Me 13 janar të vitit 2018 mbushen 20 vjet nga ndarja fizike e krijuesit, piktorit, pedagogut, akademikut Muslim Mulliqi, doajenit të pikturës shqiptare. Muslim Mulliqi, padyshim, emri më i njohur i Arteve pamore si në Kosovë poashtu edhe në trevat tjera ku jetojnë dhe krijojnë artistet. Deri në frymën e fundit të jetës i mbeti besnik pikturës me motive dhe imazhe nga nënqielli kosovar, duke filluar nga cikli i Kullave, “Hamajve”, e deri te “Pushtimi i hapësirave të reja” të cilët e ngritën krijuesin në njërin ndër prijatarët e parë në shpërfaqjen e refleksioneve të para të artit modern që nga vitet e shtatëdhjeta.
Dita e 13 janarit për bardin e pikturës ishte ditë e kobshme, ditë kur dashamirët e artit-pikturës së tij, miqtë, kolegët e tij dhe pjesa më vitale e shoqërisë, studentët, që aq shumë i admironte, mbeten pa pedagogun, pa kolosin e pikturës shqiptare. Emri i tij jo vetëm që u bë sinonim për frymën e drejtimit ekspresionit në artet pamore të trevave shqiptare por veprat e ekspozuara në të gjitha qendrat e ish Jugosllavisë, në evenimentet më të rëndësishme siç kanë qenë: Bienali i pikturës, Trineli i vizatimit, Sallonet pranverore, vjeshtore dhe në shumë manifestime të tjera tematike e konceptuale. Në të gjitha këto ekspozita ishin të ekspozuara veprat e piktorit i cili me talentin dhe frymën ekspresive jo vetëm që i mahniti dashamirët dhe kritikët e artit, por, ishte edhe laureat i shpërblimeve nga këto ekspozita dhe krahas emrave nga qendrat jashtë shqiptare, emri i tij u bë sinonim i pikturës kosovare, ndërsa nga kritikët e artit u vlerësua si ekspresionist i denjë i kullave dhe portreteve dukagjinase… Pra, për një kohë shumë të shkurtër, por me një opus shumë të vëllimshme ndikoi në zhvillimin dhe afirmimin e artit kosovar, pa veprat e të cilit nuk mund as të paramendohet një zhvillim drejtë tendencave moderne. Apo siç është shprehur piktori, bashkëkolegu i tij Prof. Rexhep Ferri në një shkrim të shkurtër eseistik për monografinë: (Muslim Mulliqi, Jeta dhe krijimtaria Artistike shkruar nga autori Dr. Hivzi Muharremi, 2000.) Ai në mes të tjerash shkruan: “ Muslim Mulliqi ishte piktor më me ndikim nga të gjithë ne që filluam jetën e arteve në Kosovë. Ndikimi do të ndihet edhe në gjeneratat e ardhshme.
Pa veprën e Muslim Mulliqit nuk mund të paramendohet arti modern shqiptar. Dyzet e pesë vjet ishte në rrjedhat e ngjarjeve krijuese. Ishte Klasik dhe modern”.
Pra, në këtë dikitomi edhe mund të mbarshtrohen ciklet duke filluar me tematikë sociale, “Hamajët”, Sharraxhinjët”. Në të gjitha këto vepra, portrete shtrohen drama e njeriut, vuajtjet, thyerjet shpirtërore, çrregullimet e brendshme, etjet dhe dëshirat. Pastaj fillon me ciklin “Kullat e Dukagjinit”, “Portretet” e deri të cikli i “Pushtimit të hapësirave të Reja”…
I lindur në Gjakovë. Shkollën e mesme të Arteve Aplikative akoma të papërfunduar në Pejë, ku si nxënës i vitit të tretë aplikon në Akademinë e Arteve në Beograd, pas provimit pranues pranohet nga ana e Komisionit profesional vlerësohet si kandidati më i suksesshëm ndër kandidatë të tjerë. Është një moment shumë interesant të cilin ma ka rrëfyer Muslimi gjatë qëndrimit tim në studion e tij në vitet e nëntëdhjeta ku çdo të dytën ditë të javës kam vajtur për grumbullimin e materialeve për realizimin e monografisë së parë në Kosovë për një artist i përmasave evropiane siç ishte Muslim Mulliqi.
