Elena Gjika ka lindur në Rumani, por thotë se jam nga “Ngulimi labovit”, i Pargës. Naim Frashëri ka lindur në Turqi, por thotë se unë jam nga Frashëri, Përmet, megjithëse s’ka shkuar asnjëherë atje! Aleksandër Meksi e ka origjinën nga Labova, megjithëse s’ka shkuar asnjëherë në Labovë!…
Origjina familjare është diçka e shenjtë, historike. Prejardhja është vazhdë familjare, brez pas brezi, si e tillë ajo është e shenjtë dhe nuk harrohet në jetë të jetëve. Elena Gjika beharin e kalonte pranë brigjeve të Pargës, ku bashkë me labovitët e tjerë: Mishtajt, Deçkajt, Panajotajt, Noçkajt, Meksajt etj, në shekullin e 17-të kishin ardhur nga Labova dhe kishin krijuar “Ngulimin” labovit, që ekziston edhe sot e kësaj dite, megjithëse banesat janë rrënuar.
Edhe mëma ime Sana Mishto, Panajoti, aty nga vitet 1920 banonte në Pargë dhe unë në vitet 1990 takova shoqet e saj që flisnin një shqipe “ të rënduar”. Midis Pargës dhe Prevezës ishte ngritur kisha shqiptare që quhej “Labovica”, që ekziston edhe sot dhe falen labovitët që banojnë në këto qytete: Totajt, Dilot, Deçkajt etj.
Labovitët përpara se të mirrnin rrugën e kurbetit për në Amerikë, Rumani, Egjypt etj, qëndronin disa muaj në Pargë, Prevezë, Janinë. Edhe sot në këto qytete ka labovitë nga fiset që thamë, të cilët punojnë e jetojnë këtu. Ashtu si Janina edhe Parga e Preveza, janë bërë vendbanime labovite, ku flitet shqip.
Prindërit e Elena Gjikës në vitet e fundit të jetës, në vitet 1830 deri në 1850 qëndruan dhe vdiqën në Pargë. Mihal Gjika, baba i Elenës, që u bë edhe ministër në Moldavi- Vllahi në fillimet e viteve 1800, e mbylli jetën në Pargë në vitin 1850, 15 vjet mbas vdekjes së të shoqes Katerina. Në Labovë të Zhapës Gjikajt kanë pasur banesë, midis kishës së Papandisë dhe shtëpive të Totajve e Zhapajve. Këtu ka jetuar kushërira e tretë e Elena Gjikës, Anthulla, që emrin e parë e kishte Elena. Ajo tani është rreth të 80-tave dhe banon në Tiranë (afër sheshit Avni Rustemi).
Ajo ka qenë 10 vjeçe kur ka mësuar nga gjyshi i saj Ciko Gjika, i cili ka qenë në vdekjen e Elena Gjikës në Venecia, Itali, në vitin 1888. Datat janë të sakta dhe përkojnë me jetën dhe vitet e Elena Gjikës.
Bibliografitë historike edhe sipas studiuesit, shkrimtar Mihallaq Qileri nga Narta e Vlorës, janë të sakta dhe e tregojnë Elena Gjikën me origjinë nga Labova e Zhapës. Gjikajt e Labovës së Zhapës, të emigruar në Rumani në vitet e shekullit të 17-të, janë autoktonë labovitë. Joan Gjika, xhaxhai i Elenës, i cili u njoh dhe u miqësua me Vangjel Zhapën në Paris në vitet 1835, e quante vehten labovit dhe e kishte për krenari që ishte nga i njëjti vend nga ishte Vangjel Zhapa. Ata e ruajtën miqësinë dhe në Rumani.
I moshuari labovit Koço Toti rreth të 90-tave na tregon për familjen Gjika të Labovës së Zhapës dhe lidhjet e saj familjare me Gjikajt e Vllahisë – Rumani, letërkëmbimet e tyre deri vonë. Ai spjegon edhe përkimet në emrat e tyre dhe të fëmijëve të Gjikajve.
