Bota mban frymën. Ora e lauratit të këtij çmimi ka filluar numërimin mbrapsht. Admiruesit e letërsisë po presin me padurim se cili do të jetë shkrimtari që do të nderohet me këtë çmim, krijuesi që do të grish interesimin e tyre për ta lexuar dhe rilexuar, tashmë si nobelist.
Vëmendja është përqendruar tek çmimi Nobel për Letërsinë, rreth polemikave që kanë shënuar historinë e tij, zhvillimet, lidhjet me gjeopolitikën, ndërkohë që laureati i 114-të do të njoftohet të enjten. Edhe shqiptarët nuk mbeten jashtë këtij interesimi, jo vetëm për kandidaturën e disavitshme të Ismail Kadare, por edhe për vetë lidhjen që tashmë kemi me letërsinë, nobelistët në veçanti, të cilët botuesit nxitojnë t’i publikojnë duke u’a servirur shqiptarëve si “zbulimin” e botës së letrave. Në historinë shumëvjeçare, Nobeli në Letërsi, kryesisht është shoqëruar me polemika dhe kundërshtime. Ka patur autorë, të cilët kanë refuzuar këtë vlerësim, të tjerë nuk kanë pranuar shpërblimin. Ajo që i ka qëndruar gjithnjë si një re e zezë kërcënuese është dyshimi për anësi, për gjeopolitike dhe një lloj trajtimi asapak mbi kritere letrare dhe estetike. Gjithsesi Nobeli pritet me shumë interes
– Polemika –
Në vitin 1964, filozofi francez, Jean-Paul Sartre, i cili krijoi mendimin e tij mbi kritikën e të gjitha institucioneve shkaktoi sensacion. Ai ishte i pari që refuzonte çmimin Nobel për Letërsinë. Në vitin 1974, suedezi, Eyvind Jonhson dhe Harry Martinson ishin në listë kundër Graham Greene, Saul Bellow apo Vladimir Nabokov. Edhe pse anëtarë të jurisë së Nobelit, ata u zgjodhën. Në vitin 1989, anëtarët e jurisë lënë Akademinë, të irrituar pse kjo e fundit nuk mbështeti publikisht britanikun Salman Rushdie, dënuar me vdekje nga imami Khomeini. Këto 20 vitet e fundit, dy laureatë kanë ndarë në mënyrë të veçantë shtypin dhe publikun. Dramaturgu dhe aktori italian, Dario Fo, në 1997 dhe këngëtari-kompozitor Bob Dylan, në 2016.
– Arritje –
Nobeli nuk ka munguar për amerikanët si Faulkner, Hemingway apo Steinbeck, gjermanët si Mann, Boell apo Grass, francezët si Gide, Camus apo Le Clezio. Ata nuk kanë harruar Kipling, Beckett apo Garcia Marquez. “Në mënyrë të përgjithshme, anëtarët e jurisë nuk bëjnë gabime përsa i përket kësaj. Mes 109 laureatëve ndodhen 40 prej emra shumë të mëdhenj”, shprehej në vitin 2012 mësuesi dhe historiani François Comba.
– Dështime-
Megjithatë, ka dhe të munguar prestigjiozë!
Conrad, Strindberg, Joyce, Rilke, Proust, Valery, Borges, Brecht, Virginia Woolf…
Për fat të keq, disa autorë janë ndarë nga jeta para kohe si francezi Paul Valery, i cili vdiq pak para njoftimit të çmimit, për të cilin ishte favoriti i madh në vitin 1945 dhe një pjesë e veprave të shkrimtarëve të tjerë u publikuan pak pas vdekjes së tyre si Kafka dhe Pessoa. Për më tepër, lista e laureatëve numëron shumë emra të harruar si Carducci, Mistral, Eucken, Karlfeldt, Spiteller…
Bëjnë pjesë mes tyre poetë, gjinia që pengon përgjithësisht famën e tyre.
– Perëndimi, dominues për një kohë të gjatë –
Nga 1901 deri në 1985, vetëm tetë laureatë nuk vinin as nga Evropa as nga SHBA-ja. Një vend si India ka vetëm një çmim (Tagore, 1913), ashtu si dhe në botën arabe (egjiptiani, Naguib Mahfouz, 1988). Është shumë e vështirë të gjykosh letërsinë jo-evropiane. Përkthimet kanë qenë të pakta dhe qarkullimi i ideve nuk kishte asgjë të përbashkët me epokën aktuale. Në vitet ’80, një shkëputje ndodhi, interesi i shprehur për joevropianët rritet brenda jurisë. Në vitin 1986, çmimi jepet për afrikanin e parë (Wole Soyinka, Nigeria), në vitin 2000 për kinezin e parë (Gao Xingjian), në 2006 për turkun e parë Turc (Orhan Pamuk).
