfimi i parë: lidhja e pikave
Braktisa studimet në Reed College pas gjashtë muajve të parë, por qëndrova atypari rreth 18 muaj para se të largohesha përfundimisht. Pse i braktisa studimet?
Gjithçka filloi para se të lindesha. Nëna ime biologjike ishte e re, e pamartuar, me diplomë universitare, kur vendosi të më japë për adoptim. Ajo ishte e vendosur që unë duhej të adoptohesha nga njerëz të diplomuar, kështu që çdo gjë ishte gati që të adoptohesha nga një jurist dhe gruaja e tij. Por, në çastin e fundit ata vendosën që, në të vërtetë, e donin një vajzë. Kështu, prindërit e mi, të cilët ishin në listën e pritjes, morën një telefonatë në mes të natës: “Papritmas, e kemi një djalë. A doni ta adoptoni?”. Ata thanë: “Natyrisht!”. Nëna ime biologjike më pas e kuptoi se nëna ime e re nuk kishte diplomuar në universitet dhe se babai im nuk e kishte përfunduar shkollën e mesme. Ajo refuzoi t’i nënshkruante dokumentet përfundimtare të adoptimit. Ishte zbutur vetëm disa muaj më vonë, kur prindërit e mi premtuan se një ditë do të regjistrohesha në universitet.
17 vjet më vonë, shkova në universitet. Por, me naivitet zgjodha një universitet që gati ishte i shtrenjtë sa Stanford’i, dhe të gjitha kursimet e prindërve të mi nga “klasa punëtore” u shpenzuan për shkollimin tim. Pas gjashtë muajsh, nuk mund ta kuptoja vlerën e gjithë kësaj. Nuk kisha asnjë ide se çfarë doja të bëja me jetën time dhe s’kisha ide në ç’mënyrë universiteti do të më ndihmonte ta kuptoja atë. Unë po i shpenzoja të gjitha paratë që prindërit e mi i kishin kursyer gjatë gjithë jetës së tyre. Kështu që vendosa t’i braktisja studimet dhe të besoja se çdo gjë do të përfundonte mirë. Ishte shumë e frikshme në atë kohë, por duke shikuar prapa, ai ishte njëri nga vendimet më të mira që kam marrë. Në çastin që u largova, kisha mundësi të mos i ndjekja ligjëratat në lëndët të cilat nuk më interesonin, dhe fillova të shkoja në lëndët që dukeshin joshëse.
Jo çdo gjë ishte romantike. Nuk kisha dhomë në konvikt, prandaj flija në dyshemetë e dhomave të shokëve të mi. I grumbulloja shishet e Coca-Colas për 5 centë, me të cilat blija ushqime, dhe çdo të diel mbrëma ecja 7 kilometra për ta marrë një shujtë të mirë falas në tempullin Hare Krishna. Më pëlqente shumë. Të gjitha ato për të cilat ngecja duke ndjekur kuriozitetin dhe intuitën time, më vonë dolën të jenë shumë të çmuara. Më lejoni t’iu jap një shembull interesant.
Reed College në atë kohë ofronte mbase ligjëratat më të mira të kaligrafisë në gjithë vendin. Në tërë kampusin universitar, secila afishe, çdo etiketë në çdo sirtar, ishin realizuar me kaligrafi dore. Meqë kisha braktisur ligjëratat, vendosa ta merrja një lëndë për kaligrafi, për të mësuar si të shkruaja. Mësova për fontin “serif” dhe “sans serif”, dhe për ndryshimin e hapësirave ndërmjet kombinimeve të fonteve të ndryshme, gjë që e bën tipografinë aq të mrekullueshme. Ishte e bukur në mënyrë historike, artistikisht delikate, me një qasje të cilën shkenca nuk mund të kapë. Kjo më dukej fascinuese.
