Ndoshta edhe ai do të ishte pjesë e çdo triumfi, me të cilin e kemi kaq të lehtë që t'i blatohemi dhe kaq të pamundur ta bëjmë diçka të merituar. Humbësit e kanë të pamundur të mësohen me fitoren. Por jo vetëm kaq, duket se humbja nuk është thjeshtë një çështje fati apo çështje impenjimi, humbja është çështje themelore e të gjitha gjërave të rrokshme në Shqipërinë tonë të dashur, por kryesisht në futboll. Një vend i vogël me një traditë modeste futbollistike duhej të guxonte të dilte nga qerthulli i "mallkimit", në honin e të cilit e kishte groposur fati i keq. U përpoqën pafund emra dhe iniciativa, sprovuan kaq e kaq herë pa mundur të bënin që shqiptarët të ndjeheshin krenar për futbollin, për heronjtë e saj të fushave të blerta.
Dhe vjen një ditë, dhe vjen një kurajoz, një që besonte se me shqiptarët mund të bënte diçka, se shqiptarët meritonin më shuma se çfarë ata kishin mundur të arrinin. Erdhi nga përtej Adriatiku, nga vendi fqinjë, erdhi, pa, u përpoq, bëri dhe i'a arriti sa s'kishim mundur të arrinim asnjëherë. E mori Shqipërinë futbollistike nga asgjëja dhe e faktorizoi në arenën ndërkombëtare, e transformoi në një ekip sfidash, në një skuadër të cilën filluan ta kosnideronin edhe ekipe të mëdha botërore, ekipe që kishin shkruar historinë e futbollit.
Ai ishte Gianni De Biasi.
Kur ai erdhi me flamurin Kuq e Zi dhe me fitoren historike të Shqipërisë, të gjithë nxituan ti shtrojnë tapetin e kuq nga aeroporti deri në Tiranë. Një histeri shpërtheu. Një gazmim legjitim rroku ëndrrën e shqiptarëve. Politika nuk mund ta humbiste këtë rast. Ajo gati sa nuk pretendoi se mundi dhe djersa që kishte bërë këto djem të mbërrini cakun e ëndrrës, ishin të saja. Nuk i lanë këto djem të përulur, punëtor dhe të apasionuar të ishin kaq modest sa të gëzonin me maturi për atë që kishin arritur dhe të mund të reflektonin mbi të mundshmet e mbetura ende larg tyre. Një festë që tejkaloi çdo cak e arsye, një glori e pompuar me eter e fanfare, që në të vërtetë ishte më shumë propogandisitike se sa futbollistike. Kur ai tha se do të iki me përfundimin e eleminatoreve, në Tetor, pasi nuk ma rinovuan kontratën, askush nuk tha: Dale, çpo ndodh, pse do të largohesh? Kush po te largon? Duket se nuk mbërriti ndonjë zë i qenësishëm deri tek domethënia e kësaj ikje, e cila dukej se nuk kishte dhe aq lidhje me katër humbjet radhazi të kombëtares shqiptare, se sa kishte me piksynime jashtëfutbollistike.
Është fakt, apo jo, asnjëherë nuk kemi patur një trajner më të mirë e një skuadër më të mirë, një ëndërr më të besueshme. Ata që i shtruan tapetin e kuq, s’u kujtuan, ndoshta ngase ata duhet të ishin më të sinqertë se asnjëherë, të ishin zelltarë të vazhdeshëm të pushtetit. Kjo ikje për ta ishte thjeshtë një ikje, përtej asaj çfarë kishte bashkuar ata të gjithë futbolli.
Gianni De Biasi një ditë më pas, doli i përlotur e me kokën ulur, e tha se po iki që sot, pa pritur fundin e eliminatoreve. Pasi kishte thënë se kokën e tij e donin menjëherë pas ndeshjes me Izraelin, ai shkroi një letër lamtumire plot edukatë. Ku shprehej “skuadra jonë”, “kombëtarja jonë”, “vendi ynë”. Ashtu si në historitë e diktaturave, ku ata që të vrisnin natën të vajtonin ditën, u përlotën bashkë me Gianni De Biasi edhe ata që i kërkuan kokën: Po pse ike, ne të donim?
