Ungjilli thotë se kur engjëlli Gabriel iu shfaq Marisë për t’i njoftuar se do të mbetej shtatzënë, i tha se ajo duhej t’ia vinte emrin të birit Jezu. (Luka 1:31) Ky ishte një emër disi i zakonshëm për judenjtë në kohët biblike. Historiani jude Jozef shkroi për 12 njerëz, përveç atyre që përmenden në Bibël, të cilët kishin këtë emër. Birin e Marisë e quanin «nazareasi», fjalë që shërbente për ta identifikuar si Jezui që vinte nga Nazareti. (Marku 10:47) Gjithashtu, ai u bë i njohur si «Krishti» ose Jezu Krishti. (Mateu 16:16) Çfarë do të thotë ky emër?
Fjala shqipe «Krisht» vjen nga greqishtja Kristós, barasvlerësi i fjalës hebraike Mashíah (Mesia). Të dyja fjalët kanë kuptimin e mirëfilltë «i Mirosuri». Ky term u përdor në mënyrë të përshtatshme për persona të tjerë që jetuan para Jezuit. Për shembull, për Moisiun, Aaronin dhe mbretin David u tha se ishin të mirosur, që do të thoshte se ishin caktuar në pozita përgjegjësie dhe autoriteti nga Perëndia. (Levitiku 4:3; 8:12; 2 Samuelit 22:51; Hebrenjve 11:24-26) Jezui, Mesia i parathënë, ishte përfaqësuesi më i shquar i Jehovait. Prandaj, në mënyrë të përshtatshme Jezui u quajt «Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë».—Mateu 16:16; Danieli 9:25.