Kur marrim në duar Biblën, librin më të botuar në historinë e botimit botëror, nuk mund të mos mendojmë një çast për atë që e shkroi në gjuhën latinishte, për Shën Jeronimin, autorin e Vulgatës siç u quajt atëherë, atë që pas një studimi të vazhdueshëm shumëvjeçar, i dha Krishterimit dhe kulturës njerëzore versionin më të saktë dhe më të përafërt të Librit të Shenjtë, ku u bashkuan përfundimisht Testamenti i Vjetër hebraik me Testamentin e Ri kristian, dy libra në vazhdimësi të një besimi e një kulture të përbashkët. Vulgata e Jeronimit e përkthyer më pas në të gjitha gjuhët e botës, e përkthyer nga Lutheri, Calvini e Erasmus etj, nëpër shekuj do të frymëzonte artistët më të mëdhenj të kohës, nga Da Vinçi e Mikelanxhelo, tek Rafaelo, Van Ejk e Van Dyck, duke vazhduar me Montagna, Della Francesca, Rubens, Rembrandt dhe piktura flamande, El Greco, Rilindja e gjer në ditët tona. Që atëherë, i shpallur shenjt pas vdekjes, Jeronimi, ky asket e murg i tërhequr në një manastir të Bethlehemit, më i varfër se të varfërit, i cili jetoi larg shkëlqimeve të Romës e Konstantinopojës, do të konsiderohej si një nga katër etërit e kishës Kristiane. Kush ishte ky njeri dhe nga vinte ai?
“SKLLAV I JETËS FSHATARE”
Jeronimi, (Hieronymus) ishte i biri i Eusebius dhe kishte lindur në Stridon, i cili më pas do të shkatërrohej rrafsh nga gotët. Ky vend shtrihej atëherë në kufirin midis Dalmacisë dhe Pannomie-s (shumë pranë Lubjanës së sotme) dhe siç shkruan vetë Jeronimi në librin e tij De viris illustrabus, Stridoni nuk u rezistoi dot dyndjeve barbare në fundin e shekullit e IV. Siç thotë dhe një nga biografet e sotme të Jeronimit, Anne Bernet, “Jeronimi duhet të ketë lindur në vitin 347 dhe Stridoni ndodhej jo larg Aquilon-it dhe Triestes”. Historiani Prosper d’Aquitaine e vendos lindjen e tij në vitin 331. “Unë kam lindur i krishterë, nga prindër kristianë dhe në ballë kisha flamurin e Kryqit”, ka shkruar ai. Vetë Jeronimi shkruante me ironi në librin e tij Korrespondenca se “Vendi im ishte skllav i jetës fshatare. Për Zot kishim barkun dhe jetonim ditë më ditë. Më i pasuri ishte më i shenjti”. Atëherë Stridoni kishte një popullsi katolike dhe kishte një peshkop.
Lidhur me prejardhjen e familjes së tij, duke u nisur nga emri i tij dhe i të atit, të parët e familjes duhej të kishin ardhur nga Greqia, përmes Via Egnatia që lidhte Romën me Azinë e Vogël. Shumica e emigrantëve që lëviznin atëherë ishin tregtarë, të cilët kur vinin, i latinizonin emrat e tyre dhe martoheshin me gra latine. Vetë Jeronimi ka shkruar: “Që në djep unë u ushqeva me qumështin katolik”. Në fakt atë e rriti gjyshja e tij. Dihet gjithashtu se në vitin 359,ai shkoi të ndjekë shkollën në Romë, ku studioi Virgjilin, Ciceronin, lexoi librat e Horace, Tit-Liv, Juvenal, Seneka, Lukreci apo Plini. Mbi të gjithë i pëlqenin Ciceroni dhe Horace. Në atë kohë në fron ishte perandori Julien, i cili pushtoi Konstantinopojën dhe pastaj sulmoi Persinë. Por, Julieni vdiq i ri.
Në rininë e tij Jeronimi kalonte një jetë plot dëfrime. Biografët e tij tregojnë se rinia e tij ishte gjithë festime, pije dhe femra. Më pas ai vazhdoi kursin universitar. Por, pas kësaj përvoje, Jeronimi i ri zgjodhi rrugën e Kristianizmit dhe meqë kishte marrë mësime në greqisht, ai kërkoi të zbulonte Biblën. Roma në atë kohë mbetej ende qëndra e Kristianizmit, edhe pse Papa Libere ishte kritikuar, pasi ishte larguar disi nga “credo” e vendimeve të Nikesë, si pasojë e presioneve të Konstancës II. Por, Libere vdiq në vitin 366. Konstantinopoja dhe Aleksandria mbeteshin dy qëndrat e tjera të mëdha të kristianizmit.
