Erdhi për të bërë gjëra të mëdha, për të lënë gjurmë të pashlyera në botën e muzikës, në atë qiell të shtresimeve të epërme estetike. U gjegj si një shkreptimë që grisi perden e terrtë që mbështillte nevojën për të bashkudhëtuar me popujt dhe kulturat e mëdha të kohës. Shkodra dhe Shqipëria e asokohshme meritonte më shumë, ngulmonte të përkundej prej magjisë së kolosëve Bethoveni, Bah, Hendel, Moxart, Shubert, Belin, Verdi. Dhe jetë do të merrte ëndrra e këtyre ninullave klasike. Ai, Prenkë Jakova ishte i zgjedhuri. Ai ishte i dërguari i vullneteve të hyjshme estetike, i çeljes së shtigjeve në udhën e vështirë të sfidave operistike.
Prenkë Jakova u lind më 27 qershor të vitit 1917 në qytetin e Shkodrës në familien e patriotit të njohur Kol Ded Jakova, i cili ka qenë ndër organizatorët e mbrojtjes së kufinjve kombëtarë nga agresioni jugosllav në Luftën e Koplikut, në vitin 1920. Që në moshë të re, Prenka mori pjesë në jetën artistike muzikore të qytetit për t’u shndërruar në logo të kësaj përkatësie të traditës dhe kulturës. Ai ishte themeltari i operës shqiptare, troku ma i njimendttë i djepit të kulturës, rrugëtimi drejt qiellit të famës të këtij ylli.
Rrugëtimi i formësimit të gjeniut
Arsimin profesional fillestar Jakova e kreu në kolegjin françeskan “Ylliricum”, drejtor i së cilës në atë kohë ishte At Gjergj Fishta. Mësuesi që i dha edukatën e parë artistike, njohuritë fillestare të muzikës së bashku dhe me disa njohuri të instrumenteve muzikorë si klarinetë, violinë, fizarmonikë dhe dirigjim, ishte Padër Martin Gjoka.”Mrika” dhe “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” janë kësodore dëshmimi i këtij akti sublim krijimi.
Jemi në vitet 1942 kur Prenkë Jakova së bashku me shokët e tij Çesk Zadeja, Ramadan Sokoli etj, do të fillojë studimet në Konservatorin “Santa Çiçilja” të Romës, studime të cilat për fatin e tij jo të mirë, për arsye të përmasave që mori Lufta e Dytë Botërore, do të detyrohet që t’i ndërpresë shumë herët. Megjithatë dhe me ato njohuri të marra në aq pak kohë të qëndrimit të tij në atë Konservator, do të arrijë një përgatitje profesionale të konsiderueshme, përfitim ky që shpejt do të ndjehet në krijimtarinë e tij muzikore. Me shumë vullnet do t’i dedikohet kryesisht studimeve teorike të muzikës, lëndëve të solfezhit dhe të harmonisë, orkestracionit dhe dirigjimit koral. Me një pasion të veçantë do t’i kushtohet plotësisht dhe përvetësimit të instrumentit të klarinetës, i cili shumë shpejt do t’i shërbejë si një mbështetje e fuqishme për njohjen e të gjitha instrumenteve të tjera të frymës.
Ditët e trishta
Do të jenë vitet 1944-’45. kur Jakova do të thellojë krijimtarinë muzikore, ndonëse në rrethana jetësore të vështira. Është koha kur Prenkëa mbahej familjarisht i izoluar në një shtëpi-burg për arsye tashmë të njohura. (Ndoc Jakova, vëllai i tij, një nga patriotët e njohur të kësaj periudhe, në këto momente ndodhej i arratisur, e mbas disa muajsh do të mbetet i vrarë nga forcat e ndjekjes së Sigurimit të Shtetit.) Megjithatë lirohet nga ky izolim për të punuar në realizimin e premierës së melodramës kaq të njohur, “Juda Makabe”, vepër kjo me të njëjtën titull e At Gjergj Fishtës, ku me një punë intensive e përfundon dhe arrin që ta shfaqë më 28 Nëntor 1945, në kuadrin e njëvjetorit të Çlirimit. Vepra pati një sukses të jashtëzakonshëm, u shfaq për disa net në Teatrin e Jezuitëve të Shkodrës, deri sa iu fut në vesh e në tru qeveritarëve të rinj komunistë, ku iu bë menjëherë censurimi i saj si një vepër dekadente. “Juda Makabe” u pezullua për të mos u shfaqur kurrë më, ndërsa autori u burgos. U burgos vetëm për frymëzimin e fuqishëm fishtjan dha në këtë vepër, si dhe për ndjeshmërinë e madhe që ky krijim muzikor ngjalli në popull.
