Është shuar në moshën 91-vjeçare shkrimtari Kasëm Trebeshina. Vitet dhe jeta e këtij idealisti ishin të mbushura me zemërthyerje dhe harrim. “Njeriu që nuk pa një ditë të bardhë, në jetën e shtrirë në dy shekuj”, thotë studiuesi, Behar Gjoka. Edhe pse jeta dhe fati, por më së shumti koha, nuk u treguan dashamirës me të, ai diti të jetonte duke sfiduar, anipse pa mundur të marrë çfarë meritonte. Jeta e tij ishte një betejë me botën e mashtrimit, me hipokrizinë e kohës ku të gjithë spiunonin, e prandaj dënohet disa herë duke bërë 17 vite burgim e vite të tëra persekutim. Letërsia qe atdheu i Trebeshinës, me të gjithë kuptimin e fjalës. Ai shkëlqeu në të gjitha gjinitë dhe zhanret letrare, në poezi, prozë, dramatikë. Pena magjike e Trebeshinës endi me mijëra faqe letërsisë së përkorë, ndonëse ende vijon që të mbetet ajsbergu i letrave shqipe, sepse pjesa e dërrmuese e veprës letrare vijon të mbetet në sirtar. Nga pjesa e botuar, tekstet të tilla, si “Kënga Shqiptare”, “Odin Mondvalsen”, “Tregtari i skeleteve”, “Çezari niset për luftë”, “Trebeshina ka endur surrealizmin”. Në dramaturgji, për vlerat e shumëfishta, Trebeshina, mbetet Shekspiri i letrave shqipe. Nëse në gjallje nuk e kuptuam, madje e përgojuam, tani në amshim, kemi shansin të lexojmë universin letrar të Trebeshinës.
Nuk e di se sa vend do të zërë në këtë ikje, çdo përmendje dhe fjalë, çdo ligjërim përshpirtje dhe ngushëllim. Për sa kohë që të gjallët e tij, dot s‘i mbushëm me nderim dhe respekt, me mirënjohje dhe merita, ku do të zënë vend gjithë ajo stuhi shtirjeje dhe përmendjeje. Njerëzit me maska do të vërshojnë nga gjithandej, të mbushin panoramën morte të kësaj lamtumire, kësaj ndarje, e cila duke qenë se diti ta gjente rrugën e mohimit dhe harrimit sa ai frymonte, pse të mos e gjejë udhën e sikterisjes, shporrjes nga çdo pikë loti, nga çdo dihamë e çdo kafshim dhimbjeje. Fatkeqësisht për shumë njerëz, edhe për ata të cilët nuk do të ngurojnë t’i bashkëngjiten kortezhit të përmortshëm as që e dinin nëse frymonte ende ndër të gjallë, Kasem Trebeshina. Për të mos përfshirë ata, ata të cilët as që ia kanë idenë se kush ishte Kasëm Trebeshina, e për më tepër të kishin dijeni se çfarë kishte bërë dhe me se ishte marrë në 91 vitet e jetës ky njeri i penës, ky njeri i kurajës, ky idealist që nuk nguroi të sakrifikohej për atë, që për të ishte sa e shtrenjtë aq dhe e shenjtë.
Lamtumirë Kasem Trebeshina!
I lehtë të qoftë dheu. Pushoftë në paqe ai shpirt që ende dhe shendi, ajo e themeltë që meriton përjetësinë, sepse amshuese është e gjithë ajo përmendore.
Fati i shkrimtarëve të mëdhenj është i njëjtë. Nuk kuptohen nga bashkëkohësit, sepse vepra e tyre, pra vepra e Trebeshinës i përkon gjithëkohësisë…
Historia e letërsisë shqipe në kalvarin e gjatë të përpjekjeve për të mëtuar vlerat e saj të njëmendta, ruan në memuarin e vet një vargan të gjatë emrash, vepra dhe vullnesa e të cilëve përbëjnë gurthemelet, ku mbahet panteoni i tekstshkrimit shqip. Ndoshta më së shumti nga koha, ai që do të dallonte mes këtyre gurëve në themelet e kësaj binaje është disidenti Kasëm Trebeshina. Më shumë se ngadhënjyesja e tij krijuese, shënjon në këtë profil heroikja e të kurajshmit. Pakkush në kohën e tij guxoi si ai. Ata që e bënë, diktatura nuk u la kohë të pendoheshin. Megjithatë, ata besuan në idealet e tyre dhe guxuan, pavarësisht se asnjëra nga këto dy forca shtytëse dhe kushtruese nuk do t’u shërbenin as si shugurim për shpirtrat as si balsam për plagët. Gjithqysh ata guxuan. Kasëm Trebeshina do të ishte njëri prej tyre. Jetoi në “Tokën e djegur” të fatit tragjik, për krimin e vetëm të shpëtimit të vlerave. Vlera, të cilat real-socializmi po i lëshonte rrokapjekthi në havanin e boshit të antikulturës së mëkuar nga logjika e shterimit që ushqente “talentin” e shumë personazhesh që sot janë pjesë e historisë së letërsisë dhe jo vetëm. U hodh vullnetlirë në zjarrin e anatemës dhe u ndëshkua si një heretik. Guxoi si pakkush dhe e pësoi si shumë tjerë. Mbi të u lëshua një lum