NGA DURRACHIUM DREJT KONSTANTINOPOJËS
Librat kristiane dhe veçanërisht disa nga librat e Biblës, e cila qarkullonte në gjuhën greke, e kishin frymëzuar Jeronimin. Kështu ai vendosi të ndërmarrë një udhëtim drejt Konstantinopojës dhe për këtë, si të gjithë udhëtarët e asaj kohe, duhej të ndiqte Via Egnatia. Rruga ishte e lodhshme dhe ai provoi urinë, siç shkruhet në shkrimet e atyre kohëve. Pas një udhëtimi në det, ai zbarkoi në Durrachium, por nuk ka të dhëna se sa kohë qëndroi në këtë qytet, i cili ishte një qytet-port i rëndësishëm i brigjeve të Adriatikut. Por, rrugës Jeronimi vendosi të shkojë dhe më larg: ti drejtohej Antioches, ku kishte një “scriptorium” ku kishin filluar të shkruheshin librat e parë kristianë nga murgjit skribë. Libri ishte pasioni më i madh i djaloshit Jeronim. Më së fundi ai arriti në Antioche dhe që andej udhëtoi nëpër shkretëtirë, ku ra në kontakt me disa kisha ku kishte tekste të vjetra, si në Chalcis.
Kur shkruajnë për Jeronimin, historianët jo rrallë i referohen dhe ëndrrës së famshme të tij të kësaj periudhe, çka shpreh si të thuash dhe pikënisjen e tij për t’iu kushtuar letërsisë hyjnore. Deri atëherë, Jeronimi adhuronte autorët e vjetër romakë, letërsinë humaniste, por kjo ëndërr i tregoi shtigje të reja. “Po shkoja në Jeruzalem të bëhesha ushtar i Krishtit, – shkruan ai në Letra (22,30).
– Isha i sëmurë, me ethe dhe ndjeva se në atë botë të errët dhe të nëndheshme po më bënin gjyqin. Ai që kryesonte procesin më tha se çfarë isha. Dhe unë i thashë: – “Kristian!” – Por kryetari i tyre tha: – “Ti nuk je kristian, ti je një “ciceronas”. – Dhe ata filluan të më godisnin. Më torturuan dhe unë ndërkohë pyesja veten: – “Po në ferr, kush do të më lëvdojë?” Atëherë fillova të rënkoj dhe të lutem: – “O Zot, kini mëshirë për mua!” Këto fjalë tingëllonin midis zhurmës së kamxhikëve. Pastaj ata më mëshiruan me kusht që të mos lexoja më libra paganë. Dhe unë fillova të pohoj solemnisht duke patur Zotin dëshmitar: – “Zot! Nëse do të lexoj libra paganë, dije se të ka mohuar!… ”
Me këtë betim ata më lanë dhe unë u ngrita në sipërfaqe të tokës. Për habi të të gjithëve, kur hapa sytë, nga lotët që kisha binda dhe më budallenjtë… Që nga ajo kohë lexova libra hyjnorë po me aq zell sa dhe ç’kisha lexuar librat njerëzorë.”
