Ai ishte simboli i njimëndttë i përsosmërisë artistike. Ashtu sikurëse Fidia e lashtësisë, që përfaqësoi kulmin e artit antik grek, me veprën e tij në skulpturë, pikturë dhe arkitekturë, Michelangelo Buonarroti, i tejkaloi pararëndësit, sfidoi bashkëkohësit, dhe u shndërruar në një mit i gjeneratave. Sfidoi kohën, të gjitha praktikat dhe shkollat krijuese, depërtoi thellë në mendimin iluminist, shndërroi çdo kapacitet në energji për të krijuar në gjallje pulsuese misterin e fesë dhe besimit. Prej bashkëkohësve, atë e veçon temperamenti i veçantë artistik. Ndryshe nga Leonardo Da Vinçi, i qetë dhe Rafaeli gjithnjë optimist, Buonaroti, shpërthyes, plot zjarr e pasion, kaloi një jetë të trandur e rënkuese, nën peshën e pesimizmit dhe pakënaqësisë ndaj çdo pune që nxirrte nga duart e të tij të arta dhe ndaj gjithçkaje që përbënte të mundshmen e arritjeve të tij. Nën peshën e energjisë së brendshme, nga vlimi zoritës i asaj magme, të cilën nuk arriti ta çlironte tërësisht, Michelangelo Buonarroti katapultonte; nga një qyet në tjetrin, nga një vepër në tjetrën, nga një sipërmarrje në tjetrën, duke rrëmuar gjithnjë në një marrëdhënie konflikti me artistët bashkëkohës, me parinë e fisnikëve, padronë, sundues dhe papë. Ishte gjithnjë në kërkim të një zjarri, të asaj ngasjeje që e ndërsente për të rrëmuar deri në skutat më të thella të vetvetes, dhe për ta nxjerrë që andej atë lëndë hyjnore krijimi, atë magji që ky artist i vetmuar e shndërroi në dritë qiellore.
Michelangelo Buonarroti në mbamendjen e brezave do të mbetet një akt i perëndishëm dhe një mantel misteri. Kjo ngase vetëm kësisoj shtresimet e brezave do të munden me e shpalu gjithherë petale pas petaleje dritim magjiplotë, me të cilin ai mbështolli veprën e tij.
Kurrnji mëdyshje nuk orvatet më iu qas të drejtës së sekujt për ta konsideruar Michelangelon, i perëndishëm dhe për ta bashkëvendosur aktin e tij krijues përkarshi titanëve të galaksive mëkuese. Veprën e tij shëmbëllen kumtin e tokësores, ngasun prej dalldisë së krijimit nga fryma e shenjtë. Gjithëpoaq, pakgjë e punës përgatitore, lënda jetësore të këtij mjeshtri të penelit dhe daltës, ka mbëtur, në ndërkohjen e tij, e më së paku, në dëshmimin e të tashmes.
Si çdo gjeni tjetër i asaj ndërkohje, i mëhershëm ose i mëpastajm, një mantel misteri u rri përmbi si një preror shkëlqimtare. Mëdyshje dhe hamendjet, munden sakaq me e thur cohën e tyne të njëmendtë, me kast me e mbulu krejtçka deri te kurorëzimi i veprës. Behin saora turlilloj sajesash dhe qëmtesash, të cilat duke u sendërtu përplot ojna e gajle, e turbullojnë pa mund të tashmen e të lëkundurve në besi. Nëse për Shekspirin nuk nguruen prej atyne shërbestarëve të dyshimit, që tuj hedh baltë mbi krijimtarinë e tij, ia lejuan vetes me vu në pikëpyetje autorsinë disa kryeveprave, për Michelangelo Buonarroti nuk mundi me kapërcy ndokush aq larg, anipse u munduen ngadhnjyeshëm. Megjithatë mungesa e boceteve, punës paraprake të disa prej gjenialiteteve të penelit, të cilat ai vetë hamendet t’i ketë djegur, e duhit me mister të perëndishmen e krijimtarisë së tij në art.
Mbamendje dhe mirënjohje për kolosin rilindas
Ai ishte një prej atyne shkreptimave më të vezullimshme që ka mujt me ra faqe kësaj toke, të fikunit jetësor të Michelangelo Buonarroti. Njanit prej gurëthemeleve më të qenësishëm të rilindjes italiane, piktorit, skulptorit, arkitektit dhe poetit më të zashëm. Michelangelo di Lodovico Buonarroti Simoni, lindi më 6 mars 1475 në Caprese, vdiq më 18 shkurt 1564 në Romë. Deri në të mbrame të frymës, ai nuk reshti së qëmtuari vlerat më të epërme estetike. Mishërimi i këtij ngulmi e jetësoi penelatën, daltën dhe penën në memorien e brezave. Ai që bëri gurit të flasë, penelin të dëshmojë dhe penën të kumtojë, ai ka ditur e s’do resht në përjetësi të magjeps ëndjet tona delikate, të shastis ngulmin e kureshtive dhe të shtag qëmtimet e stërholluara estetike.