llave ferri hakmarrës, duke e djegur deri në mohim. Edhe sot pas 62 vitesh nga dita kur ai do t’i drejtohej udhëheqësit komunist Enver Hoxha, kurajoja e këtij intelektuali, poeti dhe dramaturgu do të meritonte heroikën e një sfide. Sa herë që i rikthehesh kësaj promemorie dhe përpiqesh të modelosh kohën, me të cilën ai kishte vendosur të ndeshej,të ngjeth. Më shumë se një kokëkrisje ishte një ideal, tek, i cili Trebeshina besonte verbërisht. Më shumë se sa një kryengritje ishte vullneti për të besuar se ai do të gjente mirëkuptim dhe promemoria e tij do të shërbente si një ndalesë për të mos e lënë letërsinë dhe teatrin, artin në përgjithësi të gremisej në honin e antivlerës. Por realizmi socialist e kishte marrë tatëpjetën tashmë dhe asgjë nuk do ta ndalonte. Ithtarët e këtij sistemi të kalbur vlerash ishin potencialisht më të fuqishëm se zëri vetëvrasës i Trebeshinës. Ishin pikërisht ata heretik që ia gatuan anatemën me notat më të përbindshme duke e çuar këtë guximtar drejt “turrës së druve”, ndoshta jo dhe aq për ta ndëshkuar, sesa për ta bërë shembull, për ta përdorur rastin Trebeshina si një Shpatë Demokleu që do të rrinte mbi kokat e shumë atyre, të cilët megjithëse ishin në një vullnesë me këtë Promethe, asnjëri nuk ishte gati të bëhej pre e zemërimit të “Perëndive” të Olimpit komunist.
Gjithsesi Kasem Trebeshina guxoi të ngrinte zërin, të reagonte kushtrueshëm si një shpirt i ndezur ndër luftëra idealesh. Doli një kundër të gjithëve pa e lëshuar skalionin e vullnetlirit. Ai do të këshillonte Enver Hoxhën se: “Duhet hequr dorë nga rruga e Luigjit të Katërmbëdhjetë”. Kurajoja për të besuar te idealet e tij komuniste do t’i kushtonte intelektualit dhe shkrimtarit, 17 vite heqje lirie dhe saora përballjen me mizorinë e ferrit komunist.
Më 5 tetor 1953, në një akt të radhë të disidencës së hapur në jetën intelektuale në Shqipëri, shkrimtari Kasem Trebeshina, një ish-komunist i përkushtuar, i larguar nga radhët e partisë, i dërgonte Enver Hoxhës një Promemorie, duke i kujtuar se politikat e tij kulturore po e çonin vendin drejt shkatërrimit. Ai kërkoi të mbronte idealet e shenjta, duke u vetëmohuar. Shqipëria nuk shpëtoi, as vlerat nuk mundën dot të shiheshin me dritën e shpresës. Edhe ato kishin të njëjtin fat tragjik që diktatura i rezervoi këtij zëri dalzotës. Gjithçka e mbuloi terri dhe atë e zuri përfundi pesha e mohimit. Arti llokoçitej atëditë e më pas në baltën e real-socializmit si një të mundshme të vetme që regjimi kishte zgjedhur.
Kasëm Trebeshina u lind më 5 gusht 1926 në Berat. Filloi studimet në Shkollën Normale të Elbasanit, por i ndërpreu ato më vitin 1942, kur u aktivizua në Luftën Nacionalçlirimtare. Në vitet 1950 Trebeshina la përgjysmë edhe studimet e larta në Institutin “Ostrovski” të Leningradit dhe iu kushtua tërësisht krijimtarisë letrare. Prozator, dramaturg e poet, Kasëm Trebeshina e kundërshtoi që në fillim metodën e realizmit socialist në kulturë, letërsi e art dhe filloi të shkruajë ndryshe nga ato që botoheshin asaj kohe. Prekja e temave tabu lidhen me talentin e shkrimtarit që shkruan si i thotë shpirti pa pyetur për pasojat, – thoshte ai. Sipas kritikës, vepra e Trebeshinës qëndron ndërmjet traditës kuteliane dhe surealizmit. Ajo u ngjiz prej një shpirti të etur për liri dhe mundësi, për sprova dhe kurajë, për gjithë çfarë përfaqëson arti, krijimi. Trebeshina, ishte dhe do të mbetet një emër i rëndësishëm në hitorinë e letërsisë shqipe, por mbi krejt, ai mbetet një zë i fuqishëm u guximit, i atij ngulmi, asaj vullnese, që i mori gjithçka, por nuk mundi kurrsesi ta nënshtronte. Ai jetoi, punoi dhe iku si një Promethe i idealit të tij. Dinjitoz në jetë, i përkorë në shuarje. Paqësor në ikjen që do të lërë pas një vepër bujare dhe një shembull të pashembullt të sakrificës dhe vetmohimit. La një vepër dhe një emër. Na la një testament që do ta na krenojë dhe do të na bëjë me faj.
Qoftë e bekuar çdo frymëmarrje juaj, qoftë e pranuar çdo sakrificë, qofsh në ikje një zgjim Kasëm Trebeshina.