Krishtlindja është festa e lindjes së Jezusit, i cili besohet nga të krishterët si Biri i Perëndisë dhe Perëndia vetë e mishëruar, zbritur në tokë për të shlyer mëkatet e njerëzimit, dhe për ta kthyer atë në shtëpinë e Perëndisë. Sipas Ungjillit të Lukës dhe Mateut, Jezusi lindi nga Maria në Betlehem, ku ajo dhe i shoqi i saj Jozefi po pushonin rrugës për në vendlindjen e tyre, Nazaret, për të marrë pjesë në numërimin e mbarë popullsisë urdhëruar nga perandori August.
Data e lindjes së Jezu Krishtit konsiderohet ndoshta nga dilemat e historisë së njerëzimit, më e madhja. Janë parashtruar shumë zgjidhje, kanë marrë trajtë sendërgjimi shumë varjante të së vërtetës, janë përplasur shumë hamendësime, kanë flakëruar shumë debate. Teologë dhe filozofë, studieus dhe historianë, hulumtues dhe mendimtarë të ndryshëm kanë qenë pjesë e kësaj beteje epike. Janë vite, shumë vite në mes dhe ende nuk është thënë fjala e fundit.
Fundvitin e vitit 2004, gjatë periudhës së Krishtlindjeve, në Itali u ndez një debat i zjarrtë. Disa arsimtarë përkrahnin idenë që traditat fetare të Krishtlindjeve të mos ndiqeshin fare ose të ndiqeshin sa më pak. E mbështetnin këtë ide për të respektuar nxënësit që nuk janë as katolikë dhe as protestantë, numri i të cilëve sa vjen e rritet. Megjithatë, të tjerë në fushën e arsimit dhe gjetkë kërkonin që traditat të respektoheshin dhe të ruheshin pikë për pikë.
Por, pavarësisht nga këto polemika, cila është origjina e shumë traditave të Krishtlindjeve? Ndërsa debati po arrinte pikën më të nxehtë, gazeta e Vatikanit, L’Osservatore Romano, bëri disa komente interesante.
Në lidhje me datën e Krishtlindjeve, gazeta katolike tha: «Nga pikëpamja historike, data e vërtetë e lindjes së Jezuit fshihet nën një vel paqartësie, pasi këtë nuk e tregon me siguri as historia e Romës, as regjistrimi perandorak i popullsisë së asaj kohe dhe as kërkimet në shekujt vijues. . . . Siç dihet, data 25 dhjetor u zgjodh nga Kisha e Romës në shekullin e katërt. Në Romën pagane, kjo datë i kushtohej perëndisë Diell . . . Ndonëse krishterimi tashmë ishte pranuar në Romë me anë të dekretit të Kostandinit, miti i . . . perëndisë Diell, ishte ende i përhapur, sidomos mes ushtarëve. Festimet e mësipërme, që bëheshin në datën 25 dhjetor, ishin të rrënjosura thellë në traditat e përhapura. Nga kjo gjë, Kishës së Romës i lindi ideja që t’i jepte kësaj dite një domethënie fetare të krishterë, duke zëvendësuar perëndinë Diell me Diellin e vërtetë të Drejtësisë, Jezu Krishtin, dhe duke e zgjedhur këtë si ditën kur do të festohej lindja e tij.»
Bibla, nuk ka asnjë të dhënë se Jezusi ka lindur saktësisht më datën 24 dhjetor. Në fakt tregohet se Jezusi lindi në kohën e Cezar Augustit, në vitin e shpalljes së dekretit të regjistrimit të popullsisë dhe në vitin e pestë të sundimit të Herodit. Pastaj Bibla shpjegon se koha kur ndodhi kjo lindje jashtë kishte barinj që i ruanin delet në vathët e tyre. Pra, kështu nuk mund të krijohet bindja se kjo lindje ndodhi në dhjetor, por studiuesit thonë diku në fillim të marsit, apo fundi i shtatorit.
Ylli i Krishtlindjes, i quajtur gjithashtu Ylli i Betlehemit, është një yll që u zbuloi dijetarëve lindjen e Shpëtimtarit e që më pas i priu për në Betlehem.