Rrugëtimi i gjenilitetit
Ky dëshmimtar i zellshëm i artit edhe me voglinë e tij kishte se çfarë të kumtonte. Mbamendet se e ëma Francesca Neri e “braktisi” Michelangelo Buonarroti, kur ai ishte vetëm 6 vjeç. Kjo ndodhi e trishtë, si dhe fakti që i ati mendonte se arti ishin thjesht një zeje, ashtu si këpucarët, gdhendësit, e mbyll në vete. Gjithsesi i ati e pikasi heret të jashtëzakonshmen që gurgullonte brenda kurmit qumështor të të birit. Hapi nistor i kësaj yshtje në universin e gjeniut, ishin mësimet e gramatikës, të cilat, mjeshtri i ardhshëm do ‘ti merrte nga një personalitet i njohur i kohës, Francesco Galeota. Afria me Francesco Granacci, një shok 6 vjet më të madh, i cili ishte duke studiuar artin e pikturës në studion e Chirlandaios, e yshti Mikelangjelon të bashkëngjitej të njëjtit interes.
Ishte vetëm 13 vjeç kur ai i tha më në fund të atit (i cili shpresonte që Michelangelo të bëhej tregëtar dhe të mbante lart mbiemrin e familjes si dhe të shumëfishonte aq pasuri sa ai vetë kish krijuar deri më sot) se ai do të merrte pjesë në shkollën e piktorit Domenico Chirlandaio. Pasi gati një vit studimesh në artet e afreskut, Mikelangjelo vazhdoi shkollën e skulpturës në kopshtet e Midiçi dhe shumë shpejt ai u bë i ftuar nderi në shtëpin e Lorenzo de Mediçi, të Madhit. Atje u njoh me Mediçit e rinjë, dy nga të cilët me pas u bënë Papë (Leo X dhe Clement VII). Gjithashtu në të njejtën kohë iu dha mundësia të njihej nëpërmjet Mediçit të Madh dhe me humanistë të kohës, si Marsilo Ficino dhe poetin Angelo Poliziano.
Gjatë viteve që ai shpenzoi në Kopshtin e San Markos, Michelangelo Buonarroti filloi studimin e anatomisë së njeriut. Si shkëmbim për të marrë leje në studimin e kufomave, gjest i cili ndalohej nga feja, drejtuesi i kishes së Santo Spirito, Niccolo Bichiellini mori si dhurat një kryq të gedhendur nga Michelangelo, punim i detajuar në perfektison i fytyrës së Krishtit. Por kjo ngasje do të sëmbonte hera-herës shëndetin e tij. Te e vona ai detyrohej të ndërpriste studimet për ti rinisur ato me normalizimin e shëndetit. Debutimet e tij të guximshme do të kumtoheshin kur ai ishte 6 vjeç. “The Battle of the Centaurs” dhe “Madonna della Scala” dy skulptura relievi që datojnë në 1489-1492, Casa Buonarroti, Florencë janë tregimtaret e asaj se ai tashmë kishte arritur të kapte stilin, rrugëtimin drejt apogjeut.
Michelangelo Buonarroti, jetesim i kurmit antik
Nga të gjitha orvatjet e njeriut të vdekshëm për të krijuar shëmbëllimin e energjisë së pafundme, për të lindur nga diçkaja ndjesore gjithçkanë e perëndishme, për të përjetësuar nga asgjëja universalen e amshuar, ajo e Michelangelos është triumfale, vetanake dhe hyjnore.
Njeriu që përvetësoi duke e rikrijuar artin antik, ishte Michelangelo. E gjithë forca e tij shprehëse, egoizmi i sendërtuar si energji shtytëse, e bëri këtë përvojë më të gjallë dhe më depërtuese. Në ndërkohjen e vitit 1496 mjeshtri kur erdhi në Romë u mahnit nga ajo që pa. Kësisoj ai i dha jetë një pasioni që e dalldisi duke e kredhur në imitimin e skulpturave greko-romake, njëra prej të cilave, rezulton të jetë zhdukur, u shit asohere si një antikë, duke shënuar sakaq rastin e parë të fallsifikimit në art.
Trupi, anatomia, gjithçka e magjisë së krijimit përbënin ngasësit e babëzisë fizike të Michelangelos. Ai gjithkah hedh penelin dhe daltën e plazmon këtë shpirt. Davidi, i parë në vetvete shëmbëllen një vepër jashtëzakonisht të tendosur dhe e gjallë e antikitetit. Kur ngjitemi lart këtij jetësimi në mermer dhe përballëmi me shprehitë që mjeshtri i shkroi në portretin epik të Davidit, mësojmë mbi forcën kunguese, që bota e lashtë nuk e njohu, nuk e përvetësoi, nuk e mishëroi askurrë. Mbamendet se Keneth Clark të ketë thënë kësisoj, se “kjo cilësi, të cilën mund ta dukej heroike nuk është pjesë e përfytyrimit që shumë njerëz kanë për qytetërimin”. Ajo mëton vullnesën spartane, mohin e rehatisë, përbetimin për ta kthyer jetën në një shkas për ndeshje. Së këndejmi, ngulmohet t’i mëshohet idesë se Michelangelo Buonarroti përmbi tjetërëçka, është një fenomen, një ngjarje e mbamendjes së njeriut perëndimor. Trupi njerëzor që skaliti ky mjeshtër, ai trup që në epokën gotike ishte subjekt turpi dhe fshehjeje, mund të transformohej në mjetin e shprehjes së ndjenajve fisnike, energjisë gjallëruese dhe të përkryerës si të perëndishme. Kjo kurajo u bë gjaku i kohës për 400 vjet, fuqija jetëdhënëse e përballjes.