Për asnjërën nga këto nuk kisha aspak shpresë se do të kishin ndonjë aplikim praktik në jetën time. Por, dhjetë vjet më vonë, kur ishim duke e dizajnuar kompjuterin e parë Macintosh, të gjitha m’u kthyen. Ne i projektuam të gjitha në Mac. Ai ishte kompjuteri i parë me tipografi të shkëlqyeshme. Sikur unë të mos e kisha ndjekur atë lëndë në universitet, Mac’u kurrë nuk do të posedonte tipografi dhe fonte të tilla. Dhe meqë Windows vetëm kopjoi Mac’un, është e mundshme që asnjë kompjuter personal nuk do t’i kishte ato. Sikur të mos e kisha braktisur universitetin, kurrë nuk do ta kisha ndjekur lëndën për kaligrafi, dhe kompjuterët personalë nuk do të mund ta kishin tipografinë e mrekullueshme që e kanë.
Natyrisht, ishte e pamundur t’i lidhja pikat kur isha në universitet. Por, kjo ishte jashtëzakonisht e qartë kur dhjetë vjet më vonë po e hidhja shikimin prapa.
Pra, nuk mund t’i lidhni pikat paraprakisht, por mund t’i lidhni ato vetëm duke shikuar prapa. Duhet të besoni se, në njëfarë mënyre, pikat do të lidhen në të ardhmen tuaj. Duhet të besoni në diçka – në guximin tuaj, fatin, jetën, karmën, në çfarëdo. Kjo qasje asnjëherë nuk më ka zhgënjyer, por e ka bërë tërë ndryshimin në jetën time.
Rrëfimi im i dytë: për dashurinë dhe humbjen
Kam qenë me fat – herët në jetë e gjeta atë që doja ta bëja. Steve Wozniak dhe unë filluam Apple’in në garazhën e prindërve të mi, kur isha 20 vjeç. Punonim shumë, dhe për 10 vjet Apple u rrit nga vetëm dy persona në garazh, në një kompani 2 miliardë dollarëshe, me mbi 4000 të punësuar. Një vit pasi e kishim lansuar krijimin tonë më të mirë – Macintosh, unë i mbusha 30 vjet. Atëherë më larguan nga kompania. Si mund t’ju largojnë nga kompania të cilën e keni themeluar? Derisa Apple ishte duke u rritur, ne punësuam dikë për të cilin mendova se ishte shumë i talentuar për ta drejtuar kompaninë bashkë me mua, dhe në vitin e parë gjërat shkuan mirë. Por, pastaj vizionet tona për të ardhmen filluan të ndryshonin dhe në fund u përplasëm. Bordi i Drejtorëve ishte në anën e tij. Kështu, në moshën 30 vjeçare, u gjenda jashtë. Jashtë me publicitet. Ajo që kishte qenë fokusi i krejt jetës sime, u zhduk. Kjo ishte shkatërruese.Për disa muaj, vërtet nuk e dija çfarë të bëja. Ndjeva se e kisha zhgënjyer gjeneratën e mëparshme të sipërmarrësve dhe nuk kisha qenë në nivel të detyrës. U takova me David Packard dhe Bob Noyce, dhe u përpoqa të kërkoja falje që e kisha katranosur aq keq. Isha një dështim shumë publik, dhe mendoja edhe të largohesha nga skena e Luginës së Silikonit. Por, ngadalë, diçka filloi të shkrepte – ende e doja atë që e kisha bërë. Zhvillimi i ngjarjeve në Apple nuk e kishte ndryshuar aspak këtë. Isha i refuzuar, por ende isha në dashuri. Dhe kështu, vendosa të filloja përsëri.
Nuk e kisha kuptuar atëherë se shkarkimi nga Apple ishte gjëja më e mirë që mund të më kishte ndodhur ndonjëherë. Pesha e të qenit i suksesshëm u zëvendësua me lehtësimin e të qenit një fillestar përsëri, më pak i sigurt për çdo gjë. Kjo më çliroi që të hyja në një nga periudhat më kreative të jetës sime.