Do të jetë viti 1947 koha kur Prenkë Jakovës do t’i jepet përsëri dora e krijimtarisë. Këtë radhë do të jetë drejtues artistik i Shtëpisë së Kulturës të qytetit të Shkodrës, përgjegjësi artistike,përgjegjësi kjo që do ta mbajë deri në ditët e fundit të jetës.
Nëpër galerinë e krijimtarisë së Jakovës
Aktivitete të tjera cilësore që do të rrisin ndjeshëm nivelin kulturor të këtij qyteti, paralelisht dhe personalitetin e Prenkë Jakovës si kompozitor, dirigjent dhe organizator i shquar. Janë, Kënga e bariut, Merdhin trumcaku, Hymni i kolegjit françeskan, Ave Maria, Litianit e Zojës, Marshi i fiskulturistëve, Elegji për Luigj Gurakuqin, Margjelo, mjaft krijime vokale të fuqishme të kohës, të cilat do ta pasurojnë galerinë e Jakovës. Të kësaj periudhe janë dhe opereta për fëmijë: “Xhuxhimaxhuxhat”; “Dasma shkodrane”; Melodrama “Juda Makabe”; veprimin muzikor “Dritë mbi Shqipëri”, romancat vokale dhe tabloja muzikore “Guri i Zi”; kompozime për piano, violinë, violonçel, klarinetë etj.
Kur lindi opera e parë shqiptare
Nistorja ma e kurajshme e një gjeniu, e cila kërkonte me ngulm ta përfshinte Shkodrën dhe krejt Shqipërinë në rendin e shoqërive aristokratike është sfida operistike. “Mrika” ishte opera e parë në historinë e artit muzikor shqiptar, të cilën Prenkë Jakova e shkroi në bashkëpunim me libretistin Llazar Siliqi dhe regjisorin e njohur shkodran Andrea Skanjeti. Më 1 dhjetor 1958 u shfaq premiera e operës së parë shqiptare, “Mrika”. Shfaqja e parë si dhe tetëmbëdhjetë të tjera në vazhdim u dhanë në teatrin “Migjeni” të Shkodrës, interpretuar nga muzikantët e këtij qyteti, nën drejtimin e mjeshtrit Prenkëë Jakova. Pas një viti, më 1959, opera u shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit, duke u bërë pjesë e rëndësishme e fondit të artë të repertorit të këtij institucioni.
Mbi të gjitha një njeri modest
Ai u ba një mit i vërtetë dhe i pakrahasueshëm qysh se ishte i gjallë e vazhdonte me ecë me çanten e vet të punës të mbushun me dru në kohë dimni per me shkue në dhomen e ftohët të Tijen, në katin e dytë të Shtëpisë së Kulturës, ku drita e asaj dhomë fikej e fundit… Një Burrë modest, trim dhe besimtarë katolik i vertetë, që porsa hapte sytë në mengjez mendonte kujt me i ba sot një të mirë…që per fat të keq, asnjeni nga “ata” që ka zbritë nga makinat e rekrutimit kur do të niseshin me shkue me krye sherbimin ushtarak nuk e shkruejnë një rresht per Té!-shruan Fritz Radovani.
Mjeshtri Prenkë Jakova
Prenkë Jakova ishte një ndër kompozitorët e brezit të parë të muzikës profesioniste, krijues i operës së parë shqiptare, përfaqësues i nivelit më të lartë të muzikës sonë të kultivuar, personaliteti dhe vepra e të cilit hapi rrugë dhe la gjurmë në artin tonë muzikor duke mbetur një shkreptimë drite në mbamendjen e gjeneratave.
Veprimtaria muzikore që la Prenkë Jakova është shumë e pasur e konsiston në dhjetëra vepra vokale, këngë korale të përpunuara, pjesë orkestrale e korale, pjesë për bandë, muzikë filmash e deri tek operetat e operat. Nisur nga virtuoziteti i tij dhe veprat e larmishme muzikore, Prenkë Jakova konsiderohet si një nga kolosët më të mëdhenj të muzikës shqiptare për të gjitha kohërat.
Kompozitorin Prenkë Jakova do ta cilësoja si një talent të rrallë, krijues i përmasave të gjera muzikore, dirigjent i aftë, klarinetist i shkëlqyer, njohës i të gjitha instrumenteve të orkestrës, i përgatitur mirë teorikisht, me një nivel të lartë profesional, por mbi të gjitha një njeri të mrekullueshëm. Ai u nda nga jeta tragjikisht më 16 shtator të vitit 1969 duke u hedhur nga kati i dytë i Shtëpisë së Kulturës në Shkodër. Gjithsesi kumtimet e ndryshme rreth këtij fundi tragjik të mjeshtrit orvaten me kriju aludime rreth vrasjes nga Sigurimi i Shtetit. Misteri i ndarjes nga jeta të Prenkë Jakovës mbetet një prej pikëpyetjeve që mbajnë larg të vërtetën.
