Ai afrohet me Frans Kafkën, por ka edhe elemente të ekzistencializmit letrar të Albert Kamy-së si edhe imazhe surrealiste. Migjeni është afetar nën ndikimin e Niçes. Për autorin e librit “Migjeni arkitekti i nëndheshëm i qiellit”, Mokom Zeqo, ka nisur epoka e leximit të ri të Migjenit autentik larg skemave ideologjike. Migjeni për të është një shkrimtar i papërsëritshëm
“Migjeni, arkitekti i nëndheshëm i qiellit”, thoni ju, është një libër që nuk duhet thjesht të lexohet, sepse shumë gjëra janë të fshehura, përtej fjalëve dhe ideve. Çfarë ka përtej fjalëve? Çfarë ka zbuluar Moikom Zeqo?
Të gjithë librat janë përtej fjalëve dhe ideve, d.m.th. sipas parimit estetik heminguejan: maja e ajsbergut është e dukshme, pjesa tjetër, më e madhja, e padukshme. Një libër, dhe ai më i miri, parashtron, zbulon, por asnjëherë në mënyrë shteruese, ajo që ngjan si mungesë, ose e pashkruar, nënkuptohet. Këtu është sekreti i çdo leximi të vërtetë. Libri nuk është thjesht objekt tipografik, një numerologji shkronjash a shenjash ortografike, është konceptualizimi i një substance, i kërkimit të së vërtetës, i debatit, përplasjes, është frymë. Në librin tim për Migjenin besoj se kam thënë disa risi, shumë gjëra të reja, të pathëna më parë nga studiuesit migjenologë.
Migjeni dhe Koliqi – raportet mes tyre janë paraqitur të këndvështrime të ndryshme nga studiues të ndryshëm, ndoshta të diktuara edhe nga koha kur janë shkruar. Ju në çfarë drite i shihni raportet mes tyre?
Në raporte të njohjes në largësi (nuk janë takuar asnjëherë). Koliqi ka shkruar i habitur për poezinë “Të lindet Njeriu” të Migjenit. Koliqi është rrëfimtar serioz. Botëkuptimet e Migjenit dhe të Koliqit janë të ndryshme. Dhe vizionet artistike i kanë autonome. Por edhe kahjet politike të papërputhshme.
Migjeni, sipas jush, ishte ekzistencialist ateist, apo ekzistencialist kristian?
Ekzistencialist ateist, apo ekzistencialist kristian? Këto janë klasifikime filozofike. Por Migjeni nuk është filozof i mirëfilltë, doktrinor. Është tjetër gjë. Është shkrimtar i jashtëzakonshëm, pa një të dytë. Ai afrohet me rrymën e ekspresionizmit artistik europian (me Frans Kafkën), por ka edhe elemente të ekzistencializmit letrar (Albert Kamy), por edhe imazhe surrealiste. Migjeni është afetar nën ndikimin e Niçes. Kjo është shumë e qartë. Migjeni shkruan: ”Të bahet dritë! Dhe drita u ba! A e shihni? Hokus Pokus! Një fjalë magjike! Sa bukur!” Një tekst antibiblik. Kundërshton fillimin e Testamentit të Vjetër (Librin e Zanafillës). Shprehja Hokus Pokus është shkurtimi i frazës së Testamentit të Ri, që në latinishten jeronimase (të Vulgatës ) është “Hoc est corpus meum” (“Ky është trupi im”), fraza që shpreh sakramentin e bukës si trupin e Krishtit, të eukaristisë. Një nga poezitë e tij e quan “Blasfemi”. Pra, ka një negativitet energjik, konceptual ndaj tërë feve, një paradigmë volteriane. Po Migjeni i ka shfrytëzuar arketipet biblikë gjerësisht, alegorisht dhe mjeshtërisht, në ndryshim nga Niçe, të cilit Migjeni i ka kushtuar një ditiramb. Midis mendimit mitologjik (pra dhe religjioz, qoftë dhe modern) dhe mendimit shkencor Migjeni është më afër të dytit. Roland Barthes ka një libër të quajtur “Mitologjitë” ku e saktëson këtë ndryshim botëkuptimor. Po kështu edhe Mircea Eliade, apo Frejzeri. Në kulturën botërore ka raste të panumërta të konceptit afetar migjenian.
Ju thoni se Migjeni është shkrimtari pa paraardhës, po në shumë kuptime ai është edhe një shkrimtar pa pasardhës. Nuk shihni asnjë të ngjashëm me të në gjithë letërsinë shqipe paraardhëse dhe pasardhëse?