Jeronimi e kuptoi se duhej të lexonte me saktësi librat e Testamentit të Vjetër, librat e Moisiut etj., dhe për këtë i duhej të mësonte hebraishten. Por, kjo nuk ishte e lehtë, siç e përshkruan ai dhe në përmbledhjen Korrespondenca, (Letra 125):
– “Kur isha i ri dhe i rrethuar si me mur nga shkretëtirat e vetmisë, nuk mund t’i duroja dot sulmet e veseve dhe zjarrin e natyrës time. Dhe për t’i mposhtur, shpesh rrija pa ngrënë, por shpirti vazhdonte të ziente përbrënda. Për ta mposhtur këtë shpirt, nën drejtimin e një hebreu të konvertuar në kristian, fillova të mësoj alfabetin hebre dhe kështu pas gjithë atyre finesave të një Quintilien-i, pas pasurisë së fjalëve të një Ciceron-i, fjalëve të mençura të një Frontoni dhe gjuhës së ëmbël të Plinit, duhej të përdorja fjalë që fërshëllenin dhe të merrnin frymën. Ah, ç’lodhje e vështirësi provova, saqë shumë herë e lashë këtë sprovë, por me dëshirën për ta mësuar atë gjuhë e fillova sërish. Shpirti im është dëshmitar se sa shumë vuajta!…”
Kur u kthye në Romë, Papa e thirri dhe e pyeti se ç’shkruanin ortodoksët për Krishtin. Siç dihet në atë kohë kishte shumë ungjij, ku shkruhej për Jezunë dhe apostujt e tij. Shumë tregime nuk ishin të njëjta dhe papa ndjente nevojën që të kishte një tekst në latinisht që të përdorej zyrtarisht nga Kisha dhe njëlloj për të gjithë. Por, për këtë duhej një njeri i ditur, që njihte mirë greqishten dhe hebraishten dhe që ishte i pasionuar. Ky njeri ishte pikërisht Jeronimi dhe Papa nuk e kishte pikasur më kot. Kështu në vitin 384, ai iu vu punës për përkthimin e Biblës së shkruar në greqisht, e cila atëherë quhej Septante, pasi ajo ishte përkthyer nga hebraishtja nga 70 (Septante) murgj hebrenj ortodoksë, të kohës së Ptolemeut të Aleksandrisë. Barra që Jeronimi mori përsipër ishte e jashtëzakonshme, pasi duhej të krahasonte tekste të vjetra dhe shumë libra që ishin shkruar si në hebraisht e greqisht, ashtu dhe në gjuhën latine. Por shpejt ai vuri re se kishte kontradikta të mëdha midis teksteve. Më së fundi, pas një studimi disa vjeçar, ai vendosi t’i besojë vetëm një teksti në versionin grek, dorëshkrimit apo kodikut që quhej Sinaiticus, një kodik i atyre viteve, i cili ishte shkruar nga skribët e asaj kohe.
VULGATA
Jeronimi ishte mik i hebrenjve eruditë, të cilët i sillnin libra e dorëshkrime të vjetra. Ai arriti të studionte kështu një Traktat mbi Shpirtin e Shenjtë, (Saint-Esprit) të Didyme i Verbër, i cili drejtonte shkollën fetare të Aleksandrisë si dhe dy “homeli” të Origene mbi Kantika e kantikëve, që bënte pjesë në Testamentin e Vjetër të hebrenjve. Në atë kohë në krye të Kishës kristiane ishte papa Damase, i cili e çmonte shumë Jeronimin. Madje dhe librin e tij Vulgata Bibla greke “Septante” e përkthyer në latinisht, ai do t’ia dedikonte atij dhe në faqen e parë shkruante: “Ai (Origene) e ka tejkaluar vetveten me veprën e tij. Ky libër që ju dedikoj, është sa për të shijuar kënaqësinë e leximit të kësaj vepre dhe për vlerën që i duhet kushtuar”.
Por, në atëkohë në Romë, këtë Papë nuk e donin dhe favoritin e tij, Jeronimin, filluan ta shikonin shtrembër. Në Romë ai s’kishte asnjë mik tjetër dhe të shumtë ishin ata që donin ta përzinin këtë prift, i cili në fund të fundit, për ata ishte thjesht një murg dhe askush tjetër. Në vitin 384, papa vdiq dhe ai e ndjeu veten të vetëm dhe të kërcënuar. Një çast mendoi se në vend të Damase mund të zgjidhnin dhe atë, meqë për të flitej si njeriu më i ditur në Romë, por në fakt si papë u zgjodh Sirice, i cili mendonte se puna që kishte bërë Jeronimi mbi Testamentin e Ri ishte një sakrilegj dhe që e kishte dëmtuar kishën. Ai e urrente Jeronimin dhe e largoi menjëherë nga pozicioni fetar e zyrtar që ai kishte pranë Selisë së Shenjtë. Kështu Jeronimi nuk u pagua më dhe ai s’kishte me çfarë të jetonte. Ja pse ai mendoi të kthehej në Antioche, edhe pse e kishte vështirë ta braktiste Romën, megjithëse tashmë ishte i ndërgjegjshëm se Selia e Shenjtë ishte një seli e korruptuar.