Takimi me diktatorin Hoxha
Pas suksesit të madh që u arrit me vënien në skenë të operas së parë shqiptare “Mrika”, gjatë një vizite që bëri në qytetin e Shkodrës Enver Hoxha, u takua me Prenkëën dhe i tha atij se i kishte premtuar për të bërë dhe një opera tjetër për Skënderbeun. Një nga funksionarët e lartë të qytetit të Shkodrës, i cili ka qenë prezentë në atë bisedë të Prenkëës me Enver Hoxhën, dëshmon: Pas atyre fjalëve të Enver Hoxhës, Prenkëa iu përgjigj: “Po mor shoku Enver, por puna e operas nuk është si bukët që i fut kur të duash në furrë”. Pas përgjigjes së Prenkëës, Enver Hoxha filloi të qeshte dhe dha porosi që t’i plotësoheshin të gjitha kushtet Prenkëës, me qëllim që ai të vinte në skenë operën “Skënderbeu”, kujton ish funksionari i lartë lidhur me bisedën e Enver Hoxhës me Prenkëë Jakovën. Pas atij takimi, Prenkëa iu vu punës duke punuar nga mëngjesi deri në orët e vona të natës, për të realizuar atë që i kishte vënë si detyrë Enver Hoxha.
Ai e shkroi të gjithë muzikën e operas “Skënderbeu” dhe për disa muaj me radhë u muar vetëm me ndarjen e muzikës turke nga ajo arabe, gjë e cila deri në atë kohë konfondohej nga shumë kompozitorë. Kur e përfundoi muzikën e saj dhe e solli për miratim në Tiranë, Prenkëës i nxorën shumë pengesa dhe ata që ishin ngarkuar për shikimin e saj, i kërkonin të shkurtonte disa pjesë që sipas tyre stononin. Prenkëa refuzonte në mënyrë kategorike për ta bërë atë gjë dhe i vetmi që i doli në mbrojtje ishte Fadil Paçrami, i cili në atë kohë kishte dalë hapur kundër metodave të vjetra e konservatorizmit.
Ndonëse opera “Skënderbeu” u shfaq dhe pati sukses të madh, e Prenkëa pati përgëzime edhe nga Enver Hoxha, peripecitë për realizimin e saj lanë gjurmë të thella në gjendjen shpirtërore të Prenkëës. Kjo gjë ndodhte në një kohë, kur Prenkëa kishte nënën e tij të paralizuar në shtëpi, gjë e cila ia rëndoi së tepërmi gjendjen e tij nervore. Nisur nga këto strese që iu paraqitën, më 16 shtator të vitit 1969, kompozitori i famshëm Prenkë Jakova i dha fund jetës së tij në mënyrë tragjike, duke u hedhur nga kati i dytë i Shtëpisë së Kulturës. Në varrimin e tij mori pjesë i gjithë populli i Shkodrës, kurse nga Tirana u dërgua vetëm Sekretari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve.
Epilogu
I vetmi favor që iu bë atij nga shteti komunist ditën e varrimit, ishte dhënia e lejes që ai të varrosej nën tingujt e bandës muzikore të qytetit, të cilën ai e kishte shkruar vetë katër dekada më parë. Veprimtaria muzikore që la Prenkë Jakova është shumë e pasur e konsiston në dhjetëra vepra vokale, këngë korale të përpunuara, pjesë orkestrale e korale, pjesë për bandë, muzikë filmash e deri tek operetat e operat. Nisur nga virtuoziteti i tij dhe veprat e larmishme muzikore, Prenkë Jakova konsiderohet si një nga kolosët më të mëdhenj të muzikës shqiptare për të gjitha kohërat.
Edhe pse kanë kaluar dekada nga koha kur kompozitori Prenkë Jakova shkroi veprat e tij, ato vazhdojnë të admirohen, ndërsa autori i tyre konsiderohet në mënyrë të padyshimtë nga shtypi dhe kritika e artit, si kompozitori gjenial shqiptar. Kjo natyrisht përbën një sadisfaksion të madh për qytetarët shkodranë në mes të cilëve, u lind, jetoi dhe shkroi mjeshtri i madh Prenkë Jakova.
Prenkë Jakova do të mbetet përgjithnjë një emër i rëndësishëm i traditës dhe kulturës së qytetit verior. Ai solli në jetë operën e parë shqiptare “Mrika” dhe së bashku me “Skënderbeu” përbëjnë jo vetëm dy gurëthemelet e traditës sonë operistike por njiherash dhe kryeveprat e galerisë sonë kombëtare në këtë gjini të artit dhe komunikimit estetik. Kujtesa është një mirënjohje që do të na lërë gjithnjë borxhli para këtij njeriu modest dhe talenti të përmasave botërore. Shndritsh gjithmonë si yll, Prenkë Jakova.