Vite më parë, kur miq të ndryshëm më kërkonin të shikonin dhe Kështjellën e Bastijës (Bastille) në Paris unë vija buzën në gaz, pasi kështjella kishte mbetur gjithnjë në imagjinaren e popujve si një kështjellë reale. Një ditë, duke shoqëruar një mikun tim të gjimnazit, i cili më kërkoi ta çoja tek kështjella e Bastijës, kur mbërritëm në „Place de la Bastille“, unë i thashë:
– Ja, mbërritëm më së fundi në „Sheshin e Bastijës“.
– Po kështjella? – më pyeti menjëherë ai. – Mos është më tutje?
– Kështjella nuk ekziston më, – i thashë duke qeshur dhe nisa t’i tregoj historinë e asaj kështjelle që hyri në historinë e Francës dhe të botës, sepse rënia e kështjellës së Bastijës më 14 korrik 1879, ishte simboli i shëmbjes së monarkisë dhe e fitores së Revolucionit francez që solli Republikën.
Kështjella e Bastijës, e cila në fillim u ndërtua me dy torra për të mbrojtur Parisin, ishte një kështjellë hijerëndë e ndërtuar që në vitin 1356 por që më pas ishte zgjeruar duke i shtuar torra të tjera dhe duke ia shndërruar funksionin nga fortesë mbrojtëse në burg për kundërshtarët e mbretërve. Ajo shërbeu si burg edhe në kohën e Louis XI apo gjatë luftrave fetare midis katolikëve e protestanëve duke patur si robër figura të njohura historike siç ishte „Njeriu me maskë të hekurt“, të cilit nuk i njihej fytyra dhe që vdiq aty në një nga qelitë e deri tek djaloshi 22 vjeçar i mbiquajtur Volter, i cili u burgos pse kishte shkruar vjersha kundër dukeshës Du Berry. Pra ishte një burg që pati brenda mureve të saj markezë, dukë, kalorës të njohur dhe figura letrare që hynë në histori siç ishte dhe markezi Donatien Alphonse François, marquis de Sade.
Meqë Sad ishte kapur për histori femrash e sadomizmi kundër tyre, mbreti e kishte dënuar me burg dhe markezi kishte përfunduar më së fundi në torrat e kështjellës së Vincenne-s në periferi të Parisit.
Një çast ai tentoi të arratisej, por u kap dhe u burgos përsëri. Ai e kuptoi se në këtë vendim të burgosjes së tij ishte dora e të vjehrës, zonjës De Montreuil, e cila kërkonte ta izolonte atë përjetësisht. Më 1783, nga burgu i Vincennes, ai i shkruante gruas së tij: “Nëse robërinë time e shohin si një pengesë të principeve dhe shijeve të mia, siç thoni ju, ne atëherë mund t’i themi njëri-tjetrit një «lamtumirë» të përjetëshme, sepse do të më duhej të sakrifikoja njëmijë jetë e njëmijë liri po t’i kisha ato. Këto principe e shije te unë janë diçka e vyer për mua dhe ky lloj fanatizmi është vepër e persekucioneve të tiranëve të mi: sa më shumë ata vazhdojnë në këtë rrugë, aq më shumë rrënjosen këto principe te unë.»[1]
I burgosuri VIP në qelitë e Bastijës
Meqë në vitin 1784, burgu i kështjellës së Vincenne-s u mbyll, të burgosurin 44 vjeçar Donatien Sad e çuan në burgun e famshëm të Bastijës. Atje ai kishte numrin 6 të qelisë, pikërisht në një nga kullat e kështjellës që me cinizëm guvernatori e kishte mbiquajtur «Kulla e Lirisë». Që atëherë, gardianët e cilësonin Sadin «Monsieur 6» («Zoti nr.6»). Në qelinë e tij kishte minj dhe pas disa kohësh ai kërkoi një mace. Madje pak kohë më vonë kërkoi dhe një qen, që të mund të kalonte kohën dhe shtynte mërzitjen. Me këmbëngulje ai i kërkonte gruas së tij t’i dërgonte ushqime për markezët deri tek çokollatat, aq sa shumë shpejt ai u bë obez. Sadi e vuante shumë humbjen e lirisë, jo vetëm në mendim, por edhe për kënaqësinë e tij seksuale. Në letrat që i dërgonte gruas, të cilën e takoi në atë qeli vetëm pas katër vjet burg, ai përdorte kode dhe bojë «simpatike», të palexueshme, ku përshkruante skena erotike