Të dyja tezat e mia (thuhen për herë të parë) i kam shpjeguar në libër në baza kontekstuale, jo shabllone dhe të ngurta. Në letrat shqipe Migjeni nuk ka paraardhës edhe për faktin se ai është i vetmi ekspresionist shqiptar. (Temën e kriticizmit e ka edhe Konica, por nuk është ekspresionist). Migjeni gati nuk i njihte shkrimtarët shqiptarë në thellësi. Ai vinte nga letërsia më e mirë botërore. Kohët e fundit kam rilexuar dy libra, njërin të Hans Gugenhaimit “Kafka dhe zonjushet e Avinjonit” dhe tjetrin të Martha Robert, të quajtur “Franc Kafka”. Më kanë ndihmuar shumë për të kuptuar Migjenin sipas krahësimtarisë tipologjike dhe artistike në rrafshin e ekspresionizmit. Martha Robert thotë se “kuptimi i Kafkës është në teknikën e tij, që krijoi një qëndrim të ri në tërë letërsinë botërore“. Ajo shton se “rrëfimi i Kafkës nuk është i thurur prej simbolesh, siç është thënë me mijëra herë, por përftohet nga një teknikë e ndryshme, ajo e aluzionit të shumëfishtë dhe të pafund.” Të njëjtën teknikë e zotëron edhe Migjeni. Te “Novelë për Krizën”, një nga tekstet më të pabesueshme, Migjeni flet për Shtetin X (Shqipëria dhe njëkohësisht çdo shtet i botës) ku paria (mbase klasa politike e sotme) vret mendjen si ta zbusin “shtazën” e krizës shekullore, e gjejmë një kompromis politik: triumfin e recetës, për të bërë një konstrukt publik të artit të programuar me qëllime shtetërore. Pra, të kontrollit të mendjeve, të mbikëqyrjes së mendimit. Këtu Migjeni afrohet me Oruellin, me konceptin e Big Brother-it. E habitshme është si nuk është kuptuar karakteri i rrezikshëm i këtij teksti migjenian në totalitarizmin grotesk shqiptar, ku realizmi socialist ishte pikërisht triumfi i recetës, po edhe sot kuptimshmëria është aktualizuese. Disa proza të Migjenit janë kafkiane, “Vetëvrasja e trumcakut” ka të njëjtën teknikë të aluzionit pa kufij në kohë dhe në hapësirë. Në këtë kuptim, Migjeni nuk ka krijuar shkollë, as pasues.
Në këto 20 vjet është shkruar dhe folur shumë për Migjenin, por a është “zbuluar” e tërë krijimtaria e Migjenit, duke qenë se ai konsiderohet një nga poetët dhe prozatorët më të keqinterpretuar?
Zbulimet janë më tepër konceptuale – ky është thelbi. Keqinterpretimet janë të pashmangshme, predicate të komenteve të sipërfaqshme, të kic-kulturës. Të sub-kritikës.
Vitet e fundit, ndoshta për ta zhveshur nga notat e realizmit socialist nën dritën e të cilit e kanë njohur breza të tërë Migjenin, shohim që pjesa më e madhe e studiuesve i mëshojnë erotikës dhe skandalit në veprën e Migjenit. Ju ç’mendim keni për këtë? Si i shihni këto dy prezantime të Migjenit te lexuesi shqiptar?
Nuk dua të merrem me marrëzira mediatike, skupe, delire dhe diletantizëm absurd. Ka nisur epoka e leximit të ri të Migjenit autentik, larg skemave ideologjike. Migjeni është një shkrimtar i papërsëritshëm i një letërsie metafizike, ku realiteti është klonuar nga absurdi, ku enigma e ekzistencës është enigma e qenies njerëzore, e njeriut shqiptar si njerëzim. Pra, ç’jemi ne! Realizmi socialist e shkatërroi këtë paradigmë eternale të letërsisë së madhe për ta zëvendësuar me paradigmën “ne” dhe “ata” (armiqtë etj.) duke e shbërë temën metafizike, ekzistenciale.
Në të njëjtin vit ju botoni dhe librin tuaj eseistik “Refuzimi i shkrimit”, me proza të shkurtra tuajat, që datojnë nga viti 1970-2010. Thuajse në të njëjtën kohë (1969) ju keni nisur të shkruani edhe për Migjenin për 40 vjet me radhë. Në një farë mënyrë këto dy libra a janë shkruar thuajse njëkohësisht?
Të tërë librat e një shkrimtari janë libri i tij i vetëm, pra që të tërë librat, pavarësisht nyjeve kalendarike, janë libra të njëkohshëm me jetën e krijuesit. Besoj se më kuptoni!
Stili juaj është cilësuar stil lakonik, erudit, filozofik… etj., një stil vështirë i kuptueshëm për lexuesin e gjerë dhe që tërheq vëmendjen dhe interesin e një lexuesi profesionist, çka ndoshta e bën të vështirë interesin mediatik apo publicitar rreth krijimtarisë suaj. Ju vjen keq për këtë?
Pse të më vijë keq? Nuk shoh asgjë që të më vijë keq. Çdo letërsi serioze është sublimim i intelektit. Letërsia e lehtë nuk ka të bëjë me letërsinë, por me tregun mediokër, bestsellerizmin. Folëm për Migjenin, e pra është një shkrimtar elitar dhe ndoshta më i ndërlikuari dhe padyshim më konceptuali në letrat shqipe./Wordpress.com