Rrëfimin e fillon me këto fjalë për jetëshkrimin e tij monografik për drejtorin e Shkollës së Mesme në Pejë i cili ishte shumë i vrazhdë dhe cinik, sa që Akademisë së Beogradit ju kishte drejtuar se gjoja Muslimi ishte nxënës i vitit të tretë dhe ishte bursist i Gjakovës, sipas mendimit të tij djallëzor ai nuk kishte të drejtë të konkurronte : “ Kur hyra në zyrë, rrëfen Muslimi, ai m’u drejtua me këto fjalë: “Ku je ti” – a e dinë sa ditë ke munguar nga procesi i rregullt mësimor”. Unë i përgjigjem rrëfen Muslimi: Kam qenë në Beograd, në provim pranues në Akademinë e Arteve Figurative”, Ai, më shtron përsëri pyetje: “Hë? Po çfarë ke bërë në provim? – gjithnjë me ironi. I përgjigjem: “A nuk e dini Ju se unë jam pranuar?! Atëherë, atë çast ngrihet në këmbë, i zgjatë të dy duart dhe ma uron pranimin në Akademi, duke më thënë: Ja tash uluni dhe mund të fillojmë të komunikojmë në kushte të njëjta”. Në këto kushte dhe rrethana fillon jetëshkrimi i bardit të pikturës shqiptare, të cilit edhe kundërshtarët më të mëdhenj ja kanë pranuar aftësitë dhe talentin që e posedonte për pikturë. Pra, talenti i tij që nga ajo kohë shpërfaq në elementin e ngjyrës dhe vizatimit me c’rast kjo dikitomi do reflekton në veprat e mëvonshme e sidomos pas kryerjes së Akademisë së Arteve dhe studimeve postdiplomike. Akademinë e Arteve dhe studimet pasdiplomike i mbaroi në Beograd. Me kthimin e tij në Kosovë në vitin 1961 fillojë një kapitull i ri, fillojë me aktivitete kulturore e veçanërisht kontributi i tij u pa në hapjen e Degës së artit figurativ pranë Shkollës së Lartë pedagogjike ndërsa në vitin 1973 në themelimin e Akademisë së Arteve Figurative. Në vitin 1974 Mulliqi zgjidhet Profesor inordinar dhe Dekani i parë i Akademisë së Arteve Figurative. Pas dy viteve e hap Fakultetin e muzikës e më vonë edhe atë të Artit dramatik. Pra, nisma e tij fillon me institucionet arsimore e në vijimësi vazhdon me ato artistike: Është themeluesi i Kolonisë së parë të artisteve në Deçan, i quajtur “Kolonia e Deçanit” e cila aktivitetin e vet profesional e ka vazhduar deri në vitet e nëntëdhjeta. Pastaj është themelues i Shoqatës së Artistëve Figurativ të Kosovës (SHAFK), Kontributi i tij është shpërfaq edhe në hapjen e Galerisë së Arteve në kompleksin e Pallatit të Rinisë e në shumë institucioneve të tjera kulturore.
Që të kemi një pasqyrë të qartë me fillet e krijimtarisë artistike të Mulliqit, na del sheshazi ndërgjegjësimi i njëmendtë nëpër kohë, hapësirë e periudha të ndryshme të frymëzimeve racionale, mbase edhe të natyrës sonë ekzistenciale. Që në fillim këto flasin me gjuhën e trajtësimit të autorit në faza të ndryshme. Pikërisht ky konglomerat krijues i frymëzimeve bën që krijimtaria artistike e Muliqit të ndahet e të zhvillohet në tri faza, të cilat dhe karakterizohen nga fryma dhe tendencat zhvillimore të vet piktorit. Këto merren si etapa të pjekurisë e të prodhueshmërisë së tij, ndërsa parësore për kohët nëpër të cilat krijoi janë stili dhe motivet që përbëjnë një dokumentacion të çmueshëm për të sotmen dhe të nesërmen.