dhe dashuritë e tij imagjinare me gruan e tij. Ai i shkruante asaj: «Egërsira ime e vogël»… dhe i shkruante se masturbohej gjashtë herë në ditë. Madje i kërkoi t’i sillte dhen jë seks femëror artificial, çka gruan e skandalizoi, e megjithatë ajo do ta zbatonte porosinë e tij. Që të mos mërzitej, markezja filloi t’i dërgonte librat që ai i kërkonte dhe me vite, Sadi krijoi në qeli një bibliotekë mjaft të pasur, që i mbante madje dhe me kyç. Një vit më vonë ai filloi të shkruante librin e tij të famshëm Njëqind ditët e Sodomës, dhe që të mos ia kapnin dorëshkrimin, ai e shkroi atë me një shkrim mikroskopik dhe në fletë të vogla prej 11 cm, të ngjitura rresht në një rrodhan të gjatë prej 12,10m. Ai e kopjoi romanin në këtë rrodhan për 37 ditë, duke punuar mbrëmjeve nën dritën e qirinjve dhe në heshtje të plotë. Po në Bastijë, ai shkroi dhe romanin tjetër Aline et Valcour, (1786), dhe më 1788, brenda gjashtë ditëve shkroi veprën Eugenie de Franval. Meqë në burg e trajtonin keq, ai shkruante plot revoltë kundër guvernatorit të Bastijës, edhe pse e dinte që më parë që letrat do të lexoheshin nga ai. E quante gjaksor, idiot, kriminel dhe protestonte kundër dhunës ndaj lirisë së tij, ndërsa veten e cilësonte materialist dhe ateist.
Në fillim të korrikut të vitit 1789, gruaja e tij e informoi se Parisi kishte filluar të revoltohej. Nga skamja e madhe dhe jeta lluksoze në pallatin mbretëror, gjendja e popullit ishte rënduar. Edhe Sadi pikasi se garnizoni po përforcohej me forca të reja, në mënyrë që të mbroheshin nga çdo lloj sulmi nga jashtë. Topat ishin gati dhe urdhëri i guvernatorit Launnay ishte që të burgosurit mos të dilnin më në oborr. Atëherë Sadi, duke përdorur tubin e ujrave të zeza të qelisë së tij, doli në dritare dhe përmes tij, si nëpërmjet një megafoni, filloi të bërtiste në drejtim të rrugës ku kalonin kalimtarët e qytetit. Thirrja e tij ishte një lloj kushtrimi për kryengritje dhe Revolucion. Ai u thërriste njerëzve: ”Popull, ejani më çlironi! Unë jam me ju!”
Sigurisht, kjo gjë e bëri guvernatorin e Bastijës të revoltohej dhe ai dha urdhër që ta largonin fshehurazi nga Bastija të burgosurin e pabindur. Disa ditë para Revolucionit të 14 korrikut 1789, në mesnatë, markezin e “mbrapshtë”, e morrën nga qelia me forcë dhe me një karrocë e çuan në burgun e Charenton-it në periferi të Parisit, ku kishte dhe të çmendur. Dhjetë ditë më vonë Bastija u pushtua. Guvernatori Launnay u masakrua nga turma e revoltuar bashkë me ndihmësit e tij dhe koka i hepohej tashmë në një cfurk që mbanin kryengritësit. Por pikërisht, në 14 korrik, kur markezja shkonte të merrte plaçkat e Sadit dhe objektet në qelinë e tij, Bastija ishte në flakë.
Ato ditë, Bastija filloi të plaçkitej. Gjithë orenditë e qelisë së Sadit u zhdukën e bashkë me to dhe rrodhani i shtrenjtë i tij e plot dorëshkrime të tjera. Për pak çaste, turma e revoltuar i zhduku të 600 librat e çmuara të Sadit që gjëndeshin në qeli bashkë me objektet e tij personale. Sadi e qortoi gruan e tij që nuk i kishte marrë menjëherë dhe në kohë gjërat e tij nga qelia, por ajo që i dhimbte më shumë ishte rrodhani i romanit Njëqind e njëzet ditët e Sodomës si dhe gjashtë dorëshkrime të cilat humbën por që ai do t’i rishkruante ashtu siç i mbante mend. Në një letër që ato ditë i dërgonte një mikut të tij, ai shkruante: «Mund të rigjesh krevate, tavolina, komodina, por ku t’i rigjesh idetë. Jo miku im. Nuk mund ta përshkruaj dëshpërimin e kësaj humbje që është e pa riparueshme… dorëshkrimet për të cilat kam qarë me lotë gjaku.»
