Ende kjo pyetje mbetet pa përgjigje.
Një kërkim të ngulmët në internet do të jetë i pamjaftueshëm për të mësuar për një detaj shumë të rëndësishëm për Migjenin e madh. Edhe pse në botimet e ndryshme, në prononcimet e historianëve dhe studiuesve, ende 13 tetori 1911 dominon si ditëlindja e poetit. Për kureshtinë e lexuesve, admiruesve të shumtë të Migjenit dhe një pasaktësie verbuese në portale të ndryshme, po publikoj Certifikatën e Lindjes së Migjenit, faksimile e cila është publikuar në botimin e vitit 1989, përgatitur nga Moikom Zeqo dhe me parathënie të Ismail Kadare dhe botuar nga “Naim Frashëri”.
Sipas kërkesës së tij, siç edhe saktësohet në diçiturën që shoqëron famsimilen, është korrigjuar ditëlindja duke përcaktuar 30 Shtator 1911 si dita dhe viti i saktë lindjes së poetit. Ky dokument sikurse është lehtësisht e verifikueshme edhe në faksimile e cila ndodhet në Muzeun Historik të Shkodrës, është lëshuar më 26 janar 1937, kur Migjeni ishte 26 vjeç, kishte përfunduar “Vargjet e Lira” dhe ushtronte profesionin e mësuesit në Gjimnazin “28 Nëntori”, Shkodër.
Midis dokumenteve të kohës, jo të sakta, është edhe një pasaportë e Migjenit e vit lindjes më 1909.
Në Muzeun Historik të Shkodrës ruhen gjithashtu në origjinal dorëshkrimet e krijimtarisë së Migjenit, si dhe stilografi me të cilin ai ka shkruar kryeveprat e letërsisë shqipe.
Ndër artefaktet më interesante është edhe kërkesa për vazhdimin e lejes se pushimit rreth 20 ditë para vdekjes, kërkesë që se ka përfunduar asnjëherë. Gjithçka që ka të bëjë me “Poetin e mjerimit” është e ruajtur dhe gjendet e ekspozuar për publikun dhe studiuesit. Ka shumë të vërteta të diskutueshme dhe vijojnë të mbeten të tilla për fatin e keq të mungesës së fakteve dhe dëshmive që rrëzojnë të shkuarën dhe korrigjojnë historinë. Por e vërteta e ditëlindjes së Millosh Gjergj Nikolla-Migjeni, një e vërtetë kokëfortë, e dokumentuar dhe e publikuar disa herë vijon të jetë e verbër, ngulmon të dezinformojë. Kjo neglizhencë e patolerueshme dhe kjo joshje për të pranuar të mbetemi të gënjyer, jo vetëm denigron figurën dhe veprën e poetit, por shpërdoron çdo ndjenjë pranimi dhe admirimi që ne kemi për vargjet e tij monumentale.