Sipas Ungjillit: Pasi Jezusi lindi në Bethlehem të Judesë, disa dijetarë erdhën nga lindja në Jeruzalem dhe pyetën: «Ku është mbreti i sapolindur i judenjve? Sepse pamë yllin e tij në lindje dhe erdhëm ta adhurojmë». I thanë: “Në Bethlehem të Judesë, sepse kështu është shkruar nëpërmjet profetit”. U nisën; dhe ja, ylli që kishin parë në lindje u shkonte përpara derisa u ndal përmbi vendin ku ndodhej fëmija. Kur e panë yllin, u gëzuan me gëzim shumë të madh. Dhe, mbasi hynë në shtëpi, panë fëmijën me Marien, nënën e tij, dhe ranë përmbys dhe e adhuruan.
Janë bërë shumë përpjekje për të shpjeguar Yllin e Krishtlindjes. Disa studiues mendojnë se ky “yll” ishte në fakt kometa Halley, që interpretohej nga të lashtit si shenjë qiellore që njoftonte ngjarje të veçanta në tokë. Megjithatë, të dhënat për shfaqje të kometës nuk korrespondojnë mirë me datën që mendohet se lindi Krishti. Kometa Hallej u shfaq në vitin 11 p.e.s, por ekziston një konsensus që Krishtlindja ndodhi rreth viteve 5 deri 7 p.e.s.
Të tjerë besojnë se “ylli” u shkaktua nga një bashkim planetesh që dallohej gjatë natës. Përderisa planetet vijnë rrotull diellit me shpejtësi dhe distanca të ndryshme, ka raste që duket sikur i afrohen njëri-tjetrit, nga këndvështrimi tokësor. Johannes Kepler (1571-1630) parapëlqente këtë shpjegim sepse e dinte që ka ndodhur një bashkim i Jupiterit dhe Saturnit në vitin 6 p.e.s. Sidoqoftë, bashkimi i planeteve nuk ngjan si një burim i vetëm drite ashtu si përshkruhet te historia e Biblës.
Një tjetër teori për të shpjeguar Yllin e Krishtlindjes është se ai mund të ketë qënë një yll shpërthyes, ose supernovë. Disa yje janë të paqëndrueshëm dhe kur shpërthejnë kanë një shkëlqim më të dukshëm se normalisht. Megjithatë, të dhënat historike nuk tregojnë se është shfaqur ndonjë supernovë në kohën e lindjes së Jezusit.
Vlen të theksohet se asnjë nga këto shpjegime nuk përputhet tamam me detajet e lindjes së Krishtit, siç përshkruhen nga Ungjilli. Ka dy detaje me interes të veçantë: së pari, megjithëse kometat, bashkimet dhe yjet mund të jenë të dukshme për këdo mbi tokë, teksti biblik nënkupton se vetëm dijetarët e panë yllin. Së dyti, ylli shkoi para dijetarëve dhe i priu nga Jeruzalemi drejt Betlehemit. Kjo është një distancë prej rreth dhjetë kilometra, në drejtim veri-jug. Megjithatë çdo objekt në qiell lëviz nga lindja në perëndim sipas rrotullimit të tokës. Përveç kësaj, është e vështirë të imagjinosh se si një dritë natyrore mund t’i drejtonte për një fshat të caktuar, le pastaj t’i orientonte drejt një shtëpie të veçantë.
Meqenëse Yllit të Krishtlindjes nuk mund t’i jepet shpjegim prej shkaqeve natyrore, ka të ngjarë se ai ka qenë një dritë e përkohëshme por e mbinatyrshme. Një shpjegim i tillë do të përputhej edhe me faktin që Krishtlindja e parë ishte një kohë mrekullish. S’do të ishte hera e parë që Zoti përdori ndriçime të veçanta për të udhëhequr njerëzit.
Të çfarëdo forme, ylli ka qenë një dritë e siguruar hyjnisht. Nën dritën e kësaj të vërtete, misteri më i madh i Yllit të Krishtlindjes nuk lidhet me origjinën e tij, aq sa lidhet me pyetjen: përse u zgjodhën dijetarët për t’u ndriçuar, dhe jo të tjerët? I njëjti mister përsëritet mes nesh çdo Krishtlindje. Disave u bëhet e qartë se duhet të kërkojnë Jezus Krishtin, ndërsa të tjerëve u duket e pakuptimtë, ose u kalon pa e vënë re.
Përgatiti: Albert Vataj