Rrodhani i Njëqind e njëzet ditëve të Sodomës
Njëqind e njëzet ditët e Sadomës, është një nga romanet më të forta dhe akuzuese të Sadit, ku përshkruhen një grup portretesh libertinësh e sadomistësh (ku padyshim vetë Sadi ishte një libertine dhe sadomist), të cilët i përkasin një kaste apo shtrese të caktuar të shoqërisë: shefi i financave Durcet, një 53 vjeçar; kryetari Curval, një i uritur seksual; duka Blangis, një 50 vjeçar i mbetur i ve pas tre martesash, pasi ishte shumë i dhunshëm dhe peshkopi, një batakçi e pedofil… Katër mbrëmje në javë, ata mblidheshin në katër shtëpi të ndryshme për të bërë orgji nga më skandalozet. Kështu parakalojnë rradhazi të njëqind e njëzet ditët e Sodomës, duke huazuar emrin e vendit të çthurrjes morale të tregimit biblik: seks, pedofili, pederasti, sadizëm… Priftërinjtë bëjnë pornografi dhe ushtrojnë dhunë seksuale; fretërit e manastirit Saint-Marie-des-Bois tregohen me një mizori të pashoqe; seksi i Adelaidës është një “vrimë rozë” dhe fallusi i peshkopit “i ngjan atij të një kali”…
Por historia e mbijetesës së këtij romani do të ishte e jashtëzakonshme. Kur u pushtua Bastija, rrodhanin e kishte gjetur dikush dhe më vonë ai e kishte shitur tek një antikuar. Vite më pas rodhani do të binte në dorën e një mjeku gjerman nga Berlini, Iwan Bloch. Sapo dalloi emrin e Sadit, ai e kuptoi vlerën historike të këtij dorëshkrimi. Bloch e bëri të njohur ekzistencën e këtij romani në vitin 1904 dhe në vitin 1931, më së fundi, ky roman u botua në Paris nga Maurice Haine. Ky botim do të risillte edhe një herë në botën letrare franceze kujtimin e jetës së Sadit në burgun e Bastijës dhe kalvarin e tij të pafund nga njëri burg në tjetrin. Por atëherë Sadi kishte patur veçse të drejtën e revoltës me fjalë dhe me letër, dhe asgjë tjetër. Nga Bastija, ai kishte shkruar: «Po, jam libertin. Sigurisht që nuk kam bërë gjithë ato që kam shkruar. Jam një libertin dhe jo një kriminel apo një vrasës.»
Një vit para shpërthimit të Revolucioni Francez, në vitin 1788, Sadi e kishte parandjerë se diçka do të ndodhte me Francën e mjerë e të revoltuar që ishte në prag të shpërthimit dhe në shënimet e tij, nga Bastija kishte shkruar: «Një revolucion i madh përgatitet në vendin tonë: Franca është e lodhur nga krimet e sovranëve tanë, nga mizoritë dhe çmenduritë e tyre, ajo është e lodhur nga despotizmi. Ajo do t’i këpusë këta vargonj.» Duke iu referuar parandjenjës dhe parashikimit të Sadit, një shekull më vonë, Paul Eluard, shkruante: – «Që nga burgu, – Sadi përpunonte principet revolucionare. Ai denonconte mbretërinë dhe klerin dhe përpiqej të shkatërronte idenë e Zotit dhe të moralit kristian, që e kanë detyruar gjithnjë njeriun të pranojë me nënshtrim një shtet që shtyp si dhe të jetë skllav i zotërve të tij dhe i paragjykimeve më idiote.»
Pas Revolucionit
I mjeri Sad! Ai, i cili nga dritaret me hekura të Bastijës kishte nxitur qytetarët për të bërë revolucion kundër monarkisë, (të cilës dhe i përkiste), pikërisht ai do të ishte një nga të burgosurit e fundit që do të dilte nga portat e Charenton më 23 mars të vitit 1790. Në bazë të një shkrese të Asamblesë Kushtetuese atij iu dha më së fundi liria.