Gjatë pesë viteve të ardhshme, themelova një kompani të quajtur NeXT dhe një kompani tjetër me emrin Pixar, si dhe rashë në dashuri me një grua të mahnitshme që do të bëhej gruaja ime. Pixar krijoi për herë të parë me kompjuter një film të animuar të metrazhit të gjatë, Toy Story, dhe tash është studioja më e suksesshme e animacionit në botë. Në një kthesë të ngjarjeve, Apple bleu NeXT, unë u ktheva në Apple. Teknologjia që ne të zhvilluam në NeXT është në zemër të rilindjes aktuale të Apple. Ndërsa unë dhe Laurene kemi një familje të mrekullueshme.
Jam shumë i sigurt se kjo nuk do të kishte ndodhur sikur të mos isha shkarkuar nga Apple. Ky ishte një ilaç me shije shumë të hidhur, por mendoj se pacienti kishte nevojë për të. Ndonjëherë jeta ju godet në kokë me një tullë. Mos e humbni besimin. Jam i bindur se e vetmja gjë që më mbajti mua ishte fakti se e doja atë që kisha bërë. Ju duhet ta gjeni atë që doni. Dhe kjo është po aq e vërtetë për punën tuaj, sa edhe për të dashurit tuaj. Puna juaj do ta plotësojë një pjesë të madhe të jetës tuaj, dhe mënyra e vetme që të jeni me të vërtetë të kënaqur është që ju bëni atë që besoni se është punë e shkëlqyeshme. Mënyra e vetme për të bërë punë të shkëlqyeshme është ta doni atë që bëni. Nëse nuk e keni gjetur ende, vazhdoni të kërkoni. Mos bëni kompromis. Si me të gjitha çështjet e zemrës, ju do ta kuptoni kur ta gjeni atë. Dhe, si çdo marrëdhënie e shkëlqyeshme, ajo bëhet më e mirë me kalimin e viteve. Pra, vazhdoni të kërkoni derisa ta gjeni. Mos bëni kompromis.
Rrëfimi i tretë: vdekja
Kur isha 17 vjeç, lexova një thënie: “Nëse e jetoni çdo ditë sikur të ishte dita juaj e fundit, një ditë me siguri do të keni të drejtë”. Kjo më bëri përshtypje dhe që prej atëherë, për 33 vitet e fundit, e kam shikuar pasqyrën çdo mëngjes dhe e kam pyetur veten: “Nëse sot do të ishte dita e fundit e jetës sime, a do ta bëja atë që do ta bëj sot?”. Dhe sa herë që disa ditë me radhë përgjigja ishte “Jo”, e dija se duhej të ndryshoja diçka.
Ta rikujtosh se do të vdesësh së shpejti është mjeti më i rëndësishëm që kam hasur ndonjëherë për të më ndihmuar të bëj zgjedhjet e mëdha në jetë. Sepse pothuajse çdo gjë – të gjitha pritjet e jashtme, e gjithë krenaria, e gjithë frika e turpit apo e dështimit – shpërbëhet në ballafaqim me fytyrën e vdekjes, duke lënë vetëm atë që vërtet është e rëndësishme. Ta rikujtosh se do të vdesësh është mënyra më e mirë që e di për ta shmangur kurthin e të menduarit se keni diçka për të humbur. Tashmë jeni të zhveshur. Nuk keni asnjë arsye për të mos e ndjekur zemrën tuaj.
Rreth një vit më parë, unë u diagnostikova me kancer. E kisha një incizim në orën 7:30 në mëngjes, dhe ai qartësisht e tregoi një tumor në pankreasin tim. As që e dija se çfarë ishte pankreasi. Mjekët më thanë se ishte pothuajse e sigurt se bëhej fjalë për një lloj kanceri të pashërueshëm, dhe nuk kisha më shumë se tre deri në gjashtë muaj. Mjeku im më këshilloi të shkoja në shtëpi dhe t’i rregulloja punët e mia, që me fjalë tjera është kodi i mjekut për të të thënë të përgatitesh për të vdekur. Kjo do të thotë të përpiqesh t’iu tregosh fëmijëve për disa muaj gjithçka që ke menduar t’iu thuash për 10 vitet e ardhshme. Do të thotë të sigurohesh që gjithçka është e organizuar mirë, që të jetë sa më e lehtë që është mundur për familjen. Do të thotë t’i thuash lamtumirat.