Mediat sportive, po ashtu, raportuan pa shumë lavdi largimin e tij. Një ikje pa lavdi, siç dinë të japin vetëm plëngprishësit, ata që ndër virtytet kryesore, kanë mëkatin themelor, mosmirënjohjen.
Në këtë ikje, Gianni De Biasin e përshëndetën vetëm shqiptarët e thjeshtë, në zemrën e të cilëve kishte zënë më shumë se askund vend. Ata që brohoritën stadiumeve dhe ata që suksesin e kombëtares e panë si sukses dhe krenari të vendit të tyre. Ata që i atriuban atij dhe vetëm atij gjithçka që skuadra e tyre e zemrës kishte arritur pas kaq e kaq përpjekjesh.
Të tjerët, ustallarët, ata që flamurin tonë kombëtar e kanë vetëm si një konvencion, ata bëjnë vetëm hesape, llogari, pazare. Paçka se nuk harrojnë ta mbajnë në kremtet e tyre futbollistike atë flamur që shpalosi në botën e madhe, Gianni De Biasi, italiani që u dashurua kaq shumë me Shqipërinë dhe shqiptarët, sa ta konsideronte si privilegj, kombësinë e dytë të tij, atë shqiptare.
Duan apo nuk duan zyrtarët dhe FSHF-së, Gianni De Biasi është tashmë një faqe në historinë e futbollit shqiptarë. Nesër ata të gjithë do të ikin një e nga një, duke marrë përfitimet dhe benefitet që u'a garantoi futbolli, që u'a dhuroi Gianni De Biasi, por ata do të ikin si anonim të kësaj historie ovacionesh dhe emocionesh shpërthyese fushash të blerta.
Ikja pa lavdi e Gianni De Biasi, e atij që na bëri të besonim te lavdia e shqiptare e futbollit, ishte një ikje e trishtë, një ikje e padenjë për një hero. Ne nuk mësuam kurrë se si t'i presim dhe si t'i përcjellim miqtë, ose më saktë, ne nuk mundëm asnjëherë të ishim ata që do të besonim zërit të zemrës, dhe t'i shkonim pas këtij vullneti, qoftë edhe në një lamtumirë.
LETRA E LAMTUMIRES
Gianni De Biasi
Kjo eshte nje faqe e pervojes time profesionale ne Shqiperi qe kurre nuk do kisha dashur ta shkruaja!
Kam menduar dhe medituar gjate dhe deshiroj t’ju informoj se duke nisur nga sot nuk do te jem me Trajneri i kombetares sone!
Do te ndalem ketu sepse deshiroj te mendoj per te miren dhe rritjen e Ekipit.
Besoj se e kam permbushur detyren time, e cila me ka lejuar mua per te nxjerre nga keta djem ato cilesi qe ne te kaluaren e afert kane bere te mundur te jetojme Endrren Europiane!
Ate enderr e cila qe ne ndeshjen e pare ne Gjeorgji, nepermjet asaj letre te hapur kisha kerkuar te ngulitja ne koken e tyre dhe ne zemren e tyre!
Eshte nje zgjedhje profesionale shume luftarake, e veshtire! Uroj qe te arrini ta kuptoni, edhe pse jo te gjithe mund ta pranojne! Kemi jetuar vite te mbushura plot emocione dhe kenaqesish dhe kemi arritur rezultate me te vertete te rendesishme qe shume i konsideronin te pamundura.
Gjate gjithe kesaj kohe kam punuar gjithmone me pasion te madh, me nje entuziazem te ri fale edhe rezultateve dhe euforise ngjitese e te gjithe shqiptareve , ne Atdhe dhe atyre te shperndare neper bote!
Impenjimi i perditshem, perpjekja per t’ju transferuar djemve nje mentalitet te ri, nje mentalitet fitues!