Intermexo: për kullat një përkujtim
Muslim Mulliqi sikurse edhe shumë poet e shkrimtarë tonë të mirënjohur, do të thurë legjenda të shumta për kullat dukagjinase, ku do t’i bëhen tipare karakteristike për njohjen dhe identifikimin e popullit shqiptar autokton, i cili që nga ekzistimi luftoi për mbrojtjen e territoreve etnike. Gjatë shekujve kjo etni u ballafaqua me tronditje. Therje… Vdekje… Sharje e fyerje… Ndaj edhe kulla qëndron si ky popull, fuqishëm përballë çdo furtune dhe ruan gjakun e njomë të etërve dhe bijve, si amanet për nderin dhe mikëpritjen. Është sinonim i qëndresës, i bujarisë dhe i fjalëburrave të mjedisit tonë. Sinonim i filozofisë shqiptare. Kulla si objekt arkitektonik i bëhet lajtmotiv gati për çdo kompozim. Prandaj askush tjetër, deri më sot, nuk e ka pikturuar Kullën më me afsh dhe më devocion se sa piktori Muslim Muliqi. Është shkrirë me tërë qenien e vet në burimin e Kullës simbol. Ngjyra e kuqe sikur na flet për vrullin e brendshëm që ka. Ato flasin dhe gjallojnë me gjuhën e kuqe të gjakut të derdhur ndër shekuj. Përmbajtja arkitektonike e këtyre kullave ka shprehur lojën figurative, të cilën piktori nuk e ka anasjellë pikë për pikë në telajo, por në bazë të kujtesës dhe të mbresave që janë reflektuar në shpirtin e tij. Pa dyshim se nga tablotë e shumta të kullave duhet veçuar: Kullë e harruar, Kulla të Junikut, kulla e Halilit, Halili pranë Kulle, etj. Me këtë ritëm, në vijimësi realizohen kompozimet deri në ciklin e fundit të fazës së tretë të krijimtarisë artistike. Fazë e cila e pasqyron tërë opusin e begatë të krijuesit.
Muslim Mulliqi ndërroi jetë në moshën 64 vjeçare (1998), kur ishte në vlugun e krijimtarisë, në kohën kur e tërë popullata shqiptare përjetoi një katrahurë, ishte një kohë kur e tërë Kosova fillojë të boshatiset, një kohë e mosfunksionimit të institucioneve. Pra, në këto kohë dhe rrethana, themeluesi i shumë institucioneve kulturore e arsimore, deri në momentin e fundit ishte aktiv. Por, vdekja ja ndërpreu vrullin energjik të krijuesit pikërisht, kur tërë qenien e vetë e shkriu për atë që më së shumti e deshi, artin dhe profesionin e pedagogut. Mendoj, që kolosi i pikturës Muslim Mulliqi për 20 Vjetorin e ndërrimit të jetës e ka merituar një organizim më solemn dhe më dinjitoz të prezantimit të personalitetit të tij si pedagog themelues i Akademisë së Arteve dhe krijues i mirëfilltë i artit kosovarë, nga ana e institucioneve të kulturës, po ashtu edhe Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës.
“Dhe/Në ndarje/Pak është një lamtumirë/Pak është një fjali/Pak është një nderim/Një nderim përkujtimor/Por, varri do të jetë shpesh piktakim/Ndërsa portreti dhe piktura përherë do të reflektojë/Porosi…/Lamturmirë bard/Lamtumirë/.
Andaj, në këtë përvjetor kujtimi, secili prej nesh duhet t’i përkulet Atij, artit dhe koloritit të ngjyrave…si komb që hapëron në tokën dhe artin e tij…