Siç shkruan studiuesja Anne Bernet, Jeronimi dashuronte në atë kohë Marcellan, që ishte e ve dhe ai i kërkoi asaj që ta ndiqte atë dhe të iknin së bashku nga ky qytet i turbullirave dhe diku larg të bënin një jetë të thjeshtë, larg qejfeve dhe luksit, duke iu përkushtuar njëri tjetrit, fesë dhe kënaqësisë së natyrës. Dhe ashtu bënë. Ata u larguan në një fshat larg Romës, por shpejt Marcella u mërzit dhe nuk e deshi jetën e fshatit. Në atë kohë në Romë, Jeronimi kritikohej dhe shahej ngado. Në muret e qytetit ishin të shkruara sharjet kundër tij si dhe kishte karikatura të ndryshme. Madje ata e shihnin si një kristian që vinte nga Kisha e Lindjes, meqë ishte pagëzuar në Antioche. Kisha e Romës i shikonte me mosbesim të gjithë kristianët që vinin nga Lindja. Por ndërkohë Jeronimi e kishte bërë për vete “patricen” Paula, mikeshën e tij, një aristokrate e ve dhe e pasur e qytetit. Megjithatë kundërshtarët e tij i sajojnë një proces që ta zbojnë drejt Antioches, me akuza se ka marrëdhënie me shumë femra si dhe me Paulën. Ajo në fakt kishte pesë fëmijë, por njëra nga vajzat ishte gruaja e senatorit Pammachius, ndërsa një tjetër ishte virgjëreshë. Kundërshtarët e akuzonin gjithashtu se ai rrinte me një turmë virgjëreshash dhe grash të veja, të cilave në fakt ai u mësonte historitë e lindjes së Krishterimit. Edhe sot ruhen afreske që tregojnë këtë episod të jetës së tij, i rrethuar nga gra, ku ai u predikonte mbi jetën e Jezusë. Në gjyqin e organizuar kundër tij, Jeronimi u revoltua shumë dhe ai i denoncoi me prova të gjithë dëshmitarët. “Është e vërtetë që gjatë tre vjetëve kam jetuar me to. Shpesh një tufë e madhe virgjëreshash më ka rrethuar. Mësimi kishte krijuar zellin, zelli familjaritetin dhe familjariteti besimin mes nesh. Por vallë a kam pranuar ndonjëherë para nga ato? – iu drejtua ai gjykatësve. – Jo!… A kanë tingëlluar paratë në duart e mia? A ishte vështrimi im i pacipë ndaj tyre? Jo… Ju qortoni vetëm seksin tim!…(Letra, 45)
Më së fundi ai arriti të bindë Paulën dhe Melonian që ta ndiqnin atë në udhën e tij drejt vëndit të shenjtë dhe ta braktisnin atë jetë qejfesh e luksi. Dhe ato u bindën. Madje Paula ishte gati ta ndiqte deri në Jerusalem dhe të bënte jetën e një murgeshe, duke iu kushtuar Jezusë. Në fakt, rrugën e grave drejt Jerusalemit e kishte hapur më parë Augusta Helena, nëna e perandorit Konstantin të Konstantinopojës, e cila, siç flitej, kishte gjetur Kryqin ku ishte kryqëzuar Krishti dhe kishte ndërtuar një kishë në përkujtim të veprës së tij. Tashmë dhe gratë kishin filluar të bënin pelegrinazh në vendlindjen e Jezusë. Paula mori me vete dhe vajzën e saj Eustochia, dhe në vjeshtë ato u nisën për tu takuar me Jeronimin në Reggio Calabria dhe që andej të merrnin rrugën drejt ishujve grekë Cyclades dhe pastaj t’i drejtoheshin Qipros. Ai e donte dhe Eustochian, madje në një letër që i dërgonte asaj para se të nisej drejt Jerusalemit, ai i shkruante duke i kujtuar rininë e tij në Romë: ”Para shumë vitesh hoqa dorë nga atdheu im, nga prindërit, motra dhe familja, nga ajo që është më e vështira, nga femrat, për tu bërë kështu një eunuk i mbretërisë së qiejve. Doja të shkoja në Jeruzalem, por nuk arrija dot të ndahesha nga biblioteka ime në Romë, të cilën mezi e kisha krijuar. Isha në një gjendje të mjerë. Rrija pa bukë dhe shkoja të lexoja Ciceronin, kaloja netë të tëra zgjuar dhe qaja duke menduar mëkatet e mia të mëparshme, hapja librat e Plaut-it tim. Por pastaj ndjeja pështirosje nga ajo gjuhë e rëndomtë. Isha i verbër dhe i paaftë ta shikoja dritën dhe për këtë nuk ua hidhja fajin syve, por diellit…”
Palestina atëherë dukej sikur ishte fundi i botës. Ndërkohë Jeronimi ishte nisur me një grup tjetër dhe priste, që pastaj së bashku të niseshin drejt Fenicies në drejtim të Cesaresë në brigjet e Palestinës, që atëherë ishte qyteza e prokuratorëve romakë.