Një Paris tjetër zbulohej para tij: një Paris i dehur nga liria dhe që po ç’thurrej nga kjo liri e fituar. Megjithatë, ai ishte me shpirt për vëllazërimin e ri të njerëzve. “Liri, Barazi, Vllazëri!” Por mjerisht, gruaja e tij, e cila nga frika se ishte aristokrate, ishte mbyllur në Kuvendin e Saint-Anne-s dhe nuk donte ta takonte më. Sadi tashmë dukej si një njeri i shpërfytyruar, pasi burgu e kishte transformuar tmerrësisht: ai ishte shëndoshur së tepërmi dhe ishte plakur para kohe. Prostitutat gëlonin ngado. Tashmë ndjente një urrejtje të madhe ndaj monarkistëve dhe dhunës së tyre kundër tij, aq sa në një revoltë popullore të gushtit të vitit 1792, ai rrëmbeu armët me ata që këndonin “Maresejezën”, ndërkohë që mbreti ndodhej ende në pallatet e Louvrit. Diçka e paimagjinueshme për një markez. Një muaj më vonë, turma e revoltuar e njerëzve shkoi përballë dritareve të mbretëreshës Marie-Antoinette, duke e sharrë gjithë klithma: “Putanë! Putanë!”… Ishte fundi i monarkisë.
Në ato ditë të pas Revolucionit, Sadi ishte një njeri i vetmuar, i braktisur, që i duhej të mbijetonte, pasi ai s’kishte asnjë të ardhur. Revolucioni tani i jepte të drejtën kujdo të hapte një teatër, pasi deri atëherë, teatri kishte qenë monopol vetëm i “Komedisë Franceze”. Kështu, për të fituar para, ky njeri pa asnjë profesion tjetër veç atij të shkrimtarit, filloi menjëherë shkrimin e dramave të para për shfaqjet teatrale dhe drama Pauline u pranua nga “Komedia Franceze”. Pjesët dramatike ai tashmë i nënshkruante “Louis Sade, letrar”, duke e zhdukur kështu titullin e tij markez. Por romanet ”rozë” ishin në modë në këtë kohë. Pikërisht në atë kohë ai u regjistrua dhe në “Société des Auteurs”, («Shoqata e Autorëve»). Krahas pjesëve teatrale, ai botoi dhe një tragjedi me pesë akte, të titulluar Jeanne Laisné, të cilën e kishte shkruar që në burgun e Vincennes. Njëkohësisht, nga frika e çenzurës, ai botoi pa emër dhe një variant të ri të romanit Justine, i cili më parë ishte blerë menjëherë nga lexuesit e shumtë. Ai e shkroi atë që të fitonte ca para për të shlyer borxhet e mëdha që kishte dhe sepse lexuesit ia kërkonin pareshtur. Ndërkohë familja e tij, nga frika e dhunës revolucionare, ia kishte mbathur jashtë Francës.
Në mars të vitit 1791 u botua romani Justina e re dhe ai i shkruante avokatit të tij: “Aktualisht po botohet një roman i imi që është shumë imoral dhe që s’mund t’ia dërgoj një njeriu besimtar si ju. Kisha nevojë për para dhe botuesi m’a kërkoi që ta shkruaja ca të “ndezur”. Dhe unë e bëra të tillë që të tërbohet edhe djalli. Quhet Justina. Po t’ju bjerë në dorë digjeni dhe mos e lexoni. Unë e kam mohuar atë.” [2]
Shumë kritikë e dinin se Justina ishte vepër e markezit Sad. Madje disa prej tyre shkruanin me simpati për veprën e tij: «Nëse kërkojmë të duam virtutin, duhet të lexojmë librat e tij, që të kuptojmë tmerrin e perversitetit kur nuk i vemë fre dëshirave të vetvetes.» Në këtë kohë të vështirë vetmie, meqë gruaja e kishte hedhur në gjyq për tu ndarë përfundimisht nga ai, Sadi u njoh me një aktore 34 vjeçare, të quajtur Marie-Constance, të cilës i dedikoi dhe botimin e ri të Justine-s. Ai sapo kishte filluar një jetë të re, kur në 8 dhjetor të vitit 1793, në apartamentin e tij në 20, Rue Neuve des Mathurins, policia e Republikës e arrestoi.
