Letërsia gjermane përfaqësohet në letërsinë botërore me një kolanë bujare shkrimtarësh, emri dhe vepra e të cilëve janë një gurëthmel i qenësishëm në ngrehinën e testamentit krijues. Ato pena dhe vullnete shkrepëtitëse të pasluftës janë një kapitull i veçantë në historinë e letërsisë gjermane. Një ndër personazhet që plotësojnë spektrin e dritës që kumtoi letërsia dhe botkuptimi i një gjenerate që dilte nga shpërgenjt e përgjakur të luftës ishte, Heinrich Böll. Ai konsiderohet si një prej shkrimtarëve gjermanë më të spikatur, që u përpoqën të ballafaqohen me kujtesën e luftës, me nazizmin dhe Holokaustin, si dhe ndjenjat e përkatësisë së fajit.
Në romanet e tregimet e veta, përpos kritikës së hapur ndaj Gjermanisë naziste, ai polemizon edhe me autoritetet e politikës, të ekonomisë dhe të kishës, që ai i akuzon, herë ashpërsisht, herë ironikisht, për konformizëm, mungesë guximi dhe abuzim me pushtetin. Letërsia e tij u quajt Trümmerliteratur (letërsia e gërmadhave), duke iu referuar gërmadhave të shkaktuara nga bombardimet gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 1972, ai nderohet me çmimin Nobel për letërsinë. Gjithashtu ai u nderu edhe me një sër çmimesh dhe vlerësimesh të tjera, të cilat e shndërruan këtë autor ndër zërat e rëndësishëm akuzator të kasaphanës së Luftës së Dytë Botërore.
Heinrich Böll Theodor u lind më 21 dhjetor 1917 dhe vdiq më 16 korrik 1985. Böll u lind dhe u rrit në Këln në një familje pacifiste katolike, e cila kundërshtoi që në zëfillje sundimin nazist. Böll ishte nga ata që pranoi të merrte mbi vete risk për kundërshtimin që i ai bëri aderimit në rininë fashiste më 1930. Më 1942, Böll u martua me Annemarie Cech, me të cilin ai pati tre fëmijë. Bashkëshortja më vonë u bë krahu i djathtë i veprimtarisë së tij krijuese. Ishte Annemarie dhe puna e saj si përkthyese në gjuhën angleze të veprës së Heinrich Böll, punë të cilën shkrimtari e pati pjesë të CV-së së tij. Böll rekrutohet në Wehrmacht, duke shërbyer në Francë, Rumani, Hungari dhe Bashkimit Sovjetik. U plagos katër herë. Gjatë kohës së shërbimit u kaplua nga ethet e tifos, kur edhe u kap nga amerikanët në prill të vitit 1945 për tu dërguar më pas në një kamp të burgosurisht të luftës.
Pas mbarimit të luftës ai u kthye në Këln ku ponoi në dyqanin e familjes së tij, më pas u angazhua në një zyrë statistikore komunale, impenjim që do ta braktiste për të marrë mbi vete rrezikun për tu bërë shkrimtar. Ishte 30 vjeç kur Böll hodhi mbi supe petkun e shkrimtarit.
Heinrich Böll ishte një nga themeluesit e Grupit ’47, i cili bashkoi autorët më të rëndësishëm të letërsisë së re gjermane, që fillonte nga e ashtuquajtura orë zero. Pas një numri romanesh e tregimesh, në vitet ’60 e deri në vdekje fitoi autoritetin e “instancës morale të kombit”. Një nga frymëzuesit e lëvizjes ambientaliste në Gjermani. Më 1972 mori çmimin Nobel për letërsinë. Veç “Me syrin e një klouni” përmendim, ndër romanet më të njohura të tij, “Ku ishte ti, Adam?”, “Dhe nuk tha asnjë fjalë”, “Portret grupi me zonjë”, “Nderi i humbur i Katerina Blumit” etj.
““Me syrin e një klouni” është një nga romanet e mëdha të Heinrich Böll-it dhe të letërsisë gjermane të viteve ’60, është një kryevepër e cila ka ardhur në shqip nga Ardian Klosi dhe është vënë në skenën e Teatrit Kombëtar. Ky roman është shpërthimi i artistit rebel që sfidon normat e ngurta të shoqërisë për hir të dashurisë së humbur. Njëkohësisht përballja me hipokrizinë e protagonistëve të shoqërisë, që edhe pse më parë patën mbështetur regjimin totalitar nazist, në shoqërinë e sotme predikojnë moralin e krishterë dhe tolerancën, pa i ushtruar dot vetë këto.
Gjithçka ndodh në mendjen e njeriut. Aty ka luftë, ka diktaturë, ka naivitet, braktisje. Një kloun ndoshta nuk i sheh gjërat ndryshe nga të tjerët, vetëm se ai ka dhuntinë të qeshë edhe kur duhet të qajë.
Në një numër romanesh e tregimesh ai bën thirrje për mosharrim të së kaluarës dhe për pastrimin shpirtëror të shoqërisë nga hipokrizia dhe demagogjia. Shkrimtari u angazhua edhe për largimin e figurave të dyshimta nga politika e lartë, dhunën shtetërore në emër të luftës kundër terrorizmit. Në shqip nga veprat e tij janë përkthyer dhe “Ku ishe ti, Adam?” dhe “Kthimi në shtëpi” (Afrim Koçi), “Nderi i humbur i Katharina Blumit” (Robert Schëartz) si dhe një numër tregimesh.