Në këtë kohë Jeronimi ishte 38-vjeçar dhe për të tretën herë ai u detyrua të mërgojë. I poshtëruar dhe i zëmëruar, ai që dikur ishte ndihmësi më i afërt i Papës, i cili e kishte ngarkuar të hartonte Testamentin e vërtetë, tashmë detyrohej të merrte udhën drejt Jeruzalemit. Paula e ndihmoi financiarisht gjatë gjithë udhëtimit të tij. Ai la Porto Romanus, ndaloi me anije në Mesinë dhe që andej ata morën udhën drejt ishujve grekë, Salaminës e pastaj drejt Qipros e Antrioche-s, ku e priste miku i tij i vjetër Evagrios. Me vete Jeronimi kishte marrë dhe vëllain e tij të vogël Polinianus. Sigurisht udhëtimi i tyre atë kohë ishte i vështirë. Pasi morën në Qipro një rekomandim nga peshkopi i qytetit për peshkopin Gjon të Jerusalemit, kur ndaluan në Cesare ata pikasën se Pallati i Ponce Pilatit, atij që kishte kryqëzuar Krishtin, ishte ende i paprekur
Kur mbërriti në qytet, Jeronimi kërkoi të shikonte bibliotekën e martirit Pamfil, e cila ishte pasuruar nga peshkopi Eusebe. Pasi qëndroi disa kohë atje, ata shkuan në Jope (Jafa), port i Palestinës dhe më së fundi arritën në Jerusalem. Jeronimi e donte Paulan me të cilën e lidhte një ndjenjë shpirtërore. Jerusalemi ishte shkatërruar disa herë, por teatri i vjetër, cirku, hipodromi dhe tempujt e vjetër qëndronin ende. Falë kujdesit të Konstantinit, vendi afër varrit të Krishtit që më parë ishte kthyer në “lupanar” (bordello), ishte pastruar dhe ndërkohë ishte ngritur dhe kisha e Nativitetit e lindjes së Jezusë, e cila ishte një godinë gati mbretërore. Që të tre ata, Jeronimi, Paula dhe Julia shkonin nga njëra kishë në tjetrën, duke adhuruar kryqin që kishte vendosur nëna e perandorit Konstantin. Ata shkuan në varrin e Jezusë, në Saint-Sepulcre, iu ngjitën Malit të Ullinjve dhe ndaluan në shtëpinë e prindërve të Mark ungjillorit. Ata panë nga afër fortesën Antonia apo kollonën e fshikullimit me kamzhik të Jezusë.
Pas një kohe, Jeronimi dhe Paula u larguan nga Jerusalemi, për të njohur Judenë dhe Galileun, duke shkuar drejt Bethlehemit, Gazës e pastaj në Gomorrhe dhe Bethanie, ku kishte jetuar Lazari. Më pas ata vazhduan buzë lumit Jordan, në Nazareth, në Capharnaum e Tiberiade. Udhëtimi i tyre ishte i vështirë, por dy gratë e ndoqën atë, meqë Jeronimi donte të shkonte patjetër në Aleksandri. Por çuditërisht ata ndryshuan mendim. Meqë Bethlehemi u pëlqeu, ata vendosën të jetonin së bashku dhe t’i përkushtoheshin kishës. Në Bethlehem, Jeronimi vazhdoi pasionin e tij, atë të të shkruarit. Ai kishte shkruar librin Jeta e Palit eremit, i cili kishte patur shumë sukses në botën kristiane dhe tani po shkruante librin tjetër Jeta e Malchus, një novelë me historinë e një murgu që dikur ai e kishte takuar në Antioche, te miku i tij Evagrios. Pas këtij libri ai shkroi një histori të çuditëshme dhe të vërtetë. Libri quhej Jeta e Hilarionit dhe tregonte historinë e një djaloshi nga Gaza që admironte “Antuan egjiptianin”, si ati shpirtëror i “monachismes”. Ky djalosh ishte tërhequr tashmë në një vend të shkretë ku jetonte si eremit dhe djalli e kishte ndjekur, duke dashur ta ndillte me gra dhe tundime të ndryshme. Por ai e kishte zotëruar veten. Për këtë, Zoti i kishte dhënë atij cilësinë e shëronjësit të shenjtë që bënte çudira për të mjerët, të cilët jetonin në kënetë. Por kur në fuqi erdhi perandor Juliani, atë e përndoqën dhe ai u detyrua të largohet në Qipro… Ky libër cilësohet nga studjuesit si një nga librat më të bukur të Jeronimit.