Elena, studjuesja dhe publicistja e parë shqiptare
Me plot gojën ne shprehemi se Elena Gjika, labovitja, e cila studioi në Rumani, Itali, Francë, Gjermani etj, u mbrujt me një kulturë të gjerë perëndimore, në shkollat më të mira të Europës. Ajo ishte vajzë e zgjuar, simpatike, shkruante poezi e tregime, përkthente nga literatura botërore, falë përvehtësimit të nëntë gjuhëve të huaja. Letërkëmbimi i saj me poetin arbëresh Jeronim De Rada apo shqiptarin e veriut Zef Jubanin, e bënë Elena Gjikën një luftëtare të denjë për çështjen shqiptare dhe çlirimin e pavarësinë e Shqipërisë. Elena Gjika (Dora D’Istria) shprehej: “Historia e popujve e ka zanafillën tek folklori, këngët popullore të transmetuara gojarisht, brez pas brezi”. (K. Xoxi- “Zvicra dhe Dora D’Istria” f.7). Vepra e Dora D’Isrias në frëngjisht “Les femmes en orient” (Gratë në Lindje) e përkthyer në disa gjuhë të botës, u bë ndriçues dhe përçues i femrës dhe rolit të saj në botë. Model jo vetëm i bukurisë së femrës shqiptare, por edhe poete, piktore, publiciste, pasionante e përvetësimit të disa gjuhëve të huaja ishte Elena Gjika.
Fjalori i madh universal francez shënon: “Princesha Elena njihte thellë italishten, anglishten, gjermanishten, frëngjishten, rumanishten, greqishten, latinishten, rusishten dhe shqipen”. Shqiptimi i tyre prefekt e pajisi me kulturë të gjerë, sa që studjuesi spanjoll Iriarte do ta quante “Enciklopedi e Gjallë“. Kur princesha jonë e ditur dhe e hijshme tërhoqi vëmendjen e shoqërisë së lartë, nuk ishte më shumë se 20 vjeç. Në Francë atëhere kishin marrë famë disa personalitete grash si: shkrimtaret frënge Zhorzh Sand dhe kontesha d’Agu, të cilat vazhdonin rrugën e krijimtarisë së bashkëatdhetares së tyre, pararendëses së zonjës de Stael, artiste e fjalës me prirje liberale. Ato tashmë e kishin kaluar moshën 44 vjeçare dhe kur ato u larguan nga jeta, Elena Gjika arriti kulmin e lavdishëm, aq sa princi i Rumanisë Karoli i I i dërgoi Urdhërin e Shkallës së I “Bene Merenti”, vlerësim që në perëndim caktohej për dijetarë dhe meshkujt.
Për Pargën, që Elena e quante vendlindje, shkruante: “Parga ime e dashur, e cila me shekuj nuk pat kandrue gjysmë hanën mbi muret e veta, Parga iu dorëzua të pamëshirshmit, vezirit të Janinës, Ali Pashës, i cili që prej kohësh e gjakonte këtë qytet të krishterë, të cilët nuk ju falte fajin për ndihmën që u pat dhanë panda herojve të Sulit”.
Elena Gjika mbledh letërsinë gojore dhe muzikën popullore në kohën kur merr hov letërsia e shkruar dhe shkenca historike në Europën Perëndimore, duke botuar folkun e këtyre vendeve. Ajo shkroi një sërë artikujsh publicistikë falë udhëtimeve dhe shtegtimeve të shpeshta dhe të largëta me një tok mbresash udhëtimi, nëpër organe të ndryshme të shtypit, si tek Ilustration i Parisit, Lejour i Triestes etj.