Gratë, 14 laureate, vetëm gjashtë prej të cilave në vitet 1901 dhe 1990 do të jenë avantazhi kryesor. Këtu përsëri duke u shkëputur me traditën e favorizimit të Evropës, Nobeli i jepet në vitin 1991 afrikano-jugores, Nadine Gordimer dhe në vitin 1993, amerikanes me ngjyrë, Toni Morrison.
– Pesha e gjeopolitikës –
“Institucioni i Nobelit, që mbështet një politikë idealiste, sipas testamentit të Alfred Nobel, është një aktor diplomatik transnacional që ka ditur të adaptohet me zhvillimin e raporteve gjeopolitike botërore”, thekson specialistja për marrëdhëniet ndërkombëtare, Josepha Laroche, në një ese për Nobelin. Akademia ka mbështetur të mërguarit, disidentët, kontestuesit dhe autor të ndaluar për publikimin e veprave në vendet e tyre, të tillë si Asturias (Guatemala) apo Neruda (Kili).
Në kontekstin e Luftës së Ftohtë, disa zgjedhje nuk ishin ekskluzivisht letrare, si ato të polakut Milosz (1980), të çekut Seifert (1984), të rusit (mërguar në SHBA) Brodsky (1987). Në vitin 1958, Boris Pasternak u detyrua të refuzojë çmimin, nën presionin e qeverisë sovjetike. Dhe në vitin 1970, Aleksandre Solzhenicinit iu desh të refuzonte çmimin nga frika se nuk do mundej të kthehej në vendin e tij të lindjes. Ai e mori atë më në fund në vitin 1974.
Fakte rreth çmimit “Nobel” në letërsi
Kur Alfred Nobel vendosi të lërë në testamentin e tij shpërndarjen e çmimeve “Nobel”, askujt nuk ia mori mendja se një ditë ato do të bëheshin një ngjarje botërore. Për shumë vite, çmimet mbetën monopol i Europës, por tashmë janë bërë një event prestigjioz që priten me kureshtje nga bota akademike dhe jo vetëm. Mësoni faktet interesante të “Nobelit” të letërsisë nga zanafilla deri tani
Më 27 nëntor 1895, Alfred Nobel firmosi dëshirën e tij të fundit dhe la testamentin. Për pasojë, pjesa më e madhe e pasurisë së tij i shkoi një serie çmimesh, çmimeve “Nobel”. Ashtu siç përshkruhej edhe në testamentin e tij, një pjesë i dedikohej personit që duhet të ketë bërë në fushën e letërsisë, punën më të mirë në aspektin ideal.
Mësoni më shumë rreth çmimit “Nobel” në letërsi nga viti 1901 deri në 2013.
Numri i çmimeve “Nobel” në letërsi
Që nga viti 1901 janë dhënë 106 çmime “Nobel” në letërsi. Në shtatë vite të ndryshme, “Nobeli” nuk u dha: 1914, 1918, 1935, 1940, 1941, 1942 dhe 1943. Përse nuk u nderua dikush gjatë atyre viteve? Në rregulloren e Fondacionit Nobel shkruhet: “Nëse asnjë prej punëve që do të merren në konsideratë, nuk ka rëndësinë e përshkruar në paragrafin e parë, paratë duhet të ruhen deri vitin tjetër. Nëse edhe atëherë nuk jepet si çmim, paratë i kalojnë fondit rezervë. Gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, u shpërndanë pak çmime “Nobel”. Vetëm në katër raste unike, çmimi “Nobel” iu dha dy personave. “Nobeli” i përbashkët është më i zakonshëm në kategoritë e tjera si fizika, apo kimia.
Ditëlindjet
Mes atyre që kanë fituar çmimin prestigjioz, dy janë datat më të shpeshta të ditëlindjeve: 21 maji dhe 28 shkurti. Mosha mesatare e të gjithë laureatëve nga viti 1901 deri në 2013, është 65 vjeç. Laureati më i ri i letërsisë është Rudyard Kipling, i njohur për “Librin e Xhunglës”, i cili ishte 42 vjeç, kur u nderua me çmimin “Nobel” në vitin 1907. Personi më i vjetër në moshë që fitoi “Nobelin” në letërsi është Doris Lessing, e cila e mori në moshën 88-vjeçare, në vitin 2007.