Angazhimi i vazhdueshem se bashku me gazetaret tuaj, i mediave per t’iu kaluar nje komunikim korrekt, transparent, proaktiv ka qene nje pune e detajuar me te vertete vazhdimisht e mundimshme, nganjehere dhe e bezdisshme!
Deshiroj te theksoj se sot largohem nga udheheqja e Kombetares, duke mos patur nje ekip ne te cilin te punoj, nderkohe qe gjate ketyre viteve gjithmone kam rezistuar ndaj tundimeve te ofertave te punes, duke ditur qe vendi im ishte ne udheheqjen e djemve tane drejt nje rritje te qendrueshme ne drejtim te realizimit te tyre.
Pas Europianit isha vendosmerisht i bindur qe mund te permiresonim me tej dhe se pervoja qe patem gjate tre ndeshjeve ne France, do te na lejonte nje rritje te metejshme globale.
Dhe keshtu do te jete, por me nje trajner te ri!
Po largohem me veshtiresi por i vetedijshem qe cikli im ne kete grup ka perfunduar dhe qe mund ti jape rastin atij qe do me zevendesoje, te njohe djemte ne kater ndeshjet e ardhshme.
Me lejoni te falenderoj te gjithe ata qe bashkepunuan ne rritjen dhe zhvillimin e projektit te Shqiperise qe na ka cuar te jemi ne vendin e 22 te Ranking Fifa, qe na ka mundesuar te mundim Norvegjine jashte shtepise, te fitonim dhe barazonim kunder Frances dhe te fitonim kunder Portugalise, i mundur pas nesh deri ne Pushtimin e Euro 2016!!!
Dhe me ne fund per te arritur endrren tone …
Deshiroj me kete rast te falenderoj publikisht ata te cilet me dhane kete mundesi te madhe , Presidentin Armando Duka, qe gjithmone me ka mbeshtetur dhe me ka dhene Letren e Bardhe( la Carta Bianca) per te vepruar ne rolin tim si Perzgjedhes!
Nje falenderim te perzemert te gjithe djemve qe gjate gjithe kesaj kohe kane qene pjese e Ekipit, faleminderit per gjithshka qe me keni dhene, qe keni dhene per fanellen tone!
Eshte nje pervoje qe me ka pasuruar si ne aspektin profesional ashtu dhe ne ate njerezor, me keni befasuar me perkushtimin tuaj dhe perfshirjen tuaj ne sfiden tone!
Faleminderit te gjithe bashkepunetoreve te mi, vecanerisht Paolo Tramezzani, shok udhetimi qe nga dita ime e pare ne Shqiperi , gjithmone i gatshem per te me mbeshtetur i palodhshem ne punen ne terren dhe ne shume udhetime per te takuar lojtaret tanete rinj!
Albertos qe ka ndjekur pergatitjen dhe rekuperimin e djemve, Ilir Boziqi, Ervin Bulku dhe gjithe stafi teknik! Benyy Celiku, Gianluca Stesina, Filippo Iori i cili ka trajtuar lojtaret se bashku me Ylli Mihali, Merepeza, Arben Voci, dhe te madhit Fatos Kademi nje punetor i palodhur!
Te gjithe njerez te cmuar dhe madheshtore Ekipi!
Per te gjithe njerezit qe punojne ne Federate, qe nuk dallohen por qe bejne nje pune te vlefshme per rezultatin perfundimtar!
Falenderoj ne menyre te vecante te gjithe tifozet tane te perkryer, lojtari yne i dymbedhjete.
Gjithmone te gatshem te na ndiqnin kudo me flamuj e me zemer.
Cdo gje ne funtboll , ne sport, ashtu si ne jete, ka nje fillim te tij dhe nje fund! Cikli im si trajner i Kombetares ka perfunduar, por asgje nuk mund te coptoje kurre lidhjen e forte qe me lidh me Kombin tone dhe te shume njerezve qe ne keto pese vite e gjysem te bukura pata fatin ti takoj!
Tani fara eshte mbjelle ne toke, po rritet dhe me angazhimin, perkujdesjen dhe punen e te gjitheve do te dije te jape fruta te shkelqyera!
Mirenjohje, Gianni De Biasi!”