Fillimisht atë e futën në një burg të ri, i cili më parë kishte qenë «Kuvendi i Vajzave të Madalenës». Një muaj më vonë, në qeli, ai mori vesh se botuesit të tij, zotit Girouard, i kishin prerë kokën në gijotinë. Vallë për botimet erotike? Nuk vonoi shumë dhe Sadin e morën duarlidhur që të ishte i pranishëm në bastisjen e apartamentit të tij, ku policia gjeti disa letra që para pak kohësh ai ua kishte dërguar disa miqve, por që mjerisht ata ishin monarkistë dhe që përndiqeshin. Të burgosurin Sad, të akuzuar si kundër-revolucionar, e çuan në burgun e tmerrshëm të Picpus, në lagjet periferike të kryeqytetit, edhe pse pak kohë më parë ai kishte qenë sekretar e më pas kryetar i seksionit të Komitetit Revolucionar të Picpus. Tashmë e akuzojnë për «Konspiracion kundër Republikës». Por në proçesin kundër Sadit do të shtohen dhe veprat e tij të “ç’thurrura” të shkruara nga ai, si një provë më shumë e rrezikshmërisë së tij.
Ekzekutimet e kësaj kohe ishin të jashtzakonshme. Në krye të Republikës, prijësi i jakobinëve Robespier, ushtronte një terror të paparë, duke çuar në gijotinë dhe bashkëluftëtarët e vet të afërt, duke filluar me Danton-in dhe qindra të tjerë. Në burgun e Picpus, poshtë dritareve, sytë e Sadit shikonin gijotinën dhe më pas, trupat e të vrarëve, kufomat e të cilëve i hidhnin në një gropë të madhe që ishte hapur në mes të kopshtit. «Nga dritarja e qelisë, – i shkruante ai atë kohë një mikut të tij, – ndjej erën e tmerrshme të gropës së Picpus: vendi i ekzekutimit është poshtë dritares dhe gropa ku hidhen kufomat është në mes të kopshtit».
Sadi e kuptonte se nga Revolucioni, Franca tashmë kishte rënë në prehrin e terrorrit. Në një pamflet të kësaj kohe, të titulluar Francezë, akoma dhe një përpjekje, Sadi shkruante: “Mos vrisni më, mos internoni, këto krime janë të mbretërve dhe të shërbëtorëve të tyre.” Ai kërkonte pajtimin e francezëve. Për të, jakobinët veçse po vazhdonin dhunën e monarkisë.
Dosja e Sadit ishte tashmë në duart e kryetarit të Komitetit të Shpëtimit Publik të Gjykatave Revolucionare. Fatmirësisht, ishin ditët e fundit që po jetonte dhe vetë arkitekti i dhunës revolucionare, Maksimilian Robespier. Atë ditë, kur kishin ardhur për ta marrë dhe për ta ekzekutuar, atë nuk e kishin gjetur në burg. Ndoshta Sadin dikush e kishte lajmëruar dhe ai ishte fshehur diku në labirintet e asaj godine. Megjithatë ai ishte në burg. Sidoqoftë, ekzekutimet u bënë dhe emri i Sadit u la për më vonë, por dy ditë më pas, ishte Robespieri që shkoi në gijotinë. Me vrasjen e Robespierit më 10 thermidor, (5 gusht), dhuna revolucionare më së fundi mbaroi, edhe pse më kot, pasuesit e tij kërkuan të ngrinin popullin për ta mbrojtur Robespierin. Por të gjithë ishin të lodhur nga prerjet e pafund të kokave dhe era e gjakut në Paris ishte bërë e paduruar. Të gjithë të burgosurit u liruan dhe bashkë me ata edhe i burgosuri i famshëm, markezi, revolucionari dhe «kundër-revolucionari» Sad.
Kur doli nga burgu, Sadi ishte shpërfytyruar akoma më shumë. Duke kaluar nga Bastija, për të parë gërmadhat e kështjellës, ai u habit sesi gjithë ajo kështjellë e madhe ishte zhdukur dhe fare pak gurë kishin mbetur nëpër këmbë. Që pas shëmbjes së saj, njerëzit kishin rrëmbyer gurët, po kështu dhe sipërmarrësit, për të ndërtuar ura e ndërtesa. Tashmë hija e kështjellës ku ai kishte vuajtur vite me rradhë, i mbetej thjesht historisë…
Luan Rama
[1] Donatien Alphonse François, marquis de Sade, Maurice Lever, Ed. Fayard, Paris.
[2] Un portrait de Sade, Jean Raymond, Ed. Actes sud, Paris, 1989.
11 gusht 2017 (gazeta-Shqip.com)