Tradita e piramidave ka hyrë në historinë e qytetërimeve një dëshmi që bashkëlidh shumë kultura dhe vende. Të gjitha i përbashkon kulti i përjetësisë.
Ndonëse piramidat janë sinonim për Egjiptin, qytetërime të shumta antike kanë ngritur struktura të ngjashme arkitekturore, në shenjë respektimi të të vdekurve. Afër qytetit Gematona në Sudan, që i takonte Mbretërisë Kushi, ndodhen gjurmët e 16 piramidave, nën të cilat janë të vendosura varreza.
Prej vitit 2600 përpara erës sonë deri afërsisht në vitin 300 të erës sonë, kjo zonë është njohur si Nubia antike, dhe është sunduar nga kushitët, të cilët ishin si armiq ashtu edhe miq të egjiptianëve, në kohë të ndryshme. Ata ndiqnin shumë prej ritualeve egjiptiane si varrosja e mbretërve dhe mbretëreshave të tyre në varre-piramida. Ekzistojnë më shumë se 250 piramida përgjatë lumit Nil në Sudan, një numër që e tejkalon disa herë numrin e kushërirave të tyre egjiptiane.
Gjashtë piramida janë ndërtuar nga guri, ndërsa dhjetë nga tullat prej balte.
Në këtë lokalitet është gjetur tryeza me portretin e gdhendur të klerikut që i ofron temjan Ozirisit, Zotit të nëntokës. Tryeza me siguri ishte bërë për të dhuruar sakrifica të tij.
Ndonëse pjesëtarët e qytetërimit Kush adhuronin perënditë me origjinë egjiptiane, kulturat sudaneze kishin identitetin e tyre, karakteristikat e të cilit dallonin nga ato egjiptiane. Këto piramida i zbuluan arkeologët britanikë në shtator të vitit 2015. Ata këtë lokalitet e hulumtojnë tash 20 vjet.
Në qytetin Meroe në bregun lindor të Nilit ndodhen rreth 250 këso piramidash, nga të cilat më të vjetrat kanë rreth 4.600 vjet. Ato më 1888 i dëmtoi hulumtuesi Giuseppe Fellini, në kërkim të thesareve të fshehta. Kjo zonë aktualisht është e përfshirë nga lufta, prandaj nuk u rekomandohet turistëve.
Edhe pse ka shumë më tepër piramida se fqinji i vet, Egjipti, në Sudan mund të endesh mes rrënojave të paprekura, pa asnjë turist rreth e rrotull. Me më shumë se 250 varre antikë në territorin e vet, piramidat e Sudanit njihen shumë më pak se “kushërirat” egjiptiane dhe si rrjedhim, kanë shumë më pak vizitorë. Një gjë e tillë mund të lejojë privatësi absolute për ata pak njerëz që marrin përsipër të vizitojnë piramidat në mes të Saharasë.
Ndryshe nga Egjipti, ku këto objekte arkitekturore ishin ndërtuar vetëm si vendvarrime për faraonë dhe pjesëtarë shtresash elite, këtu në këto vendvarrime janë varrosur edhe anëtarë të respektuar më pak të shoqërisë.
Përgjatë rrugës që shkon në veri të Kartumit, ndalesa e parë janë piramidat në Meroe, kryeqyteti i mbretërisë Kushite nga viti 300 përpara erës sonë. Tashmë qëndrojnë të vetme në shkretëtirën sudaneze, aty ku kanë qëndruar për më shumë se 2 mijë vjet. Piramidat janë ndërtuar sipas modelit të piramidave egjiptiane dhe shërbejnë si varre për mbretërit dhe mbretëreshat e Meroe. Ato ndodhen afër Nilit, një burim i rëndësishëm uji dhe tregtie drejt Egjiptit, duke lidhur shumë nga rrënojat antike që gjenden aktualisht në Sudanin e ditëve të sotme.
Në kontrast me piramidat e Egjiptit në Giza, pjesa më e madhe e piramidave në Meroe janë pak më të vogla, me faqe anësore më të pjerrëta, bazë më të ngushtë dhe tempuj shtesë për dhuratat. Ato shtrihen në gjendje të ndryshme rrënimi për shkak të valës së gjuetarëve të thesareve në vitet 1800: disa qëndrojnë drejt të ruajtura në kushte perfekte, të tjera janë të padallueshme, grumbuj rrënojash. Ngjyra e tyre dukshëm më e errët vjen për shkak të përmbajtjes më të lartë të hekurit tek gurët.
Piramidat në Meroe janë listuar si pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s në vitin 2011, por për shkak të vendndodhjes së tyre në verilindje të Sudanit- një vend që përmbledh bashkë shumë imazhe lufte dhe krize ekonomike – vizitohet nga shumë pak vizitorë, zakonisht jo më shumë se 10 të tillë në ditë.