Femrat e “Nobelit”
Deri më tani, 13 femra e kanë marrë “Nobelin” në letërsi. Autorja suedeze Selma Lagerlof ishte e para që e fitoi në vitin 1909. Selma Lagerlof u vlerësua pesë vite përpara se të zgjidhej në jurinë që do bënte selektimin e fituesit.
Ata që e refuzuan
Boris Pasternak, në vitin 1958, e pranoi çmimin “Nobel” në letërsi dhe më pas u detyrua nga autoritetet e Bashkimit Sovjetik ta refuzonte. Po ashtu, Jean Paul Sartre, fitoi në 1964, por nuk e pranoi, sepse i kishte përjashtuar të gjithë nderimet zyrtare. Deri më tani, asnjë shkrimtar nuk e ka marrë dy herë “Nobelin” për veprën e tij.
Nobeli Pas Vdekjes
Në vitin 1931, çmimi “Nobel” në letërsi iu dha pas vdekjes, Erik Axel Karlfeldt. Nga viti 1974, rregullorja e Fondacionit parashikoi se çmimi nuk mund të jepet pas vdekjes, vetëm nëse autori vdes pasi i është akorduar çmimi. Dag Hammarskjöld është një tjetër “Nobel” pas vdekjes në 1961.
Akademia Suedeze dhe Nobeli
Një problem i veçantë në lidhje me procesin e nominimit dhe përzgjedhjes, është sesi do të trajtoheshin kandidatët që ishin njëkohësisht anëtarë të Akademisë Suedeze, institucioni përgjegjës për përzgjedhjen e laureatëve. Të gjashtë laureatët suedezë të “Nobelit” në letërsi, ishin pjesë e akademisë. Selma Lagerlöf ishte një anëtare e Akademisë Suedeze në vitin 1914, pasi ajo u vlerësua me çmimin “Nobel” në letërsi në 1909. Verner von Heidenstam, fitues i “Nobelit” në 1916, ishte anëtar i Akademisë nga viti 1912 deri në 1940. Erik Axel Karlfeldt fitoi në 1931, ishte anëtar i Akademisë Suedeze nga viti 1904 deri më 1931. Pär Lagerkvist u nderua me “Nobel” në vitin 1951, ishte anëtar nga viti 1949 deri më 1974. Harry Martinson dhe Eyvind Johnson fitues të “Nobelit” në 1974-n, ishin anëtarë për shumë vjet në Akademi.
Gjuhët
Alfred Nobel kishte një horizont ndërkombëtar në testamentin e tij, ai nuk refuzoi asnjë konsideratë për kombësinë e kandidatëve, pasi ishte vepra ajo që vlerësohej. Problemi i mbikëqyrjes së letërsisë botërore ishte me të drejtë një çështje që e vuri Akademinë Suedeze përpara kritikave për dhënien e çmimit brenda Europës. Në vitin 1984, megjithatë, sekretari i përhershëm i Akademisë Suedeze, deklaroi se vëmendja ndaj shkrimtarëve joeuropianë po rritej gradualisht dhe se po bëheshin përpjekje për të arritur një konsideratë globale. 110 laureatët e letërsisë nga viti 1901 deri në vitin 2013, kanë shkruar në këto gjuhë: 27 në anglisht, 13 në frëngjisht, 13 në gjermanisht, 11 në spanjisht, 7 në suedisht, 6 në italisht, 5 në rusisht, 4 në polonisht, 2 në gjuhën kineze, 3 në danisht dhe norvegjisht, 2 në atë greke etj.
Rabindranath Tagore, i cili fitoi “Nobel” në letërsi në 1913, shkroi në gjuhën bengali dhe anglisht, Samuel Beckett shkroi në frëngjisht dhe anglisht kurse Joseph Brodsky, shkroi poezi në gjuhën ruse dhe angleze.
Laureatët dhe emrat artistikë
Sully Prudhomme, pseudonimi artistik i René François Armand Prudhomme, Anatole France pseudonim i Jacques Anatole Thibault, Wladyslaw Reymont pseudonim i Rejment, Grazia Deledda pseudonim i Grazia Madesani, Pearl Buck pseudonim i Pearl Walsh, Gabriela Mistral pseudonim i Lucila Godoy y Alcayaga, Saint-John Perse nofka e Alexis Léger, Giorgos Seferis pseudonim i Giorgos Seferiadis, Pablo Neruda pseudonim i Neftalí Ricardo Reyes Basoalto, Odysseus Elytis pseudonim Odysseus Alepoudhelis dhe Mo Yan pseudonim i Guan Moye.
