Nga Albert Vataj
Veprat e mëdha të humanitetit, devocionit dhe përkushtimit kanë lindur shenjtorë dhe kryeveprat e artit i kanë përjetësuar në të gjithmonshmen e kohërave dhe gjeneratave për të besuar te forca transformuese që sjell mëshira, shërbesa ndaj të varfërve dhe të sëmurëve. Mishërim i kësaj përvoje që kujtesa e ruan në shpirtin e kohës dhe arti e lartëson në kryevepër është, Ludovica Albertoni.
“Blessed Ludovica Albertoni” është një monument funerali nga i madhi italian i barokut, Gian Lorenzo Bernini . Skulptura është projektur posaçërisht dhe vendosur në altarin e kapelës së Kishës së Shën Françeskut në Ripa, Romë. Bernini i jashtëzakonshëm e ka filluar projektin në vitin 1671, duke e përfunduar në vitin 1674. Memoriali mortor është vendosur më 31 gusht 1674.
Skulptura e realizuar me një mjeshtëri që zotërohej vetëm nga Gian Lorenzo Bernini, i dedikohet, Ludovica Albertoni, një fisnike romak, e cila hyri në Urdhrin e Tretë të Shën Françeskut, pas vdekjes së burrit të saj. Ajo jetoi një jetë të devotshme, duke punuar me përkushtrim për më të varfrit në Trastevere, një zonë në jug të qytet-shtetit të Vatikanit.
Ajo kridhet e shtrirë në fronin e prehjes ndërmjet dy botëve, e përkorë dhe e paqtë në përjetësimin e dorëzimit të frymës së fundit. Dora e saj arrin mundimshëm të rrëmbejë një shterngim të fundit zemrës që dorëzohet. Buzët e çelura ngrirë në një psherëtimë që do ta çojë atë në të panjohurën e madhe të botës së përtejme. E bekuara Ludovica Albertoni është e mbështetur mbi një jastëk, rrudhat e shkujdesura të të cilit sfidojnë realitetin fizik, ndalim kohën, mëtojnë vibrimin ngjethës të lakimit të trajtave. Pas një jete të përkorë por të varfër, ajo, e sëmurë gatitet shenjtërisht për të marrë shpërblimin qiellor. Bernini e derdh në mermer këtë dhimbje, këtë përjetim që gjen prehje në ndijimet e atyre që shpirtërisht e rrokin këtë çast trishtimi.
Ludovica Albertoni kishte një fëmijëri të vështirë, një martesë që e bëri atë nënën e tre vajzave. Vitet e saj si bashkëshorte nuk ishin aspak të lehta. Fatkeqësisht ajo kaloi përmes shumë peripecishë dhe brengash, deri në maj të vitit 1506 kur do të humbte bashkëshortin, Giacomo della Cetera, i cili lëngonte prej vitesh nga sëmundja që i mori jetën, duke e lënë Ludovican të ve. Rruga e saj e përkushtimit dhe devocionit fillon këtu. Vuajtja u shndërrua te kjo grua në një udhë shenjtërimi.
Ludovica Albertoni vdiq e vetmuar dhe e varfër më 31 janar 1533. Fama e saj prej bamirëseje, vullnetmire dhe mëshiruese u përhap në Romë dhe devotshmëria ndaj saj u rrit duke u bërë më e fortë pas vdekjes, gjë që nxiti Papa Klementi X të miratojë bekimin e saj në vitin 1671.
Në atë kohë Kardinali porositi përmirësime të mëdha në kishën e saj, atë të Shën Françeskut, ku ajo shërbeu dhe e cila u bë një vend kulti për besimtarë të panumërt. Një nga vendet më të rëndësisshme të kësaj kishe ishte kapela, dhe përjetësimi i aktit bamirës dhe devotshmërisë së Blessed Ludovica Alberton duhej të kishte një vepër arti, një monument që përjetëson këtë emër, këtë vepër, këtë shenjtore. Pas shpalljes së konkursit dhe propozimeve të bëra, varjanti që do të fitonte ishte ai i Berninit, i cili e realizoi projektin pa para. Mjeshtri kur filloi projektin ishte 71 vjeç dhe kjo kryevepër konsiderohet si puna e tij e fundit. Monumenti funeral e paraqet shenjtoren Ludovica Albertoni në agoni, një moment tejet i trishtë, një prag shndrrimi, një cak ikjeje, një shkallare që e ngjiti atë në altarin e shenjtores dhe në kryeveprën e njërit prej mjeshtrave më të jashtëzakonshëm të traditës së barokut, Gian Lorenzo Bernini.