Nga Albert Vataj
Më 12 Tetor 1285 , në Mynih të Gjermanisë, 180 herbrenj janë djegur të gjallë në sinagogën e tyre, ndërsa kishin refuzuar të pagëzoheshin si të krishterë. Kjo ngjarje ngjethëse është vijim i një ndëshkimi të përgjakshëm. Thashethemet se hebrenjtë kishin blerë nga një grua e moshuar fëmijë të krishterë, me gjakun e të cilëve do të gatuanin bukën e bekuar të Pashkëve, çuan në vrasjen e 68 çifutëve. Në mesjetë rituale të tilla të fshehta ekzistonin, së paku nga rrëfimet dhe dorëshkrimet e ndryshme, kryesisht nga pjesëtarë të këtyre grupimeve të fshehta, por edhe nga dëshmitë e gjyqeve të inkuizicionit.
Umberto Eco në librin e tij “Emri i trëndafilit” trajton veprimtarinë e grupeve të fshehta, kryesisht ato fetare, përplasjet, oponenca, luftrat e përgjakshme, intrigat, gjyqet dhe panoramën e errët të atyre kohëve.
Mes të vërtetës dhe trillit është një cohë e hollë.
Në këtë libër, faqe 72, Eco sjell bashkëbisedimin e abatit Umbërt dhe inkuizitorit Uilliam për apostujt e rremë të Mantefalkut ose vëllezërit e “Shpirtit të lirë”.
Janë episode ngjethëse të librit. Në tërësinë e vet gjithçka në këto faqe është fantastike dhe e frikshme, është tejshpuese dhe murosëse, është loja e kapërcyellit të mendimeve dhe aktit, është një përplasje e frikës dhe dyshimit, e drejtësisë dhe lajthitjes, është gjithçka që gatuhet në terrin e mendimeve dhe eksplodon në dritën e faktit.
“Mlidheshin natën në një qeli vere merrnin një fëmijë të sapolindur, i’a hidhnin njëri-tjetrit derisa vdiste nga goditjet… a nga tjetër gjë…, E kush e mbante për herë të fundit gjallë dhe i vdiste në duar bëhej kryetar i sektit. Dhe trupin foshnjës e bënin copa-copa, e përzienin me miell dhe e bënin oste blasfemie”.
Kësisoj ishin pohimet e dëshmitarëve në gjyqet e famshme të inkuizicionit, megjithëse sipas personazhit në këtë libër, këto nuk ishin konsideruar.
Djalli është kokëfortë thotë Eco në “Emri i trëndafilit”, ndjek një ritëm në djallëzitë dhe joshjen e tij, i përsërit ritet e veta edhe pas mijëra vjetësh, por është gjithnjë po ai, mizor.
Për të vijuar…
“Ndiznin kandilat natën e Pashkës dhe shpinin vajza poshtë në qilar. Pastaj shuanin kandilat dhe u hidheshin sipër, megjithëse mund të kishin mes tyre edhe lidhje gjaku. E po të lindte ndonjë fëmijë nga ky bashkim, fillonte përsëri ai riti prej ferri, të gjithë rrinin rreth e rrotull një poçeje plot me verë, që quanin fuqizë, e pinin sa deheshin dhe pastaj e prisnin copa-copa foshnjën, i’a kullonin gjakun në një kupë, hidhnin fëmijën ende të gjallë në zjarr, përzinin hirin e fëmijës së djegur me gjakun e mbledhur prej tij dhe e pinin.
Kjo ishte shkruar nga Mëhill Pseli rreth marifeteve të djallit… dhe dëshmuar gjatë torturave të një far Bentivenga, i cili akuzohej për blasfemi dhe gjykohej nga inkuizicioni.
Vetëm një gjë që i cyt kafshën më shumë se sa qejfi, shkruan Eco, është dhimbja. Nën torturë jeton si në mbretërinë e barërave vegimndjellëse. Gjithë ç’ke lexuar të vijnë në mend, sikur të të kenë rrëmbyer jo nga qielli por nga ferri. Nën torturë thua jo vetëm atë që do inkuizitori, por edhe ato që mendon se do t’i pëlqejnë atij, sepse vendoset një lidhje vërtetë djallëzore ndërmjet teje dhe atij…
Mitet e gjakut të pastër, gatimi i bukës së shenjtë me gjakun e fëmijëve të vegjël dhe flijimi i virgjëreshave, orgjitë në strehët e nëndheshme dhe kodi e rreptë i heshtjes, përbëjnë në vetvete aktivitetin e sekteve religjioze dhe jo vetëm, këtyre grupimeve, të cilat pasi dendeshim me ekstazi dhe retorikë dehëse, lëshoheshin në çapërlime dhe pështirje, në masakrime dhe monstruozitete. Mesjeta ishte vërtetë mizore, etja për gjak ishte e njëjtë sa përkushtimi për adhurim. Të vërtetat rreth riteve dhe marifeteve djallëzore, mund të jenë të gjitha trille, sikurse edhe gjykimet e famshme të inkuzicionit mund të ishin të gjitha një fars, por ajo që nuk përjashtohet është ana e errët e njeriut, instinkti i tij shtazor.