Sidoqoftë, objektivi kryesor i Jeronimit ishte të mbaronte përgatitjen e gjithë korpusit të Biblës në gjuhën latine. Edhe pse kishte probleme me sytë, disa sekretare e ndihmonin të shkruante. Ai fliste ndërsa ato shkruanin: kështu ai ripunoi Komentarin e Ungjillit sipas Shën Lukës; analizoi lidhjen e Testamentit të Vjetër (Dhiatës së Vjetër) dhe ungjillorëve; komentoi Letrat e Shën Palit, etj. Ai e kuptoi se perëndimorët nuk e njihnin pothuajse fare Testamentin e Vjetër. Ai kërkoi të shpjegojë judaizmin edhe pse në Evropë nuk e donin këtë fe. Ja pse ai shkroi dhe Çështje hebraike mbi Gjenezën si dhe librin tjetër, Fjalor i vendeve të shenjta të Biblës së Vjetër. Madje duke menduar gjithnjë rreth Septantes, ai kërkoi tu rikthehej teksteve hebraike, çka për kohën ishte diçka e guximshme, revolucionare dhe e pamendueshme. Jeronimi mendonte se edhe Damase po të ishte gjallë, ai prapë nuk do ta mbështeste në këtë ndërmarrje, nga frika se te fanatikët mund të ngjallte demonë të vjetër.
Duke lexuar dorëshkrimet e vjetra, Jeronimi kishte zbuluar se murgjit skribë që kishin përkthyer Testamentin e Vjetër në greqisht kishin gabuar në disa vënde. Shumë pasazhe të Testamentit të Vjetër ishin eliminuar. Ai deklaroi se ungjillorët kishin të drejtë dhe se faji kishte qënë i përkthyesve. Duke krahasuar tekstin hebraik dhe tekstin grek te Libri i Job, ai zbuloi se një e pesta e tekstit mungonte. Sigurisht ai e vlerësonte shumë Septanten, por versioni i tij në latinisht ishte më i saktë, duke na dhënë kështu Biblën që sot ka Kisha kristiane. Ai arriti të përkthente në latinisht dhe tre librat e Solomonit si Proverbat, Ecclesiaste dhe Kantika e Kantikëve.
I PERSEKUTUARI
I lumtur për punën e tij të stërmundimshme, ai donte që këto dorëshkrime të fundit t’i prezantonte në Romë, por tashmë Jeronimi e kishte të ndaluar të hynte në Romë. Ai dhe vëllai i tij ishin të persekutuar si më parë Shën Pali, Etienne etj., pasi jo vetëm që e kishin të ndaluar të shkonin në Romë, por dhe në Jerusalem, pasi peshkopi i Jerusalemit, Gjoni ishte një nga kundërshtarët e tij doktrinarë. Kështu librat ua jepte pelerinëve që vinin në Jerusalem e pastaj ktheheshin në Romë. Por në vitin 395, nga Roma erdhi Marcella, mikesha e tij e dikurshme dhe një bukuroshe e quajtur Fabiola, e cila do të vendosej në manastirin ku punonte Paula. Kjo vajzë u mrekullua aq shumë nga Paula, saqë vendosi të qëndronte dhe ajo në manastir. Ndërkohë, me vdekjen e Theodhosit (i cili kishte arritur ta bashkonte Perandorinë dhe kishte drejtuar koncilin e Konstantinopojës, duke ripohuar vendimet e koncilit të Nikesë) tashmë Perandoria ishte përçarë sërish. Hunët ishin gati të dyndeshin mbi romakët dhe drejt Perëndimin në përgjithësi. Në vitin 397, sipas shkrimeve të vjetra, mësohet se Jeronimi vuante nga një ulcerë dhe gjendej në një gjendje kritike, pasi ai jetonte në një skamje të madhe dhe s’kishte para. Ndërkohë një tjetër studiues, më i ri se ai, por mjaft i mençur, u takua me të: ky ishte Agustini, apo Shën Agustini i ardhshëm. Ai kishte qenë një universitar i shkëlqyer i Kartagjenës dhe pastaj profesor i retorikës në Milano dhe ishte kleri i Aleksandrisë që e kishte dërguar të takohej me Jeronimin lidhur me traditën hebraike në Biblën kristiane. Agustini ishte kritik ndaj versioneve hebraikë.