Laureatët befasues
Shumë besojnë se Winston Churchill u nderua me “Nobelin” e paqes, por në fakt, ai u nderua në vitin 1953 duke marrë “Nobelin” në letërsi. Churchill mori 20 nominime në letërsi dhe dy për paqen.
Të nderuarit për një vepër të veçantë
Ndërsa çmimi “Nobel” i letërsisë është për punën e jetës së një shkrimtari, ka pasur nëntë raste kur laureatët e letërsisë, u nderuan nga Akademia Suedeze për një punë në veçanti.
Mikhail Sholokhov e mori në vitin 1965 për fuqi artistike dhe integritet, nëpërmjet të cilit ai i ka dhënë shprehje një fraze historike në jetën e rusëve. Ernest Hemingway në vitin 1954, për mjeshtërinë në artin e narracionit i demonstruar në librin “Plaku dhe Deti” dhe për influencën që ka shprehur me stilin bashkëkohor. Roger Martin Du Gard, më 1937, për fuqinë artistike dhe të vërtetën ku përshkruhet konflikti njerëzor, po ashtu edhe për disa aspekte thelbësore në jetën bashkëkohore në ciklin e novelës “Les Thibault”.
John Galsworthy, në vitin 1932, për artin e rrëfimit që merr formën më të lartë në “Saga e Forsajtëve”. Thomas Mann në 1929, përgjithësisht vetëm për novelën e tij, “Buddenbrooks”, për të cilën u bë i njohur si një nga punët klasike të letërsisë bashkëkohore.
Wladyslaw Reymont më 1924, për epikën e tij kombëtare “Fshatarët”. Knut Hamsun, në vitin 1920, për punën e tij monumentale “Rritja e Farës”. Carl Spitteler, në vitin 1919, si vlerësim për epikën e tij “Pranverë Olimpiane”.
Theodor Mommsen, në vitin 1902, çmimi iu dha me dedikimin “Artisti më i madh që jeton sot, në të shkruarit e historisë, për veprën e tij monumentale ‘Një histori e Romës’”.
Nominimet, një sekret
Nominimet dhe opinionet e shkruara nga anëtarët e Komitetit të Çmimit Nobel në Letërsi, çdo vit janë mbajtur sekret për 50 vite.
Ata që qëlluan me të parën
Sully Prudhomme, Rudolf Eucken, Paul Heyse, Rabindranath Tagore, Sinclair Lewis, Theodor Mommsen, Luigi Pirandello, Pearl Buck, Bertrand Russell dhe William Faulkner, janë disa prej autorëve që e morën “Nobelin” në letërsi vitin e parë të kandidimit.
Medalja e Nobelit për Letërsinë
Medalja e Letërsisë u dizenjua nga skulptori dhe skalitësi suedez Erik Lindberg dhe përfaqëson një burrë të ri të ulur nën pemë dafine, i cili dëgjon dhe shkruan këngën e Muzës.
Diplomat e Nobelit
Çdo diplomë “Nobeli” është një punë unike arti, krijuar prej artistëve dhe kaligrafëve më të njohur të Suedisë dhe Norvegjisë.
Të hollat e çmimit
Alfred Nobel e la pjesën më të madhe të pasurisë së tij më shumë se 3.4 milionë euro në atë kohë, që të konvertohej në një fond dhe të investohej. Të ardhurat nga investimet do të shpërndaheshin çdo vit në formën e çmimeve, atyre që gjatë vitit të kaluar kishin prodhuar të mira për njerëzimin. Sasia e shpërndarë në vitin 2013 për çmimet “Nobel”, ishte 0.88 milionë euro.
Përse quhen laureatë?
Laureatë i referohet nderimit nëpërmjet kurorës së dafinës. Në mitologjinë greke, Apollo përfaqësohet nga mbajtja e një kurore dafine mbi kokë. Kurora përbëhet nga degët dhe gjethet e një peme dafine që në latinisht shkruhet “laurus nobilis”. Në Greqinë e lashtë, kurora prej dafine u jepej fitimtarëve si shenjë nderi, si konkurrentëve atletikë, ashtu edhe atyre në konkurset e poezisë.