Jetova me këtë diagnozë gjatë gjithë ditës. Më vonë në mbrëmje kisha një biopsi, kur ata më vendosën një endoskop në fyt, përmes stomakut tim deri tek zorrët e mia, dhe e ngulën një gjilpërë në pankreasin tim, nga ku morën disa qeliza të tumorit. Unë isha me qetësues, por gruaja ime, e cila ishte atje, më tha se kur mjekët i panë qelizat në një mikroskop, filluan të qajnë, sepse doli të ishte një formë shumë e rrallë e kancerit të pankreasit, që është i shërueshëm pas ndërhyrjes kirurgjike. U operova dhe tash jam mirë.
Kjo ishte afërsia ime më e madhe me vdekjen dhe shpresoj se do të mbetet e tillë edhe për disa dekada të ardhshme. Duke përjetuar këtë gjë, tani mund të them me një siguri pak më të madhe se vdekja ishte një koncept i dobishëm, por krejtësisht intelektual.
Askush nuk dëshiron të vdesë. Edhe njerëzit të cilët duan të shkojnë në parajsë, nuk duan të vdesin për të arritur atje. Vdekja ende është destinacioni që ne të gjithë e ndajmë. Askush nuk iu ka shmangur kurrë asaj. Dhe kjo është ashtu siç duhet të jetë, sepse vdekja me gjasë është shpikja më e mirë e Jetës. Është agjensi i ndryshimit të Jetës. Ajo e pastron të vjetrën për t’i hapur rrugën të rejës. Tani e reja jeni ju, por një ditë jo shumë të largët nga tash, ju do të bëheni gradualisht të vjetër dhe të do të largoheni. Më vjen keq që jam aq dramatik, por kjo është shumë e vërtetë.
Koha juaj është e kufizuar, prandaj mos e humbni atë duke e jetuar jetën e dikujt tjetër. Mos bini në kurthin e dogmës – që është të jetuarit me rezultatet e të menduarit të njerëzve të tjerë. Mos lejoni që zhurma e mendimit të të tjerëve ta mbytë zërin tuaj të brendshëm. Dhe ajo që është më e rëndësishmja – kini guximin për ta ndjekur zemrën dhe intuitën tuaj. Këtë dyja tashmë e dinë atë që ju e dëshironi vërtet. Çdo gjë tjetër është dytësore.
Kur isha i ri, ishte një botim i mahnitshëm i quajtur “Katalogu i Tërë Botës”, i cili ishte një nga biblat e brezit tim. Ai ishte përpiluar nga Stewart Brand, jo shumë larg nga këtu në Menlo Park, dhe ai e solli në jetë me emocionet e tij poetike. Kjo ndodhi në fund të viteve 1960, para daljes së kompjuterëve, kështu që gjithçka ishte bërë me makina shkrimi, gërshërë dhe kamera Polaroid. Ai ishte një lloj Google në formë të librit me lidhje të thjeshtë, 35 vjet përpara shfaqjes së Google: ishte idealist dhe i stërmbushur me vegla të sakta dhe koncepte të shkëlqyeshme.
Stewart dhe ekipi i tij i botuan disa edicione të “Katalogut të Tërë Botës”, dhe kur e kishte kryer detyrën e tij, ata e realizuan botimin e fundit. Ishte mesi i viteve 1970, dhe unë isha i moshës tuaj. Në kopertinën e pasme të botimit të fundit, ishte një fotografi e mëngjesit në një rrugë fshati, e tillë në të cilën do të mund të gjenit veten duke bërë autostop nëse do ishit tipa aventurierë. Nën të ishin fjalët: “Rri uritur, rri naiv”. Ajo ishte porosia e tyre lamtumirës. Rri uritur, rri naiv. Gjithnjë e kam dëshiruar këtë për veten time. Dhe tani që ju po diplomoni për të filluar përsëri, do ta doja këtë për ju.
Rrini të uritur, rrini naivë.
Faleminderit të gjithëve.
Fjalimi i mbajtur në ceremoninë e diplomimit të studentëve në Universitetin e Stanfordit, më 12 qershor 2005.)