Ndërkohë Jeronimi mendonte gjithnjë për tu kthyer në Romë. Për këtë ai iu drejtua mikeshës së tij Marcella, që ta ndihmonte, meqë tashmë ajo ishte kthyer në Romë dhe me forcën e diplomacisë së saj, me njohjet në rrethet e larta, ajo arriti ta heqë këtë pengesë për ardhjen e tij. Në të njëjtën kohë një papë i ri u zgjodh në Romë: ky ishte Anastase, i cili e çmonte veprën e Jeronimit. Por, vitet kalonin dhe shëndeti i Jeronimit rëndohej gjithnjë e më shumë. Paula kishte vdekur në vitin 404 dhe ishte varrosur pranë shpellës së Bethlehemit. Gjatë dy viteve, deri në vitin 406, Jeronimi iu vu punës për përkthimin në latinisht të librit Pentateuque. Ndërkohë gotët ishin në portat e Milanos. Në vitin 410, romakët e thyer ia dorëzuan kryeqytetin visigotëve. Gjatë tre ditëve Roma u plaçkit dhe u dogj nga flakët. Marcellan e kapën si robinë dhe e linçuan, duke e lënë të vdekur tek mbronte vajzën e saj.
FUNDI…
Ishte viti 415 kur një turmë vandalësh, të nxitur nga Gjoni, peshkopi i Jeruzalemit, kishte hyrë në kishën ku punonte Jeronimi dhe në mungesë të tij kishin rrahur për vdekje dhjakun që ruante. Kur Jeronimi dhe Eustachia ishin kthyer në kishë, ata kishin gjetur dhjakun e linçuar dhe librat të grisur dhe të hedhur në tokë. Dëmet ishin të mëdha. Duke qënë se Eustachia i përkiste rretheve të larta, ajo u nis të takonte papën Innocent, që ai t’i ndihmonte. Ai pranoi ta dëgjonte, por ndërkohë papa vdiq dhe ishte papa i ri Boniface ai që do t’i shkruante Jeronimit një letër të ngrohtë dhe përgëzuese. Në vitin 418, atij i vdiq Eustachia, që ishte bërë si vajza e tij. Që nga ajo kohë Jeronimi ndjeu një dhimbje dhe vetmi të madhe. Ai u dergj në shtrat për një kohë të gjatë. Biografja e tij Anne Bernet, shkruan se kur ai vdiq “askush nuk foli për të, asnjë elozh funebër nuk u tha”. Sipas dëshirës së tij, atë e varrosën pranë Paula-s, në Bazilikën e Nativitetit. Por pas vdekjes së tij, meqë kishte kundërshtarë të shumtë në Jeruzalem, manastiret ku kishte punuar u zhdukën njëra pas tjetrës. Trupi i tij humbi dhe nuk u gjet më. Dorëshkrime të vjetra shkruajnë se në vitin 638, kur arabët sulmuan mbi Tokën e Shenjtë, reliket e Jeronimit dhe të Markut të Aleksandrisë u çuan në Perëndim, për tu vendosur në bazilikën e Santa Maria Maggiore të Romës. Koncili katolik i Trente-s e njohu Vulgatën e Jeronimit si tekstin më të saktë dhe autentik të Biblës dhe që atëherë, Jeronimi u mbajt si patroni i përkthyesve dhe i bibliografëve.