Me emrin e ri që mori u pagëzua Dora d’ Istria, ajo ja lëshoi vendin shtegtares, studiueses, mendimtares, artistes, dijetares. Dashuria për atdhe ka qënë gjithmonë veçoria më kryesore e shqiptarit. Shqipëria në të gjitha kohët ka qënë vendi i heronjve. Kombi shqiptar është një populli fortë i fuqishpëm porsi shkëmbinjtë ku jeton”, shkruan ajo në artikullin e famshëm “Kombësia Shqiptare sipas këngëve popullore” (letër këmbim me De Radën në vitin 1859). Populli shqiptar, një nga më të vjetërit e Europës, thonte ajo, meritonte të ishte i lirë dhe në liri të zhvillonte më tej aftësitë e veta krijuese. Ajo ishte për krijimin e një Akademie Shqiptare në Kalabri nën shembullin e Akademisë Frënge të Risheljesë, e cila të merrej me Fjalorin Kombëtar, për t’u bërë shpirti i popullit shqiptar. Në kërkimet që bën në Venecia Dora d’Istria shprehet për marrëdhëniet intime e të gjata me Shqipërinë, bile edhe për një bashkëvëllazëri shqiptare.
Ajo ishte për një pregatitje të kryengritjes shqiptare me armë duke siguruar 15 deri në 20.000 pushkë 15 frangëshe. Këtë kryengritje e përkrahte edhe gjeneral Garibaldi, që i drejtohej Dora d’Istrias “Motër heroike”. Sipas “Larousses” (Paris, 1870, vëll VI, f. 1107) Dora d’Istria u bë “Kampion i palodhshëm i çështjes së kombësive, të ardhmes politike dhe shoqërore të popujve, për një jetë moderne”. Ndërsa arbëreshi Dhimitër Kamarda do thoshte për të: “Unazë e qytetërimit midis lindjes dhe perëndimit”. Për rolin aq të çmueshëm në çështjen e çlirimit tonë kombëtar, atdhetarët shqiptarë e mbiquajtën “Ylli i Shqipërisë”.
Veshje tipike popullore labovite
Veshja vajzërore e Elena Gjikës është tipike e vajzës dhe gruas së re labovite. Fustani i gjatë i punuar prej kadife kaki ose blu e errët për vajza, i zi dhe kafe e errët për nuse të reja. Karakteistikë e këtij fustani është se ai bëhej pa jakë, i mbyllur përpara me tegela, paksa e hapur në pjesët e gjoksit që shkojnë tegelat deri në shpatull. Kadifeja dikur punohej në avlimend nga gratë, kurse sot prodhimi i saj është i industrializuar. Elena Gjika në rini, por edhe pas prishjes së martesës veshjen kadife nuk e hiqte nga kurmi duke pozuar shumë me të. Ishte veshja më e bukur e saj, për të treguar se jam më shumë shqiptare. Dhe motra e saj Sofia e përdorte shumë këtë veshje. Në Labovë këtë veshje vajzat dhe nuset e reja e përdorin në festa e gëzime dhe ditën e dytë të dasmës.
Në festën e 155 vjetorit të Rilindjes së Lojrave Olimpike u panë disa nuse labovite të veshur me këtë fustan. Studiuesi Ahmet Kondo në librin e tij “Dora d’Istria për çështjen kombëtare shqiptare”, ka zgjedhur për kopertinë foton e veshjes popullore labovite të Elena Gjikës. Këtë fustan, por kaki e gjejmë edhe në një foto dasme në lagjen Kala të Elbasanit të vitit 1937 të veshur nga Sana Mishto (Panajoti). Veshje të tilla janë gjetur në fshatrat e Odries dhe Lunxherisë, Zagorisë, Pargës, Janinës, Beratit etj., të veshur më shumë nga gratë e vajzat me fe kristiane. Eshtë parë ky fustan në fiset labovite të Porodinajt, Meksajve, Meçajt, Gjikajt, Noçkajt etj.
Kjo veshje e veçantë duhej të zërë vend në Hartën Entografike Shqiptare, duke e pasuruar fondin e saj. Modelistja Anthulla Gjika thotë: “Model kemi patur veshjen zakonore të Elenës në përgatitjen e shumë veshjeve të vajzave labovite.”
Publicisti labovit Jorgo Meksi, kryedaktor i gazetës “Shqipëria” të Bukureshtit në shekullin e 19-të përdoret pseudonimin “Gjika” ndërsa poeti ynë kombëtar Arben Duka vjershëronte: Saktë je Elena Gjika/Që gjithë Europën ndrite/ Në vesh s’më pushon muzika/ Se je vajza labovite.